Pjesë nga novela “Gjaku” e librit me ese “Në kërkim të zgjedhjeve të humbura” të shkrimtarit dhe publicistit Preç Zogaj
***
Në dhjetor të vitit 2010, ndërsa në Tiranë dhe në Bruksel po e tirrnin akoma çfarë të hetojmë e çfarë të mos hetojmë, kryeministri Berisha, me një kthesë të vrullshme që nuk ishte e tillë për ata që ia njihnin mendjen, i përcolli njeriut të tij në krye të KQZ-së, Arben Ristanit, miratimin për djegien e fletëve të votimit dhe arkivimin e materialeve zgjedhore në Arkivin e Shtetit. Në kushte normale këto veprime i parashikonte Kodi Zgjedhor, por kriza dhe përpjekjet ndërkombëtare për zgjidhjen e saj i kishin ngrirë. Me të marrë sinjalin nga eprori i tij, Arben Ristani firmosi blerjen e pesëqind litrave benzinë për djegien e fletëve.
Në të kaluarën, kur Rama kishte kërkuar të hetohen materialet dhe fletët, Berisha kishte deklaruar disa herë se materialet i jepte, por fletët jo, duke shtuar paskëtaj me krenarinë e një kavalieri se do t’i mbante gjithnjë në ruajtje ato fletë. Nënteksti: provën që kërkoni nuk ua jap, por edhe nuk e zhduk, që të mos mendoni se kam ndonjë merak.
Tani që Brukseli, koha, arsyeja, pse jo dhe lodhja e kishin sjellë Ramën në pozicionin e vjetër të Kryeministrit, kishte rënë ora që ky Kryeministër të hipte në shkallë e të fluturonte, siç thuhej në mbyllje të përrallave popullore.
Fletët do të digjeshin.
Materialet zgjedhore do të kyçeshin në arkiv për dhjetë vjet.
Kështu e kishte ligji. Të kapur dorë për dorë, ligjet shqiptare kishin krijuar një kordon sanitar kundër transparencës. Duke dashur të evitonte me çdo kusht hetimin parlamentar të zgjedhjeve, Sali Berisha e kishte paditur si hermetik dhe antidemokratik legjislacionin e vendit të tij. Çfarë ky legjislacion nuk ishte në fakt.
Fletët e votimit u dogjën me ceremoni në ditët e para të vitit të ri 2011, ndanë një përroi në periferi të Tiranës. Televizionet e thirrur enkas filmuan flakët dhe tymin që ngrihej përpjetë në përqasje të një autodafeje, ku inkuizicioni dënon me djegie në turrën e druve një propozim për paqe.
Përtej flakëve drithëruese imazhi flu i fytyrës së Kryeministrit kishte kapur pre një nënqeshje, të cilën ia kishte qejfi ta tregonte, megjithëse hiqej sikur donte ta fshihte. Për inerci të një zakoni, i frymëzuar prej flakëve të porositura prej tij, ky zotëri po i pozonte ardhmërisë një pamje Luciferi, pa e vrarë mendjen nëse ajo, ardhmëria, do ta shkrepte apo jo aparatin e saj.
***
Po ato ditë, kur përpjekja e gjatë e opozitës dhe e Brukselit për hetimin e zgjedhjeve shqiptare po përfundonte në hi dhe në dry, ish-ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, publikoi në emisionin “Fiks fare” të Televizionit “Top Channel” një video shokuese të regjistruar tetë-nëntë muaj më parë në zyrën e tij, kur kishte qenë ende ministër. Në atë video zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, shefi partiak i Priftit, ishte filmuar me një bllok në dorë në zyrën e këtij të fundit, duke i diktuar porosi e kërkuar favore, përfshirë dhënien e një tenderi një mikut të tij përkundrejt një ryshfeti prej shtatëqind mijë eurosh.
“Shtatëqind mijë ishin për mua”, saktësoi Prifti në një intervistë shpjeguese në Top Channel, duke shtuar: “Meta nuk mund të ma thoshte mua shumën që do të merrte për vete, por merret me mend se shuma e tij ishte shumë më e madhe. Dhe nga burimet e mia rezultonte se ishte shumë më e madhe.”
Për shkak të regjistrimit pirat me mjete të maskuara, kolona zanore e videos nuk ishte krejt e pastër, kishte oshilime, ndërprerje, rënie të volumit dhe kakofoni aty-këtu. Por shifra shtatëqind dëgjohej qartë dhe po ashtu shumë qartë, me zë dhe me figurë, shquhej në ekran sekuenca emblematike, kur zoti Meta ia nxirrte në telefon ministrit aty për aty përfituesin e favorit që do të paguante ryshfetin:
-Urdhëro, foli ministrit!- zoti Meta shihej duke ia kaluar sakaq telefonin e tij celular ministrit Prifti, i cili, duke e ditur se ora-kamera ishte në punë dhe po depozitonte pareshtur filmimin e takimit në laptop, rrinte si një nuse namuzqare që bezdisej pak, por s’mund t’ia prishte shefit të tij.
Biznesmeni matanë, edhe pse padron i dy ministrave në atë rast, fliste me edukatë, i vetëdijshëm se nuk i kishte në dorë pa u marrë letrat dhe pa u rrasur në xhepa shukat e parave. Prifti i kërkoi t’i shkruante atij personalisht një letër.
-Alo, më shkruaj një letër ti mua, mirë? Po, po, mua ma dërgo, mirë?
Kur pas pesëqind ditësh e njëmijë peripecish zoti Meta do të merrte nga Gjykata e Lartë pafajësinë, me argumentin se fakti nuk provohej – domethënë videoja nuk dëgjohej mirë – po ajo Gjykatë, në vendimin e shpallur, do të konfirmonte se ministrit i Jashtëm kishte folur shtatëmbëdhjetë herë në telefon ditën e tenderit me biznesmenin për të cilin ishte bërë gjithë zhurma.
Me paramendimin e përdorimit të videos kur t’ia kërkonte puna dhe nevoja, Prifti i fliste biznesmenit me fraza të përgjithshme, që edhe Metës t’i krijonte përshtypjen se po ia zbatonte porosinë, edhe në dërrasë të kalbur të mos shkelte. Kishte gjetur këtë rrugë ky ministër për t’u mbajtur, për të mbijetuar e ecur përpara në klubin e të pafeve dhe hileqarëve ku e kishte hedhur fati apo ku kishte zgjedhur të bënte lekë: të filmonte të gjithë ata që vinin për t’i kërkuar favore kundrejt ryshfeteve. Në radhë të parë, kryetarin e partisë së tij, zotin Meta, të cilin, siç do të thoshte vetë pas shpërthimit të skandalit të videopërgjimit, e njihte si kapobandë. Mandej njerëzit e kapos. Në të vërtetë këta ishin, s’para kishte të tjerë. Duke i dhënë leje dhe kohë vetes të montonte në zyrën e tij apo gjetkë një sistem përgjimi nëpërmjet orës së murit, zoti Prifi i kishte ngritur një pusi të madhe korrupsionit, por ndërkohë kishte celebruar aleancën e karrierës së tij me dobësitë, ligësitë dhe sëmundjet e tjera të natyrave të prishura. Në vartësi të rrethanave, ai do ta përdorte atë video hem si luftëtar, hem si shantazhist.
Prifti, në fakt, e plasi në media videon e famshme tetë-nëntë muaj pas regjistrimit dhe pesë-gjashtë muaj pas shkarkimit nga detyra e ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës. Nuk mund ta dimë a e përdori apo jo atë video për t’i zënë kokën me derë Ilir Metës para dhe pas shkarkimit nga detyra. Por Berishës ia çoi. Edhe pse mund ta dinte se po e vinte në vështirësi të madhe Kryeministrin dhe zor se do të nxirrte ndonjë gjë prej tij. Mes Priftit si individ dhe Metës si kryetar partie, Berisha do të zgjidhte kryetarin e partisë. LSI-ja ishte forca e vogël që e mbante në pushtet. Për pushtetin jepte gjithçka. S’bëhej fjalë të përfillte një video si ajo që i kishte sjellë Dritan Prifti.
Berisha s’begenisi as ta shikonte videon në fjalë. Ndoshta e mendonte edhe më të shëmtuar sesa ishte në të vërtetë. Dikur në opozitë e kishte vuajtur seriozisht zhvatjen e Shqipërisë prej duarve grabitqare të zyrtarëve të korruptuar. E kisha besuar vuajtjen e tij dhe kisha vuajtur edhe unë me të kur e kisha dëgjuar të thoshte nën zë në zyrën e tij: “E kanë vënë nën këmbë këtë vend dhe s’mendojnë gjë tjetër vetëm si t’i shqyejnë ndonjë copë”. Një përbetim i madh vibronte brenda asaj vuajtjeje. Shqyesit e Shqipërisë do ta paguanin shtrenjtë kur populli ta sillte përsëri në pushtet atë njeri. Por mjerisht, me kalimin e kohës, sidomos në mandatin e tij të dytë si kryeministër, Berisha ishte pajtuar me këta shqyes. Dukej paradoksale, por pikërisht vesi i shqyerjes ishte koaguluesi dhe garanti i besnikërisë dhe kohezionit në koalicionin e tij. Berisha u kishte dhënë Metës me shokë tri ministri, si tri lopë qumështore dhe i kishte lënë të lirë të bënin ç’të donin me to. Duke u dalë kësisoj nga gjykimet steriotipe si dorë e hekurt që nuk lëshon asgjë, por duke i futur ndërkaq në ngasje ata të LSI-së. “Jooo, s’na ndërhyn dhe s’na nget për asgjë”, thoshte Meta lart e poshtë. Thoshte të vërtetën. Ndoshta mendonte se në këtë mënyrë i bënte reklamë zotit Berisha. Më fakt, pa dashje, bënte të kundërtën: akuzonte një kryeministër që nuk e kishte qeverinë nën kontroll; akuzonte një qeveri që kishte humbur kuptimin e drejtimit unik, siç është rregulli elementar në çdo qeveri të botës; akuzonte një qeveri që funksiononte me parimin “çdo parti çifligjet e veta”. Kjo ishte formula e unitetit që zbatonte Berisha në koalicionin e tij. Të bëjnë barrë të gjithë. Ai, pra, nuk do të skandalizohej po të shihte skena të ulëta në videon që Prifti ia kishte lënë në dorë si patate përvëluese. Kishte neveri t’i shihte. Dhe kryesorja: Shikimi e bënte dëshmitar, e komprometonte, e kapte në rrjetën e dijenisë, ndërkohë që mosshikimi e shpëtonte njëfarësoj nga këto telashe të ndërgjegjes.
E la Dritanin të bënte ç’të donte me videon e tij. Ky ishte çasti i ndarjes së palumtur, për të mos thënë edhe të dhimbshme të Sali Berishës me deputetin që kishte mundësuar rilindjen e tij në karrigen e Kryeministrit të nesërmen e zgjedhjeve të 29 qershorit. Kush nuk e mbante mend! Berisha kishte mbetur në kufirin e fitores, si Tantali mitologjik, pa e prekur dot. I duhej dhe një deputet. Një deputet baras me pushtet. S’kishte ku ta merrte më. Ç’kishte qenë për të shtrydhur e kishte shtrydhur nga Jugu në Veri. Fitorja nuk ishte bërë që nuk ishte bërë. Por fati e kishte parë në orën më të keqe me dorën e ngritur të Dritan Priftit. Sapo ishte siguruar se ishte zgjedhur deputet, Dritani i kishte çuar me media lajmin “jam me ty”. Ky kishte qenë mandati i çlirimit të Berishës nga mundimet. Një mandat me shijen e trefishtë: të fitores, një; të rimorkimit të LSI-së në koalicionin qeveritar dy; dhe të tjetërsimit pa teklif të një mandati që ishte marrë me sloganin e largimit të tij nga pushteti dhe po përdorej për mbajtjen e tij në pushtet, gjë që përkëdhelte besimin e tij se respektohej dhe adhurohej edhe nga e majta.
Po, po! Ishte një gjë për të mos u harruar ajo që kishte bërë Dritani! Mirëpo politika nuk jeton në kujtime. Mirënjohja në politikë duhet të jetë një ndjenjë e vdekur, kur nuk përputhet me interesat dhe llogaritë e momentit. Dritan Prifti u end andej- këndej një verë dhe një vjeshtë me minën e tij me sahat, që nuk po trembte njeri. Ndërkohë lajmi se ai kishte jo një por disa video “shkatërruese” kishte marrë dhenë. Ishin të pakët njerëzit në opozitë dhe në media që nuk kishin dëgjuar për të. Kurioziteti, pritja, një lloj dëshire e krerëve të opozitës për të mësuar më shumë, përzier me shpresën se mos me “minat” e Dritanit mund të arrinin çfarë nuk e kishim arritur dot me valën e protestave madhështore – të gjitha këto kishin bërë që figura e zotit Prifti të rrethohej me një kërshëri të veçantë. Natyrisht, interesimi i opozitës ishte joshës dhe nxitës për zotëruesin e videove. Ai, me gjasë, kishte filluar t’i lejonte disa nga miqtë e tij në opozitë të shihnin ndonjë gjë të vogël, si nga vrima e çelësit, në “dhomën” e tij të sekreteve. Personat që thoshin se kishin parë sekuenca të videove të Dritanit- nuk dihej sa e vertetë ishte kjo- kishin përhapur në mjedisin opozitar lajmin se kishin parë në ato skena fundin e pashmangshëm të qeverisë. Këta i kishin përkëdhelur zotit Prifti sedrën e heroit, gjithnjë nëse ai dëshironte të bëhej i tillë në perspektivën e fitores së ardhshme të opozitës.
Këto gjëra kishin ndodhur, por nuk mund të themi se kishte një koordinim të mirëfilltë të opozitës me projektin e zotit Prifti për publikimin e videos. Ky i fundit ishte autonom në gjithçka kishte menduar të bënte. Ma merr mendja se, teksa llogariste të mbante për çdo rast një derë të hapur nga opozita, synimi i tij ishte të impononte largimin e Ilir Metës nga qeveria dhe LSI-ja, duke rimarrë ai vetë atributet e gjilpërës së peshores në qeverinë e Berishës. E kishte kuptuar se Berisha kishte vetëm një merak, vetëm një ide, vetëm një qëllim: të rrinte! S’kishte rëndësi me kë, si dhe qysh.
Prifti ia dorëzoi videopërgjimin e bisedës së tij me Ilir Metën drejtorit të emisionit “Fiks Fare”, Filip Çakulli. Ky e transmetoi siç e mori mbrëmjen e 13 janarit, duke shkurtuar në transmetim disa fragmente parazitare që nuk kishin lidhje me pjesën ku shpalosej skandali.
Ajo ka qenë një mbrëmje shokuese për shumicën e shqiptarëve. Pasi u dha në “Fiks fare”, videoja u mor dhe u ritransmetua në kor nga shumë televizione të tjera, sidomos pjesët pikante ku flitej për paratë. Shqipëria të nesërmen gdhiu në pupla. Por Kryeministri i habiti të gjithë, deri edhe mbështetësit e tij, kur iu vu punës me mish e me shpirt të ndërtonte një fabul të manipulimit të videos, duke u kapur pas shkurtimeve për efekt transmetimi që kishte bërë “Fiks fare”. Të gjithë e njihnin pasionin e këtij njeriu për karrigen, por pakkush e kishte menduar se ai do të ndërmerrte një kryqëzatë kaq irracionale kundër “Fiks fare” dhe një fushatë kaq autodemaskuese në mbrojtje të Ilir Metës. Teoritë e tij të komplotit opozitar në një studio montazhi jo vetëm nuk ngjitën, por lanë pas ilaritetin e mungesës së logjikës elementare. Në fakt, duke reklamuar me forcë manipulimin e videos nëpërmjet shkurtimit, Kryeministri e pohoi atë integralisht edhe për pjesën e shkurtuar, të cilën publiku i gjerë pati rastin ta shihte pa ndonjë interes vetëm pasi “Fiks fare” dhe emisioni “Top story” i Sokol Ballës, për t’u mbyllur gojën spekulantëve, e transmetuan të plotë.
Figurën, zërin dhe fjalët e asaj videoje i konfirmoi edhe Ilir Meta në reagimin e tij të parë të nesërmen e transmetimit, por duke reklamuar një domethënie tjetër të fjalëve të përdorura. Shifra shtatëqind, tha ai, ishte përdorur në një kontekst tjetër, jo në atë të ryshfetit. Ai u mundua t’i vishte një fabul të tijën gjithë takimit në zyrën e ish-ministrit Prifti. Në fillim i ra gjoksit se do t’i qëndronte deri në fund sulmit “të orkestruar nga Rama”. Pak orë më vonë e pa veten në rrethimin e frymës së revoltës që po ngrihej në gjithë vendin dhe u shtrëngua të jepte dorëheqjen. Ky gjest i tij nuk e uli, megjithatë, adrenalinën e një publiku që ishte bombarduar nëpër vite me bëmat e kuçedrës së korrupsionit në sferat e larta dhe ëndërronte prej kohësh t’i qepej një peshku të madh.
Indinjata e provokuar nga videoskandali dhe ajo e poshtërimit të opozitës për kutitë ishin përzier si dy degët e një lumi të madh që endet andej-këndej pa drejtim. Ky ishte janari shqiptar i vitit 2011. Edi Rama ishte prej javësh, para se të dilte videoja, nën presionin e publikut opozitar dhe aleatëve të tij për të thirrur një protestë të madhe si atë të 26 nëntorit 2009, apo 30 prillit 2010. Tani që kishte dalë edhe videoja dhe Kryeministri kishte zbritur personalisht në fushën e betejës për të zhurmuar efektet e saj, presioni ndaj tij ishte akoma më i madh. Në një takim të Opozitës së Bashkuar në zyrat e Partisë G99, e la sërish veten të bombardohej nga kërkesat e aleatëve për të thirrur një protestë. Spartak Ngjela, kryetari i Partisë “Ligj dhe Drejtësi”, shkoi edhe më tutje. Tha se me djegien e fletëve, me daljen e videos dhe me mbrojtjen që po i bën kryeministri Sali korrupsionit, koha e protestës ka mbaruar. Tani i duhet bërë thirrje popullit të dalë në demonstratë. Ku ishte dallimi mes protestës dhe demonstratës? Pyetja qëndronte vetvetiu pezull. Nuk ishte nevoja të përgjigjej njeri. Demonstrata nënkuptonte një nivel më të lartë të ushtrimit të forcës. Demonstrata nënkuptonte përplasje. Pak a shumë si në Tunizi dhe Egjipt, ku protestat e zgjatura të opozitës kishin çuar në largimin e presidentit Ben Ali në Tunizi dhe po tronditnin nga themelet regjimin autarkik të presidentit Hosni Mubarak në Egjipt.
Rama dëgjonte me një pamje të menduar dhe pak të ngrysur. Përtej mëdyshjeve të jashtme, kuptohej qartë se i pëlqente ideja e një demonstrate të madhe. Por nuk vendosi gjë atë ditë. Ndërkaq, u kërkoi aleatëve të flisnin para mediave që prisnin jashtë. Parada e tyre doli e nxehtë prush. Vetë Rama gjeti rastin të kalonte pa folur, ndërsa aleatët po intervistoheshin. Me kryetarët e përndezur të partive aleate në sfod, dukej sikur po dilte nga një fonderi.
Pak ditë më vonë, kur situata ishte bërë mjaftueshëm inkandeshente, Rama shpalli 21 janarin si ditë të zemërimit të shqiptarëve me qeverinë e tyre. E quajti demonstratë. Sqaroi se nuk do të kishte tribunë dhe fjalime si herë të tjera, se opozita do të ishte pjesëmarrëse aktive, por jo drejtuese e demonstratës. Demonstrata do të ishte e qytetarëve, e gjithë atyre që nuk pajtoheshin me çfarë kishin parë e dëgjuar në videoskandalin Meta-Prifti si maja e ajsbergut e një qeveria të korruptuar deri në palcë. Në pamje të jashtme kjo bëhej për të mbledhur në bulevard edhe të zemëruarit e partive të tjera apo qytetarët pa parti, që nuk mbështesnin politikisht PS-në dhe Opozitën e Bashkuar. Shpjegimi kishte logjikë, por nuk kishte jehonë në kakofoninë e retorikës së përplasjes. Përveç kësaj, teza e demonstratës pa drejtim kishte dykuptimësi.
Shqipëria opozitare po nxehej si në një rit dervishësh. Duke parë çfarë bastesh të rënda po viheshin, Rama filloi t’i mëshonte kumtit se demonstrata do të ishte paqësore.
(VIJON NESER)