Ne, shqiptarët, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, nuk e kemi ende seriozisht as zhvillimin e as bashkimin. Kemi pak patriotë me punë e zemër e fatkeqësisht shumë – me dokë e kopalla. Ta shfrytëzojmë ditën e parë të 100-vjetshit të ri për këndellje
Nga Adriatik Kelmendi
“KOJSHIA JEM QË vjen nga një zonë legjendare e paska qitë flamurin në ballkon. Qe dy vjet kojshi, një herë u kanë ka vdes krejt e nja tre herë tjera e ka djegë krejt instalimin elektrik të banesës t’u u mundu me vjedhë rrymë. Gëzuar shqiptarë.”
Kam përshtypjen se kolegu im A. A. me këto dy-tri fjali në faqen e tij në “Facebook” ia ka dalë ta përshkruajë mrekullisht gjithë atë që e kemi dëshmuar këto ditë e ndoshta s’kemi ditur ç’emër t’i japim.
Ka patriotë me punë e zemër e ka të tjerë vetëm me dokë e kopalla.
Falë këtyre të parëve 100 vjet më parë pas shumë sakrificash është shpallur Pavarësia e Shqipërisë, është shpallur gati 5 vjet më herët edhe Pavarësia e Kosovës, janë avancuar dukshëm të drejtat dhe liritë e shqiptarëve në Maqedoni e në Mal të Zi e shumë suksese të tjera.
Nga fatkeqësia e këtyre të dytëve, Shqipëria e Kosova janë sot ndër shtetet më të varfra në Evropë, me numrin më të madh të të papunëve, me shërbimet shëndetësore të mjerueshme, më korrupsion të lartë e shumëçka tjetër të zezë.
Fatkeqësisht, pra – dhe kërkoj falje në qoftë se po e prish pak atmosferën festive! – ka ende më shumë nga këta të dytët ndër shqiptarët, kudo që jetojmë.
PA DYSHIM SE është moment i përshtatshëm për të reflektuar se ku jemi pikërisht në këtë të enjte të 29 nëntorit 2012, që i bie 100 vjet e një ditë nga shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë. Është, pra, dita 001 në të cilën Shqipëria e shqiptarët duhet të fillojnë të kompensojnë gjithçka që është humbur, të gjitha shanset e lëshuara, gjatë 36.500 ditëve të kaluara.
Si të arrihet kjo?
Pyetja gjithsesi është njëmilionëdollarëshe, së cilës nuk ia kanë dalë t’i përgjigjen me sukses shqiptarët gjatë një shekulli shtetësie. Por, tash kur është arritur në masën më të madhe liria e shqiptarëve fituar nga të tjerët në shtetet ku jetojnë, nuk po ia dilet të fitohet liria nga zaptimi i shteteve nga elitat politike.
Kjo veçanërisht është e ndjeshme në dy shtetet shqiptare, në Shqipëri e në Kosovë, dhe në mënyrë jo fort elegante na vjen e mbështjellë me petkun e bashkimit, të bashkimit të shqiptarëve në një shtet.
Të parët, që kryesisht janë elitat politike në pushtet kanë adoptuar kornizën e përgatitur në proceset ndërkombëtare për mosndryshim kufijsh dhe thonë se shqiptarët do të bashkohen në Bashkimin Evropian. Kjo në dukje të parë ngjan në një qasje pragmatike, pasi që vlerësohet se për të bërë aderimin në familjen evropiane, Kosova dhe Shqipëria duhet të ndërmarrin hapa të mëdhenj reformues zhvillimor në shumë fusha, të cilat njëkohësisht me përmbushjen e këtyre detyrave, avancojnë në shoqëri të zhvilluara e shtete funksionale. Mirëpo, e vërteta e hidhur është se Shqipëria është vendi i fundit në Evropë sa i përket procesit aderues drejt BE-së, kurse Kosova ndodhet në situatën e status quo-s për shkak të paqartësisë që shkakton mosnjohja nga pesë shtetet anëtare. Kjo i bie se s’po na ecën mirë as në bërjen e shteteve tona të zhvilluara e as në bashkim ndërmjet vete.
Të dytët, ata që e veshin thuaja çdo sukses me pikënisje fillestare bashkimin kombëtar, krijojnë hapësirë që çdo stagnim dhe dështim në funksionalizim të shtetit të zhvilluar e demokratik të arsyetohet me pamundësinë e bashkimit. Po ashtu, këto elita me qasjen e tillë krijojnë përshtypjen se si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri gjithçka është e përkohshme, e padëshirueshme, e imponuar nga Të Tjerët, që s’duhet marrë shumë seriozisht, e që rrjedhimisht duhet pritur kur të ndodhë Bashkimi i Madh. Në këtë mënyrë, qasja ndaj shtetit si ndaj një foshnje të padëshiruar, e bën më të vogël e të pandjeshme ndjenjën e përgjegjësisë për rritën e tij, duke i hapur rrugë keqtrajtimit. Në këtë mënyrë shohim të mos ndodh as zhvillimi i Kosovës, as i Shqipërisë e as bashkimi i tyre.
MIRËPO UNË SINQERISHT e besoj se nuk ka kush që ua ndalon shqiptarëve të bashkohen sot në qoftë se vetë ne e dëshirojmë pa hile një gjë të atillë. Pavarësisht se në Kushtetutën e Kosovës, si rrjedhojë e Pakos së Ahtisaarit, bashkimi me ndonjë shtet/territor tjetër është një nga tri vijat e kuqe, besoj fuqishëm se edhe kjo do të tejkalohet nëse duam ne.
Mirëpo, asnjëfarë bashkimi nuk mund të ndodhë vetëm me valëvitje flamujsh e llafe politikanësh në rast të festave. Pasi që po shohim se pushteti në Prishtinë e Tiranë e ka shfrytëzuar fare pak hapësirën që është krijuar, sidomos pas pavarësimit të Kosovës, për t’u bashkuar në shumë fusha. Përveç autostradës së shtrenjtë (e cila sërish na flet se sa punohet në një anë për bashkim e përparim, me udhë të mirë, aq flet për mentalitetin e fshehtë e korruptues, për shkak të mostransparencës dhe kostos së lartë) dhe bashkimit në fushën e artit të muzikës, asnjë hap tjetër nuk është ndërmarrë për të bërë bashkimin të prekshëm, në fushat që fare s’na ndalon kush.
Liderët tanë flasin për Schengen Ballkanik, por nuk e realizojnë lëvizjen e lirë ndërmjet Kosovës e Shqipërisë.
Liderët tanë flasin për Abetare të përbashkët, por s’bëjnë hapa konkretë për unifikim të kurrikuleve në arsim.
Liderët tanë flasin për bashkim energjetik, por bëjnë marrëveshje të dëmshme e të dyshimta me shtete të tjera.
Liderët tanë flasin për mbrojtjen e njëri-tjetrit në rast konfliktesh, por nuk bëjnë asnjë hap për të nënshkruar marrëveshje për reagim të përbashkët në raste sulmi.
Liderët tanë flasin për sistem doganor të përbashkët, por kurrë s’tregojnë përse nuk po ndodh një gjë e këtillë.
Janë këta vetëm pesë shembuj e sigurisht se mund të radhiten edhe 55 të tjerë, ku Kosova dhe Shqipëria do të mund të bashkoheshin, nëse do të donin, pavarësisht bashkimit politik.
Pse nuk po ndodh?
Besoj se shumë nga përgjigjet mund të gjenden pikërisht në fushën e interesit individual të elitave politike, para atij kolektiv, e që lidhen me sferën e korrupsionit e krimit të organizuar, për të cilin renditemi bukur lart në listat e zeza ndërkombëtare.
NËSE SHQIPTARËT janë vërtet patriotë, në qoftë se duan me zemër e punë shtetin, nëse Shqipëria dhe Kosova, do të reformohen, do të zhvillohen në shoqëri demokratike, që respektojnë të drejtat e qytetarëve pa dallime etnike, fetare, të orientimit seksual etj., që minimizojnë gjasat për keqpërdorimin e parasë publike, që luftojnë me sinqeritet krimin e organizuar, që kanë qytetarë që paguajnë taksat shtetit, që ruajnë ambientin etj. etj. s’do të ketë më askush as në bashkësinë ndërkombëtare e as nga fqinjët që na rrethojnë ndonjë argument që të kundërshtojë e ndalojë bashkimin.
S’do të ketë Kushtetutë e kufizim që do të mund t’i bëjë ballë bashkimit, në qoftë se do të dëshmohet paraprakisht se shqiptarët të bashkuar do të jenë më mirë se ç’janë tash.
Por, së pari duhet të zhvillohemi e demokratizohemi. Me vepra të mëdha, jo me fjalë e poza të mëdha.
Pikë!
Broçkullat e titizmit kronik, ligjeratë pa shembull personal!
Kapua, se c’kane disa ne Shqiperi te cilet kur nuk gjejne asnje argument per te kundershtuar dicka qe nuk u volit, permendin kot Titon.
Ne kete rast kjo eshte llahtar fare, se z. Kelmendi ose ka qene 1 vjec ose s’kishte lindur fare ne kohen kur Tito vdiq!!!
Shkrimi per mus eshte i nivelit te analizes me te mire boterore.