Xhani De Biasi duket i lumtur me vitin e tij të parë si trajner i kombëtares shqiptare të futbollit dhe një gjë të tillë e ka pranuar edhe para mediave italiane. Tekniku kuqezi ka thënë për tuttomercatoweb.com se rezultatet e fundit të përfaqësues janë shumë pozitive.
“Po ecim shumë mirë, kemi zhvilluar katër ndeshje duke fituar dy e humbur dy të tjerat, por duhet thënë se jemi në një seri pozitive prej ty ndeshjesh në të cilat nuk pësojmë gol (llogarit edhe miqësoren Kamerun-Shqipëri 0-0) dhe kjo për mua është gjëja më thelbësore. Kemi fituar kundër Sllovenisë, e cila arriti të mundë edhe Italinë, ndaj në fund të fundit nuk është se jemi aq keq”, tha trajneri italian në prononcimin e tij.
Më pas, ai ka folur edhe për kryendeshjen e sotme në kampionatin italian, atë mes Interit dhe Napolit, të cilat diskutojnë mes tyre kush do të jetë anti-Juventusi.
“Diferencën në këtë sfidë do ta bëjnë veprimet e individëve, Kavani e Hamshik nga njëra anë dhe Palacio e Milito nga ana tjetër. Ndeshja do të jetë mjaft e ekuilibruar, ndërsa do të jetë interesante të shohim se si do të paraqiten skuadrat në këtë pikë që i afrohet gjysmës së sezonit”, tha trajneri i përfaqësueses shqiptare, i cili foli edhe për kryesuesit e Juventusit.
“Juventusi në këtë vit po shfaq më shumë vështirësi, ka humbur dy ndeshje që janë pak në përgjithësi por japin idenë e asaj që do të thotë të jesh i impenjuar në dy fronte të rëndësishme si kampionati dhe sidomos Liga e Kampioneve”, tha De Biasi.
Edhe une kam shprese te ky trainer, sidomos te lojtaret e rinj qe ka futur me kurajo ne formacion.
FORCA Shqiperia, Grazie De Biazi:
http://fashionguests.blogspot.com/2012/10/odise-roshi-albanian-rocket.html