Kriza në eurozonë sjell çdo ditë lajme nga më të ndryshmet. Por sa të vërteta janë ato? BBC ka vendosur të kërkojë mbi të vërtetën e informacioneve që qarkullojnë gjerësisht në media.
Pronarët grekë të Porsche-ve
Në media qarkullon gjerësisht informacioni se në Greqi ka më shumë pronarë makinash Porsche Cayenne sesa taksapagues që fitojnë mbi 50 mijë euro, pak a shumë sa çmimi i makinës.
Fillimisht lajmi ka dalë nga profesor Herakles Polemarchakis, një ish- këshilltar ekonomik i kryeministrit grek.
Por kur u pyet nga BBC, ai tha se deklarata ishte rastësore, e bazuar ne atë që qarkullonte në qarqet greke. Ai thotë se ka vetëm një fakt, që në qytetin e Larisas ka makina Cayenne sa dyfishi i atyre në vendet e tjera të OECD.
Por si qëndrojnë faktet?
Në vitin 2010 kishte në Greqi 311.428 njerëz që deklaronin të ardhura mbi 50 mijë.
Zëdhënësi i Porsche qesh me këto të dhëna. Ai thotë se mezi i kanë shitur 1500 copë Cayenne në Greqi që kur makina luksoze u prezantua në treg nëntë vite më parë.
Natyrisht kjo nuk do të thotë që grekët paguajnë taksat në shumën e duhur.