Trajneri i Gjermanisë, Joakim Lëv, beson se mesfushori Bastian Shvajnshtajger do të jetë në gjendjen më të mirë për fillimin e fushatës së Euro 2012.
Futbollisti i Bajern Mynih ka vuajtur dëmtime të njëpasnjëshme gjatë muajve të fundit dhe ka dyshime të mëdha nëse ai do të jetë në gjendje të luajë një rol vendimtar në turneun që zhvillohet në Poloni dhe Ukrainë.
Lëv është optimist për praninë në fushë të lojtarit në ndeshjen e parë të turneut me 9 qershor, por ka konfirmuar se ai nuk do të zbresë në fushë në miqësoren e nesërme kundër përfaqësueses së Izraelit.
“Ai nuk është stërvitur si zakonisht me skuadrën pasi po monitorojmë se sa mund të durojë ai me dhimbje dhe si mund ta menaxhojë atë. Por ai do të jetë në formën e duhur dhe do të ketë forcën e duhur gjatë turneut”, tha trajneri i përfaqësueses.
Më pas, ai ka shpjeguar edhe përzgjedhjen përfundimtare të 23 futbollistëve, ndërsa ka vlerësuar paraqitjen e të 4 lojtarëve që u lanë jashtë, sidomos të 18 vjeçarit Julian Draksler.
“Sigurisht që ishin të zhgënjyer. Por ne morëm vendimin tonë pasi morëm në konsideratë të gjitha rrethanat dhe deshëm që t’i qartësonim futbollistët për situatën që të hënën”.
“Ata janë lojtarë të rinj. Unë ua thashë se ata kanë hapur tashmë derën për të ardhmen e tyre. Draksler, më i riu prej tyre, është më i fituari nga stërvitjet që ka bërë me kombëtaren. Për ne është e qartë që këto lojtarë janë pranë kombëtares dhe shumë shpejt do të bëhen pjesë e saj”, deklaroi Lëv. /lajmeshqip