Partia e Piratëve!

12 Maj 2012, 18:54Blog TEMA

Nga Beqë Cufaj

 

Së pari qenë shfaqur në Suedi. Sensacioni ishte i madh kur para disa vjetësh (2007) u futën në parlamentin e Stokholmit duke kaluar pragun zgjedhor. Dhe sot, Partia e Piratëve e Suedisë si peizazh i ri politik në këtë vend është pjesë e pashmangshme e establishmentit të atjeshëm. Pas suedezëve dhe sidomos suksesit të tyre, nuk vonuan të themelohen as simotrat e tyre të tjera: në Holandë, Austri, Gjermani, Britani të Madhe dhe gjithandej në botë. Në vitin 2010 bile është formuar edhe “Internacionalja e Piratëve”, e cila për hir korrektësie duhet thënë: s’është as e majtë por as e djathtë.

Këtë vit dhe me të njëjtin vrull, por këtë herë në Gjermaninë e madhe dhe gjithmonë të ndjeshme në spektrin partiak kemi të njëjtën befasi, sensacion, lëvizje tektonike. Partia e Piratëve e Gjermanisë, në zgjedhjet e deritashme në 3 lande gjermane (Berlin, Saarland, Schleswig- Holstein) jo vetëm që ka kaluar cenzusin, por është futur furishëm në parlamentet e këtyre republikave, duke bërë kështu që të gjithë t’ua kenë frikën. Piratëve? Pikërisht. Po kush janë Piratët dhe çfarë duan ata, qofshin gjermanë, suedezë apo anglezë e holandezë…?

Kanë vetëm një moto: Transparencën. Duan më shumë, ose që të jemi të saktë: transparencë totale në politikëbërje. Profili i tyre është thellësisht inovativ dhe kjo do të thotë që sidomos transparencën e ndërlidhin me “revolucionin digjital” që në këtë fazë të re të zhvillimeve globale jo vetëm që është bërë pjesë e pashkëputshme e të qenit tonë, por thjesht pa këtë aspekt virtual, më nuk bëhet asgjë. Këta janë pra Pirtatët sudezë, gjermanë, evropianë dhe botërorë. Njerëz që quhen edhe si “Nerd”-ët e njerëzimit sot- specialistë dhe të përkushtuar deri në fanatizëm a idiotësi në botën virtuale. Duke filluar nga interneti përmes programimeve e shitblerjeve të softwar-ëve e deri te komunikimet e shpejta të botës 2.0 (Twitter, Facebook, Web e çka jo tjetër).

Përkundër faktit Piratët u shfaqën kaq fuqishëm mu si lëvizja ekologjiste evropiane e botërore e viteve ‘80, lëvizje e cila tashmë është bërë pjesë e establishmenteve politike, megjithatë dallimet mes këtyre dyjave janë esenciale. Duke filluar nga e përbashkëta, nëse ekologjistët atëbotë sa ishin cool dhe nonkonformist, ta kujtojmë këtu betimin e Joschka Fischerit si ministër me atlete sportive, atlete këto që sot janë në muzeun e Landtagut të Hessenit… edhe piratët sot janë po aq cool. Bile një prej udhëheqësve të tyre fundjavën e kaluar në një debat prominent politik në TV-në gjermane mes kolegëve të tij me kollare e veshje strikte… u shfaq me sandale dhe me këtë edhe rekuizitën klasike të Nerd-it. Dhe një celular në dorë.

Më saktë me një iphone nga i cili, në emision dhe live lexonte emailat, dërgonte porosi në Twitter, ku përcjellësve të tij u tregonte se çfarë po diskutonte e bënte. Dhe pikërisht këtu fillon dhe nuk mbaron dallimi. Nëse ekologjistët ishin për ruajtje ambienti dhe shtuarje masive të energjisë së rinovueshme, gjë kjo që po bëhet, në Gjermani p.sh. edhe 8 vjete rreth 35 për qind e saj do jetë nga dielli, era e uji, Piratët, pos që janë për transparencën totale, pos që s’kanë asnjë “qëndrim” politik pa e pyetur “bazën” (votuesit) në të njëjtën kohë ata janë edhe për heqjen e së drejtës autoriale. Që i bie: interneti të jetë mbi të gjitha. Secili mund të shkruajë ç’të dojë dhe shërbehet me punën e secilit, pa pasur nevojë për të respektuar të drejtën (e shenjtë!) autoriale.

Ky element, ky fakt, jo vetëm që është frikësues, por thjesht ka bërë që sidomos në Gjermani të flitet e diskutohet me të madhe. Sepse suksesi i tyre është aq i dukshëm dhe sipas prognozave të bëra së fundmi, nëse nesër do të mbaheshin zgjedhjet Piratët do të fitonin mbi 12 për qind të votave! Prandaj kemi një kundërstuhi. Rreth 1500 intelektualë gjermanë – këngëtarë, shkrimtrarë, regjisorë, producentë… kanë nënshkruar një peticion, në të cilin jo vetëm që kërkojnë me këmbëngulje të respektohet e drejta autoriale, por që ajo është një prej gurthemeleve të pasurive e trashëgimeve individuale e kolektive, shpirtërore e intelektuale.

Fakt është që Piratët në zgjedhjet e ardhshme në Bundeslandin më të madh gjerman NRW do të futen sërish në parlament. Ashtu siç dihet që vitin që vjen do të hyjnë edhe në Bundestag. Duke marrë vota prej të gjitha partive ngapak (por më së shumti nga e majta ish-komuniste e edhe ekologjistët) ata do të rrinë në opozitë. Pikërisht sikurse ekologjistët gjermanë e evropianë para dy-tri dekadash. Dhe më pas, me kalimin e kohës do të profilohen. Ndoshta jo në kuptimin programratik sa atë të personaliteteve, staturave të tyre që do t’u prijnë. Dhe kjo do të bëjë që sidomos ky dimensioni i së drejtës autoriale do të jetë diçka si për ekologjistët energjia e renovueshme.

Puna është pra që deshëm s’deshëm, me institucionalizimin e kësaj partie dhe me kalimin e viteve edhe e shenjta e drejtë autoriale do ta pësojë trandjen. Ose ndoshta transformimin e saj. Sepse polarizimi tashmë ekziston. Dhe në këso situatash politike, këso radhe edhe me përmasa kulturore, doemos që do të fitojë i treti. I treti janë ata që tashmë kanë filluar që me të madhe ta praktikojnë moton programatike të Piratëve – shërbehen si në vetëshërbim të Marksit (që i bie pa para) me çdo gjë që gjejnë për të ushyqyer veten dhe të tjerët. Shumë rrallë me shije. Por në shumicën absolute të rasteve pa fijen e shijes dhe taktit. Piratët duhet t’i falënderojmë për këtë ndoshta jo revolucion… por gjithsesi evolucion.

2 komente në “Partia e Piratëve!”

  1. Edor says:

    Interpretim i sakte nga gjermanishtja ne Shqip, pak dite me pare ne mediat gjermane u fol mbi kete teme -per Piraten Partei (http://www.piratenpartei.de) shkak u ben zgjedhjet ne Schleswig-Holstein me 06.05.2012(http://www.wahlrecht.de/news/2012/landtagswahl-schleswig-holstein-2012.htm) dhe rezultati arritur, gjithashtu dhe ajo qe mund te ndodhi me 13.05.2012 ne zgjedhjet Nordrhein-Westfalen (http://www.wahlrecht.de/news/2012/landtagswahl-nordrhein-westfalen-2012.htm)

  2. Drini says:

    Pershkrim i sakte , persa i perket Suedise.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje