Fiks Fare zbulon skandalin: Fëmijët e Gërdecit kërkojnë për skrap tek krateri i mbushur me diegore

14 Maj 2012, 20:47Sociale TEMA

Banorët e varfër, mes tyre edhe fëmijë, kërkojnë për metale tek zona e kraterit të shpërthimit në Gërdec. Ethet e skrapit u rrezikojnë jetën pasi aty ka diegore dhe predha. Fiksi zbulon diegoren e paplasur në dorën e fëmijëve. Specialisti: Është vdekjeprurëse

 

Katër vjet pas tragjedisë së Gërdecit, disa nga banorët e tij dhe te fshatrave përreth guxojnë çdo ditë të hyjnë brenda zonës së rrezikut dhe të kërkojnë metalin e mbetur pas shpërthimit për ta shitur për skrap. Mes këtyre mbeturinave shpesh herë gjejnë edhe diegore të paplasura, të cilat i çmontojnë vetë. Këto municione të paplasura i gjen në duart e fëmijëve që gërmojnë bashkë me prindërit, edhe pse është një zonë e ruajtur nga ushtria dhe është rreptësisht e ndaluar hyrja. Krateri gjigand, që hapi shpërthimi atje ku dikur ishte fabrika e demontimit të armëve, tani është i rrethuar dhe zonë e ndaluar, po kështu edhe dhjetëra hektarë tokë janë të rrethuar dhe zonë e ndaluar për t’u futur. Asnjë civil nuk mund të hyjë veç ushtarëve shqiptarë dhe specialistët ekspertë që punojnë për ta pastruar zonën nga predhat e paplasura. Oficerët e ushtrisë nuk të lënë të kalosh nëse tenton të hysh në zonën e infektuar, pasi ekziston mundësia e shpërthimeve të reja të predhave brenda territorit të rrethuar

Ndërkohë, gra, burra dhe fëmijë ço ditë, pas orës 16.00 futen në territorin që është vetëm pak metra larg kraterit vdekjeprurës. Ata kërkojnë të mbledhin metalin e mbetur pas shpërthimit dhe ta shesin atë për skrap, për të mbijetuar në kushtet e mungesës së mjeteve të mjaftueshme financiare.

Gazetarët e Fiks Fare janë futur bashkë me banorët në zonën e ndaluar për civilët dhe kanë gjetur diegore të paplasura, të cilat gjenden nga fëmijët e më pas çmontohen prej tyre për t’u shitur për skrap. Pastrimi i kraterit po vijon tashme me faqen e kodrës, ndërkohë që bashkë me specialistët e kompanisë që është kontraktuar për pastrimin e zonës, punojnë edhe vetë banorët.

Fiks Fare solli fakte nga sakrifica e këtyre banorëve, të cilët për të siguruar shumë pak lekë rrezikojnë bashkë me fëmijët e tyre dhe gërmojnë në zonën e rrezikut.

Çdo ditë, sapo specialistët e huaj që merren me pastrimin dhe rehabilitimin e zonës së Gërdecit lënë punën, në zonën e rrethuar hyjnë rreth 70 banorë, burra, gra e fëmijë, të cilët me kazma e lopata gërmojnë për të gjetur copa metalesh.

Sapo punonjësit e Ministrisë së Mbrojtjes panë gazetarët e Fiks Fare që u afruan në zonën e kraterit, i kthyen mbrapsht, duke u treguar për rrezikun e madh që u kanoset nga municionet e paplasura.

 

Një banor i zonës na tregoi për rrugën që ndjekin çdo ditë fshatarët që kërkojnë skrap. Në kodër gjetëm fëmijë të vegjël, të cilët gërmonin bashkë me prindërit e tyre për të gjetur predha të plasura, apo gëzhoja.

Një vajzë 9-vjeçare nga Vora, e cila është vetëm në klasën e tretë, vjen çdo ditë në zonën e kraterit bashkë me mamanë e saj dhe kushërirën. Mbas mësimit, ajo gërmon në zonën e papastruar nga specialistët e Ministrisë së Mbrojtjes, për të gjetur copa bakri apo bronzi, të cilat më pas i shesin. Ajo na jep një djegore të paplasur. Na tregon sesi duhet ta mbajmë dhe të tregohemi të kujdesshëm, pasi djegorja mund të shpërthejë

Ka nga ata banorë që dikur kanë punuar në fabrikën e demontimit dhe dinë sesi duhet të veprojnë kur gjejnë predha të paplasura.

Pak metra më larg, një grup grash gërmojnë me kazma tokën. Ato kanë mbledhur disa diegore të paplasura.  Këto djegore ndodhen në zonën që nuk është  pastruar nga specialistët, tregojnë banorët. Tregojnë se e kanë pastruar vetë, duke mbledhur skrapin. Ata nuk frikësohen nga diegoret e paplasura që gjejnë në sipërfaqe.

Këto predha dhe diegore përmbajnë shumë bakër dhe bronz. Sipas tyre, arrijnë të shesin një kilogram copa metalesh bakri për 200 apo 300 lekë, ndërsa bronzi kushton më shumë, 800 lekë/kg. Shpërthimi i fabrikës së çmontimit të armatimeve në Gërdec katër vjet më parë mbuloi me predha një zonë prej 100 kilometrash katrore

 

 

Specialisti: Diegorja nëse shpërthen, është vdekjeprurëse

Specialisti i kontaktuar nga Fiks Fare, ish-shef i artilerisë së brigadës nr. 144 në Sukth, zoti Kosta Pashko sapo shikon djegoren e gjetur nga gazetarët e Fiks Fare në zonën e Gërdecit, thotë me siguri që “99% është një diegore luftarake, është e kalibrit të topave 85, 76mm ose e obuzëve 122 mm”.

Sipas tij, kjo diegore është e rrezikshme nëse gjendet në ambiente të hapura, d.m.th jashtë depove të armatimit. Nëse shpërthen, shpërthimi është vdekjeprurës.

Është një lloj armatimi, me të cilin duhet pasur kujdes. Sipas tij, nëse kjo diegore goditet me gurë nga fëmijët, apo me çekanë, pëlcet.

“Rrezikshmëria e saj është që vret në një rreze 25 metrash nëse shpërthen. Si specialist më vjen turp kur shikoj këto lloj armësh jashtë ambienteve të papërshtatshme”, shton zoti Pashko.

Sipas tij, këto lloj armatimesh ruhen nëpër depo ushtarake dhe kur merren që përdoren, merren në bazë të një kriteri të përcaktuar me rregullore të veçantë.

Por sot, në duart e fëmijëve që gërmojnë për të gjetur copëza metali në zonën e Gërdecit gjen me dhjetëra të tilla.

 

 

Bisedat e gazetarëve të Fiks fare me punonjësit e ushtrisë në Gërdec

Fiksi:- A është e pastruar e gjitha kjo?

Roja:- Jo, jo akoma. Vazhdojnë punimet.

Roja: – Vazhdon punimi…ja (tregon me gisht).

Fiksi:- Gërmojnë, pastrojnë apo hedhin dhe vetëm?

Roja:- Po, pastrojnë tashi… Punojnë me ekskavator.

Roja:- Unë ju fola një çikë jashtë asaj… Se ne na frikëson edhe ajo puna e Fiksit… Vetëm kur ta shikoj veten në TV.

Ushtari – Nga keni hyrë njëherë?

Fiksi:- Aman, të lutem!

Ushtari – Se është dhe zonë e infektuar. Është zonë e shpërthimit, Gërdecit.

Fiksi:- Po pra, e dinim që është kjo.

Ushtari -Duhet të kthehemi urgjentisht prapa bashkë.

Ushtari- Nuk lejohet këtu është zonë e rrezikshme,  zonë e infektuar.

Ushtari – Po pse nuk është pastruar akoma?

Ushtari- Absolutisht, vazhdon pastrimi, është në procedura, shiko si pastrohet, po gërmohet një metër thellë.

Ushtari – Rrezja e veprimit është kodër më kodër.

Fiksi:- Po ajo pjesa….

Ushtari – Kodër, kodër, kodër…diametër

Ushtari – Kompania angleze ka marrë urdhër nga shteti jonë që të bëhet pastrimi i vendit nga mbeturinat e plasjeve.

Fiksi: -Po.

Ushtari: – E predhave, nga mbeturinat e predhave, për arsye se janë burim rreziku.

Fiksi:- Po, por çfarë shkakton?

Ushtari – Ka arsye. Të predhave të plasura, ka dhe diegore që janë të paplasura, se janë si puna e granatës.

Fiksi: – A plasin nga granatat?

Ushtari – Po, ato nuk vetëshpërthejnë, por po ti ngacmojnë fshatarët, njerëzit, mund të bëjnë shpërthim.

Ushtari – Tani është pastruar 90%, 10% vazhdon procedura.

Fiksi:- Është aktiv?

Ushtari – Pastaj fondet, ti e di si lëvrohen…

Fiksi: – Këtu ka pasur probleme me fondet që u shty punimi?

Ushtari -Patjetër…

Fiksi:- Po ti nuk ke frikë që punon?

Ushtari -Po tashi…

Gazetarët e Fiks Fare gjejnë banorët që gërmojnë në zonën e infektuar

Banore: – Këtu është bukur se është ajër i pastër, por ç’e do që janë predhat.

Fiksi:- Janë predhat? Pse ka akoma këtu ë?

Banore:- Uuuu!

Fiksi:- Nuk ke frikë?

Banore:- Po çfarë të bëjmë? Duhet me punu, duhet me shku në shkollë.

Fiksi: – Keni shumë orë që punoni, se sot është dhe e diel?

Banore:- Në drekë kemi ardhë.

Fiksi:- Predhë e paplasur?! S’ka frikë fare… Shiko si e hedh?!

Banore:- Nuk të gjen gjë me e shty kshu jo, veç po i re me kazëm, iku, plasi krejt.

Fiksi:- Po ju ça klase jeni?

Banore:- Në vit të parë.

Banore:- Dëgjo, mos e le në diell se plas ajo.

Banore:- Aty sipër ka pasë shumë bakër.

Banore:- Sytë të djeg dhe të vret, mund të vdesësh dhe nga ajo.

Fiksi:- Po s’ka ndodhë ndonjë incident këto ditët e fundit?

Banore:- Ka pasur si jo?

Fiksi:- Po ka plagosur ndonjë?

Banore:- Jo, jo, e shpëtoi ai burri.

Fiksi:-  A shitet më shtrenjtë këtu bronzi?

Banore:- Për zotin bakrin e merr këtu ti, por s’ta jep njeri.

Fiksi:- Pse?

Banore:- Vetëm copa predhash të japin.

Banore:- Aq e rrezikshme është sa….shih sa ujë ka

Banore:- Aty ka plot djegore edhe këtu plot djegore është. Aty ka plasë.

Fiksi: -Sa vjeçe je ti?

Fëmija: – Nëntë.

Fiksi: -Po ti?

Banore: – Në klasë të tretë.

Fiksi: – 200-300 lekë (të vjetra) është kilja?

Banore: – 350 (të vjetra).

Fiksi: – Bakri është 2000 lekë (të vjetra)?

Banore:- 8000 lekë

Fiksi: – Bronzi?

Banore: – 3500 lekë bronzi

Fiksi: – Kjo zona e pastruar, e kontrolluar?

Banorët: – Po, po.

Banorët:- I kena pastru ne

Fiksi – Aaa, i keni pastru ju, thashe se..

Fëmija- Ajo është e plasur.

Fiksi – Edhe kjo e paplasur është? (tregon një djegore).

Fëmija – Është e hapur.

Fiksi – Një, dy, tre, katër, pesë, gjashtë, shtatë, tetë, nëntë, dhjetë, (numëron djegoret e paplasura), yyyy kushedi sa ka andej. Po pse s’e kanë pastruar akoma këta këtë? 

7 komente në “Fiks Fare zbulon skandalin: Fëmijët e Gërdecit kërkojnë për skrap tek krateri i mbushur me diegore”

  1. sofra says:

    ky material rrezoi mitin folklorik qe thoshte se : ne ferr bëhet qef!

    1. Afrim Gj says:

      Po femijet e gjeneralit Hoxha, Fatmir Mediut, Delijorgjit, Fahri Balliut … cfare po bejne nderkohe ?
      http://imazheshqip.blogspot.com/2012/04/banda-berisha-co.html

  2. Qitesi says:

    Shume pak aspekte ka kapur Fiksi,gjendja eshte shume me riskuar nga burime te sigurta eshte pa perpunuar gati 1/3 e Siperfaqes se ndotur. Alarmante eshte situata ne nje kendveshtrim profesional,zona e djegoreve e filmuar nga fiksi eshte lene gati ne nje gjendje ku mund te kemi nga dita ne dite aksidente apo viktima,mbasi djegoret jane sheshit te expozuar nga reziku ,dhe me e keqja akoma nga Specialistet qe jane kontraktuar nga Komp Angleze ne munges te fondeve(Kujtojme se qeveria nuk dha 1 mil $ per ta perfunduar ate deri ne fund te vitit sipas afateve ne kontrat)po mbulojne me mjete si fadroma etj zonen me dhe mbasi Qeveria apo MM kane vene kushte qe deri ne fund te Qershorit projekti duhet te perfundoj??????? Para dy muajsh MM perfitoj nga shitja e skrapit(broncin e gexhojave te artileris shumen prej 1.7 Mil $.Theksojme se projekti deri tani eshte mbuluar me donator nga pala amerikane dhe ajo sllovene.Nga pala jone kur ju kerkua te mbeshteste kete projekt per ta perfunduar 1 Mil $ nuk pranoj ???,bisedat per vaxhdimin e ketij projekti ne kushte normale,ka pergjigjen e krereve te MM na i jepni ne parat se e bejme vete??? dhe finalizimi i bisedes mes paleve QE z.EKEREM SPAHIA LERENE SE E BEN POPULLI ???? SKANDALLLLL,nenteksi nuk ka problem se vriten njerez te pafajshem.Prisni o popull nje Gerdec te dyte SITUATA ESHTE ALARMANTE…

  3. artiles says:

    S’ka ushtri qe e ndalon skamjen te kerkoje edhe me menyra te rrezikshme qe te kerkoje rruge per te mbijetuar.

    Njerezit e asaj zone duhet te jene kaq te varfer, sa preferojne me mire te punojne me kazem per te gjetur ca copa skrap, se sa me po ato kazma te punojne token dhe nxjerrin prodhime bujqesore.

    Me mire t’i perdorin ato kazma per te shkateruar kete pushtet qe u a beri jeten ferr!

  4. arjani says:

    Shqiperia me ne krye sali bishen eshte vend i botes se trete.

  5. daliu says:

    o njerez, jeta u ben me shume se bakri, kujdesuni ! mos shkoni me kembet tuaja drejt vdekjes !!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje