Një vit më parë (30 nëntor 2011) u nda nga jeta në moshën 72 vjeçare, Leka Zogu i Parë, ish pretendent për Fronin Mbretëror të Shqipërisë. Ai lindi në kohën më të papërshtatshme për fatet e atdheut dhe të atij vetë. Vetëm dy ditë pas ardhjes në jetë, jo për faj të tij, u detyrua të largohet nga vendlindja pasi i ati, i vetëshpallur Mbret, braktisi Shqipërinë në prag të pushtimit fashist. U rrit gjatë gjithë jetës jashtë Shqipërisë dhe padyshim që ëndrra e tij ka qenë rikthimi në vendin amë. I rritur me ndjesinë e të qenurit “Mbret i Shqiptarëve”, ai besonte se në Shqipëri do gjente një ambient shumë mikpritës, sidomos nga nostalgjikët e mbretërimit të të atit. Me ardhjen e demokracisë në Shqipëri, Leka Zogu e ndjeu se kishte ardhur koha për të rimarrë atë ç’ka i ati i la pas, në atë të shkuar të largët të 1939-ës.
Përçapjen e parë e bëri në vitin 1993. 54 vjeç, në kulmin e pjekurisë politike, ai gjeti në pushtet Sali Berishën, i cili sapo kishte mbushur 20 muaj nga “fronëzimi” si Kryetar Shteti dhe ishte në momentet më të fuqishme të karrierës së saponisur. Ardhja e Leka Zogut e trembi, pasi ky pinjoll monarku përfaqësonte shtresat e vërteta të djathta dhe qartësisht anti-komuniste. Ishte një flamur të cilin Berisha e kishte tundur mjaft mirë për të ardhur në pushtet dhe për asnjë lloj arsye nuk dëshironte një konkurrent real në këtë mes. Kthimin e tij në atdhe, media qeveritare pothuajse e injoroi dhe po të mos ishte shtypi opozitar, ajo ardhje mund të mos merrej vesh në atë kohë. Në mënyrën më turpëruese për Leka Zogu-n, e bujti vetëm disa orë në Tiranë, duke e mbyllur në hotel “Dajti” në gjendje gjysëm arresti. Me një pretekst për pasaportën, ai e përzuri për t’i lënë të kuptojë se izolimi 50 vjeçar për të s’kish mbaruar ende.
Pas atij largimi, sërish të detyruar, Leka Zogu-t i erdhi përsëri një mundësi e dytë për t’u rikthyer në atdhe. Gjatë 4 viteve kishin rrjedhur shumë ujëra dhe Shqipëria ishte futur në një spirale që po rrezikonte stabilitetin kombëtar të saj. Ngjarjet e dhunshme të 1997-ës kishin sjellë një ndarje të fortë, veri- jug, një mosbesim kolektiv tek klasa politike dhe shteti në tërësi, ndërkohë që ligjin kudo e bënin bandat e armatosura kriminale. Një rast i artë ky për Leka Zogu-n për të marrë flamurin e bashkuesit të kombit, e njëkohësisht, të vinte në jetë ëndrrën e tij të kahershme.
Kësaj here, Presidenti ende në detyrë, Sali Berisha, e “mirëpriti”. Ishte periudha me e keqe e qeverisjes, ku ai kishte humbur çdo shpresë se partia e tij do mund të rifitonte në zgjedhjet e afërta parlamentare. Prania e Leka Zogu-t në këtë rast nuk i rrezikonte më një pushtet që tashmë e pretendonin të tjera forca politike. Një nga marrëveshjet e kohës ishte edhe mbajtja e referendumit për formën e regjimit. Nisur edhe nga zemërgjerësia e tepruar e socialistëve për këtë rast, Berisha pranoj menjëherë. I vetmi territor që kontrollonte ishte Presidenca. Duke e ditur se ardhja e socialistëve në pushtet ishte e pashmangshme, ai nuk kishte se ç’të humbiste më. E vetmja shpresë ishte që, me këtë lëvizje, të nxiste entuziazmin e rrënuar tek e djathta, për të marrë pjesë në votime.
Në një klimë të nxehtë politike, vendi hyri në zgjedhje nga ku, pretendenti i Fronit, arriti të kapë rreth 33% të votave për formën e regjimit që ai kërkonte. Një shifër mbresëlënëse nëse ajo do ishte edhe në rrang përfaqësimi parlamentar, por që në fakt erdhi si pasojë e zhgënjimit të forcave të djathta, tek e “djathta” e Berishës, dhe më shumë ishte një shuplakë për atë, sesa mbështetje për Leka Zogu-n.
Kur e pa që pushteti iu rrokullis edhe ligjërisht nga këmbët dhe referendumi dështoi, Berisha tentoi ta përdorë Leka Zogu-n për qëllimet e tij. Për këtë shfrytëzoi mosnjohjen që Leka Zogu i bëri referendumit. I veshur ushtarakisht e me dy pisqolla trofe në brez, ai iu drejtua me “mbështetësit” e tij, Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve. Leka Zogu, i pamësuar me realitetin shqiptar, nuk e kuptoi në moment që ishte viktimë e qëllimeve të mbrapshta të të tjerëve deri në çastin kur pa se situata po shkonte në të kundërtën e saj. Ata të ashtuquajtur “mbështetës të tij”, nën emrin e “Mbretit” sulmuan me armë KQZ-në, ku pas disa shkëmbimesh zjarri, mbeti një viktimë mes tyre. Berisha i ndiqte i qetë këto zhvillime dhe shpresonte që ato të sillnin përshtjellim në procesin e sapo mbyllur zgjedhor e atypëraty, në rast ripërsëritje referendumi, të kërkonte edhe ai përsëritje të zgjedhjeve kuvendore. Skema qëlloi e dështuar dhe nuk pati mbështetje të mëtejshme, duke u mbyllur me aq. 14 vjet më pas, Berisha, tashmë kryeministër, do deklaronte në një mbledhje qeverie se: “Në atë referendum dominoi parimi stalinist, ju votoni, numërimin jua bëj unë. Ajo që është reale, shqiptarët votuan masivisht nga Konispoli në Vermosh për mbretin e tyre. Nuk kapi kuotën, por atë e përcaktuan ata që manipuluan dy javë rresht votat e referendumit”. Një deklaratë kjo që vërteton më së mirë se cilat ishin qëllimet e tij në ato ditë plot tension.
Pas kësaj ngjarje, Leka Zogu, ndaj të cilit filloi edhe një hetim penal nga organi i prokurorisë, largohet sërish nga Shqipëria, jo vetëm për t’i shpëtuar ndjekjes ligjore, por edhe se e pa që u ndje i tepërt në atë mjedis të trazuar, njësoj si 58 vjet më parë.
Largimi i Leka Zogu-t bëri që edhe emri i tij në skenën politike dalëngadalë të niste të harrohej, edhe për faktin se zhvillimet e brendshme sërish kishin marrë tjetër rrjedhë.
Në qershor 2002, pas një pritje 5 vjeçare, Leka Zogu tenton kthimin e tretë në atdhe, duke përfituar nga Amnistia si dhe pas një ftese të ardhur nga një grup deputetësh të Kuvendit. Kësaj here ishte më i kompletuar se kurrë. Me vehte kishte të ëmën, ish mbretëreshën Geraldinë, të shoqen Suzanën dhe të birin Leka. Nuk kishte harruar as arsenalin e armëve, një pasion i vjetër i tij. U sistemuan në një shtëpi në periferi të Tiranës dhe duket se gjithë prania e familjes e solli disi në qendër të vëmendjes.
Pak nga pak po afronin edhe zgjedhjet e reja parlamentare, por tashmë Leka Zogu nuk kishte më në plan të parë që të kërkonte sërish referendum. Zgjodhi taktikë tjetër, konkurrimin e drejtpërdrejtë në një garë parlamentare, por jo vetë personalisht. U themelua një forcë politike, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, e cila përdori emrin e tij për të thithur sa më shumë vota në zgjedhjet e vitit 2005. Sërish kishin rrjedhur shumë ujra qysh nga hera e fundit dhe tashmë, Leka Zogu, i mplakur, nuk kishte më energjinë e nevojshme të 8 viteve më parë. Forca politike që konkurroi nën emrin e tij, nuk arriti rezultatet që ai shpresonte, të cilat do i jepnin mundësinë për të kërkuar referendum.
Në pushtet erdhi Berisha, tashmë në një drejtim tjetër, atë të ekzekutivit. Leka Zogu nuk përbënte më asnjë rrezik për frontin e djathtë, kështu që Berisha e la të qetë të shijonte pleqërinë e tij.
Me largimin nga kjo jetë të së ëmës dhe të bashkëshortës, Leka Zogu, edhe për shkak të moshës dhe sëmundjeve që e mundonin hera- herës, qëndroi në hije të zhvillimeve politike, duke iu shfaqur publikut nëpërmjet ekraneve vetëm në raste ceremonish të rëndësishme festash kombëtare, apo qoftë edhe për ndonjë mesazh drejtuar klasës politike a popullit, për zhvillime të cilat ai ndjente se ishte e nevojshme fjala e tij. Derisa u shua edhe vetë në të njëjtin Pallat ku i ati pati rezidencën e tij të parë mbretërore.
Paradoksalisht, ai që e trajtoi në demokraci Leka Zogu-n si të padëshiruar, u kujdes t’i organizonte me protokoll shtetëror, ceremoninë mortore. Ceremoni në të cilën nuk mungoi rivaliteti qesharak i çiftit Topalli- Basha, për të mbajtur sekush fjalimin solemn, “betejë” të cilën e fitoi i dyti.
Në prag të 1-vjetorit të ndarjes nga jeta, u “kujtua” t’i sillte në atdhe eshtrat e të atit. Berisha, i cili në fillimet e karrierës politike u hoq si fanolist dhe në mbyllje të saj u transformua në “përkrahës” i Ahmet Zogu-t, ia kurseu këtë kënaqësi pasardhësit të ish-monarkut, që ta shihte të materializuar sa ishte gjallë përgjat 6 viteve. Kjo, pasi ai nuk i djeg etapat për ta shfrytëzuar veç e veç figurën e tyre sa herë i nevojitet dhe, për t’i nëpërkëmbur sa herë e ndjen se i rrezikohet “froni” personal.
Per te qendruar ne pushtet edhe mbas zgjedhjeve te 2013 po perdor karten e shqiperise se madhe.Cfare nuk pret nga ky qelbesire .Mediat opozitare duhet te bojkotojne fjalimet e Berisesh, nuk duhet te japin asnje njoftim per te, nje fale tha Berisha per Shqiperine Etnike dhe ju te medias i bete nje jehone te madhe, ndersa Aleanca Kuq e Zi e shtron kete ceshtje ore e cast dhe ju nuk i vini rendesi.
me pare le te themi se si regjimi i berishes e zhduku gjithe familjen e AHMET ZOGUT. dhe la gjalle vetem princin se mundet ti duhet per fushate elektorale ose ta leri me qellim sa ti rriten mbesat e ta beje dhenderr sapo ti rriten mbesat dhe plase mbreteria pastaj.