Hetimet synojnë zbardhjen përtej akuzave të Marty-t

28 Maj 2012, 10:57Rajoni TEMA

Raporti famëkeq i senatorit zviceran Dick Marty, i cili është miratuar si raport me shumicë votash edhe nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, vazhdon të jetë një lloj “reje e zezë mbi Kosovën dhe Ballkanin” dhe si e tillë konsiderohet edhe nga Bashkimi Evropian. Dyshimet, të cilat i ka përmendur Dick Marty në atë raport, kundër disa liderëve politikë kosovarë, përfshirë edhe kryeministrin Thaçi dhe disa bashkëpunëtorë të tij të ngushtë në PDK, ishin raportuar në mënyrë sensacionale nga mediet evropiane dhe patën hasur atëherë në reagime të shumta edhe në BE dhe NATO. Në atë kohë akuzat se disa formacione të UÇK-së kishin “kidnapuar, mbajtur në burgje dhe torturuar serbë dhe të tjerë, dhe ua kishin nxjerrë organet për t’i shitur për transplantime” ishin quajtur si “akuza tepër të rënda”, të cilat duhet të sqarohen dhe Marty duhet të nxjerrë dëshmi për akuzat të cilat i bën.

Me gjithë dyshimet e mëdha që kishin zyrtarët e lartë të BE-së dhe NATO-s për pohimet e Martyt ky raport rezultoi me krijimin e një Grupi të posaçëm të lartë hetues (Special Investigative Task Force)  ndërkombëtarë me detyrë dhe mandat për të hetuar ato pohime dhe për të ndriçuar akuzat e rënda të cilat përmenden aty. Udhëheqja e këtij ekipi special i është besuar ish ambasadorit amerikan për çështje të krimeve të luftës, prokurorit John Clint Williamson. Tash ky ekip special është kompletuar, ka 20 pjesëtarë nga 10 shtete të ndryshme dhe është vendosur jo në Kosovë, por në një objekt të siguruar mirë në Bruksel për shkaqe që quhet “të sigurisë operacionale”. Ky ekip tash është duke nisur punën dhe së shpejti pritet të zhvillojë edhe intervista “një me një” me dëshmitarë potencialë.

Edhe pse e konsiderojnë raportin e senatorit zviceran Dick Marty si “raport me elemente sensacionale mediatike”, ekipi prej 20 anëtarëve të Grupit special hetues, me seli në Bruksel, i ka marrë seriozisht disa nga akuzat që përmend Marty dhe do t’i hetojë ato. Ky grup nuk do të ndalet vetëm në akuzat për “nxjerrje të dhunshme të organeve të të burgosurve serbë”, akuzë e cila i ka shokuar shumë njerëz në Evropë, por do të hetojë edhe çfarë ka të vërteta në akuzat për tortura në burgjet në veri të Shqipërisë gjatë dhe pas luftës.

I vetmi kufizim të cilin pritet ta ketë në hetime ky grup është ai kohor. Pra, pritet të fokusohet në zhvillimet në fund të luftës dhe në muajt e parë pas luftës dhe akuzat e Martyt për krimet në veri të Shqipërisë në atë kohë. Ajo që nuk ka lidhje fare me këto hetime është rasti “Medikus” për të cilin po zhvillohet procesi në Kosovë i udhëhequr nga EULEX-i./KD

2 komente në “Hetimet synojnë zbardhjen përtej akuzave të Marty-t”

  1. Pavaresia says:

    ,,Shpif, shpif sa te mundesh se, dicka do te mbese”! ,,Germo,o Tare, germo…! Qenin e ngordhur ke per te gjetur…”!. ,, Me mire te dali syu se nami…”! ,,E drejta del ne breg, po b…tha i laget”, etj.etj. Dick Marty eshte nje JAGO qe shpifi per Desdemonen… A do ti eci? Ja, pergjigjet jane tek fjalet e urta te siper shkruara.

  2. Diku says:

    ku ka ze nuk eshte pa gje dhe europianet nuk ia fusin kot patjeter qe ata dine dicka,dhe une i besoj ata,jo me kot Kosova drejtohet prej mafiozave qe gjasme ishin te uck ,pse pak akademike dhe intelektuale kishte Kosova por ra ne duart e krimineleve katunar qe e kane kthyer vendin ne republike bananesh,une besoj se nuk do jete e larget dita qe keta mafioze te droges dhe te organeve do kalben ne burg,une mbaj mend qe ju kosovaret para disa vitesh Karla Del Ponten e bete heroine ndersa tani e shani,drejtesia eshte drejtesi ju pelqen apo jo ajo do vendoset.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje