Dyfishohet numri i sipërmarrësve që ankohen për korrupsionin

6 Shtator 2012, 18:19Politika TEMA

Numri i sipërmarrësve që e rendisin korrupsionin, si faktorin më problematik të të bërit biznes në Shqipëri, është dyfishuar në vitin 2012.

Raporti i sapopublikuar i Forumit Ekonomik të Davosit, mbi konkurrueshmërinë e ekonomive botërore, vëren se 22.2 për qind e bizneseve shqiptare thonë se korrupsioni është pengesa më e madhe në aktivitetin e tyre. Vitin e kaluar kjo shifër ishte 10.9 për qind. Në total, korrupsioni mbetet pengesa e dytë më e madhe për biznesin. Në vend të parë prej tre vitesh renditet vështirësia për financime, pasojë kjo direkte e krizës ekonomike. Nga 144 vende të marra në shqyrtim, Shqipëria renditet e 136 për nga lehtësia e aksesit në kredi.

Paralelisht edhe kostoja e shërbimeve financiare, si interesat apo dhe komisionet, sipas Forumit të Davosit mbeten ndër më të lartat në botë, duke e renditur Shqipërinë në vendin e 125. Indeksi i konkurrueshmërisë globale analizon një numër të madh treguesish që nga institucionet, mirëqeverisja, infrastruktura, inovacioni dhe mirëfunksionimi i tregjeve.

Këtë vit Davos e rendit Shqipërinë në vendin e 89 nga 144 ekonomi botërore me një përkeqësim prej 11 vendesh nga viti i kaluar. Në listën e treguesve që botojnë institucionet apo organizatat e ndryshme botërore mbi ekonominë, indeksi i konkurrueshmërisë është një nga më të plotët. Revista prestigjoze ‘The Economist’ ballafaqon këtë tregues me të ardhurat për frymë sipas vendeve. Rezultati nuk është surprizë, konkurrueshmëria e lartë sjell mirëqenie për qytetarët siç duket qartë dhe në këtë grafik, ku Shqipëria vazhdon të mbetet në pjesën e fundit për të dy treguesit./TCH

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje