Disa pyetje të rëndësishme para ASAJ MË TË RËNDËSISHMES

7 Dhjetor 2012, 14:40Blog TEMA

Nga Eduard Zaloshnja

Në përfundim të zgjedhjeve të vitit 2009, KQZ-ja raportoi zyrtarisht se koalicioni i udhëhequr nga Berisha grumbulloi 46.95% të votave të vlefshme. Dhe kjo nuk i mjaftoi atij të merrte 71 mandatet e duhura për të krijuar qeverinë.

Po në 2013-ën, a do të arrijë koalicioni i udhëhequr nga Berisha të marrë 71 mandatet magjike?  Që të bëhet një hamendje rreth përgjigjes së kësaj pyetje, duhet kaluar nëpër një shkallare pyetjesh të tjera.

Së pari, a ka ndryshuar KQZ-ja dhe kodi zgjedhor në favor të Berishës, në krahasim me 2009-ën?

Së dyti, a janë votuesit e thjeshtë më mirë ekonomikisht se në 2009-ën?

Së treti, a do të ketë rrjedhje të votave të djathta drejt partive të reja?

Së katërti, si do të konfigurohen koalicionet parazgjedhore?

KQZ-ja

Në lidhje me pyetjen e parë, është vështirë të imagjinosh sesi KQZ-ja aktuale mund të bëjë më shumë për Berishën, seç bëri KQZ-ja e drejtuar nga Ristani. Ndërsa nga ana tjetër, ndryshimet që i janë bërë kodit zgjedhor e kanë pakësuar sadopak mundësinë e manovrimit të komisionerëve të të gjitha niveleve për të manipuluar rezultatin.

Ekonomia

Edhe pse zgjedhjet duhet të fokusohen tek statusi që votuesit do të kenë pas 4 vjetësh, pyetja “A janë votuesit e thjeshtë më mirë ekonomikisht se në 2009-ën?” është e rëndësishme sepse prirja  e votuesve të thjeshtë kudo në botë është që të ndikohen nga krahasimi me 4 vjet më parë. Dhe dy tregues që ka publikuar INSTAT-i, i kontrolluar drejtëpërdrejt nga vetë Berisha, përmbledhin në mënyrën më sintetike të mundshme sesi është sot statusi ekonomik i masës së gjerë të votuesve, krahasuar me 2009-ën.

Në qershor 2009, sipas INSTAT-it, indeksi i vëllimit të tregëtisë me pakicë ishte 192.9, ndërsa në qershor 2012 ishte 169.3. Pra, një rënie plot 12% në të njëjtin sezon të vitit, krahasimisht me tre vjet më parë! (http://www.instat.gov.al/al/themes/informacioni-ekonomik-për-ndërmarrjet.aspx?tab=tabs  ) Ndërsa punësimi, nga tremujori i dytë i 2009-ës deri më sot, është rritur vetëm 0.1% (pra, praktikisht zero – http://www.instat.gov.al/al/figures/statistika-kryesore.aspx ). Me pak fjalë, numri i të punësuarve nuk është shtuar dhe ata që janë në punë e kanë shtrënguar goxha rripin – në total, janë konsumuar 12% më pak mallra e shërbime.

Partitë e reja

Dalja e dy partive të reja është një faktor që duhet marrë në konsideratë sepse ato po luajnë fort në një territor elektoral që Berisha e ka konsideruar si domen të vetin në zgjedhjet e mëparshme. Nga njëra anë, FRD-ja po e sulmon Berishën për talljen që u ka bërë pronarëve të shpronësuar prej regjimit komunist dhe të përndjekurve politikë nga ai regjim. Ndërsa nga ana tjetër, AK-ja po ngre çështjen e diskriminimit politik të shtetasve shqiptarë me origjinë familjare nga trojet shqiptare përtej kufirit.

Në një bisedë në Top Story, Kreshnik Spahiu i AK-së, theksoi se, gjatë diktaturës së Enver Hoxhës, popullsia me origjinë nga trojet shqiptare jashtë Shqipërisë ështe mbajtur e mbyllur pothuaj si në geto në qarqet Durrës, Fier e Vlorë dhe përfaqësimi i saj në nivelet e larta qeveritare ka qenë zero deri më sot (http://www.respublica.al/artikuj/2012/12/07/kundersulm-i-spahiut-ne-territorin-elektoral-te-berishes-shtetasit-shqiptare-me ). Vlen të theksohet se, në zgjedhjet e mëparshme, në qendrat e votimit ku ka qenë e përqendruar kjo popullsi, ka patur epërsi të dukshme PD-ja ose partitë aleate të saj.

Kuptohet që Berisha i ka kundërsulmuar e do t’i kundërsulmojë edhe më fort këto dy parti të reja, por sado të mundohet, a nuk do të ketë një farë rrjedhje votash të djathta drejt tyre? Mendja ta do që po.

Koalicionet

Duke i marrë së bashku të tre faktorët e mësipërm, është pothuaj e sigurtë që treni origjinal i Berishës, në qoftë se nuk shton ndonjë vagon të madh, nuk do ta arrijë dot 46.95-përqindëshin që regjistroi zyrtarisht në 2009-ën. Dhe mos të harrojmë se, me atë rezultat, por me shpërndarjen aktuale të mandateve sipas qarqeve, nuk do të arrinte as numrin e 70 vendeve kuvendore, që siguroi  atëherë – shpërndarja do të kishte qenë 68-68-4, përkatësisht për koalicionet PD, PS,LSI.

Por konfigurimi i koalicioneve mund të ndryshojë – situata e Berishës mund të përmirësohet në qoftë se LSI-ja i bashkohet koalicionit të tij. Votat e saj klienteliste dhe krahinariste mund të shërbejnë si një kundërpeshë e rrjedhjes së votave të djathta. Por edhe Rama, nga ana tjetër, nuk ka pse të rrijë duarkryq. Në rast të një koalicioni Berisha-Meta, ai do të synojë një koalicion me Spahiun dhe, mundësisht, edhe me Topin.

Po të marrim për bazë një sondazh të gazetës Dita (http://gazetadita.al/perkthimi-ne-vota-ps-pd-ak-lsi-frd-i-sondazhit-te-djeshem-botuar-ne-dita/ ), i vetmi sondazh politik publik deri më sot, rezulton se një koalicion “Rama-Spahiu-Topi etj.” do të kishte në qytetin e Tiranës një epërsi prej 12 pikë përqindje ndaj koalicionit “Berisha-Meta etj.” Ndërsa një koalicion “Rama-Spahiu etj.” do të kishte një epërsi prej rreth 7 pikësh. Ndërsa gjendja do të kthehej në katastrofike për Berishën, në qoftë se Meta nuk i bashkohet koalicionit të tij…

PYETJA MË E RËNDËSISHME

Të gjitha hamendjet dhe llogaritë e mësipërme u bënë duke presupozuar se Berisha nuk do të përsërisë atë që bëri në zgjedhjet e 1996-ës. Dhe nëse ai do ta bëjë atë gjë apo jo, nuk mund të hamendësohet dot 7 muaj para 23 qershorit. Ne dimë vetëm seç ndodhi pas zgjedhjeve të 1996-ës…

 

9 komente në “Disa pyetje të rëndësishme para ASAJ MË TË RËNDËSISHMES”

  1. S.Feriti says:

    ulku vetem qimen ndron.
    dredhite e saliut per grabitje votash sofistikohen c’do cast,biles edhe pas numurimit apo daljes se rezultatit ai do hedhe vicklat e tij.

    Ne se kocovaret lihen te lire te votojne ne Shqiperi,sala perseri 4 vite daullen e tij do loze.

    1. Vlora says:

      ne rast se rama ka per te luajtur fort te pika kyce per momentin e berishes(futjen e kosovareve ne votime)berisha ska per te mere me gje.

      thjesht do te duhet te dali para drejtesise.

  2. iriqi says:

    Pervec FRD-se qe perfaqeson nje klase te caktuar politike, ndersa te tjeret jane te gjithe njesoj, perfaqesojne te gjithe dhe nuk perfaqesojne asgje pervec vetes se tyre, lind pyetja:
    A behen votimet ne Shqiperi vetem per te fituar nje vend pune ne shtet?
    PO PO PO

  3. EuroMaloku says:

    Qe SALIHI te terhiqet nga rruga e poshtersive duhet ti jene falur te gjitha krimet qe ka bere ai dhe familja e tij ndaj popullit.Vetem amnistia e tyre mund ti heq friken se po iku nga pushteti nuk do te perfundoi ne burg apo si Kadafi..!

  4. Pavarësia says:

    Të gjithë hamendësimet kanë pas nga një pikëpyetje. E vetmja pyetje që e ka përgjigjen ,,hazer xhevap” është: A ka ndryshuar Sali Berisha në synimet e tij për të vjedhur votat, siç ka bërë deri më sot? Absolutisht jo! Përkundrazi, situata në të cilën ndodhet (në buzë të greminës), e bën atë dhe më të egër; e bën atë të ,,çpiki” e sajojë mënyra e forma nga më të pa parashikuarat për të vjedh, grabit, blerë apo fallsifikuar vota. Dhe në se nuk i ,,ndezin” këta marifete, ai, nuk e ka për gjë fare të përsërisë dhe 96-ën, dhe 97-ën, dhe 98-n, mjafton që të shkatërrojë edhe atë çfar ka mbetur pa u shkatërruar. Problemi qëndron në atë që ky shkatrrimtar duhet ndaluar, i duhen shkurtuar duart gjakatare që vihen në lëvizje nga një mendje e mbrapshtë anti kombëtare. Të tre krerët e partive kryesore opozitare (PS, AK, FRD)pa nënvleftësuar dhe të tjerat opozitare, duhet, domosdoshmërisht të bashkë rendojnë të gjithë punën e përbashkët gjatë gjithë fushatës para zgjedhore, gjatë votimeve, ruajtjen me çdo kusht e çmim të votës deri në daljen e rezultatit përfundimtar zyrtar. Faktori n/kombëtar të mos përveshi formalisht llërët por, në se e duan sinqerisht Shqipërinë e shqiptarët, ti bëjnë sytë ,,katër” në mbështetje të realizimit të së drejtës që vota e qytetarëve shqiptarë të shkojë atje për ku e kanë drejtuar….

  5. Lafti says:

    Akoma me ket bole ju mer?? Ky njeri ka probleme srioze dhe qe nga menyra si flet duket qe eshte antikapat. Nuk e kuptoj se si mund te meret seriozisht ky lloj deficenti.

  6. roni says:

    Per nje vend pune o Ed Zaloshnja o loser je i shterruar dhe perserites
    dmth i bie me nje vrime.Ps a i ke paguar taksat ne Usa mos thuaj po se
    genjen se ke disa vite qe e ke inkom tax zero,kujdes depresionin.

    1. student says:

      ore roni, meqe paske mesuar aty ne bathore fjalet “inkom tax”, do te kesh mesuar si behet kerkim ne google. bej nje kerkim per dr. zaloshnjen dhe do shohesh studimet qe ai kryen per nje institut ne uashington.
      ju bathoristat, kur ju djegin keto qe shkruhen te tema, filloni shpifni per autoret, por ne lexuesit e tjere s’jemi bathorista, ore roni…

  7. Z.Zaloshnja ka plotësisht të drejtë…Logjika është kjo që procedon ai,por shqipëria është një vend me shoqëri parademokratik/e…Nuk kanë rëndësi treguesit as ata zgjedhorë dhe as ata ekonomikë…I rëndësishëm është edhe një mandat tjetër i kryeministrit aktual,tani që mori edhe presidentin edhe prokurorin..do rregullojë biografinë qeverisëse…Dhe e dorëzon i nderuar pushtetin edhe pas dy vjetësh po të doni….!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje