Jashar Meta është autor i vrasjes së Petrit Kurtit. Ky i fundit mbeti viktimë e grabitjes me armë në supermarketin në pronësi të tij në Yzberisht, më 23 gusht të këtij viti.
27 vjeçari Meta është arrestuar për kanosjen e gruas së tij më 6 tetor 2012, por hetimet e kanë identifikuar atë si autor të vrasjes së biznesmenit Petrit Kurti.
Jashar Meta kërkohej si i dyshuar për vrasjen prej disa javësh, por për shkak se ai ndërronte apartamentet vazhdimisht dhe nuk kishte një adresë të saktë, ka qenë e vështirë gjetja e tij.
Pas kallëzimit për “kanosje” dhe “armëmbajtje pa leje” nga gruaja e tij, policia ka pasur kohën e nevojshme dhe të mjaftueshme për të siguruar provat shkencore të cilat e implikonin direkt në vrasjen e tregtarit Kurti.
Përsa i përket vrasjes 53 vjeçarit, Kurti kishte lënë gjurmët e gishtave në banak dhe pas verifikimit u përputhën plotësisht me të autorit.
Meta ishe person i skeduar nga policia i dënuar dy herë për grabitje.
Prova tjetër që e bindi policinë për dhënien e masës së sigurisë “arrest me burg” ishin analizat e ADN-së që u përputhën plotësisht me njollat e gjakut dhe të djersës në copën e bluzës së tij, që u gris gjatë përleshjes me tregtarin e vrarë, Petrit Kurti.
Edhe pse Meta nuk e ka pranuar asnjëherë autorësinë, të afërmit e Kurtit shprehen për “Panoramën” se kanë pasur dyshimet e tyre mbi këtë person.
“Ne kemi pasur dyshimet tona që në fillim. Të arrestuarin nuk e njohim personalisht, por familjen e tij e njohim pasi kemi jetuar dikur në të njëjtin fshat, ku vazhdon të jetojë babai i tij, në Selitë, në malin e Dajtit. Duke qenë se ishte një bashkëpunim me policinë për sigurimin e provave, nuk u nxituam për të dhënë një emër konkret, por sapo mësuam emrin e autorit, nuk kemi më asnjë dyshim. E kemi njohur që nga pamjet filmike pasi ndodhi ngjarja”, shprehen të afërmit e të ndjerit Petrit Kurti.