Mbijetesa e historisë shqiptare!

26 Nëntor 2012, 13:59Blog TEMA
Mbijetesa e historisë shqiptare!

Ashtu si cdo gjë tjetër e përfolur dhe e etiketuar në formate ndërgjegjesh dhe vendimesh personale; ashtu si cdo tentativë për turbullira mbarëkombëtare, që vec mjeshtrat poliitkanë shqiptarë arrijnë t’I projektojnë, edhe ky vit, në vendin tonë me shumë andrralla e turpe, u përcoll me skemën fundërrinë të rradhës në precipitatin e së cilës bulëzojnë atomet e substancës më helmuese ndaj ndërgjegjes kombëtare dhe historise së lavdishme të paraardhësve tanë. Ta mendosh mire e gjate, janë vetëm 100 vjet; një shekull I shpejtë në “dëshirat e thirrjet europiane” e shumë I ngadaltë në stabilizimin dhe vendosjen e shtetit normal të së drejtës dhe shoqërise normale ku nuk dalin sheshit ndarjet e përqindjeve ministrore, ku nuk lehin vend e pa vend “zagarët” e gjuetisë shqiptare, ku mbi vete nuk pranon të nënshkruash kompromiset e turpit dhe disintegritetit kombëtar.

Flasim për integrim kombëtar e pastaj , nëse arrijmë të mbrojmë historinë tonë si anglezët e gjermanët, nëse do të jemi në gjëndje të prodhojmë të paktën një herë një debat elitar mbi procese të rëndësishme e jetike për vendin tonë ashtu si mund të diskutojnë francezët e italianët, atëherë po, shqiptarë të dëshiruar të asaj Europe të largët prej jush, mund të thërrisni e kërkoni sa të doni, që të gjeni zgjidhjet , shpresat dhe forcat me kombësitë e tjera nëpër botë, të cilat në ndryshim nga ne të gjithë; punojnë, ndërtojnë e respektojnë formatin demokratik në marrëdhëniet midis tyre, në marrëdhëniet me qytetarët, në marrëdhëniet me taksapaguesit e me ata që përbëjnë popullatën kombëtare të vendit të tyre.

Ashtu sic ndodh rëndom në Shqipëri, të gjithë nisin e shkruajnë, kuvendojnë nëpër kafenet e qyteteve, këmbë mbi këmbë presin ndonjë fond europian për të zhvatur ndonjë “ëmbëlsirë” e pastaj, sigurisht, në fund të ditës bëjnë edhe ndonjë shpallje qytetare në forume virtuale për pavarësinë, për krenarinë e pandjerë që i karakterizon shqiptarët , kur flitet për historinë. Në një moment të tillë më lind pyetja: për cfarë do të trokasin gotat e të thonë gëzuar shqiptarët në këtë 100 vjet shtet? Gjithë kjo tendencë e veshjes kuq e zi, sikur duam ti tregojmë botës që ne jemi patriotë të mëdhenj dhe se po respektojmë historinë e vendit tonë? Duhet të jetë një iluzion optik, sepse një popull që e vrasin ditë pas dite e në fund seancat gjyqsore nxjerrin kriminelë të pafajshëm; një popull që ministra të dyshimtë e me arsim 8 vjecar arrijnë të të heqin mundësitë për punësim e shanse të barabarta vetëm se nuk duhet të prishen ekuilibrat e përqindjeve; një popull që pranon të dal në shesh në datën 28 nëntor për të ngrënë primitivisht ca mish e tortë; një popull që u jepet një kafshatë bukë për të brohoritur e shpallur ankandin e rradhës të dinjitetit e sakrificave shekullore të stërgjyshërve tanë për SHTET dhe SHTET.

Në një moment të tillë, nuk mund të flasësh me argumenta se sa të vesh dorën në zemër e të mendosh me shpirt, sepse vetëm 100 vjet kanë kaluar kur stërgjyshërit e mi, Hajredin e Bektash Cakrani, me personalitete dhe kontribute politike të jashtëzakonshme, sëbashku me firmëtarë e mendje të mencura të këtij vendi, sëbashku me burrërinë dhe mendësinë e tyre demokratike, ndërrmorën aktin më madhështor në histori, atë të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Që të ndjeja tamam shqiptari e patriotizëm, do doja shumë të jetoja në epokën e Bektashit , atëherë kur diplomacia dhe politika shqiptare ishin më të sofistikuara e elitare se sa sot; atëherë kur Shqipëria gëzonte vërtetë për pavarësi e kur ndërgjegja shqiptare gëlonte prej krenarisë, trashëgimisë aristokrate e familjeve të mëdha e të pasura në vizion, mendësi, qëllime e përpjekje.

Sot festojmë në lëmshin tone tragjiko-komik, mendojmë se tregojmë mencuri e modernitet kur shtrojmë debate se ku duhet të festohet pavarësia, mendojmë se e “bindim” më shumë botën për përparimet tona model , vetëm se harrojmë që në fund të ditës ne nuk jetojmë e punojmë as për botën e as për Bashkim Europian. Në fund të ditës mendojmë sërish si shqiptarë, e nisim ditën në mënyrën tonë shqiptare, qeshim, qajmë e “shajmë” si shqiptarë. E kush tha që s’duhet të jemi krenarë? Duhet të jemi krenarë e të festojmë se si kryengritjet e vitit 1990 u shndërruan në perandorinë madhështore të një klase politike; se si me qindra shqiptarë të vrarë janë përgojuar nëpër gjyqe shqiptare e faji është tretur bashkë me to; se si të rinjtë shqiptarë që studjojnë fort e mendojnë për një Shqipëri më krenare e normale vuajnë papunësinë dhe padrejtësitë e një sistemi të qelbur nga koka te këmbët. Festoni , festoni dhe festoni! Festoni dhe mos harroni! Krenaria dhe respekti për Shqipërinë, qëndron përtej një fotoje profili me flamurin shqiptar në forume virtuale; përtej tendencave që në Shqipëri botohet nga një vepër letrare sa herë që kemi ndonjë event për ta shitur më shumë! Mos harroni të bëni punën tuaj mirë në profesionin tuaj, të respektoni më shumë veten duke reflektuar më shumë ndaj klases politike e të mendoni kthjellët në zgjedhjet që do bëni, për një Shqipëri të nesërme. Ajo që e nderon Shqipërinë është një punë më e mirë, përpjekje të vazhdueshme për demokraci e mendim qytetar .

4 komente në “Mbijetesa e historisë shqiptare!”

  1. Endri M. says:

    Nje pasqyrim real,bravo Ines.Fatkeqesisht ndjehemi krenar por te dhjere!Suksese ne punimet e tjera.

  2. F.Rushiti says:

    SHQIPERIA KERKON QILIZME.

    Spo gjej dot emrin e autorit te shkrimit edhe pse ka nje foto, permbajtja eshte e drejte sa edhe shume e ceket per mekatet e qeverive tona gjate 100 viteve.
    Shkurt ngaqe shqiptaret jane te tej velur me blla blla blla blla……

    1-Shqiperia kerkon qilizme ne kokat e te gjithe Parlamentareve tane ku shumica jane mercenare te njeshit.Krundet e Parlamentit duhen spastruar.
    2-S’behet Shqiperia me kasten e kalbur te kohes se enver satrapit dhe me spiunet e tij.Keta ne nje vere i bien fyellit 70 vjet.
    3-Politika jone kerkon meritokracine boll me tarafet te gangrenizuar ne krime nga me te ndryshmet,kulmi eshte ajduteria ne pushtet dhe mungesa e drejtesise.Nishani eshte nje kotesi mbi dy kembe qe flet si robot i saliut.Nishani s’ka kapacitet per fronin ku e uli saliu.Saliu e tejkaloi kufirin ne shume drejtime,edhe vete e di qe eshte fallco ne ligjerimet e tij artificiale,po e vertetojne edhe ata qe s’pranuan ta nderojne ne 100 vite paloshtet edhe pse me nje super etje i ftoi ne festen e tij zbatuar me nje plan personal,si,sa,kur dhe qysh do ai.
    4-Ka ngordhur koha beni c’them une jo c’bej une.
    5-Partite e reja FRD,AK, korigjimi i te gjitha gabimeve ne votim,pa ulur survejimet per planet e reja grabitqare ne votimet,jane shpresa e shqiptareve per te arthmen.Shqiperia kerkon qilizme per politiken e saj te mykur.

  3. Andet Hoxhaj says:

    Bravo Ines ! Nje shkrim vertete i goditur . Te uroj shume suksese dhe te falenderoj shume qe na ofron te lexojme nje artikull shume te arrire. Bravo !

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje