Zv.presidenti i “Freedom House”: Vrasjet e 21 janarit dhe korrupsioni, diktuan 2011-n për Shqipërinë

19 Janar 2012, 19:20Politika TEMA

Në një raport të organizatës “Freedom House” mbi indeksin e lirisë për vitin 2011, Shqipëria rezulton me rënie krahasuar me një vit më parë. Në një intervistë që i dha Zërit të Amerikës, zëvendës presidenti për strategjinë dhe analizën në “Freedom House”, Christopher Walker, thotë se disa nga arësyet për rënien ishin dhuna në protestat e janarit 2011 që shkaktoi vdekjen e disa personave dhe vështirësitë në luftën kundër korrupsionit. Përsa i përket Kosovës, zoti Walker thotë se elitës së atjeshme politike do t’i duhet ta përqendrojë energjinë tek zhvillimi i institucioneve.

Vitin e kaluar situata në Shqipëri u karakterizua nga bllokimi politik. Konflikti politik u intensifikua dhe raporti vë në dukje se rivaliteti i mprehtë mes dy partive kryesore asaj Demokratike dhe asaj Socialiste që ka në qendër personalitetin, u përshkallëzua. Si do ta komentonit këtë frymë të vazhdueshme konflikti në Shqipëri?

Në raportin e këtij viti ne arritëm në përfundimin se Shqipëria ka pasur rënie dhe për disa arsye. Njëra prej tyre ishte dhuna në protestat e janarit 2011 që shkaktoi vdekjen e disa protestuesve. Po ashtu ne identifikuam vështirësi në luftën kundër korrupsionit, që është një sfidë në gjithë rajonin, por në Shqipëri e kemi hasur rregullisht në paaftësinë e sistemit për hartuar mekanizma të frytshme për të luftuar korrupsionin. Arritëm gjithashtu në përfundimin se zgjedhjet vendore të vitit të kaluar patën një numër të metash, gjë që kontribuoi tek prirja në rënie në Shqipëri.

Raporti përmend gjithashtu edhe problemet në sistemin e drejtësisë dhe pengesat që ka hasur Prokuroria e Përgjithshme. Cili është mendimi juaj?

Edhe kjo është një pjesë e rëndësishme e pyetjes më të gjerë, sepse edhe nëse Shqipëria mund të kapërcejë sfidat e korrupsionit, shteti ligjor është me rëndësi thelbësore. Një nga problemet që kemi parë vazhdimisht dhe e vumë re edhe në raportin e këtij viti, ishin çështjet që lidhen me pavarësinë e gjyqësorit, rastet e politizimit të gjyqësorit. Pra menduam se ky ishte një nga problemet që duhet ta vinim në dukje në raportin e këtij viti.

Në raport po ashtu thuhet se këto lloj problemesh dëmtojnë shanset e Shqipërisë për integrim në Bashkimin Evropian…

Po të shohim vendet që kanë mundur të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, ato kanë pasur një përmirësim të vazhdueshëm. Të gjitha ndryshimet dhe të gjitha standardet që kërkon Bashkimi Evropian për anëtarësim janë shumë të vështira. Mendoj se përsa kohë të ketë hendeqe në drejtimet kryesore si shteti ligjor, paaftësia për të zgjidhur problemin e korrupsionit, të gjitha këto do të jenë pengesa në rrugën e anëtarësimit në BE.

Meqenëse siç thuhet në raport shumë nga problemet politike i atribuohen kësaj politike të personalizuar, çfarë rrugësh do të sugjeronit për t’i zgjidhur ato?

Sigurisht që kjo mund të ndryshojë. Një nga sfidat në këto lloj situatash është që të gjenden mënyrat dhe mekanizmat që e kanë bazën më shumë tek institucionet dhe jo tek personalitetet. Kjo është një sfidë madhore në vendet që për një arsye apo një tjetër kanë pasur në qendër politikën e mbështetur tek personalitetet. Ky është një problem në shumë nga vendet që aspirojnë demokracinë në Evropën Juglindore, si edhe në pjesë të tjera të Evropës Lindore dhe të Euroazisë. Megjithatë për qytetarët e Shqipërisë dhe të tjerë të interesuar për vendin, që duan të shohin rezultate më pozitive në një atmosferë demokratike përgjegjësie dhe transparence, ku të ofrohen shanse për gjithë vendin, sigurisht do të kishte përfitime nëse punojnë për forcimin e këtyre institucioneve e jo duke u mbështetur te personalitetet individuale.

4 komente në “Zv.presidenti i “Freedom House”: Vrasjet e 21 janarit dhe korrupsioni, diktuan 2011-n për Shqipërinë”

  1. Ramy says:

    sa te jete saliu ne kete vend era qen do ti vije

  2. FAK says:

    lane koqen e namit keto njerez qe e shohin jeten prapa perdeve..
    ne shqiperi nuk ka shtet
    as diktature
    as fashizim
    as komunizem
    KA VETEM KUFOMEN E NJE PERBINDESHI TROPOJET QE E MBAN GJALLE
    ARVIZU & EUGEN VOLFARTH
    hiqeni kufomen se po qelb boten boll me pallavra..

    1. Shefqet Cela says:

      Fjala kufome nuk eshte e sakte. Kufoma eshte paqesore perjetesisht.
      KY ESHTE LUGAT QE TURBULLON DHE TORURON BASHKEQYTETARET.

  3. Gambone says:

    e me mos e beni gogol se nje pede eshte po eshte shqiptari popull frikacak

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje