Përgjime me standarde evropiane

4 Dhjetor 2012, 21:25Blog TEMA

Nga Augustin Palokaj

Bashkimi Evropian është duke dështuar në Kosovë dhe EULEX-i është vetëm një prej faktorëve të këtij dështimi. Këtë konstatim, që me një gjuhë paksa më të butë, e ka nxjerrë kohë më parë Gjykata Evropiane e Revizorëve, e cila, sikurse edhe shumë raporte të tjera ndërkombëtare, ka konstatuar se që nga ardhja e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë e deri më sot nuk ka ndryshuar shumë problemi i krimit të organizuar. Miliarda euro të taksapaguesve evropianë mund të kenë ndihmuar menjëherë pas luftës që disa qytetarë të Kosovës të nisin jetën nga fillimi, të rindërtojnë shtëpitë. Ka ndihmuar po ashtu edhe administratën që të nxjerrë ligje të mira. Ka ndihmuar shumë të rinj kosovarë, të cilët kanë gjetur punë në këto misione ndërkombëtare. Ka edhe shumë gjëra të mira që ka bërë prania e BE-së në Kosovë. Por duhet parë edhe anën tjetër të medaljes. Kur të konstatohet se Kosova është një oazë e krimit të organizuar, se në Kosovë strukturat politike dhe ato të krimit janë të lidhura, se nuk ekziston ndarje e qartë e pushtetit dhe se “lufta kundër korrupsionit” është një tallje e madhe, atëherë kurrsesi për një gjë të tillë nuk mund të shfajësohet as BE-ja. Sidomos jo kur ajo tërë kohën ka pasur mundësi të ndikonte, qoftë përmes fuqisë politike, qoftë përmes kompetencave të saja ligjore që i ka pasur dhe vazhdon t’i ketë në Kosovë. BE-ja, qoftë edhe me mosbërje, ka ndihmuar që Kosova të ketë sot një skenë të çoroditur politike. Përqendrimi i BE-së në zbatimin e interesave momentale politike ka krijuar pasoja të rënda shumëvjeçare për të ardhmen e Kosovës. E në fund vetë kjo BE, për problemet të cilat vetë i ka ndihmuar të krijohen, do ta dënojë Kosovën që të presë me vite para dyerve të saj, ndërsa popullin e Kosovës të mbetet edhe për vite i izoluar.

Skandali i fundit i përgjimit është një shembull i ri për të dëshmuar se Kosova nuk është vend normal, se EULEX-i nuk është një mision normal i sundimit të ligjit, dhe se prania e Bashkimit Evropian në Kosovë nuk ka as sensin më të vogël për të kuptuar seriozitetin e situatës të cilën vetë e ka ndihmuar të krijohej.

Sqarimet që priten nga EULEX-i dhe BE-ja

Ky skandal ka disa karakteristika, disa aktorë dhe hap disa pyetje. I pari është roli i BE-së në të. Pos që na thanë se “përgjimet janë bërë në bazë të ligjit” dhe shprehjes së keqardhjes pse ato kanë dalë në domenin publik, asnjë sqarim i duhur nuk ka ardhur nga EULEX-i. Nga BE-ja asnjë sqarim, pos referimit në një komunikatë për shtyp të lëshuar nga EULEX-i.

Pasi që Qeveria e Kosovës, dhe njëra prej protagonisteve të përgjuara (ministrja Vlora Çitaku) kanë përmendur fjalën shantazh, dhe duke marrë parasysh se të përgjuarit janë vendimmarrësit kryesorë në Kosovë dhe në emër të Kosovës, EULEX-i dhe BE-ja duhet të japin sqarime për popullin e Kosovës dhe të përgjigjen në disa pyetje: A është duke u përgjuar kryeministri i Kosovës? A është BE-ja e interesuar ta shantazhojë kryeministrin dhe nëse po, për cilat arsye?

Le të na gjejnë zyrtarët e BE-së një shtet të vetmin evropian ku mund të ndodhë publikimi i bisedave të përgjuara të kryeministrit, shefit të grupit parlamentar të partisë në pushtet, një ministreje dhe një personi kyç në procesin e vendimmarrjeve në Kosovë, e që kjo të kuptohet si “fatkeqe por normale” dhe të pritet të pushohet kjo punë.

Ajo që për opinionin është më së paku e rëndësishme është se kush është përgjegjës për rrjedhën e këtyre bisedave telefonike. Fajtori mund të jetë i rëndësishëm për organet e ligjit, por jo edhe për opinionin. Nga përmbajtja madje është e qartë se bisedat që kanë rrjedhur nuk mund ta dëmtojnë procesin e hetimeve, sepse në ato biseda nuk është përmendur asgjë lidhur me punën e ministrisë të cilën EULEX-i është duke e hetuar.

BE-ja i ka borxh sqarimet për qytetarët e Kosovës, sidomos për faktin se pikërisht nga ky kryeministër, të cilin ajo e ka përgjuar, vetë BE-ja thotë se “pritet të marrin vendime të vështira për Kosovën”. Vetëm privatisht disa diplomatë të BE-së kanë shprehur “mendimin e lirë se kryeministri Thaçi dhe ministrja Çitaku, sipas të gjitha gjasave, kanë qenë viktima kolaterale të përgjimit të Adem Grabovcit e jo cak i përgjimeve”. Por BE-ja duhet të prononcohet për këtë, dhe një deklaratë shtypi e EULEX-it nuk mjafton.

Roli i mediave

Faktori më pozitiv në tërë këtë skandal janë mediat. Ato nuk janë kurrsesi të papërgjegjshme pse kanë përdorur dhe raportuar bisedat e përgjuara dhe të vendosura në “You-tube”. Mediat do të ishin të papërgjegjshme sikur ta kishin heshtur këtë skandal, sikur të mos kishin raportuar për këto biseda dhe për përmbajtjen e tyre. Duke raportuar, mediat kanë kryer një obligim të tyre ndaj opinionit dhe kështu kanë respektuar rolin e mediave në një shoqëri.

Detyrimi për mediat që të mbulojnë këtë rast ka qenë vetë përmbajtja e bisedave. Mediat do ta kishin shkelur ligjin sikur vetë ato të kishin bërë përgjime dhe të kishin përgjuar biseda me përmbajtje private dhe personale. Ishte News of the World në Britani të Madhe që kishte përgjuar persona privatë me vite dhe kur u zbulua kjo, u bë skandali më i madh në historinë e mediave britanike.

Në rastin e Kosovës përgjimi është bërë nga një mision i BE-së, i cili thotë se për këtë “ka pasur bazë ligjore” dhe ky mision është në Kosovë me pajtimin e institucioneve të Kosovës, përfshirë edhe të përgjuarit.

Mediat nuk kanë raportuar për asgjë private, sepse në përmbajtjen e bisedave të këtij skandali e vetmja gjë private, e cila s’ka të bëjë me interesin e qytetarëve, është se Adem Grabovci do të shkojë në skijim. Të gjitha temat e tjera, nga vizitat në Bruksel dhe raportimi i tyre tek Kadri Veseli, bisedat mes shefit të Grupit parlamentar të partisë në pushtet me kryeministrin për buxhetin dhe skenën politike, e deri tek bisedat për kryetarin e Kuvendit të Kosovës, janë tema që kanë të bëjnë me interesin e publikut. Prandaj edhe mediave duhet dhënë një lëvdatë pse kanë informuar për këto biseda, pa marrë parasysh se kush është fajtor për rrjedhën e tyre.

Sqarimet e Qeverisë

Qeveria e Kosovës duhet të analizojë mirë tërë situatën dhe t’i drejtohet opinionit. Ajo ka të drejtë të shprehë mllefin pse kanë dalë në opinion gjërat e padëshiruara. Ka të drejtë të kërkojë edhe hetime se si dhe nga kush kanë rrjedhur ato jashtë organeve të hetuesisë. Ka të drejtë e edhe detyrë të kërkojë sqarime nga niveli më i lartë politik në Bruksel për përgjimin e kryeministrit.

Personat e përgjuar kanë të drejtë të ndihen të fyer, por njëlloj kanë të drejtë të ndihen të fyer edhe ata të cilët përfolën, sikur edhe familjet e tyre dhe prindërit e tyre.

Por Qeveria ka detyrë të merret edhe me përmbajtjen e bisedave. Më e mira do të ishte sikur të shprehte keqardhje dhe të premtonte se në të ardhmen vendimet kryesore do të merren në institucionet përkatëse. Do të urdhëronte që të rishikohen emërimet në Këshillin e Mediave dhe të emërohen personat e panjollosur dhe jashtë pazareve politike jashtinstitucionale.

Qeveria duhet t’u garantojë qytetarëve se nuk do të lejojë të shantazhohet, nëse fjala është vërtet për shantazh, e sidomos jo që këto shantazhe të përdoren eventualisht edhe për kompromise në dialog me Serbinë, të cilin është duke e  ndërmjetësuar BE-ja, pikërisht Catherine Ashton nën autoritetin e së cilës edhe është duke vepruar EULEX-i.

Në secilin shtet normal ky skandal do të ishte një kërcënim serioz i sigurisë kombëtare. Prandaj ky përgjim, edhe nëse është bërë “sipas standardeve evropiane” duhet të lërë pasoja që nga ai të nxirren mësime në shumë fusha. Nga mënyra se si do të veprojnë BE-ja, Qeveria e Kosovës, institucionet përkatëse dhe e tërë shoqëria kosovare pas këtij skandali do të varet edhe përgjigjja në pyetjen: A ka ndonjë gjasë që Kosova të fillojë të bëhet shtet normal?

2 komente në “Përgjime me standarde evropiane”

  1. ALBAN DEGA says:

    ESHTE KOHA QE EUROLESHIN TA COJNE PER LESH !

    – Hetime te menjehershme per prokuroret sherife te
    EUROLEX-it qe ne vend te zbatojne bejne ligjin
    mbi nje shtet ligjor

    – Nga Alban Dega, Nju Jork

    Nje prokuror i EUROLEX-it, Salustro urdheron dhe arreston si hajnat naten heroin e gjalle te luftes per liri te Kosoves dhe heroin e Hages Fatmir Limaj, i shpallur i pafajshem nga shkalla me e larte dhe e fundit e drejtesise Boterore, Gjykata Nderkombetare e Drejtesie per te njejta ose akuza te ngjashme.
    Mesa duket i njejti prokuror ose ndonje koleg i tij urdheron pergjimin e kryeministrit te Republikes se Kosoves, Z. Hashim Thaci, te kryetarit te Grupit Parlamentar te PDK-se ne Kuvendin e Kosoves, Z. Adem Grabovci, te deputetet dhe ministres se integrimit Z. Vlora Citaku…
    Si eshte e mundur qe ne nje shtet te lire, te pavarur e sovran te pergjohet kryeministri dhe lideret e nje partie ne pushtet ose jo nga kushdo qofte , qofte edhe EUROLEXI.
    Eshte nje akt i pashembullt ne historine bashkekohore te nje shteti demokratik qe cfaredolloj organizmi nderkombetar te kryeje akte te tille flagrante antiligjore e te kunderligjshme.
    Me akte te tilla flagrante antiligjore EUROLEX-i shfaqet si nje organ i plotfuqishem, si nje shtet mbi shtetin e Kosoves dhe Kushtetuten e tij, si nje sherfi me kartabianke qe me shume se zbaton ben ligjin mbi nje shtet ligjor.
    Akte te tilla i bejne lesh e li institucionet e zgjedhura ne menyre demokratike te nje shteti sovran dhe e kthejne ate ne nje shtet jo vetem me sovranitet te kufizuar por gati ne nje koloni klasike.
    Ne keto rrethana Kuvendi dhe organet me te larta te Republikes se Kosoves e ka per detyrim ligjor qe te ndermarrin veprime ligjore te menjehershme per rivendosjen e prerrogativave shteterore te Republikes se Kosoves dhe per te kerkuar fillimine menjehershem dhe ndjekjen penale te cilitdo prokuror ose person qe kryen veprime te tilla antidemokratike e antiligjore, deri ne mbylljen dhe nxjerrjen jashte Kosoves te EUROLEX-in si persona non grata ne mos adhe arrestimine tyre ne flagrance dhe venien ne bangon e te akuzuarit.
    Te njejten kerkese e kam bere edhe nga ish Kryeprokurores se Hages Karla Del Ponte kur urdheroi arrestimin e Fatmir Limajt e me vone te Ramush Haradinajt, duke bere avokaten e Beogradit kunder lufettareve per liri te Kosoves, duke bere avokaten e terrorizmit shteteror serb kudner Kosoves e popullit te saj!
    Shqyyr qe u doli gjumi liderve tane politike ne Tirane e Prishtine per te kerkuar si kofini pas te vjelave hetimin dhe ndeshkimin ligjor te kesaj shtrige serbe me shtetesi zvicerane pa harruar edhe telallin e Beogradit Dick Marti !
    Eshte koha qe EUROLESH-in ta cojne per lesh!
    Drejtesi… Ligj… Shtet ligjor ndaj ciltido qe shkel dhe e ve veten mbi ligjin. Ligji dhe vetem ligji eshte ligji! Para tij jane te barabrte te gjithe… Edhe EUROLEX-i!

  2. Shqiptari nga Kosova says:

    “Le të na gjejnë zyrtarët e BE-së një shtet të vetmin evropian ku mund të ndodhë publikimi i bisedave të përgjuara të kryeministrit, shefit të grupit parlamentar të partisë në pushtet, një ministreje dhe një personi kyç në procesin e vendimmarrjeve në Kosovë, e që kjo të kuptohet si “fatkeqe por normale” dhe të pritet të pushohet kjo punë”.
    Pse a Kosova shtet po te duket a ? Augustin deri me tani te kam ditur per gazetar serioz!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje