INTERVISTA/ Selami Xhepa: Jemi si njëqind vjet më parë...

22 Tetor 2012, 20:22Politika TEMA

Deputeti demokrat i njohur për mendimin e tij të hapur shprehet për probleme të ndryshme me të cilat po haset vendi ynë: Shqipëria ndodhet sërish në pikën e vet fillestare të fillimshekullit të kaluar, megjithëse në një stad cilësisht më të lartë. Ai shprehet për të përndjekurit, administratën publike, ndryshimet e nevojshme në qeveri, aleancën me LSI-në dhe formacionet e reja politike. Pa lënë në harresë edhe Shqipërinë në këtë 100 vjetor…

 

Nga Ben Andoni, JAVA

Imazhi i demokracisë shqiptare ka marrë një goditje të madhe nga mënyra e rekrutimit por edhe nga funksionimi i administratës publike të sotme. Roli i LSI-së, PD-së dhe para jush PS-së ka qene tejet zhgënjyes. Juve personalisht keni qenë shumë kritik për këtë problem. Çfarë mund të bëhej më mirë për perfomancën e saj?

“Kur e pyetën carin e Rusisë se si ja dilte mbanë të drejtonte një perandori aq të madhe në shtrirje dhe aq diverse në kultura, ai u përgjigj thjesht: ‘Nuk jam unë që e drejtojë atë, por 10 mijë nëpunësit e administratës sime’. Kjo përgjigje e thjeshtë bart të gjithë peshën e rëndësisë që i duhet dhënë ndërtimit të një administrate publike profesionale, eficiente dhe të përkushtuar për t’i shërbyer publikut me profesionalizëm dhe standard të lartë etike. Që në fillim duhet të nënvizoj se, megjithëse ky ka qenë një objektiv shumë qendror në programet e të gjitha forcave politike që kanë qeverisur vendin, arritjet e derisotme kanë qenë shumë modeste. Fatkeqësisht, qytetarët që kërkojnë një shërbim nga administrata, përballen me mungesë profesionalizmi, sorollatje të kota dhe trajtim aspak komod e qytetar, gjë që krijon premisa për t’i dhënë jetë korrupsionit ‘të vogël’ për të mbaruar punë.

Në mendimin tim, burimi i këtij problemi duket se është si roli i politikës, pasi ajo kryen ‘mëkatin e parë’, të rekrutimit dhe promovimit, e po aq edhe vetë rezistenca aktive e segmenteve të administratës për të ndryshuar dhe modernizuar praktikat e shërbimit ndaj publikut. Megjithëse qeveria ndërmori një sërë iniciativash novatore në fillimet e veta, qoftë nëpërmjet një programi ‘brain gain’ për të thithur në administratën publike të rinj e të reja të talentuar të shkolluar në Perëndim, projekte të priorizimit të përdorimit të teknologjive si një ‘interface’ midis publikut dhe administratës në ofrimin e shërbimeve, përdorimin e shërbimit postar në kryerjen e shërbimeve me administratën – në thelb të gjitha këto masa shumë pozitive, rezultati final nuk duket se ja ka arritur qëllimit. Më duket e pashpjegueshme që me gjithë progresin e shpejtë në penetrimin e teknologjive të informacionit dhe komunikimit, roli i tyre në ofrimin e shërbimit publik është pothuaj inekzistent. Mjafton të klikosh në site-n e internetit të ndonjë agjencie publike, bashkie apo komune në një vend të BE-së dhe të homologes së saj në Shqipëri për të vënë re diferencën dramatike që ekziston. Sot një pjesë e madhe shërbimesh duhet të kryhen nëpërmjet internetit dhe pa qenë nevoja të paraqitesh në zyra të administratës.

Në këto njëzet vite të shtetit demokratik, më shumë se merita, kontributi profesional dhe performanca e rezultateve të punës, ndërtimi i administratës është udhëhequr nga militantizmi politik, lidhjet familjare e gjinore apo praktikat korruptive. Menaxhimi sipas rezultateve të performancës së administratës duhet të jetë instrumenti bazë, themelor në ndërtimin e saj, instrument që duhet të shkojë sipas një sistemi piramidal duke u shtrirë që nga njësia më e ulët e deri në majë të piramidës shtetërore”.

Si e shikoni atë që po ndodh sot me të përndjekurit dhe indiferencën që ndjek problematikën e tyre? Në partinë tuaj, pati dhe angazhime direkte për gjetjen e të zhdukurve. Por sot e kësaj dite, nuk ka asgjë të re prej tyre. A mund të kishte një skemë më fleksible për shpërblimin e tyre?

“E vërteta është se e vetmja forcë politike që ka shfaqur ndonjëherë një angazhim serioz ndaj kësaj shtrese shoqërore, që në fillimet e demokracisë dhe deri më sot, ka qenë Partia Demokratike. Nuk dëshiroj të rendis programet e financuara apo politikat konkrete që janë ndërmarrë për rehabilitimin ekonomik e shoqëror të tyre nga ana e PD-së, pasi do të dukej shumë cinike në raport me vuajtjet, privacionet e sakrificat mbinjerëzore që shumë prej tyre kanë kaluar. Dhe kjo i bën ata të jenë shumë fisnik në raport me shpërblimin që shoqëria iu ka dhënë gjatë këtyre njëzet viteve. Nga ana tjetër, duhet të jemi koshient se kjo barrë shoqërore që bren ndërgjegjen e kombit për historinë e shkuar të saj, bart edhe një kosto ekonomike që për mundësitë modeste që ofrojnë financat tona kombëtare, shpërblimi financiar i vendosur me ligj të krijojë ‘qejfmbetje’ tek grupe të caktuara të kësaj shtrese. Ishte kërkesa e shoqatës së të përndjekurve politikë për më shumë fleksibilitet në trajtimin sipas një rendi prioritar për mosha të caktuara, e cila u mor në konsideratë nga ana e qeverisë, ajo që duket se po kundërshtohet nga të ngujuarit në grevë (gjë e cila ngre problemin e mënyrës së funksionimit të vetë shoqatave). Shpërblimi me prioritet dhe në vlerë të plotë i personave mbi 85 vjeç, përshkallëzimi në rend prioritar sipas grupmoshave, të të qenit gjallë dhe pastaj i trashëgimtarëve, në hierarkinë e kompensimit financiar, në mendimin tim janë të drejta dhe tek e fundit janë një standard ligjor që duhet të respektohet nga të gjitha palët, përndryshe, çdo pale të cenuar i lind e drejta të kërkoj në favor të saj. Kjo nuk do të bënte gjë tjetër veçse do të cenonte stabilitetin ligjor në zgjidhjen e këtij problemi që sërish theksoj se mbetet shumë e ndjeshme për shoqërinë tonë. Zgjidhja është që fondet buxhetore që duhet të destinohen për këtë shtresë duhen shtuar dhe të planifikohet pagesa e të paktën një kësti brenda çdo viti financiar deri në likuidimin e plotë të këtij detyrimi. Nuk do të ishte veprim i pamençur nëse një pjesë e të ardhurave të krijuara nga shitjet e pasurisë të shkonin shtesë fondi për këtë qëllim si dhe në fondin e kompensimit të ish-pronarëve legjitim. Zgjidhja e problemeve të këtyre shtresave kërkon dialog, mirëkuptim reciprok dhe bashkëveprim të të gjithë aktorëve”.

A mendoni se përbërja dhe kapaciteti i këtij ekzekutivi nuk i përgjigjet zgjidhjes së problematikës së madhe që ka vendi?

“Kam nënvizuar edhe herë të tjera se nevoja për të dinamizuar reformat në të gjithë sektorët e jetës së vendit ka qenë evidente prej kohësh. Sidoqoftë, tashmë vendi ndodhet në një fazë ku prioritet është përgatitja për zgjedhjet e ardhshme politike, ndërtimi i programeve dhe platformave bindëse qeverisëse për t’u ballafaquar me zgjedhësit. Menyja e reformave është shumë e pasur dhe me rëndësi kritike për vendin – që nga politikat fiskale dhe menaxhimi i qëndrueshëm i financave publike, zgjedhja e prioriteteve të mëdha të adresimit të investimeve publike, programet sektoriale novatore që mund të shpallen, reformat e administratës publike, në veçanti e trupës së administrimit fiskal, arsimi e shëndetësia, reforma e skemës së pensioneve, etj. Fatkeqësisht, debati i deritanishëm që është zhvilluar ka demonstruar shterpësinë e ideve të reja dhe zgjidhjeve inovatore për problemet e vendit, duke i dhënë debatit ngjyrimin e zgjidhjeve populiste. Një çështje kardinale, siç është rritja e pabarazisë dhe kërcënimi që ajo pozon si për stabilitetin shoqëror ashtu edhe për vetë rritjen ekonomike, nuk po merr ndonjë përgjigje serioze, të paktën duke parë debatin e deritanishëm politik”.

Në një kohë krize që ka përfshirë gjithçka dhe ku borxhi i brendshëm vetëm rritet, nga ekzekutivi Berisha ka pasur gjithnjë mesazhe qetësimi. A duhej të ishte më transparente, sipas jush, kjo periudhë?

“Këtu ka dy probleme: problemi i parë është ai i nivelit të borxhit – a është ai i qëndrueshëm, dhe i dyti, a janë të besueshme statistikat e borxhit. Mendimi im është se niveli i borxhit publik në Shqipëri, nën 60% të PBB-së, është relativisht i lartë dhe thekson nevojën për t’u adresuar me prioritet vënia e tij në trajektoren ulëse për të kapur një nivel prej afër 40% të PBB-së në një periudhë të paktën 15 vjeçare. Aktualisht ky borxh nuk cenon në mënyrë eminente stabilitetin e financave publike dhe kostot e shërbimit të tij nuk janë komprometuese për buxhetin e shtetit. Nga ana tjetër, një program për një reduktim më ambicioz të deficitit në një kohë më të shkurtër dhe në veçanti nëse do të ishte ndjekur një politikë e tillë në dy-tre vitet e fundit, kjo do të kishte rënduar gjendjen e ekonomisë më shumë se sa do ta kishte ndihmuar atë. Rritja e ekonomisë nën potencialet e veta ose përgjysmimi i ritmit të rritjes së ekonomisë në këto vite në raport me rritjen e vet historike, i shoqëruar edhe me shkurtime të shpenzimeve qeveritare, të cilat janë një komponente e rëndësishme e kërkesës agregate, do të rrezikonte të shtynte ekonominë drejt recesionit, duke e rënduar edhe më shumë barrën e borxhit në vend që ta lehtësonte atë. Në këtë kuptim, unë besoj se politika më e mirë do të ishte ajo e fillimit të reduktimit të nivelit të borxhit në mënyrë më agresive kur ekonomia të rikthehej në ritmet e veta të rritjes normale dhe rreziqet e krizës ekonomike të shmangeshin plotësisht.

Sa i takon saktësisë së statistikave, duhet thënë se gjendja e nivelit të borxhit si shifër absolute është një tregues kontabël, i saktë, i certifikuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit bazuar në verifikimin e gjendjes së llogarive të qeverisë. Ndërsa statistikat llogaritëse, siç janë treguesit relativ të borxhit dhe deficitit, janë subjekt i pasaktësisë që shoqëron llogaritjen e treguesit të prodhimit kombëtar. Mendoj se edhe kjo çështje kërkon një reformim të mekanizmit institucional të kryerjes së parashikimeve dhe të auditimit të statistikave. Ka disa alternativa zgjidhjeje që forcat politike shpresoj se do t’i bëjnë pjesë të programeve të tyre elektorale. Një alternativë, për shembull, është modeli i adoptuar nga disa vende i krijimit të këshillave me ekspert, qeveritar dhe të jashtëm, jashtë varësisë së qeverisë, të cilët merren me projeksionet makroekonomike e financiare, një model që do të ishte më i besueshëm nga publiku dhe më pak i atakueshëm nga politika. Nga ana tjetër, është evidente nevoja për një ligj të ri mbi statistikat, një ligj që të rrisë edhe më shumë pavarësinë e këtij institucioni në raport me politikën”.

Si i shikoni dy partitë e reja që do përfaqësohen në zgjedhje FRD dhe Kuqezinjtë. A mendoni se do jenë kërcënim për partinë tuaj?

“Formacionet e reja politike të krijuara e plotësojnë edhe më shumë mozaikun e spektrit politik dhe japin më shumë mundësi zgjedhjeje për qytetarët. Besimi im është se pjesa përcaktuese e rezultateve zgjedhore ndikohet ndjeshëm nga zgjidhjet që do të ofrojnë programet e forcave politike, më tepër se sa nga retorikat qofshin politike apo ato nacionaliste. Edhe pse ndonjëherë nacionalizmi ‘blen’ vota, zgjidhjet mbi baza nacionalizmi dhe ekstremizmi, siç janë ndonjëherë retorikat që përcillen në media, nuk besoj se janë ato të duhurat për të ardhmen e vendit. Historia ka dëshmuar vërtetësinë e këtij pohimi dhe besoj se qytetarët do dinë të bëjnë zgjedhjen e tyre sipas interesave të të ardhmes europiane të vendit dhe jo arkaizmave të ballkanizimit të tij”.

A ju duket i konsumuar formacioni juaj dhe aleati i tij LSI në këtë fund mandati të dytë?

“Eshtë një pyetje e vështirë dhe komplekse për t’u adresuar, por në gjykimin tim koalicioni me LSI ka pasur momentet e veta pozitive, por edhe të tensionuara, siç është normale jeta në një ‘martesë’. Koalicioni ka funksionuar në mënyrë shumë pragmatike dhe si i tillë kryesisht ka qenë i dobishëm nga pikëpamja e interesave madhore e strategjike të vendit. Sigurisht që disa prej ngjarjeve që kanë ndodhur kanë krijuar edhe kostot e veta politike. Sidoqoftë i takon forumeve dhe drejtuesve të lartë të marrin vendime në kohën e duhur për qëndrimet që duhen  mbajtur në zgjedhjet e ardhshme”.

Si e konfiguroni mendimin tuaj me pak fjalë për shtetin shqiptar në këto 100 vjet?

“E kam shprehur në një konferencë përkujtimore të Akademisë së Arteve dhe të Shkencës kushtuar 100 vjetorit të pavarësisë dhe ndaj mendimin se, në fillimet e shekullit të njëzetenjëtë, vendi ndodhet sërish në pikën e vet fillestare të fillimshekullit të kaluar, megjithëse në një stad cilësisht më të lartë: një shoqëri me një demokraci të brendshme të brishtë dhe institucione akoma të dobëta; një shoqëri e përfshirë në një proces të pakthyeshëm të integrimit rajonal e europian, por me ndarje të brendshme të thella në rrafshin politik dhe të pasurisë; një vend që gjatë shekullit të kaluar njohu rritje ekonomike, por jo zhvillim dhe që vetëm tani ka hyrë në rrugën e zhvillimit dhe modernizimit të saj ekonomik të një shoqërie moderne, por me mundësi shumë të kufizuara financiare, materiale e njerëzore, të cilat do të limitojnë edhe shpejtësinë e progresit në procesin e ‘catching up’ me Perëndimin.

Por duke qenë se jeta njerëzore nuk është thjesht një proces vetëm ekonomik, por shumë më tepër se aq, në perspektivën historike të shekullit që po jetojmë një pyetje mund të shtrohet se a është vërtetë aq e rëndësishme që rritja ekonomike të jetë objektivi i vetëm siç përshkruhet në tekstet standarde të makroekonomisë? A do të ishte më shumë kritike që, përtej një niveli të dhënë të mirëqenies ekonomike dhe zhdukjes së varfërisë ekstreme, të shqetësoheshim më shumë për rritjen ekonomike se sa për sfidat e tjera të njerëzimit prej të cilave njeriu mund të blejë më shumë kënaqësi, që në një kuptim utilitarist mund të ishte dhe një objektiv qeverisës siç është një qëllim jetësor i vetë shoqërisë. A është koha për të vendosur një balancë më të drejtë midis materializmit dhe vlerave morale të shoqërisë? Brezat e ardhshëm do t’i japin përgjigjen e tyre kësaj pyetje duke përvijuar në varësi të saj edhe kursin e ardhshëm të zhvillimit të Shqipërisë”.

8 komente në “INTERVISTA/ Selami Xhepa: Jemi si njëqind vjet më parë…”

  1. mali says:

    Me vjen keq qe qofte dhe kaq sa thua- besoj se per shume te tjera mendon ndryshe nga kopeja e PD, nuk ke pasur guximin ta shprehesh me pare.
    Thuaji a derezi se nje here ke per te vdekur!

    1. Fred.Dibrani.Hamburg says:

      Selami Xhepa foli me se fundi.
      Foli ashtu siç kemi dashur dhe kemi shpresuar ta degjojm Selamiun me zerin e nje eksperti te ekonomis dhe me mendjen e nje politikani te pergjegjshem.
      keto gjera themelore duhen nenvizuar nga kjo interviste qe e degjeneron dhe ja çjerr masken per shkaterruesi te demokracise Kryeministrit Sali Berishen.
      1-Mbushja e administrates nga te pa-aftet partiak.
      “Në mendimin tim, burimi i këtij problemi duket se është si roli i politikës, pasi ajo kryen ‘mëkatin e parë’, të rekrutimit dhe promovimit, e po aq edhe vetë rezistenca aktive e segmenteve të administratës për të ndryshuar dhe modernizuar praktikat e shërbimit ndaj publikut”.
      2-Per shperblimin e ish te perndjekurve politik.
      “Mundësitë modeste që ofrojnë financat tona kombëtare, shpërblimi financiar i vendosur me ligj të krijojë ‘qejfmbetje’ tek grupe të caktuara të kësaj shtrese”
      3-Varferia ekstreme.
      “Një çështje kardinale, siç është rritja e pabarazisë dhe kërcënimi që ajo pozon si për stabilitetin shoqëror ashtu edhe për vetë rritjen ekonomike, nuk po merr ndonjë përgjigje serioze, të paktën duke parë
      debatin e deritanishëm politik…..me ndarje të brendshme të thella në rrafshin politik dhe të pasurisë”
      4-Mirnjohje per djersen e baballarve tane dhe per poltiken ekonomike te sistemit socialist.
      “një vend që gjatë shekullit të kaluar njohu rritje ekonomike, por jo zhvillim dhe që vetëm tani ka hyrë në rrugën e zhvillimit dhe modernizimit të saj ekonomik të një shoqërie moderne, por me mundësi shumë të kufizuara financiare, materiale e njerëzore, të cilat do të limitojnë edhe shpejtësinë e progresit në procesin e ‘catching up’ me Perëndimin
      5-Selami shtron pyetjen dilem.
      “A është koha për të vendosur një balancë më të drejtë midis materializmit dhe vlerave morale të shoqërisë?”
      Selami,sinqeriteti,thjeshtesia dhe kompetenca juaj,ju rezervojne nje vend te rendesishem tek Fryma e Re Demokratike..
      Shqiperia dhe shqiptaret duhet te perparojn dhe jo te merren peng nga Sali Berisha.

      1. homeri says:

        —–Pjese leksionesh universitare—Nga e thena ne te bere eshte ne mes nje lum i tere

    2. Bashkim Shehaj says:

      Nganjehere, keta lloj amfibesh me duken me te ligj se vete doktori. Po te mos ishin keta “disidentet” doktori do e kishte thyer qafen me kohe ?
      http://imazheshqip.blogspot.com/2012/10/euromona-lsi.html

  2. Slayer says:

    Babi sali te frikesoi qe s’takove grevistet e te hyje ne historine e nje momenti kritik,mor TRAP?!

  3. Zeni says:

    Ato qe thote shoku/zoti/ Sel=ami nuk eshte ndonje zbulim .Ato dihen nga te gjithe.Ato jane te dhena siperfaqesore,ne duam te dime te metat e ketij regjimi,qe e quan veten demokratik,por ne te vertete eshte andidemokratik.Ai nuk i sherben shumices se varfer dhe te mjeruar,por pakices,domethene eshte krejtesisht ne kundershtim me demokracine ne pergjithesi.Populli shqiptar vuan me shume nga varferimi i saj shpirteror sesa nga kompjuterizimi,i cili ne Shqiperi nuk ka me shume se 30 vjet qe ka hyre . Pas luftes Shqiperia ishte vendi me i varfer dhe i prapembetur ne Evrope.Administrata shqiptare e filloi punen me lapes dhe pene ne dore,edhe makinat e shkrimit Oliveti me dore ishin nje lluks per te,se ishin te pakta ,vetem ato qe kishin mbetur nga pushtuesit italiane,Por asnjeri nuk ankohej se e dinte se fillimi eshte gjithmone i veshtire.Nuk kishte as korrupsion, as vjedhje ,as vrasje e perdhunime,Njerezit ishin te lumtur edhe ne mjerimin e tyre se ishin optimiste per te ardhmen e tyre dhe te femijeve te tyre.Tani varferimi shpirteror ka hyre dhe eshte shtruar kembekryq ne cdo shtepi.Kur kthehet ne shtepi prindi ne vend qe te qetesohet do te pershkruaje te gjitha sprovat e dites.Ai e fillon me punen e veshtire dhe pak te paguar,me pasigurine ne pune dhe ne rruge,ku mund te biesh viktime e ndonje banditi,me problemet e femijeve ne shkolle dhe ne rruge,me daljen e femijeve jashte kontrollit,sepse i cedukon sistemi yne arsimor dhe edukativ,pastaj me veshtiresite ekonomike familjare,qe cojne ne shkaterrimin e marredhenieve burre-grua dhe ndonjehere ndonjeri kalon ne perdorimin e forces per te vendosur rregull ne shtepi.Shkaterrimi i sistemit arsimor dhe edukatik dhe varferia ekonomike ka shkaktuar rritjen e kriminalitetit.Vjedhjet ,vrasjet,perdhunimet,drogat dhe alkoli jane bere nje semundje e pasherueshme ne Shqiperine e sotme.Nga ana tjeter si rezultat i kesaj qeverie me dy fytyra eshte krijuar nje kontrast i madh shoqeror,Nga njera ane jane te pasurit qe pasurohen perdite dhe te varferit qe varferohen nga diskriminimi qe u behet perdite.Para disa ditesh kam lexuar per vendet dhe institucionet ku jane rregulluar me pune femijet e politikaneve.Nga te dhenat dilte se te gjithe ata ishin rregulluar ne punet me te mira dhe te pagueshme,ne Ministrine e Jashtme,ne Kryeministri,ne ne Tregtine e jashtme dhe neper ministri,neper universitete e tjera,Por per femijet e te varferve kush mendon?Asnjeri,ata humbasin qe ne vitet e para menjehere pas shkolles shpresat per te ardhmen.Shumica e tyre marrin rrugen e veshtire te emigrimit duke e hedhur ne kosh diplomen e fituar me mund e djerse.Disa te tjere zhgenjehen aq shume nga realiteti i hidhur dhe pabarazia shoqerore dhe perfundojne ne veteflijim,etj.etj.Keto duhet te kishte thene deputeti pedeist.Ai nuk thoshte asnje fjale per banoret e zones qe e kane zgjedhur,sepse ato me siguri ne shtepite e tyre ne vend te jorganit kane gunen ,ne vend te dyshekut kane lekuren e dhise dhe ne vend te jastekut kane gurin ose trungun,si ne kohen e mbretit te vetshpallur Zogj i pare.Ky eshte realiteti i sotem shqiptar ne 1oo vjetorin e pavaresise.Sa do te zgjase kjo gjendje.Askush nuk e di,sepse shoqeria shqiptare ne vend qe te edukohet,po cedukohet.Ne kete shoqeri thuhet se ka ligje,por ato nuk respektohen,sepse drejtesia eshte krejteisht i korruptuar,e fiton te drejten ai qe paguan me shume.Qeveritaret tregohen indiferente ndaj cdo gjeje qe nuk ka te beje me interesat e tyre te ngushta,epiqender e te cilave eshte pasurimi me te gjitha mjetet ne kurriz te shumices.

  4. baro çorrogjafi says:

    Zoti Xhepa e ka ngritur zerin edhe here te tjera po kush e ka degjuar.Delen e vetme , e ha ujku. Tani,pas deputetit Mark Marku edhe Selami Xhepa, jane brenda rrethit te kuq si Emiliano Zapata.

  5. Xhozi Plehra says:

    Mos kini iluzione se zar i doktorit eshte edhe ky. Tani i pa keto fenomene ky ? nqs po dmth qenka idiot fare, prape s’ja vlen per deputet.

    Arsyeja e vertete qe ca bythpeliresa te doktorit si ky Xhep Xhepi e Mark Marku eshte kjo:
    qe te behet nje farse demokratike ne Partine Demokracajke, te thuhet qe gjoja ka mendim ndryshe edhe aty.
    Ta kishit seriozisht juve o cuna do tju kishte shalu n’dru doktori bashke me maloket e vete qe te dera e PD-se. Pak a shume si puna e kandidimit te Luan Rames ne LSI.

    Edhe nje fjale tani per ty o Xhep. E di pse eshte Shqiperia si 100 vjet me pare ? Sepse lango si puna jote qe marrin persiper te perfaqesojne popullin rrijne e i lepijne menderen satrapeve si Sali Maloku.

    Ata qe te kane dhene voten gjithe keta vite, minatoret e Bulqizes, po trajtohen tamam si skllever, po vdesin, po helmohen, po rrihen, po vriten, nuk kane as te drejtat qe kishte klasa punetore ne europen e para 150 vjeteve.
    Te te vije turp qe i ke tradhetuar bashkeqytetaret e tu ne Bulqize, qe turp ta themi, po jetonin me mire ne kohe te atij qoftlargut. E mban mend ate kohe – si behej nami e sa veta hajshin dajak po te plagosej qofte edhe nje minator i vetem ? Sot po vdesin si mizat, aq sa lajmi nuk ben me pershtypje.
    Ti i preve ne bese !!!
    E bere vilen ne Vlore ? me gjakun e atyre fakirave e ke bere.
    Ke fsheh nej dollar ne Zvicer, ne Qipro ? Gjaku i atyre te zente syte ty dhe rraces tende.
    ps. jane edhe koqe ata qe ta japin voten

    Nqs me lexon haram e pac, dhe ta pakten mos dil te na luash komedine e “disidentit” ne Partine Demokracajke

    selam !

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje