100 vjet pushtet, jo shtet

26 Nëntor 2012, 19:43Blog TEMA

Nga Xhovani Shyti

Propagandë e bujshme, debate, polemika,dokumente të vjetra e të reja, mburrje e britma triumfi, gjoksngrehje dhjeramanësh, përgatitje dhe derdhje fondesh pa hesap, kope deshësh e delesh të shitura për qengja. E gjitha për një qëllim: festimin mesa më shumë madhështi folkloriko-arkaike të atij që propagandohet si 100 vjetori i ekzistencës së shtetit shqiptarë. Që ende nuk di kush të thotë, me kompetencë, nëse është real apo trill politik i Sali Berishës, që, sikurse homologu i tij komunist, apo mbreti Zog, për mëse dy dekada vazhdon të sundojë politikën shqiptare. Në gjithë këtë kakofoni, ku flamujt Kuq e Zi pritet të përzihen me gjakun e 1000 deshve e qengjave, që pritet të theren në sheshin para Akademisë së Shkencave, një fakt është i sigurt; Në 12 Nëntor të vitit 1912 në ballkonin e një shtëpie vlonjate, Ismail Qemal Vlora, ish diplomati shqiptar i plakur në sarajet e sulltanatit shekullor turk, shpalosi flamurin simbol dhe,sikurse shënohet në dokumentin e vjeshtës së tretë,me nr. 1328/1912, që ka vendimuar aktin, e shpalli Shqipërinë: më vete, të lirë e të mosvarme. Domethënë të papushtueshme nga peshkaqenët ballkanik e më tej.

 

Ky ishte aksioni veprues, i zyrtarizuar si akt me firmëhedhjen e 40 firmëtarëve përfaqësues të gjithë trojeve shqiptare. Valëvitja e flamurit ishte përmbyllja, fundi i sundimit disashekullor otoman dhe shmangie e rrezikut të të tjerë pushtimeve, atëkohë  po trokisnin në portë. Por ishte njëherësh edhe fillimi i një procesi, që ende nuk ka përfunduar. Pasi, referuar gjurmëve të historisë, shteti i themeluar 100 vjet më parë e i vazhduar deri në sotmëri, asnjëherë nuk ka qenë për shqiptarët në kontekstin e plotë leksikor të kësaj fjale. Asnjëherë nuk ka qenë në shërbim të shqiptarëve popull, por vetëm të esnafit drejtues. Të qeverisësve, që me pushtetin e shtetit e kanë sunduar. Sepse shteti, shqiptarë vërtetë ka qenë dhe është ekzistentë, që nga 1912, në atë që thirret konstitucioni administrativ i një vendi, por si anë më të qenësishme të tij ka pasur pushtetin. Pushtetin e një pakice: të prijësisë, të klanit,të bajrakut, të oborrit mbretëror, të byroistëve, të bllokistëve dhe uzurpatorëve votëvjedhës, që e përdorin shtetin për pushtetin e tyre. Për pushtetin individual. Për të përfituar privilegje individuale, duke mos u preokupuar fare për prosperitetin dhe mirëqenien e atij që dikur thirrej popull, kurse në modernitetin e sotëm taksapagues. 100 vjetori i shtetit apo i pushtetit?

 

Përgjigja e kësaj pyetjeje përbën fillin e kalvarit të pafundtë. Të nisur, ndoshta edhe më parë se data 12 Nëntor 1912, kur dyzetë firmëtarët zyrtarizuan pavarësinë, lirinë dhe mosvarjen  e shtetit shqiptar. Të shtetit apo të pushtetit?

 

Një pyetje që ja vlen të hidhet mbi tryezë, pasi dhënia e një përgjigjeje sa më të saktë rreth saj ka më shumë rendësi se pohimi ngulmues për qenien e Shqipërisë shtet i pavarur, me moshë 100 vjeçare. Ka shumë më shumë rendësi se ditirambet, se konkurset, se tortat dhjetërametroshe, se milionat e hedhura për dekorin dhe shpërblimin e rapsodëve, madje edhe se 2000 kurbanët që pritet të gjakosin një nga sheshet e kryeqytetit, a thua se kemi festë kurbanesh dhe jo pavarësie,lirie e mosvarësie. Por, përgjigja e pyetjes 100 vjet shtet apo, pushtet ka më shumë rëndësi për të ardhmen. Për atë që pritet të vij paskëtaj e që lidhet me qenien e individit shqiptarë në funksion të pavarësisë së shtetit apo të pushtetit. Domethënë të qenies në funksion të Njëshit, që  e shfrytëzon hijen e shtetit për pushtetin e vet e të sojsorollopit shërbestar? Një raport siamezik ky, ku më së shumti, prijësia ka ecur me shumë sukses ndër këta 100 vjet, por jo shqiptarët. Prijësia e pavarur, e lirë, e mosvarme nga sundimi defakto i të huajve pushtues, në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale, por jo shqiptarët që varësinë dhe kufizimin (pse jo dhe mungesën) e lirive e të drejtave universale e kanë vuajtur dhe vazhdojnë ta vuajnë edhe sot e kësaj dite. Një vazhdimësi konsistente kjo, që referuar historisë dëshmohet të ketë qenë prezent edhe kur vendi është qeverisur nga esnafi politik i kohës së  mosvarësisë. Por edhe nga sundimtarët e monarkët, nga diktatorët e ardhur më pas, apo nga vrasësit e të drejtave dhe lirive demokratike, që ende marrin guximin të ekzistojnë.

 

Pushteti i shqiptarëve prijëstarë, mbi shqiptarët popull del të ketë marrë rrugë së bashku me themelimin e shtetit të parë. Domethënë që më 1912 e më tej. Që atëherë kur në emër të shtetit një grup i pushtetshëm gjymtoi të vërtetën historike. Shfrytëzoi foshnjërinë e shtetit për të falsifikuar, për të kthyer në hije e për të hequr fakte e personazhe historik. U sfumua deri në mosekzistencë figura e Bab Dud Karbunarës (alias: Jorgji Karbunara), e plakut të urtë, e mësuesit mëmëdhetar, të torturuar e poshtëruar nga dumbabistët, ndërkohë që u lartësua figura e xhelatit të tij, e banditit Haxhi Qamili. Edhe sot shtëpia e mësuesit të ndjerë qëndron e gërmadhizuara në mes të kalasë së Beratit, ndërkohë që baraka e fshatarit tiranas Haxhi Qamili u shpall muze. E vërteta dëshmon se Bab Dud Karbunara u spostua pasi në mbledhjen formuese të qeverisë së 1912 (saktësisht në mbledhjen e IV, të mbajtur në dtaën 3.12.1912), këmbënguli të respektohej përbërja religjionale e popullsisë dhe kabineti qemalist të mos ishte i përbërë i gjithi me myslimane, sikurse po ndodhte. Një konstatim ky që u përkrah edhe nga Pandeli Cali, Dhimitër Berati e Qemal Elbasani. Figura këto që po për të njëjtën arsye, ma do mëndja, kanë mbetur po aq në hije ndër vitet që do të vijonin historinë. Në këtë këndvështrim Bab Dud Karbunara së bashku me ta, por, ndoshta edhe të tjerë, janë viktimat e para të të pushtetshmëve shqiptarë që flisnin në emër të shtetit. E pushtetit të të pushtetshmëve, që, historikisht, e ka sunduar shtetin e shqiptarëve.

 

Në emër të themelimit-modernizimit e konsolidimit të shtetit shqiptarë, Ahmet Bej Zagolli u shpall në fillim president-kryeministër e më pas Monark. Si në sistemin republikan ashtu edhe në atë monarkik të Shqipërisë në pah del vetëm një pushtet, pushteti i Ahmet Zogut. Për hatër të mbajtjes së të cilit ai nuk ngurronte të bënte gjithçka. Të flirtonte me të huajt, të tregtonte troje të atdheut, e të mos ngurronte t’ia mbathte larg tij, duke grabitur madje edhe kur nevoja e shtetit nuk ja lypte këtë. Në gjithë këtë histori rreth dy dekadëshe i humburi i madh nuk është pushteti zogollian, por shqiptarët që e shtynin jetën me qiri, duke u pllaquritur ndër baltovinat e rrugëve. Shqiptarët e cfilitur nga jeta mizerabël, që qenë të detyruar ta jetonin në shtetin e pavarur, por të varur nga pushteti absolut i monarkut. Nga të drejtat dhe liria e mirëqenshme e oborrit, që mbante peng të drejtat dhe liritë e shqiptarëve…Dhe kështu historia vazhdoi.

 

Në emër të shtetit të gjithëpopullit komunistët fituan pushtetin e pasluftës së Dytë Botërore dhe nga demokraci popullore e shndërruan Shqipërinë në pushtet të Enver Hoxhës dhe bllokistëve të tjerë. Një faqe pushteti sa e errët kjo aq edhe e spikatur për të vlerësuar të keqen që i ka ardhur ndër këto 100 vjet pavarësi Shqipërisë, nga pushteti i shtetit. Nga pushteti që i përqendruar në dorën e Enver Hoxhës,krahas jo pak zhvillimeve, mbolli edhe kasaphanën. Tragjedinë me mijëra të vrarë,me mijëra të burgosur e dhjetëra mijëra të internuar. Gjithçka në emër të shtetit të së drejtës, pas të cilit fshihej pushteti i disave. Pushtet që ja privoi thellësisht  shumicës lirinë e zgjedhjes, lirinë e shprehjes, lirinë e lëvizjes. Duke e lënë gjallë, por me triska e tollona…

 

U duk se shembja e Murit të Berlinit do të shembte dhe fenomenin e mbrapshtë shqiptarë të shfrytëzimit të fuqisë së shtetit të të gjithëve për pushtetin e disave, por kjo nuk ndodhi. Të kryengritur në vitet ‘90, me besimin se po e shkulnin këtë diademë, shqiptarët do të mbeteshin të shushatur kur, veç ca vite më pas do ta shihnin Shqipërinë të ndezur flakë. Të djegur e shtetshkretuar,të sakrifikuar për të ruajtur pushtetin. Sërish të një njeriu, të një individi, të Sali Berishës. Që për pushtetin e tij se ka për gjë të kriminalizojë proceset zgjedhore, të kriminalizojë jetën social-ekonomike; Të përzgjedhë si formë qeverisjeje demagogjinë, mashtrimin e gënjeshtrën, të shkelë të drejtat e liritë universale të gjithë atyre që nuk i shkojnë pas në sjelljen antishtet. Të qëllojë e vrasë, kur nuk duhet, të përgjakë protesta e greva, të mos pyesë për Kushtetutë, ligje, gjykata, parlament e opozitë. Të jap shtetin me gjithçka, për hatër të ruajtjes së pushtetit të tij, me çdo kusht. Një fat tragjik që është prezent edhe në këtë përvjetor të njëqind të krijimit të shtetit shqiptarë. Të shtetit të lirë e të mosvarur nga sundimi i huaj , por jo nga ai i pushtetit të esnafit politik shqiptarë. Për hatër të sjelljes së padenjë shekullore të të cilit festa e 28 nëntorit 1912, që pritet të kurorëzohet, më tepër ngjan me një sajesë politike sesa me një realitet.

 

3 komente në “100 vjet pushtet, jo shtet”

  1. Juliani says:

    Nje shkrim i qelluar,qe te ve ne mendime.Ky fat i keq na ka ndjekur ne shqiptareve dhe sot na ndjek. Shume pak kane bere ata qe autori e theret me emrin esnafi politik per shqiperine dhe per ne shqiptaret.Per veten e tyre po kane bere male me perfitime. turp i madh. ta duam atdheun por jo qe ai te jete begati per ata qe qeverisin dhe varferi e halle per popullin. cfare eshte kjo keshtu. shihni popujt e europes, jetojne me nivele te ndryshme pasurimi por jo me udheheqes qe pasurohen pa mbarim dhe popull shume te varfer sic jemi ne. po shpenzohen para pa fund per kete 100 vjetor, kur borxhi po ritet. mund te festohet dhe pa shpenzime te teperta. Une nuk e njoh shume historine por ato qe rreshton shkrimi jane te verteta. Bravo Tema qe boton shkrime si ky.

  2. agimkolldan says:

    E megjithate askush s’mundi ta pengoje driten, edhe pse kukuvajkat e pushtetit kane ndjellur gjothmone erresiren

  3. Hilmosi says:

    Te lumte Xhovani Shyti, koment qe sdo koment eshte pare dhe po shifet ky 100 vjetor
    Pershendetje shume te sinqerta

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje