Gjallesat qeveritare të errësirës

7 Dhjetor 2012, 14:22Blog TEMA

Nga Ledi Shamku Shkreli

Qeveritarë, ju jeni gjallesa të errësirës! Ndryshe nuk ka si shpjegohet që buxheti juaj i fundit për arsimin është më i ulëti qysh nga viti 1997. Kacidhet që i keni lënë arsimit zënë vetëm 2.7 përqind të buxhetit. E premtuat 7 e po e lini 2.7! Pra kjo dy pikë shtata nuk është as sa gjysma e rrenës suaj elektorale në qershor 2009. Po ikni duke lënë pas shkretim, po sidomos po ikni duke e lënë pas arsimin shumë e shumë më keq seç e gjetët.

Na bëri bota testin e analfabetizmit në 2008, dolën 10 përqind analfabetë në këtë vend. Testi i fundit e dëften 15 përqind analfabetizmin gangrenë. 5% rritje! Po prapë kacidhja e arsimit dy pikë shtatë se dy pikë shtatë.

Na bën bota testin e aftësive në lexim matematikë e shkenca, dhe ne lëmë pas vetëm do vende si Kirgistani. Por investimet në arsim ky buxhet i ka më të ulëtat e gjithë këtyre tetë viteve, dhe as sa gjysma e atyre të 2009, ndërkohë që shefi i analfabetizmit vijon e bërtet se na e paska prioritet arsimin. Fjalë e rrenë, pa pikë turpi!

Raporti që hartoi Banka Botërore për arsimin e lartë në Shqipëri ka këtë vit një titull shumë të qartë. Titullohet: “Jo më thjesht diploma, por aftësi për punë!”. Aty thuhet se Shqipëria mund te mos ketë rritje ekonomike pasi politikat arsimore nuk i kanë aftësuar për punë konkurruese shqiptarët. E cili qe reagimi në buxhet ndaj këtij alarmi? Arsimit të lartë i zbriten, po, po  I ZBRITEN edhe 391 milionë lekë. Pra pavarësisht flakurimës që ju dha Banka Botërore në raport, ju po e lini këtë sektor me 391 milion lekë më pak se një vit më parë, dhe në nivelin më të shpërfillur të të gjitha kohëve.

“Po përpiqemi të gjejmë incentivat si ta lidhim tregun me arsimin profesional” – tha ministri para 3 a 4 ditësh në Komision! Po përpiqeniii?! Mbas 2 mandatesh, mbas thuajse 8 vitesh qeverisjeje, ju ende jeni duke i ardhë rrotull arsimit profesional?! Në Shqipërinë e mbi një milion të papunëve, në Shqipërinë ku mbi 11 përqind e fëmijëve rrojnë sot në varfëri të thellë (sikurse njoftoi UNICEF), në Shqipërinë ku edhe sipas INSTATIT privat të Berishës del se papunësia është rritur fort, ju keni guximin të thoni se ende, pas tetë vjetësh nuk e dini si u lidhka punësimi me aftësimin për punë?! Qytetarë, ja cilët janë këta që po ikin e po lënë pas këtë bastisje! Të papërgjegjshëm dhe të paditur! Me këtë përgjigje ju tregojnë se as që e kanë fare në refene’ se në çdo gjashtë të rinj, njëri është i papunë! Tregojnë se nuk duan ta mëkëmbin arsimin profesional, pikërisht se as që dinë ta mëkëmbin arsimin profesional! Se e njohin veten cilët janë, ndaj edhe në 5 vite fondet e shpenzuara për të i kanë ulur me 25 përqind! Premtuan ta çonin në 45 përqind numrin e nxënësve që frekuentojnë arsimin profesional, kur në të vërtetë sot ka rënë, ndryshe nga sa thonë këta, sot e kanë ulur në 15 përqind! Nuk duan! Nuk dinë! Nuk duan të dini! Ju duan të varfër e të pashpresë, pre’ e thasëve me miell elektoral dhe e lëmoshave të qeverisë.

Sepse ka një lidhje të drejtpërdrejtë mes padijes dhe varfërisë. Dhe të varfrit sot janë shtuar frikshëm.

Të dhënat tregojnë se ka një rritje të dukshme të treguesve të varfërisë për individët pa arsim ose me arsim 8-9 vjeçar në të gjitha zonat. Rreth 80% e të gjithë familjeve të varfra, kanë për kryefamiljar individë pa ose me pak vite shkollimi (nën 8 vjet).

I dini të gjitha këto, dhe prapëseprapë  po ikni duke e lënë arsimin në mjerimin e vet më të thellë financiar, në buxhetin e vet më të ulët historik: vetëm 2.7 përqind! Keni 6 vjet që vetëm e ulni, e sa më shumë e ulni aq më fort ngrini bërtimën se na e paskeni prioritet. Le më pastaj, kur vini e thoni se ky buxhet është realist dhe se gjithë bota po shkurtoka fondet për arsimin! Cila është bota që i referoheni? Cili është zgëqi juaj? Ku doni t’i rrasni shqiptarët që në fakt janë në zemër të Europës?

Qeveria Angleze sapo mori vendim që çdo buxhet ministrie të kurseje nga 1 përqind këtë vit dhe 2 përqind vitin tjetër dhe gjithë këto kursime do ti shtohen buxhetit të arsimit, sepse “Anglia duhet të punojë më mirë e të jetojë më mirë!” – kështu sapo deklaroi për BBC kancelari i financave britanike. Gjermania dhe SHBA e rritën sërish buxhetin për arsimin. Vijojmë më tej: me propozim të Carlo De Benedetti, qeveria italiane vendosi të shkurtojë sivjet shpenzimet e ushtrisë dhe të misioneve paqeruajtëse dhe ti derdhë në arsim këto fonde shtesë. E meqë ra fjala, edhe ju i shkurtoni se komandot tona në Afganistan janë pa rroga, po me siguri keni tjetër xhep tuajin ku i derdhni e sigurisht jo në arsim! E ç’lidhje keni ju me shkollën!

Po ashtu Sllovenia shtrëngoi rripin dhe zbrazi cdo shkurtim buxhetor në arsim, sepse “duhet të luftojmë papunësinë” deklaroi ministri slloven.

Se po e lini Shqipërinë të varfër dhe do ta rilindim, ndaj edhe do ta çojmë në 5 përqind buxhetin e arsimit, duke sakrifikuar të gjithë për hir të shkollës që është e ardhmja e vendit.

Se po ikni duke lënë pas mbi një milion të papunë, ndaj edhe do dyfishojmë qysh në mandatin e parë numrin e shkollave profesionale, të kurseve të shpejta të aftësimit për punë , në çdo cep sado malor a rural qoftë, për ti dhënë sekujt të drejtën të rrojë mirë me punën e tij të ndershme.

Se pushtetëruat plot 8 vjet dhe latë pas pedagogë e mësues të keqtrajtuar që as rrugën e largët për tek shkollë e fshatit nuk ja paguani më, ndaj edhe do rikonceptojmë nga e para krejt rrjetin e godinave shkollore, po sidomos krejt marrëdhënien financiare dhe ligjore në trinomin qeveri – mësues – prindër. Se e ulët me dashje buxhetin e arsimit, duke e lënë thuajse gjithë koston e shkollimit mbi shpatullat e prindërve, gjithë kjo nën moton tuaj damtore: arsim sipas xhepit, ndaj edhe do ta përmbysim qysh ditën e parë këtë skemë rrëgjuese e antikombëtare, duke mbështetur fort arsimin publik e duke hyrë në marrëdhënie të ndershme partneriteti me arsimin privat, e gjitha nën moton rilindëse: arsim sipas kërkesës, vullnetit dhe meritës.

Sot ju jeni terri më i thellë! Jeni kulmi i natës mbi këtë vendin tonë. Por ky në fakt, po ta mendosh mbarë, ky është një lajm i mirë. Pas kulmit të natës nis të zbardhë. E dita nis të rilindë. Dhe Rilindje do të ketë pas pak muajsh, kur të zbardhë Viti i Ndryshimit. Ani, lërjani arsimit këto kacidhe! Ky palo buxhet është epilogu i injorancës në pushtet!

7 komente në “Gjallesat qeveritare të errësirës”

  1. coku says:

    Nuk duan! Nuk dinë! Nuk duan të dini! Ju duan të varfër e të pashpresë, pre’ e thasëve me miell elektoral dhe e lëmoshave të qeverisë. me kete fjali i keni thene te gjitha. u lumte goja.

  2. xhoni says:

    Akoma ju deputetet e PS-se nuk ju ka bere pershtypje akuza e Spartak Brahos dikur ne KUVEND,se ,
    “SALI BERISHA ESHTE AGJENT POTENCIAL I UDB-se”???
    Kjo eshte aqrsyeja pse Sali Berisha,po e SHKATERRON SHQIPERINE:SEPSE PUNON PER INTERESAT E SERBISE,KUNDER SHQIPTAREVE!!!
    Kur ke kryeminister nje ARMIK E SPIUN TE TE HUAJVE,DOEMOS,QE DO SHKOSH NE THEQAFJE!!!
    PSE NUK JU BEN PERSHTYPJE KJO AKUZE MONSTRUOZE,NDAJ KRYEMINISTRIT TE VENDIT???
    A kane me vlere kritikat tuaja,kur ai na qenka SPIUN I UDB-se qe ne 1976-ten???

    1. artiles says:

      Po ku eshte Spartaku tani????? Ne preherin e Berishes!

  3. Shpirag says:

    O Xhon,po ku eshte tani Spartaku i Durrsit(jo i Romes)a e di qe Berisha nuk e hapi dosjen,nuk e kundershtojë,nuk e debatoi,me nje fjalë,Berisha dhjeu ne brekë.Por ja gjeti anen,i arrestoi djalin,ja liroi dhe i dha para te mos fliste më.Dhe Meta e keshilloi ne Gjirin e Lazrit,tek vila e tij makbethjane duke i thene Spartakut te Durrsit(jo atij te Romes)se duhet të heshtete!Dhe Spartaku heshti!Kjo grua simpatike dhe e zgjuar me ben te mendoj se ajo ka te drejtë!Berisha eshte agjent sepse nuk ka hapur dosjen e tij si do beja unë,te isha ne vend te tij!Ai nuk hapi dosjen,nuk kundershtoi,dhjeu ne brekë,por me muterimin e tij ererende vazhdoi qeverimin!Eshte ai qe nuk duhej te ishte!Agjent sllav i bandes se Veriut ne Tirane!PS duhet ta shkuli dhe ndeshkoje rende me voten e shqiptareve te vertet!

  4. bobi says:

    Arsim kjo qeverib? Mjafton te shihen CV-te personale te trecerekeve nga ministrat, dhe shprehjet idiote te fytyrave te tyre per te kuptuar se kjo bande dhe arsimi jane koncepte te kithta.

  5. Skela says:

    Ledi nga komenti yt hidherohem qe ka shifra alarmante te analfabetizmit per vec varferise se tejskajshme. Njekohesisht me ushqehet nje fare shprese se ka ende njeres me principe te larta qe luftojne te mbrojne gurin e themelit te shoqerise shqiptare-ARSIMIN.
    Another thing to mention is that as far as the monster prime is considered an agent of Serbian secret service every other comments or negotiating make no sense any more. Solution should be found through different venues…

  6. Eri says:

    Duket e ndjen eren e mishit te qelbur .Zonaj po lobon zonja per postin e ministres se ardheshme, qe pastaj te gjithe studentet t’i beje antare partie.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje