Aventura anti-duhan

10 Dhjetor 2012, 18:38Blog TEMA

Nga Xhovani Shyti

Ditën e premte, drejtori i politikave në Ministrinë e Shëndetit Publik, deklaroi dështimin e ligjit antiduhan. Dështim që erdhi i pranuar pasi për të panumërueshmen herë tellallët e administratës zyrtarë zaptuan faqe gazetash dhe ekrane televizionesh të ngeshme për të lajmëruar stër-stërnisjen e zbatimit të ligjit me nr.9636 “Për ndalimin e pirjes së duhanit në ambiente publike”. E ligjit të hyrë në fuqi në datën 31 maj të vitit 2007 dhe që kur nuk e pa dritën e zbatimit (se mos është i vetmi).

Pranimi zyrtar i dështimit përbën mesazhin e prononcimit publik të drejtorit të politikave në MSH që, përveç ngritjes së duarve lart të segmenteve përkatëse të qeverisë, duhet marrë edhe si fundi i një aventure ligjore. Që ka shoqëruar gjoksfryrjen dhe shfryrjen e katër ministrave, të cilët kanë hipur e zbritur deri më sot nga kreu i ministrisë së Shëndetësisë.

Me betimin se do të bënin të pamundurën për të vendosur zbatimin e ligjit me nr. 9636 ” Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit” e nisi punën si ministër Nard Ndoka, që vetëm disa muaj më pas heshti për të mos u ndjerë më. Po të njëjtin deklarim bëri edhe e ardhura pas tij, Anila Godo, e cila pati si fund kapjen në flagrancë, teksa pinte duhan në një ambient publik, dhe po turpësisht do ta mbyllte karrierën e ministrit të Shëndetësisë edhe i thirruri Tit (alias Petrit) Vasili, që ndryshe nga homologët, falë shqueshmërisë në artin e demagogjisë, e përdori më gjatë antiduhanin për zgjatjen e karrierës ministrore (sikurse po përdor, aktualisht bërjen zap të shitësve pa kushte higjienike të mishit, peshkut dhe kontrollin e çmimeve për të shtyrë sa më gjatë postin e nënkryetarit te Bashkie).

Deklarimin për qenien “xhelat” i duhanit Tit Vasili e bëri publikisht e faqe të gjithëve në një emision special në “Top-Show”,sapo hipi në karrigen e ministrit. Duke ngritur madje edhe një njësi Task-Force për të detyruar zbatimin e ligjit. Një njësi që përveçse u zhvati ca  miliona lekë pronarëve të gjobitur e mbushi ca gropa në buxhetin e shqyer të qeverisë, nuk solli asgjë të re në mosduhanpirjen nëpër ambientet publike. Para se të largohej nga Ministria e Shëndetësisë, Tit Vasili urdhëroi nën zë dhe me stil shuarjen e Task-Forcës antiduhan, duke pranuar në heshtje aventurën e gjeratëhershme që, sikur të përfundonte me këtë akt do të ishte gjysma e të keqes. Sepse edhe ministri i ri, Vangjel Tavo, që erdhi në zëvendësim të Tit Vasilit e nisi karrierën po me betimin për të vendosur dinjitetin e nëpërkëmbur të ligjit antiduhan, madje po nëpërmjet rigjallërimit të njësisë Task Forcë. Që u deklarua zyrtarisht se do të funksiononte ndryshe, por që, siç u pa, si qëllim pati sërish gjobëvënien, mbushjen e arkës së zbrazur të qeverisë, shantazhin e shfrytëzimin e ligjit edhe për interesa personale. Grupi i ri Task Forcë i Tavos(që në fakt ishte tërësisht i vjetri i Titit), publikoi si të re ndryshimin e skemës funksionuese të kësaj njësie, por jo njerëzit. Dhe as metodologjinë. Jo inspektorët që qenë po ata të cilët ia kishin dalë me sukses ta shpinin në dështim ligjin e ngratë.

Kështu që edhe ministri i katërt, Vangjel Tavo nuk bëri tjetër veçse ricikloi aventurizmin antiduhan. Aventurizëm që u pranua zyrtarisht edhe nga vetë përfaqësuesi i lartë i dikasterit të Shëndetësisë ditën e Premte. Po përse dështoi ligji antiduhan që, pa asnjë dyshim, në gjithë përmbajtjen dhe qëllimin e tij është tërësisht human? Nga ana tjetër çfarë tregon ky dështim?

Nisur nga historia aventurore e derisotme,del se ligji me numër 9636,i hyrë në fuqi në dt.31 Maj 2007, ka shërbyer vetëm për tre gjëra; Më së pari për të nisur fushatën e karrierës cilido ministër i porsahipur në kolltukun e Ministrisë së Shëndetësisë. Më së dyti, për tu kthyer në gjobëvënie zyrtare, në një lloj pazarllëku nëpërmjet të cilit arka e drobitur e qeverisë mbushet me miliona të vjela në emër të ligjit antiduhan,a thua se qëllimi kryesor është pikërisht kjo dhe jo vendosja e ligjit. Më së treti, për tu kthyer në gjobëvënie individuale, nga punonjës të fushës, të cilët, përfitonin të ardhura në emër të ligjit antiduhan. Zbatimi i të cilit kurrë nuk mund të bëhet realitet duke aplikuar vetëm politikën e kërbaçit. Domethënë vetëm masën represive të gjobave 500 mijë lekëshe.

Kur nuk mund të jetë rezultativ vetëm duke ngrehur gjoksin, duke bërë show mediatik, apo hosanara ministrore. Por ligji nuk mund të jetë rezultativë as duke ndryshuar nene e pika të veçanta të tij, sikurse “zbuloi”, ministri i katërt, i cili duhet të ketë të qartë se: asgjë, nga sa ai dhe të tijtë bënë deri më sot, nuk ishte e re. Nuk ishte e re as thirrja ministrore për suksesesh të padiskutueshëm, as demagogjia mediatike, as hedhja në veprim e task forcës, madje as milionat e harxhuara deri më tash për spote e billborde të mjera, që, ashtu si gjobat, kanë shërbyer për të mbushur ca llogari personale.

Ministri Tavo duhet të dijë se edhe pse ka kaluar nëpër katër duar e mëndje homologësh para tij, ligji antiduhan nuk u arrit të implementohej. Përkundrazi, nga ligj u arrit të kthehej në aventurë antiduhan nëpërmjet të cilës ca thithën të ardhura, ca justifikuan mbajtjen e vendeve të punës dhe ca të shkretë, në mënyrë ciklike hëngrën gjobat. Dhe do të ndodh kështu për sa kohë të mungojë bashkëveprimi. Përsa kohë të mungojnë strategjitë efektive nëpërmjet të cilave duhanpirësit dhe njerëzit e dëmtuar prej duhanpirjes të bëhen të vetëdijshëm se nga mosthithja dhe moslëshimi i tymit në ambientet publike përfitojnë shëndetërisht të dyja palët. Do të vazhdojë të jetë prezente pirja e duhanit nëpër ambientet publike dhe të sfidohet ligji antiduhan përsa kohë joduhanpirësit të mos bëhen të vetëdijshëm se duhet të jenë armiqtë më të betuar të duhanpirësve, pra shkelësve të ligjit antiduhan, dhe krahu i djathtë i inspektorëve e zyrtarëve që, deri më sot, dinë të bëjnë vetëm një gjë: marrjen e pagave të pamerituara. Por edhe të shtesapagave zyrtare (siç ka ndodhur, me më shumë 180 inspektorët e Institutit të Shëndetit Publik, që i kanë ngrënë buxhetit çdo muaj mbi 20 milion lekë),e shtesëpagave të dala nga gjobëvjelja nën dorë, për interesa individuale apo zyrtare, ç’rëndësi ka. Nga ana tjetër, dështimi i ligjit me nr.9636 është një tjetër tregues i paaftësisë së zyrtarëve, që duke mos qenë të zotë të hartojnë strategji efektive gjithëpërfshirëse në implementimin e ligjeve, zgjedhin rrugën më të thjeshtë e të ditur edhe prej kalamajve, atë të policit me shkop gome, pra politikën agresive të dajakut.

6 komente në “Aventura anti-duhan”

  1. mjeku says:

    mendoj se Shqiperia dhe shqiptaret nuk jane akoma gati per nje gje te tille. Duan jo me pak se 30 vjet qe te zbatohet kjo, kaq kulture kemi keshtu veprojme.

  2. mjekja says:

    Kultura fillon tek secili nga ne o mjek!

  3. miltiadh vevecka says:

    Gazetari XH.Shyti ka shume te drejte kur shkruan qe cdo qytetar joduhan-pires duhet te behet mbrojtesi i ligjit antiduhan.Me fjale te tjera atehere kur shqiptaret do te sillen si europianet duke i kerkuar te fike cigaren duhanpiresit ne mjedisin publik dhe duke njoftuar policine, atehere ligji do te gjej zbatim te plote. Por kur do te vije ajo dite qe edhe ne shqiptaret te mos kemi me frike dhe te behemi aq trima te sillemi si europianet apo amerikanet? Kete do ta tregoje koha.Dr.Milto

  4. klodi says:

    Tit Vasili qe merret me vrasjen e qenve rrugace dhe me thertoret tek bashkia e Tiranes eshte ai qe ka qene Minister i Shenetesise ?

  5. Shefqet Cela says:

    Nuk me tha asgje te re ky artikull. Jane gjera fare te zakoneshme. Apati qeverije, per te bere pune te mira, ne sherbim te popullit.
    Po te shkruaje dikush per ndonje gje se nmbari me ligjet e qeverise, atehere do te habitesha ose do ta quaja shpifes.

  6. qytetar says:

    a ka mundesi njehere te vendosin numer telefoni te bejme denoncime per keto shkelje ligjore? as edhe nje here nuk ka folur administrata se si mund te ndihmoje qytetari ne zbatimin e ligjit per kete rast!!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje