INTERVISTA/ Ambasadorja gjermane: Banka KFW ishte korrekte dhe jashtëzakonisht transparente. Koha është flori

20 Prill 2012, 21:34Politika TEMA

Diplomatja gjermane thotë se përkrah taksën progresive. Ajo shpreh shqetësimet për tonet nacionaliste të Aleancës Kuq e Zi dhe thotë se vendit i duhet një president konsensual. Sipas saj, qytetarët gjermanolindorë i mbrojtën vetë dosjet kur ndryshoi sistemi. Ambasadorja tha se Bavaria ka paditur botuesin e librit të Adolf Hitler “Lufta ime” në Shqip

 

Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Carola Mueller Holtkemper në Ora News i kundërvihet deklaratave të kryeministrit Sali Berisha dhe ministrit të Financave, Ridvan Bode për linjën e interkonjeksionit, të cilët akuzuan donatorin gjerman, KFW, se ka vepruar pa transparencë dhe në favor të akteve korruptive. Ambasadorja tha se banka ka qenë transparente dhe korrekte. Ajo shtoi se koha është flori.

 

Bisedoi: Ilva Tare, Tonight

 

Si e komentoni lajmin e dalë në media mbi vonesën një vjeçare të projektit të linjes së interkonjeksionit midis Shqipërisë dhe Kosovës të financuar nga banka gjermane KfW?

“Normalisht ne nuk japim detaje apo informacione rreth procedurave të tenderimit, që janë në vazhdim e sipër. Megjithatë dua t’ju siguroj që pala gjermane në këtë rast për të cilin flasim ka punuar vazhdimisht në mënyrë korrekte dhe jashtëzakonisht transparente”.

A keni dijeni për arsyet e vonesës?

“Ne kemi konstatuar që ka një vonesë, arsyet e kësaj vonese nuk janë ndërkohë të njohura për ne, por mund të them që koha është flori”.

A duhej te ishte botuar në gjuhën shqipe libri i Adolf Hitler Mein Kampf?

Fillimisht më duhet të them që libri, parë nga këndvështrimi juridik, është një kopje e vjedhur pasi për sa i përket të drejtave, ato i takojnë Bavarisë. Në Gjermani ky libër është i ndaluar dhe unë nuk mendoj se do të kishte një vlerë përdorimi dhe dobishmërie për lexuesin shqiptar. Për printimin e një libri, për publikimin e një libri normalisht do të ishte nevoja e marrjes të së drejtave dhe kjo ka të bëjë me sigurinë ligjore të një vendi që e preka më parë. Siç thashë dhe më parë këto të drejta i ka landi i Bavarisë dhe unë mendoj që do të procedohet dhe me anë ligjore nga ana e Bavarisë për këtë çështje.

 

Çfarë kërkon Gjermania të shohë nga Shqipëria në aspektin e reformave që duhet të realizohen me urgjencë?

Përsa i përket reformave e thënë në mënyrë të përmbledhur si në progres raportin e BE-s, por akoma më e përmbledhur është ajo ç’ka ne duam të shohim në plan veprimin e shtetit shqiptar, pra që qeveria shqiptare është bashkuar me opozitën dhe me shoqërinë civile, është një dokument vërtet voluminoz, i cili sikurse e shikoj unë është një analizë mjaft e hapur e asaj ç’ka mungon ende në Shqipëri. Në këtë plan veprim jepen receta apo strategji të caktuara me anë të cilave në ritme të caktuara kohore do të realizohen këto reforma apo këto probleme. Në vend të parë të këtyre 12 prioriteteve të njohura tashmë për ne është krijimi i shtetit ligjor dhe me këto kapituj ku bëhet fjalë për ndërtimin e shtetit ligjor do të vendoset nëse nisin bisedimet me Shqipërinë. Kjo është dhe strategjia e Komisionit Europian dhe është treguar tanimë që ky është sektori më i rëndësishëm për integrimin ekonomik –kombëtar.

 

Reforma elektorale dhe kërkesat e partive të vogla. A mendoni se do të merren parasysh nga dy partitë e mëdha?

Pika më e rëndësishme në realizimin e procesit zgjedhor është reflektimi i vullnetit të zgjedhësve dhe elektoratit dhe çka në vitet e fundit është theksuar si pikë e parë në të gjitha raportet e ODIHR-it. Përsa i përket kodit zgjedhor në tërësi këtu ka një sërë çështjesh të cilat do të trajtoheshin në kuadrin e zhvillimit të shteteve demokratike. Shqipëria ka marrë vendimin për tu orientuar nga ligji zgjedhor spanjoll dhe është vendimi apo dëshira e partive politike për të bërë hapa konkretë në ketë drejtim, por sistemi spanjoll, ai gjerman apo hollandez janë sigurisht sisteme demokratike zgjedhore dhe këtu nuk ka ndonjë shabllon të caktuar që do të gjente aplikim në shtete apo vende të caktuara.

 

Numërimi elektronik. A mendoni se elektronizimi i procesit do të shmangë problemet që Shqipëria ka pasur në zgjedhjet e mëparshme?

Për të përcjellë dhe njëherë rekomandimin e ODIHR, gjëja më e rëndësishme është vullneti për të zhvilluar zgjedhje të lira. Nëse bëhet në mënyrë elektronike apo jo kjo është një çështje dytësore. Ne më së shumti kemi pasur përvojën e fletëve të votimit të printuara, sigurisht nuk duhet të presim mrekulli nga futja në përdorim e metodave elektronike të numërimit. Do të ishte një hap përpara, por unë mendoj se kjo ka të bëjë me formën e jashtme të procesit.

 

Për dy vjet BE i ka përplasur derën Shqipërisë për statusin kandidat. A do ta marrë Shqipëria statusin këtë vit?

Kjo varet krejtësisht prej Shqipërisë dhe shqiptarëve, por për fitimin e statusit ka rregulla transparente, kritere transparente të quajtura kriteret e Kopenhagenit dhe unë jam në një mendje me gjithë kolegët e mi që në rastin e Shqipërisë as më pak e as më shumë nuk do të pritet më shumë sesa përmbushja e kritereve. Për shembull në rastin e liberalizimit të vizave është treguar tashmë që nëqoftëse Shqipëria ndjek një objektiv të caktuar ajo është në gjendje të përmbush këto kritere, madje shpejt dhe në mënyrë të qëndrueshme. Unë jam e mendimit që këto 12 prioritete tanimë mund të përballohen prej Shqipërisë. Kemi vendosur disa kritere dhe nuk shtohen kritere të tjera veç tyre, por që edhe ato nuk do të pakësohen dhe sikurse përmenda unë kam përshtypjen që këto çështje po trajtohen në mënyrë serioze, aktorët politikë kanë treguar dhe kanë vendosur me plan veprimin një kuadër kohor dhe përgjegjësitë e caktuara që duhen ndërmarrë në mënyrë që të implementohet çfarë është vendosur në letër.

 

Korrupsioni. A mendoni se ky është një nga problemet me të cilat Shqipëria duhet ta nis adresimin e reformave?

Të gjitha çështjet apo dokumentet e përmendura, progres raportet e BE-së apo dokumentet e tjera të rëndësishme theksojnë se ky është një problem që gjen vëmendje të vazhdueshme, por plan veprimi ka afate të caktuara, masa të caktuara të cilat duhet të realizohen në mënyrë që fenomeni së paku të kufizohet. Nuk ekziston asnjë vend tjetër ku mos ketë forma korrupsioni, por një vend ku ka korrupsion në nivele minimale është shumë efiçent. Korrupsioni si çështje nuk është vetëm e natyrës morale, sigurisht është edhe e tillë, por korrupsioni çon në shpërdorimin e burimeve të caktuara si dhe në shpërdorimin në shkallë më të gjerë të ekonomive kombëtare përmes korrupsionit, shanseve të caktuara që nuk i jepen ekonomisë shqiptare humbasin. Kështu e shikoj unë ketë fenomen.

 

Çfarë do të thotë për qeverinë gjermane shtet i së drejtës?

Koncepti i shtetit ligjor nuk do të thotë thjeshtë që të gjithë të orientohen dhe të respektojnë Kushtetutën dhe parimet kushtetuese dhe rregullat duhet tu jenë të njohura të gjithëve e institucionet t’i zbatojnë këto rregulla. Në sektorin e drejtësisë këto ligje do duhej të zbatoheshin në mënyrë të njëjtrajtshme kundër ose pro gjithsecilit ashtu sikurse parashikohet në ligj. E thënë me fjalë të thjeshta ky do të ishte koncepti i shtetit ligjor, por kjo është mjaft e vështirë për tu zbatuar.

 

A është e mundur mbrojtja e institucioneve apo kjo ndoshta kërkon kohë? Shqipëria këto dy dekada demokraci, sidomos pas 21 Janarit të vitit të shkuar dëshmoi që nuk e ka këtë pjekuri. E kam fjalën për sulmet ndaj Presidentit te Republikës, Prokurores së Përgjithshme. Cili është qëndrimi i qeverisë gjermane për hetimet e 21 Janarit dhe mundësinë që kanë institucionet e pavarura për të zbardhur të vërtetën deri në fund?

Sigurisht duhet të trajtohen dhe të gjenden, të përcaktohen në kuadër të proceseve ligjore. Midis institucioneve ne do të kishim dëshirë të ekzistonin marrëdhënie të një respekti me të madh, me sa më pak sulme personale, respekt për pavarësinë e këtyre institucioneve të cilat përmbushin misionet dhe detyrat e tyre në mënyrë profesionale.

 

A mendoni se hetimi për të zbardhur autorët e 4 vrasjeve është në rrugën e duhur dhe si i shpjegoni vonesat e deritanishme?

Unë shpresoj që proceset hetimore të jenë në rrugën e gjykatës. Prokuroria i është drejtuar edhe asistencës së huaj lidhur me ketë dhe mendoj se duhet të ketë mjaftuar material për të bërë të mundur një proces ligjor dhe të arrihet në përfundimet përkatëse në kuadër të legjislacionit ekzistues. Mendoj që ekspertiza për shembull e FBI-së dhe duke pasur dhe përvojën tonë në bashkëpunimin me institucione të tilla, arrij në përfundimin se asistenca e FBI-s është një bazë solide.

 

Një zhvillim tjetër që pritet në javët në vijim është zgjedhja e Presidentit të Republikës, çështje e cila ka nisur të debatohet muaj më herët. Sugjerimi juaj si Ambasadore e Gjermanisë për këtë çështje cili është? Cila do të ishte mënyra më e mirë për të zgjedhur Presidentin?

Unë në fakt nuk jam aq e mendimit që të huajt duhet të tregojnë rrugën ku duhet të eci Shqipëria. Ju keni Kushtetutën tuaj dhe në Kushtetutën tuaj shqiptare përshkruhet mjaft mirë se cilat janë cilësitë që duhet të zotërojë ky person, pra të përfaqësojë unitetin e popullit shqiptar. Edhe në sistemin apo procedurën e zgjedhjes është mesë e qartë që si kandidat preferencial do të ishte dikush që do të ishte konsensual në mënyrë që të arrihet dhe shumica e theksuar që kërkon ligji dhe këtu unë duhet të them që procedurat tuaja nuk janë shumë të ndryshme nga tonat. Prioriteti është që një person i tillë duhet të ketë një pranueshmëri sa më të lartë. Ne kemi pasur mundësi ta përjetojmë këtë konkretisht me zgjedhjen e Presidentit Federal, por edhe për eventualitetin që ky vend të mbetet vakant pas mungesës së një vendimi të përbashkët ekziston variant i zgjedhjes me një shumicë të thjeshtë. Për sa kohë që Presidenti zgjidhet në mënyrë ligjore, Kushtetuese, në këto mënyra bën pjesë dhe mënyra e fundit e zgjedhjes së Presidentit. Mendoj që këto janë tërësisht të pranueshme. Ajo çfarë ne presim nga personi që do ta marrë përsipër këtë post dhe kjo është mjaft e rëndësishme, është që me anë të këtij posti ky individ të mund të realizojë dhe të mundësojë reforma sa më të mira në reformat e drejtësisë, si kryetari i KLD-së duke reformuar pra të gjithë sistemin e drejtësisë në Shqipëri, duke kontribuar në ketë mënyrë për një proces më të shpejtë të integrimit të Shqipërisë në BE.

 

Jemi një vit përpara zgjedhjeve dhe kanë dalë në media parti të reja. E kam fjalën për partinë që media i referohet si e z.Topi, si dhe Aleanca Kuq e Zi. A mendoni se do sjellin ndonjë surprizë këto parti të reja? 

Ka disa struktura të reja politike në Shqipëri, ku ka një numër të madh partish politike. Se cili do të jetë rezultati i procesit zgjedhor të ardhshëm për këtë dhe unë jam vërtetë në tension. Nuk guxoj të bëj asnjë lloj prognoze apo parashikimi lidhur me këtë. Ajo çka do doja të thosha është që ne do të vazhdojmë të vëzhgojmë me saktësi dhe me një farë shqetësimi faktin që mes këtyre strukturave të reja ka syresh që vendosin në plan të parë disa tone nacionaliste. Unë shpresoj shumë që popujt e Ballkanit të kenë mësuar prej historisë që këto janë tone të rrezikshme. Nuk ka shumë kohë që kur në këtë rajon ka pasur luftë dhe unë shpresoj shumë që kjo të ketë shërbyer si mësim i mirë për të gjithë aktorët politikë.

 

Më lejoni të insistoj, për çfarë tonesh nacionaliste e keni fjalën? Për Aleancën Kuq e Zi ,e cila kërkon bashkimin me Kosovën, gjë që në fund të fundit është shumë e ngjashme me bashkimin e dy Gjermanive?

Në mënyrë të veçantë bëhet fjalë për Aleancën Kuq e Zi pasi është ende e hapur çështja që nëse ata e vendosin në plan të parë platformën e tyre nacionaliste. Për të thënë diçka lidhur me krahasimin që u bë për bashkimin Shqipëri- Kosovë dhe bashkimin e dy Gjermanive, këtu më duhet të them që Republika federale e Gjermanisë dhe ish Gjermania Lindore kanë qenë produkte të Luftës së Dytë Botërore dhe ishte e përcaktuar në Kushtetutën e të dyja vendeve që ajo çka synohej ishte bashkimi i dy vendeve. Kjo ishte diçka që nuk dyshohej prej askujt prej aleatëve tanë dhe unë mendoj që në ketë drejtim jemi disi më ndryshe nga rasti i Shqipërisë me Kosovën.

 

Keni komunikuar me zotin Spahiu dhe a ia keni shprehur këtë shqetësim? Çfarë mendimi keni për të?

Po ia kam shprehur, ajo çka unë them në publik në më të shumtën e rasteve unë e kam diskutuar paraprakisht edhe me vetë personat në fjalë. Mendoj që ashtu si shumë persona dhe politikanët përgjegjës në Shqipëri edhe ai duhet ti analizojë këto zhvillime. Unë mendoj që është mjaft e rëndësishme të jemi në dialog me të gjithë aktorët e rëndësishëm politikë.

 

Cili është pozicioni i Gjermanisë për opsionin e bashkimit të Shqipërisë me Kosovën?

Për komunitetin ndërkombëtar kjo çështje nuk është në rend të ditës.

 

Perfomanca ekonomike e Shqipërisë është një ndër çështjet që çon në përplasje mazhorancën dhe opozitën. Në këndvështrimin tuaj si ekonomiste, por edhe si diplomate, si është zhvillimi ekonomik i Shqipërisë?

Shqipëria në vitet e fundit ka shënuar ritme të larta të rritjes ekonomike. Unë mendoj që ky është rezultat mjaft i mirë në hapësirën e Ballkanit, por nuk mjafton për të plotësuar pikërisht nevojat restaurative të ekonomisë shqiptare për të absorbuar atë çka është më e rëndësishme, fuqinë punëtore. Shqipëria vuan nga problemet ekonomike dhe të vendeve fqinje dhe mendoj që nëse Shqipëria do të vazhdojë në rrugën e reformave ekonomike ashtu sikurse paracaktohet edhe në programe të ndryshme, mendoj që pikërisht për të permirësuar edhe kushtet e investimeve të ardhshme, Shqipëria edhe për shkak të popullsisë së saj të zellshme mund të arrijë vërtetë shumë në ketë drejtim.

 

Shqipëria aplikon taksën e sheshtë, por ka një propozim të opozitës, e cila nëse do të vijë në pushtet në zgjedhjet e 2013 premton se do të aplikojë taksën progresive. A mendoni se është një hap i mirë për Shqipërinë? 

Ne në Gjermani kemi një sistem taksash progresive të të ardhurave, por edhe të sipërmarrjeve. Në këtë kontekst është e qartë që ne e mbështesim një sistem të tillë tatimor, një sistem i cili orientohet për nga aftësia operacionale, pra për nga performance. Nga ana tjetër, kjo ndikon në fakt që shumë sipërmarrje të vendosura në Shqipëri të ndërtojnë apo të zbusin marrëdhëniet e besimit që janë krijuar nëpërmjet taksës së sheshtë prej 10 %. Unë mendoj se Shqipëria ka nevojë për një sistem tatimor që të bashkojë gjithë shoqërinë shqiptare dhe që gjithashtu të mbetet i qëndrueshëm për një periudhë të caktuar kohe, gjatë të cilit si popullsia ashtu dhe investitorët të kenë një bazë kalkulimi, një lloj sigurie në investimet e tyre. Kjo do të ishte këshilla më me mend nëse do të bihej dakord për një reformë të caktuar tatimore. Ky sistem do duhej të ndërtohej dhe të ruhej si një bazë kalkulimesh për të ruajtur ndjesinë e sigurisë së investimeve.

 

Sistemi aktual që kemi, taksa e sheshte, a mendoni se ka ndihmuar në prurjen e investimeve të huaja?

Taksa e sheshtë për shumë investitorë të huaj është një faktor mjaft i rëndësishëm, por sistemi tatimor sigurisht që nuk është faktori më i rëndësishëm për vendimmarrjen në investimeve eventuale sepse përndryshe ne sistemin tonë tatimor në Gjermani nuk do të investonin shumë kompani dhe situata është krejtësisht e kundërta. Në një vend të tillë potenciali investimesh kanë rol faktorë të ndryshëm, infrastruktura, burimet natyrore, etj. Edhe këtu më duhet të paralajmëroj të mos e thjeshtëzonim debatin dhe mos të shikojmë vetëm një aspekt të tij.

 

Shqipëria dhe Gjermania ndajnë një tjetër të përbashkët, të shkuarën e tyre komuniste por ndryshe nga vendi juaj, Shqipëria dhe 20 vjet më pas nuk nuk i ka dënuar krimet e komunizmit, nuk janë hapur dosjet e bashkëpunëtorëve të sigurimit. Si është shembulli i Gjermanisë, si e bëtë ju këtë përballje me të kaluarën dhe pse mendoni se Shqipëria nuk e ka bërë ende?

Në Gjermani ka qenë lëvizja qytetare, e cila menjëherë pas rënies së Murit të Berlinit është angazhuar që pikërisht në zyrat qendrore të sigurimit të shtetit të ruajë dokumentacionin. Qytetarët kishin kontroll të plotë mbi këto dosje. Pas këtij momenti u miratuan ligje, dispozita lidhur me atë çka kishte ndodhur. Sigurisht këto nuk ndodhën menjëherë. Vetëm pas bashkimit të Gjermanisë zoti Gauck, i cili është aktualisht Presidenti Federal i Gjermanisë, në atë periudhë mori postin e të ngarkuarit të veçantë të qeverisë federale për administrimin e këtyre dosjeve dhe shfrytëzimin e mëtejshëm të këtyre, pra në historinë e ish Gjermanisë lindore.  Mënyra e të proceduarit në Gjermani ishte e tillë që pikërisht çdo gjë do të bëhej mbi bazën e një konsensusi sa më të gjerë të shoqërisë, të miratohej një ligj përkatës, i cili do të mund të përbënte bazën për të mundësuar dhe realizuar aksesin e të prekurve rreth të cilëve ishin krijuar këto dosje, por edhe në interes të sistemit të drejtësisë si dhe duke ju ofruar mediave informacionin përkatës për të sqaruar këto raporte. Ishte një proces në tërësi pozitiv për shoqërinë dhe ne jemi krejtësisht transparentë me ketë pjesë të së shkuarës tonë, gjithsesi duke ruajtur disa kufij të caktuar. Ne e dimë që kjo zyrë, ky autoritet do vazhdojë të ekzistojë të paktën deri në vitin 2019, kohë pas së cilës të gjitha këto dokumentacione do të rivlerësohen në kuadër të arkivimit federal.

 

Ka një iniciativë të shoqërisë civile për rikthimin të një tjetër varianti tëri të projekt ligjit të lustracionit në parlament dhe një nga modelet që është marrë këtë herë është ai gjerman. Në këtë aspekt deri ku duhet të shtrihet niveli i bashkëpunëtorëve të regjimit në përjashtimin e jetës publike në Shqipëri? Deri në ç’nivel bashkëpunëtorësh nuk u lejuan më të merrnin pjesë në jetën publike që nga momenti i rënies së murit të Berlinit?

Çdo shoqëri duhet të gjejë vetë rrugën për të krijuar një raport dhe për të trajtuar të shkuarën. Ne thjesht mund të demonstrojmë dhe të tregojmë çfarë kemi bërë ne në rastin tone, por ky është thjesht një model dhe një shembull, i cili për shoqërinë gjermane ishte i duhuri pasi ne kemi ndjesinë që pikërisht në formën e një autoriteti apo institucioni të tillë ne të qartësonim raportet me të shkuarën tonë. Nga ana tjetër zoti Gauck, drejtori i parë i këtij institucioni, ka fituar një popullaritet vërtetë të madh në atë periudhë dhe unë mendoj që edhe fakti që ai si pastor evangjelist, i angazhuar në një lëvizje qytetare pikërisht përmes këtij institucioni është bërë President. Kjo tregon mbështetjen që ka pasur kjo lëvizje dhe kjo iniciativë në Gjermani, por se si shtete të tjera do t’i trajtojnë këto probleme kjo varet nga varësitë dhe ndërvarësitë sociale të vendit përkatës. Ne thjesht mund të japim këshilla, mund të japim përvojën tonë duke thënë që kemi përfituar nga këto procese transparente, por sigurisht një model i unifikuar nuk ekziston.

 

Një problem tjetër që e kemi trashëguar nga koha komuniste dhe ndoshta e keni pasur ju në përmasa të tjera, është ai i pronësisë. Si e zgjidhi Gjermania këtë problem? 

Në fakt edhe për investitorët gjermanë është faktor i rëndësishëm, një pengesë mungesa e sigurisë në problematikën e çështjeve të pronësisë. Në Gjermani ishte që në fillim e qartë që për zonën apo hapësirën e ish Gjermanisë Lindore duhej gjetur një rregull sipas parimeve të shtetit ligjor. Ka një përjashtim në ketë kontekst pikërisht për ato hapësira apo ambiente që ishin shtetëzuar nga Bashkimi Sovjetik, në 1945 –1949. Rreth kësaj situate u mor një vendim politik, të gjitha shtetëzimet dhe shpronësimet e bëra në ish Gjermaninë Lindore u shfuqizuan. Në ketë drejtim ne kemi formuluar një zgjidhje, e cila u pranua nga shoqëria dhe u derdh në formën e ligjeve që u implementuan. Parimi bazë ishte kthimi i pronës përpara dëmshpërblimit. Atje ku ishte e mundur që prona t’i rikthehej pronarit të hershëm kjo u bë, por atje ku kjo nuk ishte fizikisht e mundur si për shembull në një rajon ku gjendet një central bërthamor, atëherë sigurisht që jo, kishim alternativën tjetër atë të dëmshpërblimit. Kemi pasur gjithashtu një ligj, i cili krijonte mundësinë e epërsive, që do të thotë që shteti merr përsipër dëmshpërblimin nëse gjendet paraprakisht një investitorë që do të ndërtojë një fabrikë ose do të merrte një masë ekonomikisht të rëndësishme në mënyrë që njerëzit mund të siguronin jetesën e tyre. Unë mendoj që e rëndësishme është të gjendet konsensusi social rreth parimeve që zbatohen dhe këto të zbatohen në mënyrë të njëtrajtshme.

 

Çështja e pronës jo vetëm që është një shqetësimin për të cilin nuk ka një konsensus social, por është kthyer në një problem social. A mendoni se ky është një nga problemet kryesore që mban larg investitorët e huaj?

Në Shqipëri ka investime, kjo dihet, vetëm se është e ditur dhe ketë nuk e them vetëm unë, por e thotë Banka Botërore dhe të tjerë që pikërisht kjo problematikë e çështjeve të pronësisë është vërtet serioze dhe duhet zgjidhur. Sikurse e thashë kjo vlen jo vetëm për çështjen e pronësisë, por dhe për çështjen e dosjeve, lidhur me të shkuarës komuniste. Pra duhet gjetur duhet gjetur një zgjidhje përshtatshme. Nuk ka zgjidhje të unifikuar. Dua t’ju them se si e kemi zgjidhur këtë në Gjermani, por do flisja shumë hollësisht rreth kësaj. Ajo që kemi bërë përgjithësisht, është vendosja e rregullave, për shembull në formën e ligjeve, rikthim apo dëmshpërblim dhe të gjitha këto ligje duhet të aplikohen dhe të implementohen sa më shpejt që të jetë e mundur. Nuk mund të zgjasin pafundësisht. Nëse do të vazhdohet ky proces i zhdëmtimit në ritmin e tanishëm, kjo mund të zgjaste me dekada, me shekuj dhe kjo nuk është një perspektivë optimiste për personat e prekur. Pra duhet të gjendet një zgjidhje realiste, e cila të ngrihet mbi një konsensus sa më të gjerë shoqëror.

 

9 komente në “INTERVISTA/ Ambasadorja gjermane: Banka KFW ishte korrekte dhe jashtëzakonisht transparente. Koha është flori”

  1. DHELPRA says:

    Si jo pse mos te jet trasparente gjermania me shqiperine? Kto japin doreheqje per 1 korrupsion te vogel, qe ta benin politikanet shqiptare, ne parlament do ishin vetem ato Kollozat e Jozefines….

    Palaco shtet, ju nuk lejoni tju bejn korrupsion po tjeret i hani te gjalle, cifuta.

    1. Graniti Ks says:

      Per t’u admiruar gjesti i kompanise prestigjoze Mercedez-Benz, qe ndaloi shitjet e makinave te tyre ne Kosove, per shka korrupsioni.
      Nderpritni ndihmat. Ato, edhe keshtu, nuk shkojne per te miren e popullit shqiptar, por per temiren e Familjes Berisha & Co
      http://imazheshqip.blogspot.com/2012/04/welcom-turist-we-spik-berisha.html

    2. N.VJOSA says:

      E nderuara Ambasadore gjermane,
      Ju gjermanet jeni te njohur ne gjithe Boten per korrektesine tuaj!
      Nuk thone kot se kur le nje takim me nje gjerman, po deshe “Uhr enstellen!…” ( korigjo edhe oren per perpikmeri…)
      Por me Mafjen Berishiane, qe anon shume nga Mafja e Berluskonit, nuk keni shans per korrektesine tuaj!…
      Ju falemnderit per te Vertetat qe thoni!

  2. Dean says:

    Ate pune moj e nderuara Ambasadore,ma mire se tina e din ”BACA”.
    E nese ”BACA” i kosovareve thote se Banka KFW nuk ka ken Korrekte,ateher ashtu asht.
    Hoj kjo.Don me i bo puq BAC topefishkurit.

  3. Agim Anastasi says:

    Po zonja ambasadore eshte e vertete te gjitha ato qe ju sugjeroni , qendrojne . Taksa progresive e pa diskutushme . Sigurisht dhe qenrimi trasparent i Bankes Gjermane eshte i pa diskutushem. Duhet ta kene te qarte ata qe duan te abuzojne korektesine e bankes. Ne Gjermani nuk ekzistone kapitalizmi “kazhino “, prandaj te kotrollojne veten kur flasin. Sa per nacionalizmin , veshtire te gjej teren ne Shqiperi. Ato qe po e kultivojne sot idene nacinaliste e duan per nevoja karieriste. Nuk i duhet nacinalizmi popullit shqiptare pasi njihet per tolerance. Aq me shume ne kete shekull pasi nacinalizmi nuk pati vend ne diktature e jo me sot. Prandaj dhe ju bashkohem ju e nderuar ambasadore ne qendrimin progresiv ndaj nacinalizmit, bile do te shkoja dhe me larg , duke kerkuar ndalimin me ligj . Veshtire ta kuptojne ata qe sot po flasin per nacionalizem, se sa rende e demtojne vendin ne mardheniet nderkombetare.

  4. BUNI says:

    Nese dy Gjermanite ishin produkte te luftes se dyte boterore, Shqiperia ishte produkt i traktatit te fshehte te Londres, luftes se pare boterore dhe te konferences se paqes Paris, ose shkurt: produkt i pazareve te pista te fuqive te medha, ne kete kurriz te popullit tone.Prandaj,beni detyren tuaj si ambasadore, se perndryshe, me teper i ngatarroni gjerat sesa i rregulloni.Nga korrupsioni qe ka perfshire vendin tone ne keto 20 vjet, edhe ambasada juaj me disa nga punonjesit tuaj nuk ka qene jashte kesaj afere, sidomos ne vite(1997-2002), kohe ne te cilen ju nuk keni qene ambasadore.

  5. ed says:

    Ne qoftese Ministri Bode mbahet tek liresia dhe teknika e dobet e Kompanise nga Bosnja, atehere ai vendos kunder interesave publike dhe shkel rregulloren e tenderit. Cdo njeri i thjeshte do te zgjidhte Kompanine nga Kroacia me teknike dhe garanci me te larte po ashtu me cmim me te larte se ai i kompanise se Bosnjes, panvarsisht nga shuma, cmimi i dhene nga Kompania e kroacise eshte cmim tregu dhe ketu qendron ndryshimi. Ndalimi simbas rregullores qe ndalon te fitoje kompania me cmim me te larte, nuk munde te zbatohet ne kete rast. Arsyeja e moszbatimit kundershtohet nga cmimi i normal. Kjo eshte vendimtare. Juristet e kuptojne shume mire se cfare funksioni ka rregullorja qe sanksionon dhenjen e Tenderit kompanise qe jep cmimin me te larte. Pra Ky sanksion nuk ka baze argumentuese. Ndryshimet e dy kompanive jane me se te qarta, dhe ketu nuk ka baze paramendimi nga pjesmarresit ne Tender, qe munde te vije ne zbatim sanksioni i cmimit te larte. Pra argumentat e Bodes jane te paqendrueshme.

  6. Gazmir Piku says:

    SHqiperia ështe muslimane në teori.

  7. skenderi says:

    nga komentet shoh ose gjykoj se ne shqiperi megjithese mund te jene te fushave te ndryshme,njerezit jane te zgjuar ne komente,dhe duket se marin vesh nga gjithcka,po prap i theras mendjes si shpjegohet niveli i ulet i jetes ekonomike,shoqerore,institucionale,etj….eshte nje anomali shume e madhe

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje