Kujdes me votat fiktive!

22 Nëntor 2012, 10:36Blog TEMA

Nga Eduard Zaloshnja

Në zgjedhjet e vitit 2001, nga 2.67 milionë shqiptarë me të drejtë vote, 1.35 milionë (ose rreth 51 %) hodhën në kutitë e votave fletë votimi (shumica dërrmuese të vlefshme e disa të pavlefshme). Ndërkohë, sipas Censusit të atëhershëm, vetëm 1.97 milionë votues jetonin në Shqipëri – pjesa tjetër ishte në emigracion.

Katër vjet më vonë, në 2005-ën, numri i votuesve që morën pjesë në zgjedhje u rrit fare pak – vetëm 43 mijë. Ndërsa çudia ndodhi në vitin 2009 dhe 2011, kur numri i votuesve arriti respektivisht 1.55 dhe 1.59 milionë. Pra, një rritje prej mbi 200 mijë pjesëmarrësish në votime në krahasim me 2001-shin. Dhe kjo ndodhi kur, sipas Censusit të 2011-ës, numri i votuesve që jetonin në Shqipëri jo vetëm që nuk u rrit në krahasim me 2001-shin, por u pakësua me rreth 150 mijë.

Paradoksale këto shifra – numri i votave rritet me 200 mijë, ndërkohë që numri i votuesve pakësohet me 150 mijë! Të ketë ndodhur kjo nga rritja e përqindjes së pjesëmarrjes në votime?

Jo, në dy zgjedhjet e fundit, vetëm 50%-51% e votuesve që e kishin emrin në listën e zgjedhësve (pavarësisht nëse jetonin në Shqipëri apo jashtë saj) votuan – po aq sa në 2001-shin.

Mos kanë ardhur 200 mijë emigrantë ditën e votimit thjesht për të votuar?

Po të kishte ndodhur kjo gjë, Kakavijës, Kapshticës, Durrësit dhe Rinasit do t’u ishin djegur kompjuterët nga tejngarkesa e procesimit të pasaportave. Në pikun e pushimeve të verës, këto pika kufitare procesojnë maksimumi nga 5-6 mijë emigrantë në ditë dhe radha bëhet me kilometra e gjatë.

Ose ndoshta ka ndodhur ajo që ndodhi në Dajç në 2011-ën dhe në Ruzhdie në 2009-ën?

Siç mund t’i kujtohet lexuesve, gjykatat provuan në këto dy raste se fletët e votimit për emigrantët që nuk mundën të vinin në ditën e zgjedhjeve, i hodhën në kutitë e votave të afërmit e tyre në Shqipëri.

Ky do të ishte ndoshta dhe shpjegimi më i arsyeshëm për paradoksin e rritjes së numrit të votave me 200 mijë, kur numri i votuesve që jetojnë brenda vendit pakësohet me 150 mijë.

Fatkeqësisht, INSTAT-i nuk ka publikuar ende të dhëna të detajuara me grupmosha sipas qarqeve nga Censusi i fundit, që të mund të përcaktonim se sa shtetas me të drejtë vote ishin fizikisht në çdo qark në 2011-ën. Po t’i kishim këto të dhëna, mund të analizonim se në cilat qarqe paradoksi i mësipërm do të ishte edhe më paradoksal. Pra, të shihnim se ku votimi fiktiv mund të ketë patur mahisjen më të madhe.

Sidoqoftë, me këmbënguljen e PS-së, në kodin e ri zgjedhor është futur për herë të parë identifikimi elektronik i zgjedhësve me anë të kartave të identitetit. Dhe kjo teknologji do te aplikohet në qarkun e Tiranës, i cili ka çerekun e mandateve të Kuvendit, si dhe përfshin rrethina problematike si Kamza, Bathorja e Paskuqani. Por duket se KQZ-ja dhe qeveria po vonohen në zbatimin në praktikë të identifikimit elektronik në këtë qark.

Në një intervistë që i dha gazetës MAPO para ca ditësh, Damian Gjiknuri, Sekretari i PS-së për Çështjet Zgjedhore, e ngre shqetësimin për vonesën e mësipërme. “Procesi i futjes së teknologjisë së re në zgjedhje po rrezikohet seriozisht nga mosveprimet e ekzekutivit dhe administratës së kontrolluar politikisht të KQZ-së,” i deklaroi Gjiknuri MAPO-s.

Por ngritja e shqetësimit në një gazetë me qarkullim 4-5 mijë kopjesh nuk është e mjaftueshme përballë një problemi kaq madhor sa votimi fiktiv. Partia Socialiste nuk duhet të harrojë se koalicioni i saj, edhe pse pati një rritje në rang vendi prej 124 mijë votash nga 2005-sa në 2009-ën, rezultoi me 24 mijë vota më pak se koalicioni i PD-së. Dhe avantazhi i kësaj të fundit u regjistrua nga KQZ-ja kryesisht në zonat rurale dhe rrethinat e qyteteve, ku edhe votimi fiktiv është më i mundshëm…

http://respublica.al/opinion/2012/11/22/kujdes-me-votat-fiktive

10 komente në “Kujdes me votat fiktive!”

  1. Anti talebani says:

    Dinakeria e Sali Berishes po fillon 6 muaj perpara.

    PS nese tregohet e paafte, do na e pije lengun edhe kesaj here.

    Mos toleroni as edhe nje levizje te tille. Se do ta hani.

    Ketu flitet qe tju lene me 68 vota perseri apo te merrni 72.

    Llogaritini mire. Merrni nje agjensi te specializuar per kete pune.

    Se do tja u fusin. Keto jane levizje teknike qe i japin perfitim Sali

    Berishes.

  2. Dule Bisha says:

    Edhe verifikimi elektronik nuk eshte zgjidhje ne rast se une mbledh 1000 ID ne greqi apo itali dhe vij votoj per ato 1000 karta.
    Sistemi ka boshlleqe plote, po duan te vjedhin do e bejne dhe kjo eshte e vetmja gje e sigurt e zgjedhjeve ne shqiperi.

  3. Stef Staku says:

    ANALIZE : Nuk u arriten standartet e per kete u nderrua KQZ e cila pervec proves ne pune te personelit struktura e KQZ eshte me e keqe se ajo paraardhese. Pra ajo e Ristanit.
    Po OSBE perse nuk e nderron perfaqsuesin e saj ne Shqiperi ???
    Perse eshte ne Shqiperi OSBE ? Per te mesuar PD se si te manipuloje zgjedhjet ? Te demostroje qe manipuluesit e medhej jane te pandeshkueshem ?
    Ristani e Woolsprapthi ishin dy personat qe shkatrruan disa procese zgjedhore ne Shqiperi !
    Ristani u largua nga KQZ por krim Berisha e beri zevendsminister !!
    Woolsprapthi nuk largohet fare nga OSBE !!!
    Cfare po u meson klasa politike Europiane klases politike Shqiptare ???
    Hajnine dhe pandeshkushmerine e hajnise !!!
    Dikush nga partite te cilat u vidhen votat duhet te flase per keto dy birbo !!

  4. ILIRET says:

    Nuk eshte e re dhe nuk eshte se nuk dihet, se gjithmone PD, ka kryer votim fiktiv. Keto jane zbuluar, jane njoftuar strukturat e PS, por kjo ka fjetur e qete. Dhe gjasat jane se keshtu do te ndodhe perseri. Nuk shpresohet me teper nga deputete analpambuker.
    A nuk u njoftua nga medja ne zgjedhjet e shkuara, per te panjohur, qe popullonin pallate apo dhe fshatra? Cfare beri PS? Gjume, qerratallare…
    A nuk po denoncojne vete deputetet e PS, “rritjen e shpejte” te popullsise ne zonat e Kukesit? Po a mjafton kjo? Atehere ndermerni kontroll parlamentar dhe me strukturat e PS, ne ato zona, per nje dite mbaron kontrolli ne nje komune. Te gjithe fshataret e njohin njeri tjetrin.
    Kush asht Salush Lulashi? E njoh une. E ka shpajen ke shpati matane. Po Lulush Salushi? Kte sun e njohim. Cfare numri banese ka? 69. Atehere qenka i njejti person. Njehere i regjistruar si Salush Lulashi dhe pastaj si Lulush Salushi.
    E po kjo do qe deputetet analpambuker, te prishin qetesine dhe te shkojne ne Golaj, ne Shistavec, etj. A, po qe ashtu, le te behet c’te behet…
    Keshtu qe, nje person voton dy here, me dy karta. Ose nje person voton edhe per kater te tjere me kartat e tyre ne dore.
    Zoti Zaloshnja! Si spjegohet qe askush deri me sot nuk e ka kapur castin kur u permbys rezultati ne zgjedhjet e vjetshme lokale ne Tirane.
    Kam patur rastin t’i pyes per kete gje disa deputete te PS. Kam provuar se asnje nuk e njeh ligjin qe vete e kane miratuar.
    PYETJE:
    Si veprohet, ne se ne oren e mbylljes se votimit, ka votues ende ne radhe ? Asnje nuk me ka dhene pergjigje te sakte. Atehere mire t’u behet atyre dhe Rames! Vazhduan votimet deri ne oren 23.00…..

  5. kel ukaj says:

    Nje prove se sa jane fallsifikuar votat. Ne 1996 une nuk votova pasi dija mire fallsitetin dhe kotesine e votimeve, por kusheriri im ne mbrembje erdhi e me takoj. E kemi shpijat shume afer as 30 metra, me peshendeti me te shtenat e pistoletes. Kishte edhe pistolete kusheriri im qe per tre gjenerata nuk ka lene pule e gje pa vjedh! Sapo hyri brenda me tha “ja q… nanet komunistave, 20 vota kam hedh”. Enveri kunder kapitalistave e imperialistave, Sali QENI kunder komunistave. Po Enveri ishte ma kapitalist se kapitalistat e Saliu me komunist se komunistat.
    Le te kthehemi tek analiza e faktet qe sjell Zoteria. Ai thote se ne 2005 kane marre pjese 1.4 milon zgjedhes, ne 2009 kan marre pjese 1.6 milion pra 200 mije zgjedhes me shume ndersa popullsia eshte paksuar me 150 mije banore. Ne kushte normale pa llogaritur inluencen e faktoreve te tjere kemi nje rritje te votuesve ne krahasim me 2005 prej 350 mije votues. Le ta zgjidhim problemin matematik te klases se katert fillore. Ne 1.6 milion te votave jane ndare gati 50% me 50% disa mijera vota me teper Sali Qeni. Duke konsideruar se fallsifikimi behet me sens unik per Sali QENIN kemi 800.000 minus 350.000 baras 450.000 mije.
    Pra PS ne 2009 ka marre gati 800.000 vota.
    PD ne 2009 ka marre gati 450.000 vota (800.000 – 350.000)
    Shuma totale e votueve 2009 =1.250.000 dhe jo 1.600.000.
    Pra pushteti i Sali QENIN dhe klyeshve te tij qe meritojne plumbin ne balle per krimet eshte i paligjshem atehere opozita si pergjigjet para votuesve te saj. Turp per opoziten se do te ishin te ndershem do te jepnin doreheqje te gjithe dhe menjehere te organizonin zgjedhje per Primatin.

  6. ada says:

    Zoti Zaloshnja, keto jane piketa orientimi per opoziten.
    Kush duhet te pergjigjet ligjerisht per shkelje te hapura te ligjit, INSTAT-i,Drejtori Pergj.gjendjes civile,Pone apo Ristani?

  7. stravi says:

    Faleminderit Z. Zaloshnja! Jeni analisti me konkret, e per pasoje, me i besueshmi. Le te dale dikush t’i kundershtoje argumentet qe sillni ju. Ama me numra, jo me llafe kafenesh. Numrat jane “kryenece”. Me ta nuk sillesh dot si me prrallat ala Patozi, apo Paloka. Opozita, nqs nuk ka vene ende mend, le te rrije aty ku eshte sepse ate meriton. Saliut nuk duhet bere me asnje leshim.

  8. tepelenasil says:

    Jo shume dite me pare,nje shqiptar nga zonat veriore,me pohoi kete episod: “Nena ime 65 cjeçe,ishte duke ecur ne rruge,per pune te saj.E ndal nje djale i ri dhe i thote:-Nena,po te jap nje karte celulari.E ke falas.(karta kushtonte 100 leke,te reja!)Nena,mbas nje hezitimi te çastit,e merr karten dhe ben te iki.I thote i riu:-Nene,me jep karten e identitetit,nese e ke me vehte,do ta fotokopjoj ketu prane dhe perseri do te ta kthej.–Po,perse e do karten e identitetit,mor bir?-Thjesht,te di se kujt i a bera nderin?! Dhe,ashtu beri.E fotokopjoi karten e identitetit te nenes sime dhe ia ktheu menjehere.Cila do te jete” mireberja” e ketij te riu apo e atyre qe ia kane ngarkuar kete detyre,ketij apo ketyre te rinjeve a te te rejave?! Mendoj (me siguri keshtu do te ndodhe)ajo karte identiteti e nenes se shqiptarit qe punon e jeton ne Itali,do te shumefishohet ne disa kopje e nena e tij do te figuroje ne disa lista votimi!!!Po sa karta celulari,te dhuruara nga kompanite “mireberese” e qe ia kane “borxh” Sali Berishes?!A e kane konstatuar socialistet kete fakt?Nuk besoj se jo.Votimi fiktiv eshte i njohur ne te gjitha zgjedhjet e deri tanishme,ne Shqiperi.Une kur e degjova,u çudita.Ashtu siç socialistet,nuk duhet te çuditen me shtimin e numrit te votueseve ne Kukes.Kosovaret e zonave kufitare do te kene dite feste ne Qershor te 2013-tes.Do te votojne per vellezerit e tyre kuksiane!!!

  9. tfts says:

    z. zaloshnja, e bën me dashje që e harron aleancën kuqezi me 690 000 votuësë?

    1. kuqezi jam edhe une, says:

      por me duket se partia jone nuk ishte ne gare ne zgjedhjet 2009 dhe 2011, per te cilat flet zaloshnja ketu…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje