Nga Xhovani Shyti
Në fjalët e thëna gjate ceremonisë së rivarrimit të eshtrave të ish- monarkut Ahmet Zogu I, presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, krahas vlerësimit për, sipas tij: mbretin real të një Shqipërie që aspironte, por nuk kishte vetëdije politike, etj., revokoi historinë tonë që, po sipas tij: ka nxjerrë jo pak njerëz të shquar, luftëtarë, princër, mbretër, madje edhe perandorë, shumica e të cilëve kanë qenë të tillë në atdhe të huaj, nga që Shqipëria nuk ishte ende shtet.
“… Historia e vendit tonë nuk është boshe. Kthimi i eshtrave është dukje e një shteti që të ardhmen e ndërton duke marrë më të mirën e mundshme nga e shkuara dhe e sotmja”, vlerësoi në ligjëratë të drejtë Bujar Nishani, që si moral thelbësor të këtij eventi kumtoi rivlerësimin e historisë. Rivlerësimin,pa ngjyrime politike, të figurave që kanë qenë prezent ndër ngjarjet kryesore të saj. Qëndrim ky i shprehur më parë edhe prej kryeministrit Sali Berisha.
“Historinë mund ta harrosh, deformosh, por edhe kjo është afatshkurtër dhe për të keqen e atij që e beson. Mund të duket se me historinë mund të bësh ç’të duash, por nuk është ashtu, se nuk të lë historia ty ta shpërfillësh, pa të ndëshkuar për gabimet dhe pa të shpërblyer për të mirat”, vazhdoi të thotë Nishani, duke e theksuar fort faktin se për hatër të historisë gjërat duhen thënë troç. Pa i devijuar të vërtetat. Pa i fshehur dhe as retushuar, sipas orekseve e dëshirave të sunduesve. Si të mirat ashtu edhe të këqijat. Një këshillë shumë e drejtë po qe se do kishte shërbyer si busull ndriçimi për drejtimin e vendit më të prapambetur të Evropës gjatë këtyre dy dekadave të ikura. Sepse nëse ecja e Shqipërisë pasdiktaturë (në krye të qeverimit të të cilës Bujar Nishani, Sali Berisha & co, kanë dekada që janë), do të ishte bërë sipas parimit të predikuar më sipër nga Presidenti në detyrë, pra duke marrë më të mirën e mundshme nga e shkuara, nuk do të kish ndodhur që Shqipëria në vend të ecjes drejt demokratizimit, të shkonte prapa. Domethënë të qeverisej si dikur në diktaturë, ku jeta e gjithsecilit shqiptar ishte e varur nga vlerësimi individual i më të pushtetshmit, i të parit të vendit.
Sepse për hatër të së vërtetës historike duhet pohuar që, nëse atëherë, jeta e shqiptarëve drejtohej sipas parimeve të Enverit, në pasdiktaturë (po e quaj siç kanë qejf historianët e kallëpit Beqir Meta, biografët pilafngrënës të tipit Fahri Balliu, dhe shkrues-botuesit e llojit Xhevahir Lleshi), jeta shqiptare imponohet të vijojë sipas parimeve të Saliut. Kush ishte kundërshtues në kohën e diktaturës përfundonte nëpër galera, internime etj. vrima e skërka, dhe po i njëjti fat e ndjek të gjorin shqiptar kundërshtues edhe në këtë diktaturën “e liberalizuar” të Sali Berishës, ku minimumi që mund të përfitosh nga kokëfortësia është pushkatimi financiar. Në ish- diktaturë Enveri të vriste po ta denoncoje, thuhet shpesh zëlartë ndër bisedat e shqiptarëve të thjeshtë. Një shprehje kjo që e pandryshuar artikulohet edhe për kohën e Saliut, veçse me zë të ulët dhe pasi thënësi ka kontrolluar zonën e bisedës.
Mund të përmendim edhe të tjera steriotipe, ndër më të këqijat e ish regjimit diktatorial komunist, që janë funksionale në këtë sistemin e ri pas ’90, për t’i thënë presidentit në detyrë se për hatër të të vërtetës historike duhet thënë se kthimi e rivarrimi i eshtrave të ish mbretit Zogu I, vërtet mund të vlerësohet si “dukje e një shteti që të ardhmen e ndërton duke marrë më të mirën e mundshme nga e shkuara dhe e sotmja”, por përvoja e kësaj periudhe 21 vjeçare,ka treguar krejt të kundërtën. Pikërisht marrjen nga e shkuara e dhimbshme të antivlerave. Të veseve që shiten si “vlera” edhe pse vrasin lirinë dhe të drejtat universale (proceset votuese edhe sot e kësaj dite zhvillohen të manipuluara). Të politikave e mënyrave qeverisëse që, nga dashuria për pushtetin çojnë në shkatërrimin e shtetit (si në vitin e zi 1997 e sot), që rivrasin shqiptarët që protestojnë demokratikisht në mes të shesheve apo në greva urije (si në tragjedinë e 21 janarit 2011 dhe në grevën e ish të përndjekurve nga diktatura).
Ka edhe shumë të këqija të tjera të marra, madje me shumicë, nga e shkuara e të manifestuara gjatë qeverisjeve domokratikase, por po i lëmë pasi po në ceremoninë e rivarrimit të eshtrave të ish mbretit Ahmet Zogu i I, Presidenti në detyrë, këtë akt e vlerësoi edhe si mbushje e një boshllëku historik. Si mosqënie bosh të historisë 100 vjeçare të vendit tonë. Konstatim që do të kishte qenë i qëlluar sikur, në zbatim të detyrës funksionale dhe jo urdhrit partiak, ai vetë të mos ish bërë “skrep” në hapjen e një tjetër grope historike. Asaj të periudhës 50-të vjeçare, nën komunizëm. Që për hatër të të vërtetës historike nuk mund të shmanget. Nuk mund të lihet jashtë axhendës së festimit të “100 viteve shtet shqiptar”, për oreks të kreut dinastik të Partisë Demokratike. Sepse, edhe pse me shumë-shumë sipërmarrje kriminale,është fakt i pamohueshëm historik që ish sistemi komunist u dha shqiptarëve shumë më shumë se periudha e mbretërimit të Ahmet Zogut. Por shumë më shumë edhe se këto 21 vitet e drejtimit të vendit më së shumti nga Sali Berisha, herë president e herë kryeministër. Komunizmi u riktheu shqiptarëve mijëra hektarët e tokës bujqësore të katandisur në këneta, u hoqi nga trupi malarien, tuberkulozin, sëmundjet veneriane, skërbutin, morrat, pleshtat e gjithfarë lloj parazitësh etj. U mbushi barkun me bukë, u dha dritën elektrike,në gjithë territorin e vendit, u dha arsimin, kulturën, industrinë e bujqësinë bashkëkohore…Revolucionarizoi dhe zhduku obskurantizmin e ulur këmbëkryq nëpër bjeshkët e skërkat e maleve.
Gjatë asaj periudhe kohore, Shqipëria arriti nivele zhvillimi që, për hatër të së vërtetës historike, duhet thënë se në periudhën e mbretërimit të Ahmet Zogut I, ekzistonin kokëpërmbysur. Me qenien e mbi 70% të sipërfaqes së tokës moçalore, me mbi 80 % të popullsisë analfabete, me vetëm pak orë dritë elektrike në pak qytete kryesore, me rreth 90% të territorit të pambuluar nga sistemi rrugor… Kështu e morri dhe, me pak ndryshime, në të tillë parametra zhvillimi e la Mbreti Zogu I, vendin e quajtur “i shqiponjave”, por të mbretëruar prej mushkonjave. Por, për hatër të të vërtetës historike, duhet evidentuar edhe fakti se, në kohën e monarkut, Shqipëria ishte një vend i sunduar prej klaneve e bajraqeve, prej të cilëve ai zogollian arriti ta dominoj vendin e malarikëve. Njësoj si ky i Berishës së pasviteve ’90 që ka dominuar qeverinë, parlamentin, presidencën, gjyqësorin, policinë, pra krejt shtetin e konvertuar prej Ahmet Zogut, nga Republikë në Mbretëri. Duke e drejtuar me dorë të hekurt. Pa përfillur liritë e të drejtat universale të shtetasve. Me një sistem gjyqësor ku gjyqtarët i jepnin vendimet duke ju referuar kartëmonedhave të futura midis faqeve të kodeve civilo-penale dhe jo neneve të ligjeve respektive. Me qeverisës të dalë jashtë ligjeve në fuqi, të pandëshkueshëm. Me një kryeshtetar që, sipas jo pak studiuesve të huaj: për hatër të mbajtjes së pushtetit të tij nuk ngurronte të falte troje të atdheut.
Sikurse për hatër të vërtetës historike, duhet thënë se lëvizja dhjetoriste për ndryshimin e sistemit nga diktaturë komuniste në demokraci u nis nga rinia studentore, u përkrah nga masat e paindokrinuara të shqiptarëve trima dhe u përvetësua prej pjesës më me vese të komunistëve të futur nga Ramiz Alia dhe spiunëve vullnetarë të ish- diktaturës. Këtij aliazhi që prej më shumë se 20 viteve e ka mbërthyer për fyti Shqipërinë dhe e vërtit midis demagogjisë e gënjeshtrës se po e shpie drejt kapitalizmit demokratik. Duke i detyruar jo pak prej luftëtarëve shqiptarë të sulmuar egërsisht nga i kryepushtetshmi të marrin arratinë, për t’u bërë të shquar, princër, mbretër, madje edhe perandorë të shkencës, në dhera të huaja. Nga që Shqipëria ende është një shtet monokratik, pra shtet jo demokratik.
sakte
ashtu eshte!
me mire jetohej ne koh te enverit sesa ne koh te zogit!
shteti shqiptar i enverit kishte me personalitet sesa shteti shqiptar i zogit!
Prej 22 vjetesh ne kete vend, i quajtur “Vendi i Shqiponjave” mbisundojne NIHILIZMI e KAMELEONIZMI. Eshte fatkeqesi qe mbi ate c’ka ndertuam DJE (jo pak,por 40 vjet) e Shkaterruam e Rrafshuam ne pak vite te “Demokracise”! Ka nje fjale populli:-‘Po ndoqe rrugen e brumbullit, te con ne hale’! Nuk dua te perseris ato, qe autori i ka trajtuar ‘per hir te se vertetes historike’ shkurt por sakte. Nuk dua te fajesoj ‘levizjen dhjetoriste’ te moshes 20-25 vjecare, por USTALLARET ‘te pjeses me me vese…'(Sipas meje, anetareve te partise, se Komuniste NUK kan qene! NIHILISTET me grada shkencore Dr.Pr…etj. PERCMUAN e MOHUAN gjitheshka dhe futen frymen e ,SHKATERRIMIT te GJITHESHKAJE! Ka nje fjale populli:-‘Eshte keq kur te ha Qeni i Yte, se ndaj atij te botes i tregon shkopin’. Ne kete VEND me pasuri te shumta e te cmueshme NenToke,MbiToke e Hapsire Detare,ironizohet parrulla…’T’a bejme Fshatin si Qyteti’ u realizua Shkaterrimi,Braktisja e Fshatit me Dyndjen drejt Qyteteve! Per Nihilistet e Kameleonet e sotem, qe per cudi mbajne po ato grada Dr.Pr. qe i kane fituar ‘DJE’,po perdor Fabulen e atij “Te hipur ne degen e nje LISI, i vurri sopaten deges, e preu e u RREZUA per Toke bashke me degen qe preu!”
Ok!