Kryeministri Thaçi ka filluar ta kuptojë BE-në

16 Maj 2012, 19:36Blog TEMA

Nga Augustin Palokaj

 

Kosova më tepër sesa mund t’ia lejojë vetes është preokupuar këta katër vjet me integrimet Evropiane, duke e vënë këtë si prioritet mbi të gjitha prioritetet. Nuk ka dyshim se integrimi në BE është qëllim madhor i Kosovës, interes kryesor strategjik kombëtar dhe se nuk duhet kursyer asgjë për të punuar në arritjen e standardeve evropiane. Por Kosova është aq larg nga integrimet në BE (madje nuk e ka bërë ende as hapin e parë formal) saqë përmendja e tepruar e integrimeve evropiane dhe kremtimi i festave të BE-së ka kaluar në bizaritet për çka edhe në Bruksel ka filluar të tallet me Kosovën. Shembull i tillë ishte javën e shkuar kur në Kosovë, të vetmin vend në Evropë, u festua Dita e Evropës si festë kombëtare dhe si ditë në të cilën nuk punohet. Një numër i madh i diplomatëve të shteteve të BE-së në Bruksel nuk besonin se 8 maji është ditë në të cilën nuk punohet në Kosovë. Vërtet se Kosova ndien nevojë ta bindë vetveten dhe Perëndimin se nuk ka synim tjetër, pos integrimeve euroatlantike. Por ka shumë mënyra të tjera për ta bërë këtë e jo duke e shpallur në mënyrë absurde 8 majin si ditë feste kombëtare në të cilën nuk punon administrata, e që në të njëjtën kohë në të gjitha shtetet e tjera evropiane, të cilat tashmë janë anëtare të BE-së ose janë shumë më të avancuara në rrugën e integrimeve sesa Kosova, kjo ditë shënohet në mënyrë simbolike por është ditë pune.

Kosova ka shumë prioritete të tjera në shtendërtimin e saj, siç janë papunësia, varfëria, nxitja e investimeve të huaja dhe, mbi të gjitha, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Përballja me sukses me këto prioritete vetvetiu do ta afronte Kosovën edhe në procesin e integrimeve në BE. Pse atëherë është integrimi në BE i pranueshëm aq shumë në diskursin publik në Kosovë. Në aspektin emocional dhe psikologjik kjo do të mund të shpjegohej edhe me faktin se sa më larg është dikush nga një gjë aq më shumë e do atë gjë. Shembulli se në Kroaci, e cila pas një viti bëhet anëtare e BE-së Bashkimi Evropian është më së paku i popullarizuar ndërsa në Kosovë, e cila as nuk trajtohet si shtet nga BE-ja e as që e ka bërë hapin e parë BE-ja është më e popullarizuara në rajon.

Ka edhe një mundësi tjetër. Për të lënë nën hije problemet e tjera të rënda të përditshme politikanët qëllimisht flasin për BE-në, për integrime evropiane dhe për gjëra të tjera që tingëllojnë bukur, por realizimi i të cilave do t’u mbetet gjeneratave të ardhshme e jo kësaj klase politike.

Procesi i integrimit të një vendi në BE ka qenë i komplikuar, ndërsa tash është bërë edhe më i komplikuar dhe si rrjedhojë edhe i gjatë nga aspekti kohor. Sa më shumë që një shtet vonohet në proces aq më të vështirë e ka procesin. Kosova po e mëson këtë në procesin e liberalizimit të vizave, proces nga i cili Kosova ishte lënë jashtë në vitin 2008, ndërsa tash i është premtuar se deri në fund të pranverës do të marrë një udhërrëfyes për ta nisur formalisht këtë proces. Nga Kosova në këtë proces janë kërkuar kushte të vështira si kriter për të nisur procesin, kushte të cilat në rastin e shteteve të tjera ishin kërkuar në fund të procesit. Prandaj Kosovës ky proces nuk mund t’i zgjasë më pak sesa që u kishte zgjatur vendeve të tjera të rajonit, por vetëm më shumë. Kroacia në procesin e zgjerimit kaloi një rrugë shumëfish më të rëndë dhe me të gatë sesa kandidatët e mëhershëm. Kjo ndodh jo vetëm për shkak të kandidatit por edhe për shkak se brenda BE-së kanë ndryshuar raportet dhe disponimi rreth zgjerimit. Procesi i zgjerimit nuk ka shumë ithtarë në BE dhe përmendet si një proces i domosdoshëm por jo edhe aq i pëlqyer. Deri me tash është dukur sikur kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ose nuk i ka kuptuar këto vështirësi ose i ka injoruar ato. Ai ka dhënë në disa raste premtime të mëdha për suksese të shpejta në rrugën e integrimeve në BE dhe heqjen e shpejt të vizave. Ata të cilët kanë tërhequr vërejtjen se këto premtime nuk do të realizohen shpejt ka ditur edhe t’i akuzojë si “antievropianë” ose se “nuk po i gëzohen suksesit të Kosovës”.

Tash dëgjojmë Kryeministrin e Kosovës të kërkojë nga Brukseli që të jetë më fer ndaj Kosovës dhe vërejtje se Kosova e meriton të ecë më shpejt. Ku kanë mbetur tash pohimet e Thaçit se “Kemi garanci nga Brukseli” dhe se “Rruga e Kosovës drejt BE-së është hapur për herë të parë në histori”. Në Bruksel nganjëherë, duke thënë se “në proces nuk ka garanci” kanë përdorur edhe fjalë tallëse se “në Bruksel garanci mund të merrni vetëm kur blini televizor dhe atë në afat për dy vjet!”

Pa dyshim se Thaçi ka plotësisht të drejtë të jetë i pakënaqur me BE-në. Mund të thotë lirisht se BE-ja e ka mashtruar dhe e ka dëshpëruar, sepse asnjë gjë e tillë nuk është larg së vërtetës. Në BE ka vërtet zyrtarë të cilët premtojnë gjithçka vetëm për ta arritur qëllimin e tyre afatshkurtër. Në rastin konkret, qëllimi ka qenë që në dialog mes Kosovës dhe Serbisë të arrihen aq marrëveshje saqë Serbisë t’ia sigurojnë statusin e kandidatit, ndërsa BE-ja të mund të paraqesë atë si sukses të saj në ndërmjetësim. Kosovës si “shpërblim” i janë dhënë disa premtime të cilat nuk janë as konkrete e as të qarta dhe madje me vërejtjen formale se nuk mund të paragjykohet fundi i tyre.

Problemi është në faktin se për rrugën konkrete në BE nuk vendosin zyrtarët, të cilët janë të përfshirë në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, por vendet anëtare. Dhe që do të jetë edhe më e rëndësishme për Kosovën, lëshimet politike mund të hapin rrugën, por shtetet anëtare të BE-së do të insistojnë tërësisht në përmbushjen e kritereve të vështira të cilat Kosova, thënë sinqerisht, nuk do të mund t’i arrijë në një afat më të shkurtër se 10 vjet. Njësoj është edhe për heqjen e vizave. Dikush nga politikanët në Bruksel mund t’i ketë premtuar Thaçit se kjo do të ndodhë shpejt, nëse arrihet ndonjë marrëveshje me Beogradin, por kjo marrëveshje nuk u lë kurrfarë përshtypjesh ministrave të brendshëm të vendeve si: Holanda, Franca, Suedia, Belgjika, Luksemburgu dhe disa vende të tjera, të cilat nuk duan që në një të ardhme të afërt të hiqen vizat për Kosovën.

Kërkesat e fundit të kryeministrit Thaçi që BE-ja të përshpejtojë procesin e afrimit të Kosovës mund të shihen ose si dëshmi se ai e ka kuptuar më në fund se nuk mjaftojnë lëshimet në dialog me Serbinë për të avancuar në rrugë drejt BE-së ose e ka të qartë se asgjë nuk do të ketë nga premtimet e tij për heqjen e shpejtë të vizave, prandaj krijon hapësirë për të fajësuar për këtë Brukselin.

Një diplomat i lartë kroat, i përfshirë në procesin e anëtarësimit në BE. I pyetur se çfarë do t’u sugjerojë vendeve të tjera të rajonit si mësim që e ka nxjerrë Kroacia nga përvoja e saj, pati thënë: “Edhe kur jeni të sigurt se BE-ja padrejtësisht po ju cakton kushte të vështira, mos humbni kohë duke u ankuar, sepse asgjë nuk do të arrini duke u ankuar. Menjëherë filloni t’i përmbushni kushtet sado të rënda të jenë ato”. Porosia tjetër ishte se politika nuk do të mund t’ua heqë të gjitha pengesat në rrugën tuaj drejt integrimit në BE.

Në këtë mënyrë Kosova duhet ta kuptojë se me vendime politike mund të hapen disa rrugica të vogla për të ecur gradualisht drejt BE-së, por pastaj gjithçka do të varet nga puna, të cilën do ta bëjë vetë Kosova dhe nga gatishmëria e të gjitha vendeve anëtare të BE-së që të ecet përpara më afrimin e Kosovës. Me situatën aktuale në BE integrimi i Kosovës dhe heqja e vizave nuk është kurrsesi prioritet. Megjithatë, nuk duhet humbur shpresat dhe nuk duhet dekurajuar nga qëllimi. Siç tha javën e shkuar edhe vetë presidenti i BE-së, Herman van Rompuy “zgjerimi i BE-së është edhe garantues i paqes”. BE-ja nuk do të heqë dorë nga ideja që edhe Ballkanin ta integrojë në BE një ditë, sepse pa këtë procesi i bashkimit të Evropës nuk do të konsiderohet i përmbyllur. Por, kjo do të zgjasë edhe më shumë sesa që edhe pesimistët më të mëdhenj kanë menduar. Ja Kroacia po hyn në BE 10 vjet më vonë sesa Sllovenia, Serbia do të hyjë më shumë se 10 vjet pas Kroacisë, ndërsa për Kosovën nuk mund as të parashikohet fare në këtë moment. Fati gjeografik i Kosovës megjithatë është se një ditë Kosova gjithsesi do të jetë në BE, por kjo ditë nuk është afër.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje