Presidentja Atifete Jahjaga i ka dërguar letër të hënën Baroneshës Catherine Ashton, ku i kërkon që BE’ja t’ia vazhdojë mandatin EULEX’it deri më 15 korrik 2014. Shefja e diplomacisë europiane, brenda dy ditësh pritet t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës së Presidentes kosovare. Të premten, bashkë me pakon ligjore për përmbylljen e procesit të pavarësisë së mbikëqyrur, Parlamenti ratifikon edhe letrat që ia zgjasin mandatin EULEX’it edhe për dy vjet.
Presidentja Atifete Jahjaga i ka dërguar të hënën letër Baroneshës Catherine Ashton, ku kërkon vazhdimin e mandatit të EULEX’it deri më 15 korrik të vitit 2014.
Një burim nga Presidenca i ka thënë gazetës Express se zonja Jahjaga e ka nënshkruar mesditën e së hënës këtë letër, ndërkohë që sot (e martë), letra pritet të jetë në tryezën e Këshillit të Ministrave të BE’së.
“Aty pritet të merret vendimi për vazhdimin e mandatit të EULEX’it”, ka thënë burimi i gazetës.
Brenda dy-tri ditësh pritet që Baronesha Ashton t’ia kthejë letrën Presidentes Jahjaga, duke e njoftuar se Unioni është i interesuar për vazhdimin e misionit të tij për rend dhe ligj në Kosovë.
Çështja e vazhdimit të mandatit të EULEX’it u shtrua si domosdoshmëri, pas vendimit të Grupit Drejtues Ndërkombëtar, për të përmbylljen e procesit të mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.
Sipas marrëveshjes së arritur javën e kaluar mes përfaqësuesve të Prishtinës dhe të Brukselit, letra e Jahjagës dhe ajo e Ashtonit do të ratifikohen në Parlamentin e Kosovës.
Një zyrtar i lartë i Qeverisë ka thënë se ratifikimi i letrave për vazhdimin e mandatit të EULEX’it është lënë qëllimisht të ndodhë ditën e premte, kur ligjvënësit do të miratojnë edhe pakon ligjore për përmbylljen e procesit të pavarësisë së mbikëqyrur.
“Gjithçka do të përmbyllet në Parlament, më 7 shtator. Tashmë kemi marrë përkrahjen e LDK’së, AAK’së dhe partive minoritare. Vetëm Vetëvendosja është kundër përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë”, ka thënë zyrtari qeveritar që foli për Express./EXPRESS