Ti je kopja e...!

6 Dhjetor 2012, 21:26Blog TEMA

Kopjohet logoja dhe monumenti i 100 vjetorit; kopjohen këngë, kopjohen modele flokësh; kopjohen qëndrime të moderatorëve të huaj, e deri në mënyrën si mbajnë duart, kopjohen teza doktorature e masterash, kopjohen programe partish… kopjohet deri edhe mënyra si bëhet qejf!

Nga Koloreto Cukali

Nga kopjet, na ndodhi batërdia që po e festojmë 100 vjetorin me flamuj të deformuar e me mutacione. Sepse, dikush i ra fare për shkurt, download-oi foton e parë që gjeti nga interneti dhe e futi në prodhim në seri. Mund të ketë edhe ndonjë konspiracion të vogël nga pas, ta zëmë një shtet që “nuk na e do të mirën” (në psiqikën tonë kombëtare e kemi edhe këtë koncept, shtete që nuk na e duan të ‘mirën’!), vendosi të tallet ca e ta përdhosë gëzimin tonë… si ata nxënësit që qëllimisht ua japin kopjen gabim të dobtëve. Flamujt mbushën tregun, ballkonet e makinat. Dhe një nxënësi që është mësuar të mbijetojë në shkollë veç me kopje, as nuk di se si, e as nuk e ka mendësinë e të kontrolluarit të asaj që “i falin”.

Biles edhe rrahja e gjoksit me grusht, (më shumë se rudiment) mund të shihet si një kopje e pafajshme nga gorillat. Fundja, ne sa lindim, marrim vesh nga farefisi që “ti je kopja e…” si një element gëzimi. Duket sikur fëmijët që nuk i ngjajnë askujt përbëjnë problem. Kopjet, janë më të sigurta. Fisi qetësohet.

Kopja, Zanafilla

Në filmin “Anija e Ëmbël” të Daniele Vicarit (shfaqur në TIFF 2012), një film që trajton dramën e 20 mijë shqiptarëve që rrëmbyen anijen që transportonte sheqer, “Vlora”, dhe kapërcyen me të detin deri në Bari, ka një skenë që më është shtampuar, për të mos ikur më, në kujtesë. Të mbyllur brenda në stadiumin e Barit, të ‘fortët’ grumbullohen bashkë dhe krijojnë zonën e tyre të influencës. Madje, ata shtien në dorë dhe nja dy vetura, dhe ekipet e TV-ve italiane kanë mundur të xhirojnë sesi ata i përplasin veturat me njëra-tjetrën, me egërsi, duke xhiruar gomat në qendrën e fushës së blertë.

Te kjo sjellje mund të zbulosh shumë tipare të shqiptarit të atyre viteve (që nuk është më larg këtij të sotmit). Bëhet fjalë për njerëz që për herë të parë, ndoshta, hipnin në një veturë. Dhe gjëja e parë që bënë ishte të kopjonin filmat me ndjekje të dhunshme që kishin parë në TV.

Kopja rikthehet

Kopjet janë metodë veprimi jona, e përditshme, paçka pse na hedhin poshtë shi ato vlera që ne i trumbetojmë me të madhe, nderin, zgjuarsinë, pasurinë. Njeriu që kërkon kopje me të tëra mënyrat është në fakt një njeri pa nder. Përveçse vjedh pronën e dikujt tjetër, çka e bën të vobektë me atë që po kërkon (pasuria!), përveçse kopja tregon paaftësinë për t’ia dalë vetë (zgjuarësia!), të lypurit e të jetuarit në kurriz të asaj që kanë bërë të tjerët, është një mënyrë jetese pa nder. Kujtoni fytyrën e atij që ju kërkonte kopje në gjimnaz, kujtoni çdo detaj të fytyrës e të shikimit, për ta kuptuar këtë. S’ju kujtohet asnjë? Epo, dikush ju mban mend.

Kopja e zezë

Në një festival filmi të shkurtër, dikush kish marrë një tregim të Heminguejt e i kish vënë sipër emrin e vet si skenarist. Nuk ishte një përshtatje, ishte një kopje mot à mot nga origjinali, që nuk ishte cituar as si burim frymëzimi. Edhe unë kam ‘kopjuar’ titujt e filmave me Batman, duke i përshtatur si mestitujt të shkrimit. Ne e kemi kthyer kopjen në standard jetese.

Kopjohet logoja dhe monumenti i 100 vjetorit; kopjohen këngë, kopjohen tekste këngësh, kopjohen modelet e flokëve të Rihannës e Gwen Stefanit; kopjohen pps-rat që vinin me emaile e tani postohen në FB; kopjohen qëndrime të moderatorëve të huaj, e deri në mënyrën si mbajnë dosjen a duart, si flasin a si qeshin; kopjohen teza doktorature, masterash e çfarëdo lloj pune tjetër shkollore e akademike; kopjohen programe partish, ide elektorale e deri edhe tag line fushatash; kopjohen logo televizionesh e skenografi emisionesh; kopjohen skenarë të pamiratuar e të varrosur në sirtarë por që më pas miratohen; kopjohen deri dhe piktura; kopjohen festat e huaja… kopjohet deri edhe mënyra si bëhet qejf!

Dhe pas tërë kësaj, kopja nuk është më e zezë. Ne nuk mund t’ia pranojmë vetes që standardi ynë është i zi. Vetë jeta jonë kthehet në një kopje, por ne nuk na bëhet MË vonë.

Shumë përtuan t’i ndërrojnë flamujt e pasaktë. “Hajt, se punën e bën”.

Kopja për gjithmonë

Komoditeti që të ofron kopja, është global, jo vetëm shqiptar. Ndryshimi qëndron tek mënyra sesi shoqëria e percepton dhe e dënon. Tezat e doktoraturës mund të kopjohen edhe në Gjermani. Por, atje, një ministër apo kryetar parlamenti që zbulohet me tezë të kopjuar e nxjerrin në pension, dhe me turp. Në Fanarin në Breg të Adriatikut nuk guxon as t’ua përmendësh.

Në Fanarin në Breg të Adriatikut, kopjacët shikohen me nderim e respekt, qysh në bankat e shkollës. E kundërta, ata që nuk japin kopje, përbuzen e përqeshen, deri edhe dhunohen nga shokët e klasës. Denigrimi i atij që mëson, që lodhet e që punon për të arritur diçka është krimi më i madh ndaj së ardhmes. Ne po krijojmë gjenerata kopjacësh, që dhe kopjen e marrin me dhunë, ose, tani vonë, me teknologji. Teknologji, e përdorur në mënyrën më negative e kundër-produktive të mundshme. Pa folur për faktin se te ne kopjohet keq. Flamurët me deformime, tregojnë sa të papërgjegjshëm jemi edhe në kopje. Kopjohet edhe me djallëzi – i famshmi kod zgjedhor spanjoll.

Kopja Përgjithmonë

Shqipëria sot nuk i ka mjetet për të kontrolluar kopjen. Nuk ka ligje të plota e as instrumente që të mbrojnë idetë nga kopja. Kopja është shkatërruesi më i madh i asaj që tek ne promovohet më fort si vlerë shoqërore, shoqërisë konkuruese. Në tregun e vlerave nuk hyhet me vlera, por me kopje të vlerave të dikujt tjetër. Kjo përveçse shkatërron elementët konkurues dhe zbeh nevojën e dëshirën për të punuar, për t’u rritur e ecur para, ka dhe një efekt shumë të rëndë ndaj të ardhmes. Zhduk kreativitetin e një populli. Ju mund të mos e vini re, por unë vërej një popull që nuk krijon dot më as art, as vlera, asgjë. Një popull që në botë nuk përfaqësohet dot me asgjë. Krenohemi me Kadarenë e kohës së diktaturës dhe me shkollën tonë (ruse) të baletit, po të asaj kohe. Ndërsa kopjojmë R’n B, hip-hop e turbofolk, në 22 vjet ne nuk kemi ndërtuar dot një muzikë pop shqiptare. As një shkollë filmi. As një festë. Kalamajtë tanë kanë kopjuar “trick or treat” të Halloween-it në “karamel apo tëmerr” (kjo, tha dikush, gjykuar nga shtimi i përdhunimeve nga pleqtë 80 vjeçarë të 12 vjeçareve, e kthen këtë frazë, për tmerr, në një pyetje retorike). Ne nuk kemi krijuar asgjë përveçse një shoqërie të deformuar nga modelet që shohim në TV, një Eurotrash të mirëfilltë, pa asnjë shenjë dalluese. Tani nuk bën dot as një bisedë të hajrit, se të tërë të tregojnë çfarë shkru njëri në FB.

Ne nuk krijojmë dot më.

Në vendin tonë/ kudo valojnë/ flamujt e një melankolie/ të trishtueshme… shkruante Migjeni.

Ringritja e kopjes së zezë

Në një studim të huaj, thuhej që pas disa brezash, ata që do vijnë mund të mos jenë në gjendje të përdorin teknologjinë e shpikur nga brezat e sotëm, sepse njeriu sa vjen e bëhet më pak i pavarur në të menduar. Në kohën e teknologjisë, njeriu gjithnjë e më pak mendon si i pavarur. Ngjashëm, mund të themi që gjithë këta breza kopjacësh që po krijojmë mund të bëjnë që një ditë, askush të mos ketë nevojë të krijojë më në këtë vend. Është kaq e lehtë të kopjosh.

Liria e të menduarit, që çon në liri kreative, te ne nuk ka ekzistuar që në djep. Krejt fisi mendon atë që mendon trau i shtëpisë. Shkolla jonë shkatërron çdo frymë pavarësie në mendim. Liria e të menduarit, thuajse nuk ekziston as si vlerë shoqërore, aq më pak të promovohet. Jemi thjesht një shoqëri kopjacësh e drejtuar nga kopjacë.

Ne nuk krijojmë dot më, dhe ky do jetë fundi i shoqërisë si e tillë. Do ketë makina, liderë, këngëtarë, celularë, televizorë, por nuk do ketë asgjë të re. Një shoqëri që vetëm konsumon kopje, pa u lodhur. Nuk do ketë as muhabete interesante, do ketë vetëm përsëritje të gjërave të dëgjuara diku tjetër. Si një poezi që e kam lexuar më parë…

Në vendin tonë/ kudo valojnë/ flamujt e një melankolie/ të trishtueshme…/ dhe askush s’mund të thotë/ se këtu rron/ një popull që ndërton/ diçka të re.

Por, fundja kujt i bëhet vonë?/KLAN

12 komente në “Ti je kopja e…!”

  1. Pensionisti says:

    Kam vite qe kur pash enciklopedine per pikturat, gjeta atje nje oficer frances te Napolonit hipur mbi kale ne pozicion te kalit me dy kembet e para lart ne kent 45 grade.Para tij shkrepte nje top gjylen.
    Sa e krahasova me nje pikture te Skenderbeut,me nje here kuptova se piktori kishte hequr koken e francezit ne vend te saj kishte pershtatur te Gjergj Kastriotit kenderbeut.
    Me vjen shume keq qe ende kete pikture e quajne origjinale kur ajo 95% eshte kopje,qe turperon artin figuratif Shqiptar.
    Kjo pikure ende qarkullon neper shqiptartet e Amerikes o gjetke neper Evrope si te ishte shqiptare.Ajo na turperon.

  2. Gjergj says:

    Shkrim i shkelqyer!

  3. Devolliu says:

    Saliu i Viçidolit u jep gjithë çeçenëve të vet nga 5-6 kopje kartash identiteti dhe ditën e votimeve iu ve në dispozicion makina për të lëvizur e votuar në disa qendra votimi nëpër rrethe të ndryshme.
    Nami bëhet edhe në shpërndarjen e diplomave kopje (false).
    Unë njoh persona që punojnë nëpër dikastere e institucione shtetërore, deri dhe personel pas kryeministrit, të cilët kanë mbaruar vetëm shkollën 8-vjeçare por që kanë diploma juristi, agronomi, ekonomisti etj.

  4. Dani says:

    Po u shtohet edhe ky emër i kopjuar, “Koloreto”, xhambazëve të shtypit që montojnë ndonjë të vërtetë anësore me gjysmë të vërteta dhe më në fund me trillime e shpifje. Në vend që ta na jepte për ilustrim pipën esktravagante që “nuk qenësh pipë”, le te na jepte origjinalin nga është kopjuar logoja dhe perkrah tij logon, sepse duhet ta dijë përderisa këtë e quan “të kopjuar”. Po ashtu të na jepte nga njëra anë originalin nga pretendon se është kopjuar monumenti i pavarësisë dhe monumetin nga tjetra, që t’i ballafaqojmë, meqë duhet t’i njohë përderisa i quan fakte. Në mungesë të tyre tjerrja e llogjeve sigurisht që mund t’ua mbushë mendjen ndoca komentuesve që të vetmin pasion kanë të shahet gjithçka nga atdheu i tyre, historia e tyre, kultura e tyre etj., sado modeste qofshin këto. Mbajeni mend emrin e rishtarit, quhet Coloretto, të cilit tanimë mund t’i thuhet pa ngurrim po me titullin e tij: “ti vetë je kopje e…” emrat konkretë nuk janë të nevoshëm, sepse kush ka mend i merr vesh vetë.

    1. dritani says:

      Dani lexo titullin :
      “Ti je kopja e…!”
      Shih pikturen me “shpjegimin”:
      “Kjo nuk eshte nje llulle”

      Mendohu, mendohu, mendohu dhe ne fund do te “Lexosh”:
      TI E KOPJA E KARIT.

      Shpresoj te te hyje ne ndihme!

  5. raimondi says:

    Shkrimii eshte i drejte ne pergjithesi , por ky eshte cmimi qe paguajme per stadin e zhvillimit te shoqerise civile qe ne kemi dhe mendoj se me kalimin e kohes ,dhe duke u bashkuar me shume me EU , do largohet vet vetiu ky ves i keq i kopjimit —Se ka dhe cika ketu qe ne EU , te denojne per kopjim se quhet vjedhje e Intelectual property ,
    porse sic thashe me kalimin e kohes edhe ky hanicap do largohet

    Megjithate une mendoj se Intelktualet dhe strukturat drejtuese te shtetit kane ne dore qe pershpejtojne procesin e frenimit te kopjimit te vlerave te te tjereve

    Edhe ne shkolla duhet qe mesuesit ti nxisin femijet drejt perdorimit te fantazise ne zgjidhejn e problemeve te ndryshme qe dalin , dhe ministria e arsimit duhet te krijoje programe te tilla qe nxisin tek femijet perdorimin e fantazise , se ka edhe raste kur mesuesi i bertet femijes pse e zgjidh problemin e matematikes ne ruge te ndryshme nga te tjeret,
    sic ma bente mua Mesues Vasili kur isha ne SHKOLLE TE MESME NE INDUSTIRALE TE VLORES.

    Ndaj mesuesit kane nje detyre te rendesishme per te zhvilluar tek femijet ndjenjen e krijimtarise

    ____Ndersa ne menyren e berjes politke , ne menyren e sjelljes me kundershtarin politik ,
    ne respektimin e te drejtes se tjetrit, Ne mneyren e sjelljes ne shoeqeri,
    ne respektimin e vlerave kombetare, ne dashruine per Atdheun , _ne sjelljen
    e perditeshme me njeri tjetrin dhe sidomos ne sjelljen me delikatese me femrat , ne menyren e sjelljes me njerezit ne nevoje, ne sherbimin neper zzyra ,
    ne sherbimin spitalor, ne maredhenjen forcat e rendit- dhe Shoqeria shqiptare ,
    ne privatizmet ekonomike nen moton e Patriotizmit ekonomik, etj si keto
    ne duhet Patjeter te kopjojme Europen Perendimore –

    -Ne keto fusha qe quhen fusha te shkencave njerezore, Kopjimi i vendeve te EU-se
    eshte nje domsdoshmeri jetike per ne , ne menyre qe t eecim me te njejtin hap
    me shoqerine moderne Europiane

    –Ndersa ne cdo fushe tjeter nuk duhet te kojojme aspak ,dhe ka plotesisht te drejte autori i shkrimit

  6. Ekonomisti says:

    Me rastin e 100 Vjetorit ne qytetin e Fierit u perurua nje veper arti ne ish sheshin Fitorja qe tani quhet shqip sheshi europa ose europa plaze. Cila ishte vepra e artit? Ishte nje Glob i vendosur ne nje rreth rrotullim afer Bashkise Fier. Gafa e pare Shshi quhet Europa dhe ka nje Glob thua se ne Glob ndodhet vetem Europa. E dyta Vepra e artit eshte Krye e keput nje Kopje Plagjatur me pak fjal. Mjafton qe ne google.com te kerkosh universal picture globe dhe e kupton. E treta sic e ka shoqeria shqipetare projekti nga i ashtuquajtur artist u prezantua ndryshe dhe vepra u perurua ndryshe. Gjithcka qe bejem e bejme mbrapsh kopje etj etj……………….

  7. Drita says:

    Shkrim shume i sakte. Te pergezoj Koloreto dhe te uroj shendet e kthjelltesi.

  8. dritani says:

    Bravo Kolo!
    Jemi thjesht një shoqëri kopjacësh e drejtuar nga kopjacë.
    “Lexuar” ndryshe: Shoqeri hajdutesh e drejtuar nga hajdute!

  9. Anonim says:

    E fillon me nje rrene te ulet logoja e 100 vjetorit nuk eshte e kopjuar.

    1. dritani says:

      Zemra vogel hidhi nje sy dhe na jep nje mendje:

      http://24-ore.com/index.php/kronika/10401-logoja-e-pavaresise-844-mije-leke-per-nje-imazh-te-kopjuar.html

      Po ta duash kopjen e monumentit te pavaresise thuaj!

  10. ILIRET says:

    Kryekopjacin e kemi ne krye te shtetit. Mbasi inisiativen nje komb nje pasaporte e kishte shpallur Aleanca Kuqezi, na del ky kryekopjac dhe na e shpall te tijen… Dhe ai e heq veten origjinal dhe quan tjetrin kopjac…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje