Zgjedhjet për kreun e PS-së në Tiranë, Tahiri e Zela paraqesin platformat

3 Mars 2012, 12:27Politika TEMA

Socialistët pritet që të zgjedhin sot kreun e PS-së së Tiranës, ku kandidojnë Sajmir Tahiri dhe Ilir Zela. Votimi është hapur nga ana e sekretarit organizativ, Blendi Klosi.

“Të dy kandidatët dëshmojnë se e duan PS, e cila ka 20 vjet që drejton dhe është forca më e madhe politike në vend, siç e duan që ata kanë vite që e kanë kontribuar. E duan Partinë Socialiste anëtarët e saj. Forca jonë do jetë e gatshme të japë kontributin për këtë qytet. Të dy kandidatët dëshmuan se janë përfaqësues të gjithë brezave të PS. Dëshmuan se PS ka vend për të gjithë brezat. PS është streha e tyre që duan një qeverisje më të mirë për të gjithë qytetarët. Fitorja vjen nga Tirana siç thotë Iliri dhe duhet shumë punë siç thotë Saimiri” theksoi Klosi.

I pari që mbajti fjalën ishte kandidati për kreun e PS-së së Tiranës Ilir Zela i cili ka prezantuar platformën e tij. Ai ka theksuar se do të kontribuojë sa mundet për fitoren e Partisë Socialiste ndërsa shtoi se në themel të platformës së tij është bashkimi i të gjithë socialistëve. “Fitorja fillon nga Tirana. Unë do të kontribuojë sa mundem për fitoren e partisë sonë. Ideja ime është bashkimi i të gjithë socialistëve në funksion të fitores së ardhshme, për t`u dhënë kryeqytetasve garancitë e plota që Partia Socialiste do të jetë në funksion të qytetarëve dhe të zhvillimit të vendit” ka theksuar Zela.

Nga ana e tij Sajmir Tahiri bëri një rezume të të gjithë eksperencës së tij në Partinë Socialiste që në fillesat e tij e deri më sot. Ndërsa e ka cilësuar garën për kreun e PS-së së Tiranës si një process shembullor i bazuar në transparencë dhe në modelin e bashkëjetesës, Tahiri i kërkoi anëtarëve të Asamblesë t`i japin votën. “Unë dua të drejtoj Partinë Socialiste për Tiranës sepse besoj që sëbashku me ju mund të ndërtojmë një parti të denjë, mund të ngrejmë ekipe të denja për t`ju përgjigjur punës që kemi përpara. Besoj se ne sëbashku mund të ndërtojmë një parti të fortë dhe solide, të ngrejmë një parti të aftë të komunikojë me qytetarët dhe të kthejë në aksion politik çdo shqetësim të tyre” ka theksuar Tahiri.

Do të jenë 620 anëtarët e Asamblesë së zgjeruar të Tiranës, që do të zgjedhin mes dy kandidatëve. Pas votimit në Tiranë, socialistët do të zgjedhin drejtuesit lokalë edhe në 117 njësitë e tjera në të gjithë vendin.

 

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje