Kosova duhet ta kujtojë Nicolas Sarkozyn si person nën udhëheqjen e të cilit Franca i dha mbështetje të fortë dhe të qartë pavarësisë së Kosovës. Fitorja e Hollandës nuk do të ndryshojë asgjë në politikën e Francës ndaj Kosovës, sepse edhe ashtu të gjitha shtetet e mëdha janë duke zvogëluar interesimin për Ballkanin. Për Kosovën zgjedhje më të rëndësishme ishin ato në Serbi
Kaloj një e diel përlot zgjedhje nëpër disa shtete të Evropës. Nuk mbahet mend që ka pasur në një ditë aq shumë zgjedhje, të cilat, secila në mënyrën e vetë, kanë pasur rëndësi historike. Në Francë për herë të parë pas 17 vitesh një socialist vjen në krye të Republikës së pestë. Në Greqi ekstremistët e djathtë dhe ata të majtë kanë hyrë në Parlament dhe dy partitë tradicionale kundërshtare, të djathtët dhe të majtët e qendrës, nuk kanë marrë sa duhet vota që as së bashku të ushtrojnë pushtetin, duke formuar ndonjë qeveri të koalicionit të madh. Të dy këto zgjedhje kanë rëndësi të madhe për të ardhmen e Evropës. Ndryshimi në krye të Francës, shtetit që krahas Gjermaninë ka fjalën kryesore në vendimet se nga po shkon Bashkimi Evropian, gjithmonë kanë ndikim në politikën e BE-së. Dhe nuk dihet se si do të veprojë presidenti i ri. Nëse Hollandë do të insistojë në premtimet se duhet të ndryshohet Traktati Fiskal i BE-së, i cili tashmë është nënshkruar nga vendet që e kishin arritur atë marrëveshje për të tejkaluar krizën dhe për të parandaluar krizat e ngjashme fiskale, atëherë BE-ja do të jetë përsëri në probleme politike. Nuk dihet se si do të jenë raportet e Gjermanisë me Francën. Gjithsesi mes dy shteteve do të vazhdojë bashkëpunimi i ngushtë por a do të jetë Hollandë aq i afërt me kancelaren gjermane Merkel sa ishte Sarkozy, që vinte nga radhët e së djathtës së qendrës, parti simotër e demokristianëve të Merkelit. Tash, nëse Gjermania dhe Franca do të vazhdojnë të jenë motor i BE-së, ky motor do të pagëzohet nga gazetarët „MerkoLLand“ në vend të asaj që deri sot quhej „Merkozy“. Në BE para secilit takim merreshin vesh Franca dhe Gjermania dhe pastaj vinin në takim të BE-së dhe ajo marrëveshje shndërrohej në vendim formal të tërë Bashkimit Evropian. Hollandë fitoi jo aq shumë për shkak të programit të tij, por më shumë për shkak të votës së pakënaqësisë me Sarkozyn. Por sa është ky shtet i avancuar, sa të ndërgjegjshëm janë politikanët, tregoi urimi i menjëhershëm që Sarkozy ia shprehu kundërkandidatit të tij dhe ftesa francezëve që të jenë të bashkuar.
Zgjedhjet në Greqi janë po ashtu një shembull drastik i votës kundër atyre që ishin deri më tash në pushtet dhe që shihen si fajtorë për situatën në të cilën gjendet shteti. Në këto zgjedhje kanë dalë në sipërfaqe shumë parti të ekstremit të djathtë dhe të atij të majtë dhe nuk dihet si do të vazhdojë ky shtet të zbatojë mesat shtrënguese ekonomike për të përmbushur kërkesat e BE-së, Bankës Botërore dhe kreditorëve të tjerë që financuan shpëtimin e Greqisë nga bankroti i shtetit.
Kosova duhet ta kujtojë Nicolas Sarkozyn si person, nën udhëheqjen e të cilit Franca i dha mbështetje të fortë dhe të qartë pavarësisë së Kosovës. Fitorja e Hollandës nuk do të ndryshojë asgjë në politikën e Francës ndaj Kosovës, sepse edhe ashtu të gjitha shtetet e mëdha janë duke zvogëluar interesimin për Ballkanin. Zgjedhjet në Greqi nuk do të kenë ndikim në Kosovë, sepse në këtë shtet forcat politike nuk kanë pasur edhe ashtu vullnet për njohjen e pavarësisë së Kosovës por vetëm për të luajtur një lloj roli „konstruktiv“ pa e njohur Kosovën si shtet.
Për Kosovën zgjedhje më të rëndësishme ishin ato në Serbi. Dhe ato nuk do të ndryshojnë shumë, sepse pak ka dallim në qasje ndaj Kosovës në mesin e aktorëve politikë në Serbi. Nëse dikush mendon se është më mirë për Kosovën, si dhe për dialogun që po zhvillohet mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, që të fitojnë forcat rreth Presidentit Tadiq, atëherë si kundërargument vjen fakti se pushteti i Tadiqit prej kur Serbia mori statusin e kandidatit në BE nuk zbatoi asnjë marrëveshje të arritur me Kosovën. Dhe, që është edhe më tragjike në politikën e Tadiqit ndaj Kosovës, ai ishte në pushtet me Ivica Daçiqin, ish- bashkëpunëtor i Slobodan Milosheviqit, i cili edhe në ditët e zgjedhjeve në fjalorin e tij përkujtonte në ish shefin e tij Milosheviq.
Fakti se në Serbi si kandidat ishin një ish-bashkëpunëtor i Sheshelit dhe një ish- bashkëpunëtor i Milosheviqit tregon se ende nuk është krijuar një Serbi e ndryshme nga e kaluara dhe një Serbi Evropiane. Serbia edhe pas këtyre zgjedhjeve do të ketë dy fytyra, një Evropiane për Brukselin dhe një nacionalist për Kosovën.
Kosova duhet ta kuptojë më mirë Serbinë dhe të jetë më e qartë në pozicionet e veta dhe të mos pranoj gjithçka që kërkon Brukseli vetëm me qëllim që t’i ndihmohet Serbisë. Kosova, duke marrë parasysh të gjithë atë që ka bërë Serbia në këta muajt e fundit, dhe sidomos politikën ndaj Kosovës, duhet të rishikojë edhe pjesëmarrjen e saj në dialogun, i cili Kosovës i ka sjellë vetëm dëme. Prej kur ka nisur dialogu e deri më sot shtetësia e Kosovës është dobësuar, ndërsa Serbia ka avancuar, pa ndryshuar asgjë, drejt afrimit me Bashkimin Evropian e në të njëjtën kohë, duke u thirrur në qëndrimin se „Kosova është pjesë e Serbisë“, me ndihmën ndërkombëtare dhe në pajtim nga ana e Qeverisë së Kosovës ka zhvilluar votime edhe në territorin e Kosovës. Këto zgjedhje para Kosovës parashtruan edhe një sfidë e ajo është se bashkësia ndërkombëtare po e pranon gjithnjë e më shumë faktin se serbët e Kosovës kryeqytet të tyre e shohin më shumë Beogradin, sesa Prishtinën.
Për tërë rajonin mbetet të presin edhe disa vite që Serbia vërtet të ndryshojë, që të ketë një Serbi e cila të gjitha shtetet rreth saj, si Kosovën, Malin e Zi apo Bosnjë-Hercegovinën do t’i trajtojë si shtete të vërteta e jo të rrejshme, si shtete me kufi të tyre sovrane dhe vetëm një Serbi e tillë do të mund të konsiderohej e ndryshme nga e kaluara dhe Serbi Evropiane.