Të burgosurit e Shën Kollit ta shpjegojnë me detaje aktin e ri të Amnistisë që po akordohet me rastin e 100 Vjetorit të Pavarësisë dhe nga ku do përfitojnë 2546 veta, por vetëm fare pak të burgosur nga Institucionet e Riedukimit. Është vetëm për hajdutët dhe ish-zyrtarët, të thonë me mllef të burgosurit dhe të shpjegojnë mekanizmin se si shteti po humbet nga mbajtja në burg e tyre dhe mosrespektimi i kushtit, që i lehtëson ata të kryejnë më shumë se gjysmën e dënimit për sjellje shumë të mira. Pak ditë më pas, kuptojmë fjalët e tyre, teksa shpjegohet hapur në media mekanizmi si shpëtojnë me këtë ligj njerëzit e Gërdecit dhe të tjerë syresh si ata…Një ditë mes tyre është një ditë e zakonshme njerëzish të penduar dhe që ndajnë hallet njësoj si ne të jashtmit
Nga Ben Andoni, JAVA
Vrasës. Mashtrues. Kontrabandistë. Tutorë. Grabitës. Hajdutë… Këto janë epitetet me të cilat i kanë etiketuar shumë syresh, kur janë futur pas hekurave në Shën Koll, burgun e ri të Lezhës, gati 2 orë nga Tirana. Mund të kishte dhe disa përcaktime të tjera, por këta njerëz, për fajet që kanë bërë, tashmë janë shpaguar. Dhe, bajagi mirë. Pas hekurave, sot, përballesh me njerëz krejt të tjerë, shumë syresh vërtetë të rehabilituar. Vetëm se njësoj si personazhi i Morgan Freeman te The Shawshank Redemption, kërkesa e kushtit u refuzohet pafundësisht. Nga 60 prej tyre, më tregon me maraz një i burgosur, kur iu afruan dënimit me kusht, përfituan vetëm pak. Bash ata që e ngjyen. Ah, Leku! Në fakt sot flitet me Euro dhe sistemi i Drejtësisë shqiptare e ka të lyer mirë mekanizmin e vet me të. Në ato pak orë me të burgosurit, kuptoj shumë më qartë se si dalin paratë që gjyqtarët shqiptarë i paraqesin në deklaratat e pasurisë sikur u vinë dhurata të ndryshme nga të afërmit?!!! Epo çfarë dhuratash, aman, më thotë një i burgosur…
Kontrolli im personal nuk mbaron aq shpejt. Një gardiane merret shumë me diktofonin tim të vjetër. E rrotullon pandërprerë në duar. Kolegu i saj e mbaron procedurën më shpejt. Më përsërit shpesh para fytyrës: rregulli është rregull. Dhe, jep e merr me një ikonëzën personale të Shënmërisë, të më tregojë se është vërtetë shef. Ia jap këtë kënaqësi. Më shoqëron shefi i Edukimit, i cili më përcjell kudo dhe është disi në alert. Është i sjellshëm dhe me kohë shoh që ruan marrëdhënie të mira me të burgosurit. Duhet t’ia kenë nevojën. Kontrollet mbarojnë. Siç mund të merret me mënd po futem në Regjimin e Sigurisë. Regjimi, në zhargonin e burgut, ndan ishullin e të burgosurve me tela me gjemba, mure dy bojë njeriu dhe qelitë nga administrata. Pak metra më tej, kur hapen dyert e mëdha, shfaqen disa ndarje të mëdha me rrjeta, ku qëndrojnë të gjithë të burgosurit në këtë ditë krejt me re. Baresin me ngut në vetëm pak metra. 5 orë në dimër e vjeshtë dhe 7 orë në pranverë e verë. Pafund. Ecejakin me fytyra diabolike. Ecin paralel. Befas kthehen. Bëjnë të njëjtën gjë në anën tjetër. Kthehen sërish. Ecin. Kthehen. Shikimin e kanë të vrerosur dhe me një mllef pafund. Por, vetëm aty.
Në qelitë
Më tutje, në qeli, pas dyerve të shëmtuara dyfishe dhe të siguruara mirë, të burgosurit bëhen shumë miqësorë dhe, në kohën që ndajmë bisedat, ndajmë gjëra që nga ato ku s’të shkon mëndja dhe deri në ato rastësoret. Interiori i burgut i ngjan shkollave lokale të komunizmit. Ndryshimi ka ndodhur në qelitë. Prej ndryshimit të kushteve dhe reformës së burgjeve, tashmë të burgosurit e viteve të fundit kanë ‘gjithçka’ që mund të ketë edhe një i jashtëm. Kuptohet, veç asaj më kryesores: lirisë. Kanë platformën dixhitale, ndjekin gazetat, por edhe shkëmbejnë lirisht me njëri-tjetrin. Dhomat plot ajër e dritë, janë tejet larg përfytyrimit tonë për burgjet dhe në dhomë ke veç TV satelitor, edhe krevate të pastër, ushqime, lojëra, mundësi gatimi, cigare pafund dhe postera. Me sa shoh, shefi më çon aty ku e ndjen veten më mirë. Por, bëhet keq, kur një djalosh i ri, më merr me zor dhe më tregon banjat, lagështirën dhe kushtet aty. Gardianët janë disi të shkalafitur. Në këtë zallamahi, që vjen me kohën e ajrimit, duhet të jenë shumë të qartë. Na shihi vetë!? Na shihi!? Një djalë me një tutë më kapuç, mundohet të më joshë t’i shoh, kurse shokët e vet po dalin për të luajtur. Kalojnë indiferentë. Dalin me të gjithë bluzat e mundshme sportive: Juve, Milan etj. Banjat, vërtetë, mbajnë pak lagështirë dhe mjedise që nuk shkojnë me ato ku më shoqëron edukatori. Në orën e ajrimit, burgu i ngjan një shkolle copë-copë. Kështu, një tropojan të dënuar për bashkëpunim në vrasje t’katit të parë e gjejmë në një qeli (s’janë ato pak metroshet-janë bajagi dhoma) duke bërë muhabet shtruar me bashkëvuajtës kosovarë në katin e tretë. Diskutimi merret me mënd: Komisioni i ligjeve ka miratuar në parim nismën për amnistinë e të dënuarve me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë. Politikanët kanë dhënë konsensusin e tyre, por kur amnistia zbërthehet tamam nga specialistët, duket se mban erë. Jo më kot, konsensusin e prokurorisë, Drejtorisë së Burgjeve, Ministrisë e Mbrojtjes dhe Drejtësisë, s’e ka pasur ajo e shoqatës së avokatëve dhe e të burgosurve. Mu për këtë, të dënuarit e Shën Kollit dhe të Fushë Krujës u futën në grevë disa orëshe. Refuzuan ushqimin, madje të dënuarit s’pranuan edhe takimet me familjarët e tyre. Greva e urisë u njoftua se u përhap edhe në burgjet e Fushë-Krujës, Burrelit, Drenovës në Korçë dhe në qelitë e Rrogozhinës. Ajo, që do kuptohej ditë më vonë, ishte se ata kishin vepruar faktikisht gabim, edhe pse qëllimi kish qenë i drejtë. Specialistët e paanshëm do nxirrnin se Amnistia i shkon shumë të dënuarve të Gërdecit, ngaqë, jo si fare kot, ishin hequr nga krimet serioze nenet 282 dhe 289 të Kodit Penal. Për ne që ngatërrohemi në xhunglën e neneve kjo duket kot, por ato nene lidheshin me “Shkeljet e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive” dhe “Shkeljet e rregullave të mbrojtjes në punë”. Sak dy veprat kryesore që përmendi gjyqtari R.Hado kur dha verdiktin për dënimin e të pandehurve të tragjedisë. Më shkurt, dënimet prej 18 vjet mbi dy prej të pandehurve dhe 10 vjet burg për dy të tjerët, tashmë mund të amnistohen.
Djemtë e burgut
Me kë e ke inatin? Jua ka shpjeguar njeri amnistinë? – i them dikujt. Është i zymtë, por koha e vranët e bën atë, ashtu si edhe të gjitha mjediset, tejet të zymta. Me edukatorin ikim direkt në dhomën ku janë disa të burgosur kuksianë. Flamuri i “Çelsit” të Londrës rri kënddrejtë me një tapiceri me imazh mysliman. B. Gj., 36 vjeçar, nga Kukësi, ka qenë në Angli dhe tashmë është shumë besimtar. I ekstraduar për trafik nga Gjermania di mirë se nga amnistia nuk përfiton shumë kategoria e tij. Ashtu si nuk përfitojnë ata që kanë bërë: “krime kundër jetës, të kryera me dashje dhe vrasje të mbetur në tentativë, vepra penale të kryera me dashje kundër shëndetit, krime seksuale, vepra penale kundër lirisë së personit…” Flasim. E fillon pak me tension bisedën. “Prisnim të bëhej një amnisti dhe do fitonim diçka, por me këtë grevë kuptuam se nuk e përfitonim ligjërisht, se nuk ishte e bazuar në ligj. Për amnistinë isha njohur nga media dhe administrata, dhe nga njerëzit nga ministria e Drejtësisë. Dënimi im s’përfiton fare, dhe plot dënime të tjera. Kam dhe dy vjet, por ne jemi të interesuar për kushtin. Ligji na e jep kushtin, por Gjykata jo. Shkojnë 100 veta dhe fitojnë vetëm 5 veta. Mu ata që kanë lidhje me zyrtarët. Apo ata që vjedhin. Më 2007 dolën hajdutët dhe janë dënuar sërish”, flet pa ndalur. Në shtyp, një specialist i njohur thotë se: drafti është disi i paragjykuar dhe më shumë akoma selektiv. S. D., 25 vjeç, nga Ujmishti më thotë se nuk di asgjë, por do të ishte i kënaqur të lehtësohej nga kushti dhe amnistia, sepse tani i kanë mbetur vetëm 20 muaj. Në dhomë janë dhe dy veta, por B. Gj., duket se është më i njohuri me ligjin. Shokët e vet vetëm e aprovojnë. “Duhet të kesh një rast të veçantë. Por çfarë rasti të veçantë të kem unë! Po të kesh sëmundje të keqe as dua me dal fare. E kupton? Kam bërë 13 vjet dhe nuk ma japim kushtin dhe ende paragjykohem nga Drejtësia”. Një tjetër është edhe më i prerë. Mendon se kushti jepet vetëm me qëllim? “Kjo bëhet nga korrupsioni. Gjykatat janë të korruptuara, pasi ai që ka Lek del vetëm me 10.000 euro. Ku t’i marr unë? Të shikosh dosjen e kam të pastër”. E kujtoj për grevën. “Ka qenë gabim, më thotë. Duhej të bënim një kërkesë dhe të shpjegonim…”. Ndërrojmë pak argument. Të gjithë më tregojnë se shkojnë mirë dhe respektojnë adetet fetare të njëri-tjetrit. Ndoshta prej shefit pranë meje, nxitojnë të më thonë se ushqimi është i mirë. Pse mbani ushqime, atëherë, – i them naivisht. Dikush më përmend stomakun, por më thotë pastaj se e ka prej kolitit dhe se shtëpia jashtë e ndih shpesh të kalojë këtë siklet që i ka rënë. Në burg ka kurs anglishte, gjermanishte, kompjuteri dhe një bibliotekë. Çfarë librash? Kur kam dorëzuar gjërat shikoj libra ku dominon Zhyl Verni me 20.000 legat e tij legjendare etj. Më thonë që kanë libra fetarë dhe artistikë. E di mirë, se në rastin më të mirë do jenë librat e zakonshëm që nuk u shiten shtëpive botuese. K.Gj., 42 vjeç akuzuar për vrasje është shefi i bibliotekës. Është trupshkurtër por ka një formë fizike të mrekullueshme dhe dhoma e tij qeli është model pastërtie. Në mur ka bërë me një material të lehtë flamurin kombëtar dhe në Angli ka punuar punë ndërtimi. Është tifoz me Mançesterin, dhe ai po ashtu më përmend kushtin. “Por të respektosh kushtin në Shqipëri të duhen para, më thotë. Ndërsa, mua më duhet të mbijetoj këtu. Raport shërbimi kemi, por sërish nuk jepet kushti”. Kur një burgosur kalon gjysmën dhe i afrohet treçerekut të dënimit kryesor ka mundësi të apelojë për kusht lirimi. Kjo nuk jepet nga gjykatat, kurse të gjithë të burgosurit më thonë shifra që duhet të paguajnë për të. “Nuk ka njeri që gjen 15.000 euro t’ia japë gjykatës. Nëse do t’i gjesh, do të duhet sërish të bësh punë të këqija. Ku mund t’i gjesh këto para? Duhet të grabisësh dhe shpesh grabitja s’shkon aq mirë. Ose duhet me vra. Ja ku u zgjerua krimi”, më thotë dikush që më shpjegon pastaj se kjo i shtyn një kategori sërish në krim. Është tropojan dhe ka qenë bashkëpunëtor në vrasje. Sh. D. është krejt i qetë dhe e gjej mes burrash kosovarë, pasi quhen të një krahine. “Është amnistuar plagosja e rëndë me dashje me pasojë vdekje dhe është ndaluar amnistia për plagosjen e rëndë nga pakujdesia gjatë shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor (aksidentet automobilistike), ku personi i dëmtuar ka mbetur gjallë… A s’është më i rrezikshëm një hajdut ordiner që kapet 10 herë dhe futet dhjetë herë dhe jo një njeri i dënuar për një veprim bërë në kushte tronditje të rënda. E dyta, më sqaron fare qetazi: Në burgjet shqiptare, jo se jam këtu, p.sh. këtu vuajnë rreth 700 veta. Them se një pjesë është drejt rehabilitimit të plotë, pasi nuk ka vrasje, nuk ka rrahje dhe nuk ka as ofendime. A s’mund të procedohej ndryshe me ta?! Nuk mund të përfitoja unë një vit, nga shtatë të mbeturit..?”. Në mos gaboj është dënuar 16 vjet dhe ka përfituar vetëm kohën e paraburgimit dhe dy tre muajsh gjatë këtyre viteve. Është nga njerëzit më të kujdesshëm që takoj, bashkë me shefin e bibliotekës dhe B.Gj., i cili më ndihmon kudo dhe që pak minuta më vonë do më marrë në një vend që shërben si palestër, menaxhuar prej tij vetë. Kosovarët vetëm aprovojnë, kurse më bëjnë përshtypje se dy prej tyre janë shumë të edukuar, ashtu si edhe burri tropojan. Vjen sërish B. Gj., i cili më shpjegon sistemin e huaj, ku një i burgosur mund të qëndrojë edhe jashtë dhe të punojë, kur afrohet kushti, dhe mund të kthehet në darkë. Kjo i shërben kushtit, por nga ana tjetër dhe lehtësohet burgu, më shpjegon. Ku mund të punosh ti, – i them. “Edhe në bashki mund të punoj. Kam njerëz që më ndihmojnë”. S’ka punë për…Matem t’i them të lirët, por e ndjej se kjo është e tepërt. Kosovarët më ndjekin në bisedë me një qetësi të madhe. R.N., 43 vjeç, më thotë pak minuta më pas se dënimet në Shqipëri janë të ashpra dhe pak pa logjikë. “Njisoj si unë dhe ai me thasë droge”, më thotë. Po ti? “Më kan akuzue për 110 kile“, më thotë!!! Pak si shumë, i them. Kurse F.T. 37 vjeç ka qenë luftëtar i UÇK-së. Është kap te ish “Arbana” me armë. Po ç’të duhej, i them. “Eh, ishin shtatë pistoleta”, më thotë dhe qesh duke ulur kokën. Një miku i tij, që ishin bashkë, ka shpëtuar se kish mundësi të paguante. Ai? “Eh, s’bëri punë as karta e UÇK-së dhe as që jam invalid…”. Tani vuan të shtatë vitet, që e kanë ndarë krejt me familjen e me tre fëmijë. Ndahemi, kurse një nga kosovarët më përcjell deri matanë qelisë. “Më fal se iu hëngra kohën”, them pakuptim. Qeshin dhe unë bashkë me ta. Dal me disa syresh dhe varemi në hekur, duke bërë paralele. Një djalë tiranas, dënuar për trafik femrash më ndjek me sy pafolur. Fytyrë e parë. Heziton. Po bën me gira për bicepsin. Flasim pak. Nuk afrohet shumë. Kuptohet.
…
Tani e kuptoj dhe fytyrën e vrerosur të B.Gjo., 20 vjeç, që ka vrarë kur ishte minoren dhe tashmë i kanë mbetur dhe pak vjet. Është pesha e dëmit që kanë bërë, e vuajtjes dhe më shumë e shoqërisë jashtë, që nuk i pret kaq miqësore. Të paktën me amnistinë e tregoi hapur… B. Gj. më përcjell deri në fund. Mundohem të bëj disa foto ngado. Por ka dhe shpresë. B.Gj. më ka thënë se e pret një vajzë dhe sa të dalë do krijojë familje. Nuk do e provojë më emigracionin. B.Gjo, ka mbaruar të mesmen gjatë kohës në burg. Të tjerët presin. Kujtoj se Qeveria, falë partnerëve të huaj, mburret se ka hapur kudo, dhe të paktën vitet e fundit, pothuajse burgje në çdo Prefekturë. Por, krimi është dyfishuar. Statistikat numërojnë mbi 1300 krime më shumë çdo vit dhe shumica e krimeve nuk arrijnë të zbulohen. Në burg, zakonisht janë qyqarët që vjedhin kapak pusetash, celularë, ndërsa kriminelët që të heqin qafe “ikin si zakonisht në drejtim të paditur”. Ja pse logjika e këtyre njerëzve më duket shumë e pranueshme. Ky shtet mund të bënte më shumë për kushtin e lirimit të tyre. Të paktën për ata që njerëzit e burgjeve mund të japin gjykime pozitive, ata mund të liroheshin. Ndahem me shefin e edukimit dhe përshëndetem me personelin. Këta njerëz më duken të vetmit që tregojnë humanizmin e duhur me të burgosurit…që ende ne i trajtojmë me epitetet e frikshme të vrasësit, trafikantëve, grabitësve etj…S’ka më kontroll. Iki.
Edhe kjo i mungon popullit se pak po vidhet dhe keta qe dalin jashte behet me bukur!
po do punojn gjyqtaret e prokuroret do han se jan pa buk
Ja ke fut kot me kete shkrimin! Lexo njehere ligjin qe u miratua e pastaj shkruaj!
100 vjetori i pavaresise do te shfrytezohet per qellimet e mbrapshta te Berishes.Berisha i ka bere mire llogarite.Vitin e ardheshem do te behen zgjedhjet parlamentare dhe Berisha me kete amnisti do te liroje te gjithe ata qe do te votojne per te.Kete ai e ka treguar edhe ne zgjedhjet e meparshme,kur i ka perdorur te burgosurit e liruar me kushte per te bere propagande per partine e tij dhe bile per te bere presion per t’i dhene votat atij.Prandaj te gjithe duhet te rrisin syceltesibne,mos e hane me sapunin per djathe.Ata qe do te lirohen ose do ta paguajne lirimin e tyre me para ne dore,ose do te jene votuesit e paster per Berishen dhe shpuren e tij.
E tmerrshme,ky shtet ka mbaruar. Mire ata qe bejne krime,po çfar krimi na qenka per kolegun tim ish ushtarin e UCK-se se paska tentuar te blej disa cope allti(revole)dhe denohet me 7 vjet burg? Po pse nuk denohet Arben Imami ku nuk la predhe pa shitur? Ikni or,lirojeni djalin e mos behi gaz i botes,nc ,nc,nc,nc,nc.
Mjere ata dhe familjet e tyre qe vuajne ,shkaterruan jeten e vet ,vuajne ata ,vuajne edhe familjet e tyre ,mire thone as hasmin mos pafsh aty brenda
Ju.lutem lironi nga.burgu njerezit.te lutem Edi.Rama