Trajneri i kombëtares italiane, Çezare Prandeli, i ka tërhequr vëmendjen sulmuesit Mario Baloteli, duke e paralajmëruar se rrezikon të djegë karrierën e tij me gjërat që po bën.
Sulmuesi ka hedhur në gjyq Mançester Sitin për një gjobë që klubi i ka vënë atij dhe kjo situatë po shtyn gjithnjë e më shumë klubin ta izolojë, ashtu si trajneri Mançini që ka filluar të mos e grumbullojë as në 18-she, duke e dërguar të shohë ndeshjet nga tribuna.
“Mançini ka të drejtë, Baloteli duhet medoemos ta dëgjojë atë që i thotë. Një trajner mund të të ndihmojë, por pastaj gjithçka varet nga vetë futbollisti”, ishin fjalët e trajnerit të kombëtares italiane, për të cilin Baloteli mbetet zgjedhja e parë në repartin e sulmit.
Sipas tij, zgjidhja nuk do të ishte kthimi në Itali, por aktivizimi më me rregullsi i këtij lojtari, pavarësisht vendit që ai zgjedh për të shprehur talentin e tij si futbollist.
“Për ne, si staf i kombëtares, e rëndësishme është që futbollisti të mund të ketë një vazhdimësi. Ky nuk është problem që ka të bëjë me qytetin apo shtetin ku luan”, tha ai, duke bërë të qartë se do të ishte njëlloj i kënaqur nëse Baloteli do të vazhdonte te Siti, për sa kohë që arrin të luajë vazhdimisht më këtë skuadër.