Deputeti socialist, njëherësh nënkryetar i komisionit parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit Eduard Shalsi nëpërmjet një letre të hapur i është drejtuar kreut të këtij komisioni Jemin Gjana, duke nënvizuar se puna e këtij komisioni është përkeqësuar. Në letrën drejtuar edhe kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, dhe dy kryetarëve të grupeve parlamentare, PS dhe PD, Gramoz Ruçi dhe Astrit Patozi, deputeti Shalsi shpreh shqetësimin se komisioni është kthyer në një aneks të qeverisë, ndaj kërkon që puna e tij të jetë në respekt të parimeve të kërkuara nga BE.
“Do të mjaftonte një shikim i shpejtë i procesverbaleve të mbledhjeve, për të kuptuar lehtësisht nivelin e ulët në të cilin ka rënë puna e këtij komisioni, që ju kërkoni dhe e keni shndërruar në një aneks të qeverisë. Është bërë tashmë e papranueshme që pyetjeve dhe shqetësimeve të deputetëve të opozitës t’i përgjigjeni ju, dhe jo njerëzit përgjegjës të cilëve ne i jemi drejtuar. Dhe i referohem disa rasteve ku ndër me flagranti është ai në lidhje me privatizimin e Albpetrolit. Ministria e Ekonomisë megjithë premtimin e përfaqësuesit të saj se do t’i jepte me shkrim, regjistruar ky edhe në procesverbal, nuk ju përgjigj kurrë pyetjeve që ne i adresuam. E në këtë rast nuk mund të lë pa përmendur sjelljen tuaj, e cila në vend se t’i shërbente moderimit të diskutimit në komision, thjesht sa nxiti përfaqësuesit e Ministrisë të neglizhonin dhe anashkalonin kërkesat tona,” thuhet në letrën e Shalsit.
Para pak ditësh, Shalsi dhe Gjana u përplasën edhe fizikisht gjatë punimeve të komisionit.
Tensioni në këtë komision ka vijuar edhe sot, kur është miratuar në parim projektligji për peshkimin në komisionin e Veprimtarisë Prodhuese vetëm me votat e mazhorancës. Opozita u largua në momentin e votimit, duke e përcaktuar peshkimin si një sektor të harruar dhe me shumë probleme. Sipas Shalsit ky projektligj nuk zgjidh asgjë.