Rreth sofrës bosh

30 Gusht 2012, 11:13Sociale TEMA

Nga Sebi Alla

E moshuara 67-vjeçare qëndron në krye të tregut dhe hedh sytë nga tezgat me perime. Nuk merr mundimin të ndalë përpara shitësit. Pesha nuk do anojë nga kilet që do marrë, por nga çmimet që shikon. Ajo e ka mendjen tek pusullat prej kartoni që tregojnën çmimin e çdo produkti dhe diku në fund të aradhës së tezgave zbulon: tre kile, 100 lekë. Çalon në njërën këmbë, por rend drejt ofertës. Është një grumbull me speca të vyshkur që tregtari duket se do t’i heqë qafe sa më shpejt, që të mos dalë krejtësisht i humbur. Mbush qeskën dhe Nadirja jep 100 lekë të shkoqura, duke marrë tre kilogramë speca dhe i mban në duart plot deje të kapërcyera nën lëkurën e vrarë nga mosha e vuajtjet. Nuk bën më tjetër pazar, do marrë dhe një bukë dhe më pas drejt e në shtëpi. Pensionistja ankohet, lëshon një ofshamë të sikletshme për çmimet e kripura dhe merr rrugën drejt banesës. Tregtarët duket sikur janë edhe ata në pikë të hallit. Ka rënë fuqia blerëse, njerëzit nuk kanë para. Nuk dëgjohen as thirrjet për të tërhequr myshterinjtë. Ndihet kriza, ka rënie të fuqisë blerëse dhe më shumë se statististikat shtetërore dhe anketat e zyrave, e tregon terreni, vetë tregjet. Të dhënat e INSTAT-it flasin për një rënie të fuqisë blerëse me afërsisht 9 për qind, krahasur me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo vetëm për mallrat si fruta-perime, ndërsa rënie ka edhe për mallrat e shportës, kryesisht ushqime dhe pije.

Jemi ende në tregun e Pazarit të Ri në Tiranë dhe kur ora shënon 09.00 tezgat janë plot, ndërsa blerësit janë rralluar shumë. Ademi është një nga tregtarët më të vjetër dhe ka një vend të mirë për shitje, mirëpo duket se në këtë kohë nuk bën punë as thirrja, as “pozicioni gjeografik” dhe po ashtu edhe cilësia e mallit. Gjithçka vërtitet nga çmimi. “Kam 16 vjet që shes në këtë treg, por si në këtë kohë nuk ka ndodhur ndonjëherë. Njerëzit blejnë pak dhe kjo si pasojë e çmimeve të larta”, thotë Ademi. Në periudhën e verës gjithnjë kishte një shtim të shitjeve për shkak të futjes së prodhimeve vendase, por në dy vitet e fundit çmimet kanë qenë të larta. Një nga arsyet është se produktet bujqësore kanë gjetur treg edhe në Kosovë dhe nuk ka ulje të çmimit për shkak të kërkesës së madhe. Tregtarët e pakicës janë dora e fundit që kërcasin peshoren e hekurt dhe më pas një pjatë gjellë në tryezën e qytetarëve është shpenzim dhe mund. Të dhënat zyrtare të INSTAT-it tregojnë se “indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë në tremujorin e parë të vitit 2012 arriti 148.0 për qind dhe krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës, indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë është ulur 8.3 për qind”. Mirëpo krahasuar me tremujorin dytë të këtij viti me atë të 2011-ës, është ulur 22.5 për qind. Një shifër vërtetë e lartë që tregon se janë ulur shpenzimet. Nëse në botën që është përfshirë nga kriza janë ulur shpenzimet kryesisht në shërbime dhe investime në banesa, automjete dhe veshje, në Shqipëri janë ulur shpenzimet edhe për ushqimet bazë. Shqiptarët po blejnë më pak për t’u ushqyer dhe kjo lidhet drejtëpërdrejtë me rritjen e çmimeve dhe shtimin e numrit të të papunëve.

Shifra e lartpërmenduar prej 22.5 përqindësh, ka të bëjë me produktet bujqësore, por rënie të fuqisë blerëse është shënuar edhe në grupimin, ushqime, pije dhe duhan. Sipas të dhënave zyrtare, indeksi i volumit të shitjeve është ulur 3.6 për qind në këtë tremujor krahasuar me tremujorin paraardhës. Një familje nuk mund të mbajë frymën vetëm me perime, as me specat e vyshkyr që bleu Nadirja 67-vjeçare… Me qeskat me perime dhe pak fruta, (nëse ua ka mbajtur xhepi), qytetarët ikin nga tregu për të bërë të tjera ndalesa.

Patjetër që do shkojnë në një furrë buke. Thomai ka hapur një furrë buke prej gjashtë muajsh, ndërsa shprehet se është i vetmi biznes që ka shitje gjithnjë. “Buka blihet se është ushqimi bazë, por afërsisht 20 për qind e blerësve marrin edhe bukën me listë. Nëse do kisha ndonjë dyqan ushqimor ndoshta nuk do u jepja veresie, por buka nuk mbahet”, pohon ai. E ndërsa flet me ne, një vajzë e vogël, jo më shumë se shtatë vjeçare i kërkon dy bukë dhe i thotë se paratë do t’i sjellë babi nëser. “Ja kjo familje është një nga ata që merr bukë më listë, m’i kanë larë një pjesë, por përsëri borxheve nuk u ndahen”. Sa më shumë futemi në lagjet e Tiranës, aq më të mëdha janë blloqet me emrat e qytetarëve që marrin ushqime me listë. Në afërsi të Brakës është një dyqan i vogël, sa të zihet fryma kur futesh brenda, por këtu ka plot hapësirë për lutje e ankesa. “Më jep edhe kësaj radhe ushqime, të paktën dhjetë mijë lekë (të vjetra), se ma di hallin, me datë 2 t’i laj të gjitha”, lutet qytetarja. Ndërsa ankesa është në majë të gjuhës së shitëses. “Po ç’të bëj edhe unë, ti nuk ke larë të parat, nuk kam lekë të marr ushqimet tek pikat e shumicës”, thotë shitësja. Aty është errësirë, pasi edhe dyqanxhija është në borxh me CEZ-in, sepse nuk ka paguar energjinë dhe kusuri është shkëputja e energjisë elektrike që e ka detyruar shitësen të heqë frigoriferin dhe mos mbajë produkte që prishen. Të paktën nuk ka vend për turp, pasi si pronarja e dyqanit ashtu edhe qytetarja kanë borxhe… Tregtarët e ushqimeve tregojnë se prej të paktën dy vitesh çmimet e ushqimeve bazë nuk kanë lëvizur shumë; pasi morën një kolpo të madhe rritjeje, çmimet mbesin thuajse po ato. Përsëri janë të shtrenjta kur një litër vaj, një kilogram makarona dhe pesë kokrra vezë kushtojnë 420 lekë. Shtrenjtimi i energjisë elektrike, i ujit të pijshëm dhe taksa e pastrimit të qytetit ka bërë që qytetarët të shpenzojnë mesatarisht rreth 6000 lekë muaji për këto shërbime. Ata janë të parat që paguhen, pasi ndryshe mbetesh jo vetëm me barkun bosh por pa u larë e në mes të territ. “Edhe në vitet e kaluara ka pasur persona që merrnin ushqimet me listë, por i lanin shpejt dhe kryesisht në periudhën e verës kur u vinin fëmijët nga emigracioni”, shprehet Liria, një grua që ka një dyqan ushqimor në Tiranë. Mungesa e punës dhe keqpagesa në sektorë të ndryshëm ka sjellë më pak të ardhura vjetore për qytetarët. Sipas të dhënave të INSTAT-it, gjatë tremujorit të parë 2012 forca e punës është 1.076.714 persona, ndërsa shkalla e papunësisë së regjistruar është 13.32 për qind. Numri mesatar i të punësuarve në sektorin privat bujqësor për tremujorin e parë 2012 është 506.664. Pra nga fuqia punëtore më shumë se gjysmë milioni shqiptarë rezultojnë të punësuar për qeverinë, më saktë të vetëpunësuar pasi janë në fshat dhe çdo person që ka kaluar moshën 18 vjeç edhe pse tokat i ka djerr me statistika ai konsiderohet i punësuar. Numri mesatar i të papunëve të regjistruar gjatë tremujorit të parë 2012 është 143.421 persona ndërsa numri i të papunëve që përfitojnë pagesë papunësie është 9569. Sa më shumë dalin shifrat zyrtare, aq më qartë kuptohet se varfëria ka ngulur rrënjë të thella në Shqipëri. Niveli mesatar i ndihmës së pjesshme ekonomike është 3390 lekë muaji, ndërsa niveli i ndihmës ekonomike të plotë është 4195 lekë në muaj. Me një “ndihmë” të tillë nuk shlyejnë dot as faturat dhe zgjidhja është borxhi në dyqanet e lagjeve. Bojë e letër për të shënuar listën e borxhlinjve, ka mjaftueshëm…

Çmimet në treg/ lekë kg 

Domatet 120

Kastraveca 110

Patëllxhanat 70

Bostani 30

Pjepri 50

Rrushi 120

Speci 40

Barbunja 120

6 komente në “Rreth sofrës bosh”

  1. praktika says:

    Sa s’ka erdhur dimri.
    1-orgjentisht te shkurtohen rogat e te gjithe parlamentareve,qe nga kokat e parlamentit,plus te ulen rogat e larta pa perjashtuar askent.
    2-Te pakesohet disniveli i rogave te larta me te ultat.
    3-Ne c’do qytet per ata qe s’kane te hane, te krijohet kazani i supes falas,me radhe te marin supen 3 here ne dite zorethatet.

    1. Adams family says:

      Jo more gazetar mashtrus! ne jetojm shume mire dhe i kemi tavolinat plot!
      http://imazheshqip.blogspot.com/2012/04/familja-salgita-lirixen-berisha.html

  2. arrori says:

    keto jane fjale armiku.vendi yne lulezon nga dita ne dite e me shume.kjo fale largpamesise se atij karucit,saliut,i cili po mahnit boten me kete progres.o njerez,e si mund te pretendosh progres,kur pasuria jone eshte gllaberuar nga nje tufe horrash nen dirigjimin e saliut.pale,tani na doli dhe ai turi petlla,fullani,si hajdut kampion.e vertetoi,se ka mbaruar kursin e ilir metes.ky vend ka marre fund,perfundimisht.

  3. marti says:

    IK ORE SEBI PIRDHU GENJESHTAR GAZETAR I POLITIZUAR IK TE UZINA DINAMO
    DHE SHIKO CMIMET JANE NORMALE PO TE SHKOSH NE KONAD KE CMIME ITALIE
    JEMI NE KAPITALIZEM KA TREGJE TE LIRA KA DHE TE SHTRENJTA MOS SHKRUAJ ME
    MARRINA.

    1. fl says:

      Po pra bole-shpellari po i afrohemi cmimeve te Conadit. Po pagat me italiane si jane? E dije qe ka pension normal 1000 Euro andej?

      Ore po do ju bejme njereze edhe ju katnaret e Sales. Pak nga pak, po do ju ndryshojme.

      (nga menyra shkrimit kuptohet qe je nje nga komentusit e trashe te vjeter qe kullot ketej :))

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje