Para se të njohë pavarësinë, Sllovakia do që Kosova dhe Serbia të ndërtojnë marrëdhënie normale. Kështu thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë analistja sllovake, Lucia Klapaçova.
Sipas saj, qëndrimi i Sllovakisë nuk është i drejtuar kundër Kosovës, por mënyrës se si ka ndodhur pavarësia.
“Ka disa arsye për këtë. Ka shumë parti politike në Sllovaki dhe të gjitha nga to kanë arsye të ndryshme. Arsyeja më e rëndësishme ka të bëjë me marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore. Pra, ky pozicion i Sllovakisë nuk është i drejtuar kundër Kosovës dhe pavarësisë së saj, por ka mospajtime për mënyrën se si ka ndodhur pavarësia. Për aq kohë sa Serbia dhe Kosova të jenë në gjendje që të ndërtojnë marrëdhënie në mes vete, Sllovakia mund do ta pranojë Kosovën – në çdo kohë”, ka thënë Klapçova për REL.
Ajo thotë se për Sllovakinë nuk paraqet problem anëtarësimi i Kosovës në BE, pasi që, siç thotë ajo, “shumica e partive politike dhe e përfaqësuesve të Sllovakisë nuk e kanë problem që Kosova të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian dhe e NATO-s”.
“Por, t’i kthehem pyetjes së parë; para se një gjë e tillë të ndodhë, ata duan të shohin se dy komunitetet, dy vendet – Kosova dhe Serbia – janë në gjendje të ndërtojnë marrëdhënie normale. De jure ose de facto varet prej tyre. Sllovakia këtë e bazon në shembullin e vet, me ndarjen nga Çekosllovakia. Ne po ashtu kemi shembuj në Bashkimin Evropian: kur vendet vijnë me konflikte, ato zgjasin dhe shkaktojnë probleme të tjera më vonë”, thekson analistja sllovake, Lucia Klapaçova.
Ajo thotë se që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, hungarezët në Sllovaki kanë qenë pro këtij veprimi. “Por, prapë e përsëris se as të tjerat, shumica e tyre, nuk janë kundër pavarësisë së Kosovës, por në pyetje janë raportet me Serbinë”, thotë ajo.
Ajo thotë se mos-uniteti në BE, nuk ka nisur vetëm që nga rasti i Kosovës, por edhe më herët. BE-ja, sipas saj, nuk ka pasur politikë të duhur për Ballkanin. “BE-ja as që ka provuar të ketë pozicion të unifikuar për Kosovën. Ky është rezultati i kësaj. Kjo nuk është asgjë e re dhe ju keni të drejtë”, thotë analistja Klapaçova.
Luçia tregon se kohë më parë ka qenë në Kosovë, së bashku me ish-kryeministrin Sllovak, Mikulash Xhurinda, ku kanë zhvilluar takime me autoritete të ndryshme në Prishtinë, për çështjet politike, në Prishtinë e në Beograd.
“Por, qëndrimi i tij nuk ka qenë në formën e ofertës “ja ku jam, dua të ndërmjetësoj”. Ai ka qenë në cilësinë e ish-kryeministrit, si dhe të anëtarit të Parlamentit sllovak dhe të Komitetit për çështje të jashtme, për të siguruar informacione të mjaftueshme, në mënyrë që ta kuptojë më mirë situatën. Kjo ishte e tëra”, tregon Klapaçova.
Ajo thotë se në Prishtinë ka qenë edhe më parë, ndërkaq Kosovën e cilëson shtet, i cili përballet me çështje të vështira.
“Kam vizituar Kosovën shumë shpesh në gjashtë vjetët e fundit. Është e vështirë të përfshihet në një fjali, por sigurisht Kosova është shtet, i cili përballet me disa çështje të vështira, të cilat duhet të zgjidhen. Ndër to, gjetja e zgjidhjes për veriun, e cila është shumë e rëndësishme. Pastaj është edhe çështja e komunitetit ndërkombëtar. Që Kosova të jetë plotësisht e pavarur, prezenca e institucioneve ndërkombëtare përfundimisht duhet të zvogëlohet”, thotë analistja sllovake, Lucia Klapaçova, duke shtuar se Kosova duhet të punojë edhe në zhvillimin ekonomik, si dhe në çështje të tjera. “Personalisht, besoj se Kosova do të mund t’i arrijë këto qëllime”, përfundon Klapaçova. /Zëri/
Po pastaj?! Edhe Jari nuk eshte kunder pavarsise se Kosoves! Biles e ka kryefjale (jo aksion) te veprimtarise se tij ?
http://imazheshqip.blogspot.com/2012/08/newborn-2012.html