Skandali i koncesionit të kromit, DESHTON edhe marrëveshja e dytë e Rulit

4 Shtator 2012, 19:45Politika TEMA
Skandali i koncesionit të kromit, DESHTON edhe marrëveshja e dytë

Skandali i koncesionit në minierën e Bulqizës merr përmasa të reja. Top Channel zotëron një dokument zyrtar që dëshmon se plani i detyruar i investimeve në minierë ka rënë për herë të dytë, edhe pas shtyrjes së dyshimtë të afatit që bëri ish-ministri i Ekonomisë Genc Ruli në korrik të vitit 2009.

Dokumenti zyrtar i Ministrisë së Ekonomisë tregon se që nga viti 2009, kompania ACR ka kryer vetëm 30 përqind të investimeve të detyruara për rritjen e sigurisë në punë dhe zgjatjen e jetës së minierës.

Kjo është hera e dytë kur marrëveshja koncesionare e Bulqizës rrëzohet ligjërisht. Koncesioni i minierës më të madhe të kromit në Shqipëri është miratuar që në vitin 2001. Bashkangjitur marrëveshja përmbante edhe një plan të detyruar investimesh për rritjen e sigurisë në punë, përmirësimin e teknologjisë në minierë dhe zgjatjen e jetës së saj.

Por plani i investimeve nuk u zbatua si nga DARFO fillimisht, ashtu dhe nga ACR më vonë. Në qershor të vitit 2009, kur afati ligjor kishte skaduar, të dy kompanitë kishin kryer vetëm gjysmën e investimeve të detyruara. E gjendur përballe kësaj shkelje, që ligjërisht e rrëzonte koncesionin e minierës, ACR kërkoi shtyrjen e afatit të investimeve dhe shtyrjen për pagesën e gjobës që ajo duhet të paguante për mosrealizimin e tyre.

Vetëm 2 ditë pas kësaj kërkesë, në 9 korrik të vitit 2009, ish-ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, përmes një procedure të dyshimtë miratoi kërkesën më një vendim të vetin, duke anashkaluar Kuvendin, i cili ishte organi që kishte miratuar marrëveshjen koncesionare.

Pa kërkuar miratimin në Kuvend, zoti Ruli i dha të drejtë kompanisë që 11.4 milionë dollarët që duhet t’i kishte investuar t’i riskedulonte deri në fundin e vitit 2012. Paralelisht ish-kreu i Energjetikës shtyu edhe pagesën e gjobës prej 1.6 milionë dollarësh, që kompania duhet të derdhte menjëherë në shtet për moskryerjen e investimeve.

Por tashmë kur kanë mbetur edhe me pak se 4 muaj nga afati i skadimit, kompania sërish e ka shkelur planin e investimeve duke realizuar deri tani vetëm 3.6 milionë dollarë ose rreth 31 përqind të programit ligjor siç pranohet në dokumentin zyrtar të Ministrisë së Ekonomisë.

Por dështimi me investimet nuk është shkelja e vetme e marrëveshjes. Në dokument, Ministria pranon se edhe gjoba prej 1.6 milionë euro, që ACR duhet të paguante brenda gushtit të vitit 2010, nuk është shlyer ende dhe siç pretendon ACR kjo ka ndodhur pasi Ministria e Financave nuk i ka rimbursuar Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Sipas ACR, çështja po negociohet dhe është drejt zgjidhjes.

Dokumenti zyrtar i Ministrisë së Ekonomisë hedh të tjera dyshime të forta mbi koncesionin e minierës së Bulqizës, investimet në të cilën duhet të kishin përfunduar ligjërisht në vitin 2009, por që deri tani, tre vjet më vonë është kryer vetëm gjysma e tyre.

Ndërkaq gjatë kësaj periudhe dhjetëra minatorë kanë humbur jetën për shkak të kushteve të munguara të sigurisë dhe shfrytëzimit barbar të minierës./TCH

3 komente në “Skandali i koncesionit të kromit, DESHTON edhe marrëveshja e dytë e Rulit”

  1. niku says:

    kjo galeria ne foto eshte njerit te lsi
    kasem hysen belliut
    e ka ne emer te nuses

    car ti besh kjo ehste shqiperia

  2. Genc Pashko says:

    Ruli eshte semundje e bute! Nuk pranon si keta zarat e tjere te dali e te komentoje/mbroje veprimet djallezore te Saliut!
    http://imazheshqip.blogspot.com/2012/08/karnavalet-e-shqiperise-3.html

  3. sindikalisti says:

    Po a e di ai Kol Nikollaj(Kryetari i veteemeruar i Konfederates te Sindikatave te Shqiperise) kete pune pyeteni njehere se ai po te doje i zgjidh te gjitha problemet vecse do pak lek se i eshte amortizuar Foristrada qe nga servisi i pare qe i ka bere ACR prandaj sa te regulloje muabetet se i doli nga fjala ACR-se qe kur i beri ato grevat dhe i jane tronditur mardheniet po eshte mjeshter ai dhe do ti regulloje gjerat pastaj shohim e bejme .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje