Kuq e Zi!

26 Nëntor 2012, 20:11Blog TEMA

Nga Beqë Cufaj

Para kemi një javë të stuhishme, e cila nëse prisnim që do kulmonte të mërkurën, me festën e 100- vjetorit, dhe të enjten, me lirimin e Haradinajt… shohim që në fakt rrufeja krejt papritur nisi qysh të shtunën. Me paraburgimin e Limajt me ish- bashkëluftëtarët. Dhe kjo nuk ngjet rastësisht.

Sepse, nëse nuk e dini: lajmi për arrestimin e Fatmir Limajt së pari qysh në paraditen e së shtunës u shfaq në portalet serbe të lajmeve (Blic- pse pikërisht Blic?, dhe më pas B92, Tanjug etj.). Kurse vetëm në orët e pasdites së vonë tek mediat tona dhe fare në fund, në “aksham” pazarin e së shtunës u realizua ajo që tash po i themi “paraburgimi” i të dyshuarve për rastin “Kleçka”. Që ironia të jetë edhe më e madhe: të njëjtat media në Beorgad sa informonin në të njëjtën kohë zyrtare/ë përgjegjës të EULEX-it “zyrtarisht” thoshin që nuk kanë çfarë të deklarojnë.

Që krejt ky aksion të jetë edhe më i dyshimtë, është që rrallë, apo pothuajse kurrë nuk ngjet që ata të jenë më të shpejtë se ne: nga gazetat përmes portaleve. Ka kaluar koha kur gazeta e gazetarë Beogradi dinin për Prishtinën para se ne të merrnim vesh se çfarë na pret. Dhe këtu nuk ka si të mos shohim një kleçkë prapa kësaj Kleçkës që Limajt dhe shokëve të tij po u ngjet qe sa e sa vite. Nuk mundemi sepse s’kemi argumente të qarta të themi që kjo masë parandalimi është bërë me “urdhrin” e dikujt në Beograd. Aq më pak të ish- shokëve të Limajt në Prishtinë. Por që lë vend për dyshim, që (sërish) një lojë e keqe po luhet- në këtë të mos dyshojmë, tregon vetëm ky detaj kaq i parëndësishëm në shikim të parë dhe esencial në shikim të mirëfilltë.

Le ta kërkojnë dhe analizojnë- edhe avokatët edhe miqtë e Limajt sesi Blic e B92 në ora 11:00 të së shtunës raportonin që “u toku je hapsenje Limaja” kurse ky shëtitej shtigjeve të Shqipërisë, shokët e tij të luftës promovonin përmendoren e Isa Boletinit në Mitrovicë kurse gazetarët tanë të të gjitha mediave në Prishtinë me hurbë kafeje e rakie të së shtunës nuk prisnin asgjë të jashtëzakonshme.

Rasti i Limajt nuk ka si të mos reflektojë atmosferën e tensionuar pas lirimit të Gotovinës e Markaçit dhe pritjen për lirimin e Haradinajt këtë javë. Serbisë, Beogradit, duhet dhënë diçka. Dhe pikëçuditëse! Kështu e shohin pensionerët dhe praktikantët e EULEX-it në terren këtë hesap dhe duan të na shesin “drejtësi” në honin ballkanik ku jo vetëm që jemi larg drejtësisë e pajtimit, por faktikisht vazhdojmë të sillemi në qarkun e purifikimit të një kuazi “dialogu” e “pritjeje” për ndarjen përfundimtare. Me ish- nacionalsocialistë dhe klerikë serbë në pushtet të cilët kurrën e kurrës nuk do të heqin dorë nga synimet e tyre për “rikthimin” e Kosovës në gjirin e tyre.

Që ironia të jetë e madhe, derisa dua të mbylli këtë kolumne, shoh në portalin e kësaj gazete një lajm që nuk ka si të mos jetë më tepër se tronditës. Presidentja e vendit, me një buzëqeshje e cila si zakonisht shfaq atë paaftësinë e saj deri në perversitet, në një konferencë të organizuar nga Ambasada Britanike në Prishtinë, u drejtohej të pranishmëve për një prej, e përsëris vetëm me një prej plagëve të rënda, misterioze, të tmerrshme dhe për të klithur deri në qiejt e këtij gadishulli: 20.000 gra, nëna, motra e vajza shqiptare të dhunuara në luftën e Kosovës në vitet 1998/99! Dhe asnjë i dënuar.

Vetëm ky element dhe pa hyrë në krejt masakrat e mëdha serbe ndaj shqiptarëve, do të duhej të mendonte se sa poshtë kanë rënë (moralisht!) gjithë ata ish-luftëtarë sot të veshur me rroba politikanësh që mjaftohen me deklarata dhe llafe mejhanesh duke “mbrojtur” luftën çlirimtare të shqiptarëve ndaj shtetit serb të Milosheviqit.

Që Serbisë dhe Sllobës së Vogël dhe Toma Grobarit t’i bëhen këso koncesionesh në emër të “drejtësisë” në “Kosovën e pavarur”, nuk do koment.

Fakt është që skuqja e Kosovës duket që gjithmonë duhet të vishet edhe me të zezën që ish-pinjollët e Pashiqit e Çubrilloviqit, Milosheviqit e Sheshelit po arrijnë të na e shtrijnë edhe javën e 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar dhe në prag të kthimit të përhershëm të Ramushit në Kosovë!

Kuq e Zi!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje