Nga Arben Isaraj*
-Ligjet e padobishme zëvendësojnë ligjet e nevojshme
Shumica ka sjellë për miratim disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për përgjimin e telekomunikimeve”, i ndryshuar, për të tretën herë në nëntë vjet.
Kaq i rëndësishëm qenka përgjimi për këtë qeverisje?!!!!!
Me miratimin referendar të Kushtetutës e në vijimësi, në maxhorancë e opozitë, Partia Socialiste ka kërkuar të mbrojë dhe të ruajë të padhunueshëm themelin e rendit juridik, siç janë e quhen të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.
Kushtetuta e Republikës, pohon se këto të drejta dhe liri, të pandashme dhe të patjetërsueshme, jo vetëm duhet të respektohen nga organet e pushtetit publik në përmbushjen e detyrave të tyre, por dhe të kontribuojnë në realizimin e tyre.
Gjithnjë ne i mbetemi besnik “porosisë” kushtetuese se “kufizime të të drejtave dhe lirive të njeriut mund të vendosen vetëm me ligj dhe për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve….”
Ligjvënësi i mirë dhe i urtë – thoshte Zhan Zhak Ruso – nuk fillon me hartimin e ligjeve, por me studimin e përshtatshmërisë së tyre ndaj një shoqërie të dhënë.
Me këtë sens përgjegjshmërie, kërkuam në komisionet kuvendare, zgjidhjen e plotë e përfundimtare të kërkesës së Kodit të Procedurës Penale se: “Përgjimi parandalues rregullohet me ligj të veçantë. Rezultatet e tij nuk mund të përdoren si provë”.
Ky detyrim i një ligji të cilësuar, është ende i pazbatuar e i papërputhur edhe si teknikë edhe si procedurë.
Boshllëku ligjor në një fushë të tillë, sensitive e të rëndësishme, të parregulluar aspak mirë, bën që militanti politik të operojë me sytë e veshët e Saliut.
Ishin këta militantë politikë, që pasi kishin zëvendësuar profesionistët e fushës, e paraqitën:
-Protestën popullore si puç ndaj pushtetit;
-Viktimat e pafajshme njerëzore- pasojë e rikoshetës së plumbave “paqësorë” të regjimit;
-Opozitën si terroriste;
-Prokuroren e Përgjithshme si “lavire” dhe
-Presidentin e Republikës si “horr” bulevardi.
Pranohet se në shoqëritë demokratike ligjet e mira kanë lindur nga zakonet e këqija.
Në zakonet e këqija të pushtetit të Saliut, vendin kryesor padyshim, e zë 21 janari i 2011-ës dhe “përgjimet” e famshme parandaluese të SHIU-t.
Ja disa prej tyre të “marra” në datat 20-të e 21-i nga pajisjet e telekomunikimit “lëshuar” në linjën Drejtor-Ministër/a-Kryeministër (shkurt linja D-MM-KRYE.M):
1. Interceptime të përfituara në prefekturën e Gjirokastrës, tregojnë se demonstruesit para se të nisen në Tiranë me 10-12 autobusë, do të djegin degën e LSI-së…. E dhëna mbyllet me frazën- “Duhet theksuar se në biseda nuk ka pasur shprehje për akte dhune”. (D-M-KRYEM)
2. Interceptime të përfituara në prefekturën e Tiranës tregojnë se drejtues të Partisë Socialiste, kanë gjetur një “Endacak”, të cilin do ta vrasin gjatë protestës. (D-KRYEM)
3. Interceptime të përfituara tregojnë se gjatë ditës grupe të caktuara po përgatisin armë e granata në afërsi të “Kafes së Rremës” dhe në darkë do të bënin planin përfundimtar tek Bar Restorant Austria. Transporti do të kryhet me mjete private. (D-M-KRYEM)
4. Interceptime të përfituara tregojnë se në Laprakë, ka interesim për blerje çadrash me bishta të gjatë, të cilat do të modifikohen me shufra të rënda hekuri. Linja (D-direkt-KRYE.M)
5. Interceptime të përfituara në prefekturën e Elbasanit, më konkretisht në Qukës të Librazhdit, japin të dhëna se oficeri N.N i vëllai i tij F.N (kryetar i Partisë Socialiste i njësisë), së bashku me Taulant Ballën, po shpërndajnë lekë për 20-të persona, që këta të vijnë në protestë. Linja (D-M-KRYEM)
6. Interceptime të përftuara që tregojnë se:
Ushtari profesionist E.B do të përgatiste 10-të bomba molotov, por u neutralizua, se atë ditë e vunë në shërbim (o zot çfarë niveli shërbimesh inteligjente në shërbim të Saliut);
… e vazhdon “diarreja” inteligjente me ushtarakun nga Brari, D.K, i cili ofron armë falas për protestën, pastaj me qytetarin nga Peshkopia A.H.M dhe pastaj me qytetarin J.B.U (55 vjeç) që komunikonin me protestues të mundshëm në lidhje me dhunën që do të ushtronin… etj, etj.
Ne si opozitë, tanimë jemi njohur me të dhëna të plota që, SHIU (ashtu dhe pjesë të tjera të Forcave të Armatosura) para, gjatë dhe pas 21 janarit të 2011-ës është përdorur në mënyrë antikushtetuese dhe antiligjore, në veprimtarinë që ka lidhje me vjeljen e informacioneve dhe pjesëmarrjen si “civilë” në protestë dhe në dhunën e ushtruar pas saj.
Drejtësia një ditë do ta thotë vërtetë fjalën e saj, se Saliu nuk mund të vazhdojë të jetë ende edhe paditës edhe gjyqtar.
Pasi ju tregova, një pjesë të vogël të punëve të pista dhe zakoneve të këqija të pushtetit të Saliut, dua të kthehem tek gjëja që ofron sot maxhoranca si projektligj.
Në këtë situatë të rrezikshme për të ardhmen e vendit, ku pushtetet në mënyrë antidemokratike po grupohen në një dorë të vetme, të bindur se provat e marra në shkelje të ndalimeve parashikuara nga ligji nuk mund të përdoren, ndër të tjera ofruam nenin 23/1 “Përgjimi me autorizim prokurori” si dhe paragrafin garantues me përmbajtje :
“Të dhënat e marra nga këto përgjime nuk përbëjnë provë në kuptimin e pikës 3, neni 151 të K.Pr.Penale”.
Pra, kërkuam që në rastin e hetimeve paraprake, të ndalonim mundësinë e gjykatës, që me kërkesë të palëve, të dhënat e përftuara nga përgjimi parandalues, t’i çmojë si të vlefshme për të vërtetuar faktin dhe të vendos t’i marrë ato si provë.
Pushteti nuk e pranoi dhe e rrëzoi.
Thuhet se nuk ka ligj në njerëzi, që tu shkojë të gjithëve sipas midesë.
Por kjo nuk mund të ndodhë midis pushteteve të pavarura, në një vend që pushtetarët e sotëm e quajnë demokraci në prag a para evropiane, vetëm për pak gjë, për tre ligje që duhet t’i miratojë opozita.
Legjislativi, Ekzekutivi dhe Gjyqësori, në nismat e tyre ligjbërëse, kanë vetëm një rrugë – të shkojnë pas “midesë” së Kushtetutës dhe legjislacionit në fuqi, sipas hierarkisë normative.
Prokuroria në pavarësinë e vet të “çuditshme”, (por që tanimë po ndodh shpesh ta “lëshojë” atë për teka të politikës), kërkoi kompromisin me Ekzekutivin, duke harruar se kompromisi s’është gjë tjetër, veçse heqja dorë prej një të drejte a një të mire, me shpresë se ruhet një e drejtë tjetër, por që shpesh përfundon me humbjen e të dyjave.
De jure dhe de facto, Prokuroria sot e humbi dhe atë pakogjë apo palogjë që pat kërkuar.
Kompromisi i saj i gabuar me pushtetin e ditës, shkatërroi dhe ato pak garanci procedurale të arritura.
Të nderuar kolegë,
Ky është një ligj i padobishëm në mbrojtje të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut dhe shkel parimin e nevojës, proporcionalitetit dhe objektivitetit, që më kot pretendon.
Sot në Shqipëri, ligjet e padobishme të politikës në pushtet po dobësojnë dukshëm ligjet e nevojshme të shoqërisë në demokraci, Kushtetutën e ligjet e cilësuara.
Për këto arsye vota jonë është kundër këtij projekti.
Nuk ka dyshim se fitorja e 2013-ës, na detyron, ndër të tjera, në nisjen serioze të punës, për hartimin dhe miratimin e një ligji të posaçëm e të plotë, teknikisht dhe proceduralisht mbi përgjimin parandalues.
*Fjala e mbajtur në Kuvend
po eshte e vertete kjo qeveri ska leke per rruget, per te pastrehet, per paraplegjiket, per spitalet e per shume te tjera, ndersa per spiunet aaaa kete e ka amanet baca. i ka dhene fjalen partise. nuk mbahet pushteti as me spiune e as me ushtri. do perfundosh keq.
qeveria me idiote ne te gjithe kohen qe kur ka ber shtet shqiptari.
“Interceptime të përfituara në prefekturën e Tiranës tregojnë se drejtues të Partisë Socialiste, kanë gjetur një “Endacak”, të cilin do ta vrasin gjatë protestës”
Aman keto i paskan raportuar Doktorit plak? :)…Kot u cudit bota kur Saliu na shpegoi pucin me armet e sofistikura tip stilolapsa pistolet
Amon o burr’ edhe ju si boni per kaq gjo! Mos kini merak fare se per 100 milion vjet i rregullo evolucioni te gjitha keto probleme.
Nuk e dime se cfare e gjeti evolucionin keto 100 vitet e fundit qe nuk po funksionon per Shqiperine, por s’ka problem fare, per 99 999 900 vjet e di si do bohet apo jo?
beni me mire mos i thuaj keto xhevahire te ketij lloj sherbimi, o zot sa poshte kemi rene, sherbimi sekret ushtarak eshte kthyer si nje kjoske pa wc. mendohe qe eshte dhe me partnere si edhe nato. kishte lezet garnizoni i tiranes dikur.