Kompania “Human Farm” e cila vlerësohej se më herët kishte shkelur kontratën për menaxhimin dhe shpërndarjen e barnave nga Lista Esenciale, që kanë vlerë afro 22 milionë euro, ka marrë sërish besimin nga shteti për të menaxhuar, deponuar e shpërndarë barnat e listës esenciale. Pronari i Human Farm si dhe vëllai i tij në Lirimed ndër vite kanë lidhur kontrata në vlerë miliona eurosh me Ministrinë e Shëndetësisë.
Pajtim Olluri
JNK
Tregtarët e barnave nga Podujeva, dy vëllezërit Armend e Lirim Mustafa, kanë përfituar miliona euro nga Ministria e Shëndetësisë përmes kontratave publike disa prej të cilave mund të kenë probleme me ligjin sipas aktakuzave zyrtare të prokurorëve dhe raporteve të auditimit.
Lirim Mustafa është pronar i “Lirimed” e cila në aktakuzën kundër grupit të Ilir Tolajt përmendet se është favorizuar kundërligjshëm. Ish-sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë akuzohet për favore ndaj kësaj kompanie në dhënien e tenderëve dhe licencave. Mustafa nuk ngarkohet nga kjo aktakuzë.
Ndërkohë Armend Mustafa udhëheq kompaninë “Humana Farm”, e cila në dhjetor të vitit të kaluar ka fituar tenderin për menaxhimin, deponimin e shpërndarjen e barnave të Listës Esenciale të cilat blihen nga MSH’ja dhe përdorën nëpër spitalet publike e që kanë vlerë rreth 22 milionë euro.
“Human Farm” ka lidhur këtë kontratë publike edhe përkundër vërejtjeve të dhëna nga auditorët se e njëjta nuk kishte respektuar kontratën për punën e njëjtë të lidhur në vitin 2009.
Zyra e Auditimit të Brendshëm e kësaj ministrie në korrik të vitit të kaluar ka bërë një raport për procesin e menaxhimit të furnizmit, deponimit dhe shpërndarjes së barnave për vitet 2010/2011.
Në vitin 2009 kompania “Human Farm” ishte kontraktuar për kryerjen e shpërndarjes së barnave në këmbim të 93 mijë eurove. E në dhjetor të vitit 2011 kjo kompani private është kontraktuar për kryerjen e tërë këtij procesi për një shumë prej 105 mijë eurosh.
“Konkludojmë se kompania [Humana Farm] e kontraktuar për distribuimin e barnave të LE’së nuk ka përmbushur obligimet e pranuara sipas kontratës” Zyra e Auditimit të Brendshëm
Në një draft të këtij raporti që e ka siguruar Gazeta Jeta në Kosovë thuhet se kompania private nuk e kishte zbatuar kontratën e lidhur me Ministrinë e Shëndetësisë.
“Bazuar në të gjeturat e lartë shënuara mund të konkludojmë se kompania e kontraktuar për distribuimin e barnave të LE’së nuk ka përmbushur obligimet e pranuara sipas kontratës”, thuhet në këtë dokument.
Në këtë dokument auditorët i kanë rekomanduar Departamentit të Farmacisë pranë MSH’së që të mbikëqyrë shpërndarjen e barnave të Listës Esenciale dhe të bëjë një vlerësim të përformancës së operatorit ekonomik.
Auditorët kishin gjetur se spitalet publike ishin detyruar të transportonin vetë barnat edhe përkundër kontraktorit të angazhuar nga Ministria e Shëndetësisë.
“Gjatë testimit fizik të depos qendrore të MSH’së dhe analizimit të dokumentacionit vërehet se jo rrallëherë institucionet bëjnë transportimin e porosive/dërgesave të tyre me automjete vetanake”, theksohet në këtë dokument.
Po ashtu, auditorët theksojnë në raport se punëtorët e kësaj kompanie private nuk i dërgonin me kohë barnat nëpër spitalet piblike.
“Gjatë intervistave të zhvilluara me personat përgjegjës të barnatoreve të strukturave shëndetësore është deklaruar se ka raste kur kompania e kontraktuar për distribuim të barnave dërgon porosinë në minutat e fundit të përfundimit të orarit të punës (QKUK, Pejë, Vushtrri)”, theksohet në këtë dokument.
Drejtuesi i “Human Farm” Armend Mustafa i ka mohuar gjetjet e auditorit duke i quajtur të pavërteta.
Emri i tij nuk figuron si pronar aktual në Agjencinë e Regjistrimit të Biznesit.Nixhare Rrahmani në ARBK është shënuar si pronare ndërsa më herët ishte Armend Mustafa.
“Unë jam pronar i kompanisë. Emri tjetër aty është gabim teknik”, ka thënë Mustafa duke mos dashur të tregoj për afërsinë me Nixhare Rrahmanin emri i së cilës figuron tek kompania “Human Farm”
Vëllai i tij ka qenë i pakontaktueshëm për të biseduar rreth kompanisë “Lirimed”. Armend Mustafa ka folur në emër të tij duke thënë se i vëllai nuk mund të japë përgjigje për shkak të trajnimeve që është duke i ndjekur aktualisht në Gjermani.
Ministria e Shëndetësisë: “Kompania ofroi çmimin më të ulët”
Kjo kompani kishte respektuar kriteret e parapara në tenderin publik dhe për këtë arsye, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë, edhe ishte lidhur kontrata me të.
“Një prej kritereve është edhe çmimi më i lirë, i cili merret në konsideratë pasi të jenë përmbushur kriteret tjera teknike me të cilat dëshmohet se kompania është e licencuar, ka kapacitete për te menaxhuar një proces të tillë dhe nuk ka ndonjë pengese ligjore për të marrë pjese në proces”, ka deklaruar Faik Hoti, drejtor i Zyrës për Media në Ministrinë e Shëndetësisë.
Për Ministrinë e Shëndetësisë nuk paraqet kurrfarë problemi as afërsia e pronarit të “Human Farm” me pronarin e “Lirimed”. Kjo e fundit rregullisht kontraktohet nga MSH për furnizim me barna të Listës Esenciale në mesin e disa operatorëve ekonomikë.
“Në tender, kompanitë konkurrojnë si subjekte juridike apo si ofrues të shërbimeve dhe kontratat lidhen pasi të ketë kaluar koha e ankesave dhe OSHP të mos ketë vërejtje në procedurat e zbatimit të tenderit”, ka deklaruar Hoti. Ministria e Shëndetësisë, tha ai, nuk ka të drejtë ta përjashtojë nga gara asnjë kompani nëse ato nuk kanë pengesa ligjore për të konkurruar.
Armend Musta figuron në ARBK edhe si pronar i dyqanit tregtar barnatore “Liri-Med” si dhe si pronar i ndërmarrjes biznesore “Arta Tex”, që ka fituar kontrata për të furnizuar institucionet shtetërore me uniforma.
Ne listën e barnatoreve që gjenden në uebfaqen e Agjencisë Kosovare për Produkte Medicinale figurojnë Humana dhe Leoni me adresë në lagjen Ulpiana në Prishtinë. Të dy barnatoret figurojnë si pronë e kompanisë Lirimed, pronar i së cilës figuron Lirim Mustafa.
Perse u dashka qe te fitoje gjithe tenderet me shuma te medha vetem nje compani…?-A nuk krijohet gradualisht monopol ne kete menyre,mo zoterinj te ministrise se shendetsise…?!
Kujdes drejtshkrimin. Edhe pse ka shkelur kontratat dhe jo edhe pse ka shkel kontratat.