Trajneri i Anglisë, Roi Hodgson, dëshiron që futbollistët e tij të sillen njëlloj si olimpistët britanikë. Dy jave me suksese në sporte të ndryshme kanë bërë që të rritet krenaria e britanikëve dhe tekniku shpreson që të njëjtën atmosferë ta përsëritin edhe lojtarët e tij, duke treguar një sjellje korrekte dhe duke bërë të harrohet sezoni i kaluar ku ka patur shumë probleme disiplinore.
“Olimpiada na ka treguar ne rrugën që duhet ndjekur. Tani ka një ndjenjë përgjegjësie shtesë mbi lojtarët tanë, në mënyrë që ata të shfaqen si model pozitiv dhe profesional, njëlloj siç u shfaqën atletët në garat e tyre”.
“Ishte një atmosferë freskuese kur shihje se sa shumë persona të talentuar treguan një imazh të mirë për kombin dhe për të gjithë botën. Mënyra se si atletët e Britanisë së Madhe u sollën në Olimpiadën që organizuam, duhet ta bëjë botën e atletikës shumë krenare, pasi shumë prej tyre kanë bërë një punë të shkëlqyer për imazhin tonë”, tha Hodgson.
Shumëkush mendon se sjellja korrekte e atletëve britanikë gjatë Lojërave Olimpike duhet marrë si shembull nga futbollistët e Anglisë, të cilët janë gjithmonë në qendër të skandaleve të ndryshme dhe shpesh japin imazhin e një jete që ka shumë pak lidhje me sportin.
Por shefi i Komitetit Organizator të Londër 2012, Sebastian Koe, mendon se aktiviteti nuk duhet përdorur për qëllime të tilla.
“Pjesa më madhe e lojtarëve të kampionatit anglez janë njerëz të mirë që bëjnë punë sociale të jashtëzakonshme në komunitetin ku jetojnë”, tha Koe, një tifoz i zjarrtë i Çelsit. “Unë njoh shumë prej tyre personalisht, e di kohën që kalojnë duke bërë gjëra të tilla. Por e di gjithashtu se si në çdo sferë të jetës, ka disa persona që nuk përputhen mekëto standarde”.