Vitet e fundit vihet re një bashkëpunim tepër i suksesshëm shqiptaro-grek në fushën e rëndësishme të… sorrollatjeve burokratike të shtetasve shqiptarë me banim në Greqi ose në Shqipëri. Bashkëpunimi produktiv konstatohet në marrjen e një sërë masash ligjore dhe administrative të panumurta, të panevojshme, të dyzuara, kundërshtuese dhe, shpeshherë, qesharake në lidhje me procedurat dhe dokumentacionin e identitetit, të udhëtimit, të arsimit, të shëndetësisë, të drejtësisë, të pronësisë, të afarizmit e kështu me rradhë.
Por aty ku e keqja e sorrollatjeve burokratike arrin në nivele alarmante dhe, bile, deri në idiotizëm të plotë është sektori i… vdekjeve! Nëse do të rronte Gogoli i famshëm, jam i bindur se do të përulej me nderim përpara “shpirtrave të vdekur” shqiptarë, kurse Jonesku, me siguri do të kishte vrarë veten për shkak të supremacisësë groteskut burokratik greko-shqiptar… Ngjarja që do t’ju tregojmë është reale dhe faktet e hollësishme dhe dokumentacioni përkatës ndodhet në dispozicion të redaksisë për çdo të interesuar…
Para disa javësh, një shtetas shqiptar nga Saranda ndërroi jetë në një nga spitalet e mëdha publike të Athinës. Vdekja u konstatua në sallën e reanimacionit të spitalit prej një sëmundjeje të rëndë. Dhe qysh nga ky moment, nisi “odiseja” e të interesuarit për sigurimin e dokumentacionit të domosdoshëm që do të vërtetonte në mënyrë zyrtare vdekjen…
Çdo gjë nisi nga dokumenti i vërtetimit të vdekjes, i firmosur dhe i vulosur nga gjashtë mjekët përgjegjës në sallën e reaminacionit të spitalit. Ky dokument i fuqishëm, në bazë të logjikës së thjeshtë, duhej të përbënte edhe dokumentin e vetëm për vërtetimin e vdekjes së të ndjerit nëpër institucionet e ndryshme shqiptare dhe greke, por “demoni” i burokracisë nuk e lë logjikën që të triumfojë. Kështu, fill pas tij, pasuan… Vërtetimi i vdekjes nga drejtori i spitalit në fjalë… Vërtetim nga mjeku përgjegjës i morgut të spitalit për daljen e kufomës… Dëshmi vdekjeje nga mjeku ligjor i Athinës… Prokurë e të interesuarit në Prokurorinë e Përgjithshme të Greqisë ku deklaronte humbjen e të afërmit të tij… Faturë pagimi tatimore lëshuar nga zyra greke e varrimit që e çoi deri në kufi… Leje kalimi për kufomën nga policia doganore greke… Leje kalimi për kufomën nga policia doganore shqiptare… Faturë pagimi tatimore lëshuar nga zyra shqiptare e varrimit që e çoi deri në fshat…Vërtetim varrosjeje nga prifti që kreu ceremoninë mortore…Vërtetim varrosjeje lëshuar nga kryeplaku i fshatit… Vërtetim vdekjeje nga mjeku i Komunës së të ndierit… Pas disa ditësh, kur u paraqit në zyrën e gjendjes civilepër të bërë çregjistrimin e të vdekurit, nëpunësja i kërkoi… Përkthimin me noter në shqip nga greqishtja të vërtetimit të vdekjes nga spitali i Athinës, i cili përbënte dhe dokumentin kryesor referimi për gjithë të tjerët… Meqenëse dokumenti u lëshua nga institucion grek, në bazë të legjislacionit të shtetit shqiptar, duhej një vërtetim nga Ambasada Shqiptare në Athinë… Porpër të marrë vulën nga ambasada, sipas rregullave, duhej të siguronte më parë tre dokumente të reja… Dëshmi vdekjeje nga Ministria Greke e Shëndetësisë… Dëshmi vdekjeje nga Ministria e Punëve të Brendshme të Greqisë… Dëshmi vdekjeje nga Ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë, meqënëse i ndjeri ishte shtetas i huaj… Pasi mori dokumentin nga Ambasada Shqiptare, i interesuari u paraqit sërishmi në zyrën e gjendjes civile të Komunës, për të bërëçregjistrimin… Aty i kërkuan këto dokumente të reja… Një vërtetim vdekjeje nga Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë… Një vërtetim vdekjeje nga Konsullata Greke në Gjirokastër… Pasi kaluan edhe disa ditë të tjera, i interesuari shkoi për herë të tretë në zyrën e gjendjes civile… Por, meqenëse afati i parashikuar nga ligji për çregjistrimin kishte kaluar disa ditë, pagoi një gjobë për vonesën…
I interesuari, pas gjithë këtyre telasheve dhe zvarritjeve burokratike, të cilat përkthehen në humbjen e shumë ditëve dhe në harxhimin e mjaft parave, bëri kryqin tre herë, (rastisi të jetë ortodoks) dhe mori frymë i lehtësuar. Por gaboi rëndë… Sepse i ndjeri, meqënëse merrte një pension të vogël nga Greqia, përfitonte në këtë rast edhe një kompensim për shpenzimet e varrimit. Në institucionin përkatës të Greqisë i kërkuan… Një prokurë nga noteri, ku i interesuari të deklaronte me përgjegjësinë e tij ligjore vdekjen… Një vërtetim për çregjistrimin e të ndjerit nga institucioni i sigurimeve shoqërore nga merrte pensionin… Një prokurë tjetër ku i interesuari të deklaronte ndërprerjen e pensionit të të ndierit… Një dokument identiteti shqip të përkthyer nga Ministria e Jashtme e Greqisë… Dokument identiteti grek të vulosur nga noteri… Çerifikatëfamiljare nga Shqipëria, të vulosur nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë dhe Konsullata Greke në Gjirokastër dhe të përkthyer në vazhdim nga Ministria e Jashtme e Greqisë… Vërtetim nga institucioni tatimor shqiptar për gjendjen e pasurisë së patundshme dhe të të ardhurave totale të njeriut që vdiq… Një vërtetim banese të përhershme nga komuna shqiptare e te ndierit… Nje vërtetim çregjistrimi të të vdekurit nga Prefektura e Vlorës… Një vërtetim baneseje të përhershme nga bashkia greke, ku i ndieri kishte deklaruar adresën e tij… Në bashkinë greke i kërkuan… Kopje të pasaportës shqiptare (të gjitha faqet), të vulosura nga noteri… Vërtetim baneseje të përhershme, por kësaj radhe nga rajoni i policisë së bashkisë… Vërtetim nga Ministria e Drejtësisësë Greqisë se i ndieri nuk ndiqej penalisht… Vërtetim të ardhurash nga zyra tatimore greke e zonës së banimit në lidhje me pensionin… Çertifikatë të re lindjeje, (e cila duhej vulosur prapë nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë, nga konsullata greke në Gjirokastër dhe e përkthyer ne Ministrinë e Jashtme të Greqisë)… Çertifikatë familjare të re, e cila ndoqi ciklin burokratik te çertifikatës së lindjes në Shqipëri… Në bashkinë greke, përveç vërtetimeve të vdekjes të mësipërme që dispononte i interesuari, i kërkuan gjithashtu edhe një vërtetim varrosjeje të vulosur nga noteri dhe të firmosur të paktën prej tre dëshmitarësh të pranishëm në ditën e varrimit të të ndjerit…
Kur dëgjoi dhe këtë të fundit, i interesuari i shkretë humbi ndjenjat dhe u shemb përdhe… Kur u përmend,nuk njihte më njeri dhe filloi të fliste përçart… Kurse shpirti i të vdekurit nuk gjen rehati… Thonë se qarkullon natën, lart e poshtë në fshatin e tij, me një dosje të kuqe, të mbushur plot me dokumente shqiptare dhe greke. Se përse e zgjodhi dosjen pikërisht të kuqe dhe jo ngjyrë tjetër, këtë vetëm një zot e di… Amin!