ANTENAT E VITIT

29 Dhjetor 2012, 20:59Antena TEMA
ANTENAT E VITIT

SMS-të e shkëmbyera gjatë emisionit të Fevziut me Ina Ramën

27 janar, 2012

 

Doktori- Fevziut: Zotëri, herë tjetër përgatitu kur të shkosh në emision. Të kë vënë përpara një lavire.

Fevziu- Doktorit: Po ia lexova gjithë pyetjet mo burrë, po kjo thotë gjëra të tjera.

Doktori- Fevziut: E pyete pse u sulmua kryeministria? Të tha jo. Nuk e kishe mendjen.

Fevziu- Doktorit: Po pse mo burrë, mua më dërgoi sms ambasadori, më tha deri tani emisioni shumë mirë.

Doktori- Fevziut: Normal për atë shumë mirë është. Ajo është veshur bukur, emisionin po e bën siç do vetë.

Fevziu- Doktorit: Mirë është veshur në fakt. Orën i thashë nuk e ka gjë. E ka atë versionin e vjetër. T’ia them që më tha Doktori je veshur bukur?

Doktori- Fevziut: Varet a të pyet, se ajo pyet, ti përgjigjesh.

 

Ina- Fevziut: Blendi, të lutem më ndiq se nuk po dëgjon.

Fevziu- Inës: Një minutë se po flas me Doktorin, se ai e dëgjon direkt.

 

Doktori- Sandrit: Keni ba një akt të turpshëm. U ka përdhosë në shtëpi tuej.

Sandri- Doktorit: Ça t’i bëj Fevzos, unë i jap pyetjet, ai shikon si ka dalë Ina në ekran.

Doktori- Sandrit: Asht TV jot. Na ke ngulë thikë pas shpine.

Sandri- Doktorit: Për mua e ndërpres tani. E nxjerr nga studio, po ky Fevzo thotë e kam porosi nga Uashingtoni.

Doktori- Sandrit: Po zotëri, por reklamat dhe paret i kërkoni nga unë, jo nga Uashingtoni.

Sandri- Doktorit: Le të mbarojë Fevziu se e ndreq unë në lajme.

Doktori- Sandrit: Me këtë që bëtë, lajmet në gjithë TV i bën ajo. Ti ke vetëm çelësat e kashtës.

 

Jozi- Mesilës: A po e shef këtë ndrikullën si spërdridhet?

Mesila- Jozit: Ma shpifi, ta kem ta var tek palmat!

Jozi- Mesilës: Dhe ky Bledi e don një plumb ballit se po jargavitet pas saj. Ne na bën sikur na pyet kur shkojmë. Këtë veq e shikon në sy.

Mesila- Jozit: Kushedi sa do jetë mërzitë Doktori!

Jozi- Mesilës: Mirë ta gjejë. Kur mban ksi burrash, nga ksi grash ka me i ardhë ‘deka.

 

Pas emisionit

Erla- Inës: Ça ke bo mi gocë se ma hoqe trurin. Ka marr shefi tridhjetë herë?

Ina- Erlës: Asgjë, isha tek Fevziu.

Erla- Inës: Vari trapin, thashë ça ka ndodhë. Ishte stresu shefi.

Ina- Erlës: Unë isha korrekte. Nuk e fyeva askund.

Erla- Inës: Vari trapin. S’e kishte me ty. Tha që këto m’i ka thënë dhe ambasadori në zyrë.

 

 

Glori, telashe pa fund me fotografinë e Hillarit

4 shkurt, 2012

 

Glori mori dje sërish paralajmërim për pushim nga puna. Në Konferencën e Mynihut, Doktori u nis për të bërë fotografi me Hillarin. Para se të nisej, ai e thirri Glorin në zyrë dhe ia bëri të qartë që të mos përsëritej gabimi me Sarkozinë, kur ai kaloi para Doktorit, i zgjati dorën dhe Glori nuk e kapi dot momentin në foto. Glori iu betua se këtë radhë do ishte vigjilent dhe nuk do të lejonte t’i shpëtonte çasti i shumëpritur.

Kështu dhe u bë. Glori mori me vete dy aparate fotografike të vegjël, me qëllim që po t’ia ndalonin njërin, të nxirrte tjetrin. Bëri kujdes që dhe iPhone të ishte në rregull për çdo gjë.

Në ditën e parë të Konferencës nuk patën shans. Edhe pse karrigia e Doktorit ishte e favorizuar, pasi Shqipëria fillon me A dhe ai ishte në rresh të parë pas Austrisë dhe para Azerbajxhanit, Hillari nuk kaloi aty. Ajo shkoi drejt e në tribunë dhe nuk kaloi para rreshtit të karrigeve.

Ditën e dytë Glori qëndroi vigjilent. Filloi konferenca. Hillari hyri në sallë sërish nga krahu i majtë dhe drejt e në tribunë. Doktori u nervozua. Aliev i Azerbajxhanit nuk e prishi terezinë dhe po vazhdonte t’i fliste se do ta rregullonte atë punën e Albpetrolit që do ta blinte ai.

-Ma dërgo atë djalin Taqin, që merret me naftë t’i japin ca pare cash, dhe ta blejmë ne, i tha. Vetëm se ato të parat nuk i ka kthyer dhe ka bërë ca sherre me ata djemtë që ia dhanë dhe nja dy nga ata kanë vdekur.

-Mirë, dakord, i tha Doktori, por nuk e kishte mendjen fare tek Alievi pasi po ruante lëvizjet e Hillarit.

Alievi vazhdoi.

-Jepja djalit kompaninë e naftës. Babi kështu bëri me mua. Ai ishte president, unë drejtor i kompanisë shtetërore të naftës. Pastaj iku ai, shkova unë president.

-Mirë, dakord, urdhëroo…, jo, jo, merret vajza me atë punë, i tha Berisha i hutuar.

-Më falni zoti Berisha, ku e keni mendjen se nuk ju shoh në terezi, i tha Aliev.

-Zoti Aliev, duhet me kanë të vëmendshëm se në çdo moment zonja Hillari mund të kalojë këtu dhe duhet t’i japim dorën.

-Hahaha, tha Aliev. Unë nuk lëviz nga vendi. Po të dojë të ma japë, po të dojë, jo. Po s’ma dha ajo, i bëj një telefon Putinit, vjen ma jep ai dorën.

-Nejse, dakord, mirë, dakord xhanëm, ashtu është, po shiko, duhet me qenë të vëmendshëm.

Ndërsa ata flisnin, moderatori njoftoi se kishte ardhur momenti të bënin çerek ore pushim për një kafe dhe tregoi derën në fund të sallës. Doktori u kthye me vrull nga Glori dhe i bëri me shenjë të bënte gati aparatin. Tani Hillari nuk kish ku të shkonte veçse para këmbëve të tij. Glori hipi menjëherë mbi karrige dhe provoi këndin e fotos. Ishte shumë mirë. Nëse ajo ia jepte dorën para se të afrohej, do ta bënte foton duke lëvizur pak majtas, nëse ja jepte dorën duke e kaluar do ta bënte me iPhone djathtas. Hillari zbriti nga podiumi, kaloi para tij dhe po parakalonte rreshtin ku ishte Doktori. Kaloi kancelarin austriak, e përshëndeti me gëzim. Shkëmbyen dy fjalë dhe ishte gjithë gëzim. Ndërkohë Doktori u ngrit në këmbë dhe po mbante dorën zgjatur. Glori bëri dy prova shpejt e shpejt, e kapi me dorë të zgjatur. Hillari ishte akoma me austriakun. Doktori me dorë të zgjatur. Nuk kishte ku ikte. Dora e tejkalonte trajektoren ku ajo do kalonte. Hillari u shkëput nga austriaku dhe vazhdoi. Befas pa dorën e zgjatur dhe ngriti sytë. U vrenjt në fytyrë dhe mori qëndrim të ftohtë. Glori u bë gati ta shkrepte, po ju duk shumë e egër në fytyrë dhe hezitoi. Priti një sekondë më vonë. Doktori i foli diçka anglisht. Hillari ashtu e vrenjtur i zgjati dorën dhe diçka i tha. Glori e shkrepi 5 herë rresht deri sa Hillari lëvizi. Ishte skuqur i tëri nga tmerri. Kishte frikë mos nuk kish dal mirë. I kontrolloi shpejt e shpejt. Në tre foto dukej e egër. Në njërën nuk i dukej fytyra fare. Në të pestën i dukej fytyra, por nuk dukej Doktori, e kishte kapur nga pas. “Këtë po lë, tha me vete i lehtësuar”.

Ndërkohë një roje ju afrua nga pas dhe e kapi për krahu.

-Më falni, i tha, nuk lejohen foto.

-Jam me Doktorin, i tha Glori. Është foto private. Nuk përdoret zyrtarisht.

-Është e ndaluar, i tha dhe ia mori aparatin.

Glori mori frymë i lehtësuar. Foton e mirë e kishte bërë me iPhone. Tani ishte më i qetë. Kishte dhe alibi. Doktorit mund t’i thoshte që foton më të mirë e mori roja. Ju afrua Doktorit. Ai ishte i zhytur në kolltuk dhe diçka po fliste me vete.

-E bëra, i tha Glori. Ke dalë mirë. Po më të mirën ma mori ky roja i Konferencës.

-S’ka rëndësi, i tha Doktori. Mjafton dhe ajo.

-Çfarë ke, s’më dukesh mirë, i tha Glori.

-Më prishi gjakun, tha. Se kush ua ka fut në mendje atë laviren e prokurorisë. Sapo i thashë jam Sali Berisha, menjëherë u vrenjt dhe më tha “Mos të ngjaj gjë si kryeprokurorja”. Skandal d.m.th. Si mund të merret gjithë ai shtet i madh me një çupëlinë s’e kuptoj.

 

 

 

Baba Mondi i OSBE konsultohet për prirjet gay të shqiptarëve

18 maj, 2012

 

Baba Mondi i OSBE vendosi të mbështesë paradën pro lëvizjes gay në bulevard më 17 Maj. Para se të përgatiste një deklaratë të shkurtër, thirri një nga këshilltarët e tij.

-Më duhet të di, tha, sa janë të prirur shqiptarët ta pranojnë paradën gay, tha.

-Po ku di unë, ndoshta duhet studim për këtë, i tha këshilltari.

-Po nga bisedat që bëjnë, mentalitetin që kanë, p.sh a e zënë ndonjë herë në gojë atë fjalë?

-Kë fjalë, i tha këshilltari.

-S’di si ta them, po e kam fjalën për prapanicën, i tha Baba Mondi i OSBE.

-Ou, shumë, tha këshilltari. Çdo gjë me atë e shpjegojnë.

-Atëherë ky qenka një sukses i madh, i tha. Më duhet të përgatis një raport për OSBE ku të shpjegoj pse shoqëria shqiptare është pro lëvizjes gay dhe ta argumentoj këtë me përdorimin e tepërt në zhargon të prapanicës.

-OK, për pesë minuta i ke gati, i tha këshilltari.

Pas pesë minutash ai mbërriti me një copë letër ku kishte shkruar shumicën e përdorimit të kësaj fjale. Ia vuri para Baba Mondit të OSBE. Ai i hodhi një sy, po nuk kuptoi gjë.

-Më dhe shpjegimin e kuptimit pas çdo fjale, i tha.

-Patjetër, i tha këshilltari dhe filloi.

-“Dite bythe”. Përdoret kur të ikën dita kot, për shembull pa pirë asnjë gotë.

-“Pune bythe”. Përdoret kur bën një punë shkel e shko, për shembull sikur bën raportin për zgjedhjet.

-“Do bythë kjo pune”. Përdoret zakonisht kur një ambasador shkon në takim me Berishën dhe zotohet se do t’ia plasë në fytyrë gjithë çfarë ka bërë.

-“Luje bythën”. Përdoret zakonisht nga OSBE për dy partitë e mëdha kur merren me reformën zgjedhore

-“S’ta mban bytha”. Përdoret si paralajmërim për takimin e mësipërm mes bashkëbiseduesve.

-“U bo bytha jote”. Përdoret zakonisht për vartësit e Berishës kur guxojnë të kritikojnë shefin.

-“Bythë derr”. Zakonisht njerëzit kanë parasysh Ilir Metën ose Fullanin.

-“Ta boj fytyrën bythë”. Është kuptimi i fshehtë i fjalisë “ta bëj fytyrën si këpuca”, që përdor Berisha në parlament për kundërshtarët.

-“E paske bo bythë”. E përdor zakonisht shoferi i OSBE për ndonjë mikun tuaj kur vjen u merr pas mesnate, pasi keni ngrenë darkë dhe kini pirë.

-“Na çave bythën”. Shprehje që shqiptarët përdorin ndaj një televizioni kur japin në lajme deklarata ambasadorësh.

-“Mbaje në bythë”. Përdoret shumë sidomos pas takimit tek Gjiri i Lalzit mes Metës dhe Ramës.

-“Të kruhet vetë bytha”. Kur dikush kujtohet papritur e sulmon Doktorin dhe pret pastaj sulmet e tij

-“I boni paret bythë”. E përdor Ridvan Bode për Doktorin pas çdo mbledhje qeverie.

-“Uuuu ç’a bythe”. E përdorin rojet e gardës kur kalon zëdhënësja e Doktorit.

-“S’ka bythë ku t’rrijë”. E përdorin zakonisht shqiptarët kur flet Doktori për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

-“Bythë palamë”. Përdoret si shprehje përkëdhelie në Bashkinë e Kamzës.

-“Bythë pamuk”. Është fjalë popullore që ka parasysh ekipin e Edi Ramës.

-“Bythë lesh”. Përdoret për mbështetësit e Bamir Topit dhe ka parasysh njerëz që punojnë ngadalë.

-“Bythë mut”. Kështu përkëdhel Doktori pjesëtarë të Forumit Rinor të PD-së.

-“Bythë mo!”. Kështu përgjigjen zakonisht miqtë e tu kur i pyesim ne si shkoi darka me ambasadorin.

-“Shtet bythe!!!!!!”. E përdorin zakonisht në Bruksel kur vjen puna për Shqipërinë. Tani e përdorin dhe shqiptarët për Greqinë.

-“Është bo bythë”. Përdoret zakonisht për ju zoti ambasador nga miqtë tuaj pasi përfundon një drekë punë ose darkë.

Baba Mondi i OSBE po dëgjonte i mahnitur sa shumë përdorim kishte ajo fjalë në fjalorin politik shqiptar. Për më tepër shpjegimet e këshilltarit e qartësuan shumë pasi ajo fjalë ishte aq popullore, sa në disa raste shpjegonte dhe veprimet e tij.

-Faleminderit shumë, tha. M’i përkthe këto fjali me kujdes se do t’i fus në raport. Më vjen shumë mirë që shumica e fjalive lidheshin me kryeministrin dhe me mua si drejtues i OSBE. Kjo tregon që qeveria dhe OSBE janë qartazi kundër politikave homofobike dhe janë shumë të familjarizuar me atë fjalë. Me ç’pashë, opozitën dhe zotin Topi vetëm në një rast i ilustronin me këtë fjalë. Mua dhe zotin kryeministër në shumë raste. Kjo tregon qartë se qeveria shqiptare ka ecur para me reformat dhe ka arritje serioze në respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut. Le të më kritikojnë tani që nuk merrem me çështje të demokracisë, po ua mbajti, tha. Na sill një shishe të bëhemi bythë tani se e meritojmë.

 

 

 

Zbardhet biseda Klinton- Meta: Dua një foto me Hillarin, pa Monikën!

19 maj, 2012

 

Gjatë një konference në Vjenë, Ilir Meta pa se Bill Klintoni, ish presidenti i SHBA, po rrinte vetëm në një seancë. Iu afrua me kujdes dhe pa që nuk kishte asnjë roje. U afrua dhe pak dhe asgjë nuk ndodhi.

-E kapa, tha me vete. Atë fotografi që nuk bleva dot me miliona sa ishte president, e mora tani.

U afrua dhe më, dhe asnjë roje përsëri. Askush ta ndalte, askush t’i thoshte mos u afro, asnjë kamerë… Ishte momenti final.

-Mirëdita zoti President, i tha Iliri.

-Mirëdita, i tha Klintoni.

-Nuk di a më njihni, jam Iliri, tha.

Klintoni rrudhi pak vetullat në përpjekje për tu kujtuar.

-Ilir Meta, i tha, nuk di a më mban mend? Unë dhe Monika ju kemi pasur idhull.

-Ah, jeni partneri i Monikës, pyeti Klintoni.

-Jam burri i saj, i tha Iliri.

-Oh, gëzohem shumë. Ka qene vajzë e mrekullueshme. Kam kaluar shumë mirë me të. E gjithë çfarë ndodhi ishte një zhurmë e medies, donin të më dëmtonin mua. Nuk ishte ashtu siç dukej.

-Po, e mbaj mend atëherë, tha Meta, në Shqipëri kishte rrëmuja, ishte viti 1997 dhe kishte trazira kur ndodhi ajo.

-Po, e mbaj mend. Shumë mirë, ja e mbani mend, shumë mirë. Unë i isha i stresuar për gjendjen në Shqipëri dhe në fakt as që e dija fare se çfarë isha duke bërë. Ja kështu ndodhi, por ishte vajzë shumë e mirë. Ju si jeni tani?

-Mirë, faleminderit. Të përshëndes dhe të sjell të fala të përzemërta dhe nga Monika.

-Faleminderit, bëji ta fala. Më vjen mirë që dëgjoj një fjalë të mirë nga gojë e saj.

-Ju kemi pasur si idhull, tha Meta. Ajo nuk të lëshon nga goja.

Klintoni u skuq pakëz. “Ah gojë e saj tha me vete”.

-Çojini të falat e mia, i tha Metës. Çfarë pune bën tani? Më thanë që ka hapur disa dyqane veshjesh dhe të brendshmesh.

-Kemi disa dyqane në bllok, i tha Meta, me rroba me gjëra, është një si lloj galerie, por s’po na ec shumë. Më shumë rri në Gji të Lalzit.

-Ah, interesant, s’i kisha dëgjuar këto. Shpresoj të jetë bllok i mirë ai ku keni dyqanet dhe gëzohem që jetoni buzë detit. Po ju me se merreni vetë?

-Unë kam pasur disa procese gjyqësore, pasi vura në vend dinjitetin tim pas disa kompletove që më bënë, por tani i kam punët në rregull. E kam rregulluar me të dy palët. Por desha një takim me zonjën tuaj. Ai takim m’i zgjidh gjithë problemet e jetës.

Klintoni u skuq përsëri.

-Më vjen keq, tha, por nuk mund t’ia kërkoj këtë gjë Hillarit. Bëhet shumë keq po iu kujtua Monika.

-Po s’ka problem, i tha Meta, unë shkoj vetëm, pa Monikën. Më duhet doemos ai takim. Me atë takim unë i zgjidh gjithë hallet e jetës.

-Çudi e madhe, i tha Klintoni. Unë Monikën tri herë e takova dhe e kam pasur hall gjithë jetën, kurse me Hillarin kam gjithë jetën dhe s’kam zgjidhur asnjë problem, vetëm halle kam pasur.

-Nuk ka rëndësi, mua një takim më duhet, i tha Meta. Po ma rregullove këtë, më bën nder. Eja dalim bashkë një fotografi dhe tregoja zonjës suaj, i thuaj ky djali do të bëjë një takim me ju. Mos i thuaj gjë për Monikën.

-OK, i tha Klintoni dhe dolën në foto.

Pasi Meta u largua, Klintoni ishte shumë i hutuar. Thirri organizatorin e konferencës t’i shpjegonte ç’i kishte ngjarë.

-Më erdhi një djalë i ri, tha që qenka burri i Monikës dhe më kërkoi takim me Hillarin. Me thënë të drejtën ia premtova se nuk do ta bëhet ndonjë skandal se është dhe fushata në Amerikë, po interesohu pak kush është ai djali, që të marr masat. Dhe i tregoi fotografinë.

-Ah, mos u mërzit, i tha organizatori. Është një deputet shqiptar, ka qenë dikur kryeministër. E kanë kapur duke vjedhë, po e ka falë gjykata. Tani i duhet një foto me Hillarin të zgjidhet përsëri.

-Eh, si s’mu ndanë këta shqiptarët, tha Klintoni i çliruar. Nuk mjaftoi që u çlirova Kosovën, por do t’u bëj dhe ndere personale.

 

 

 

Flamuri, letër falenderimi rubrikës Antena

23 qershor, 2012

 

Disa orë pas njoftimit të Doktorit për emërimin e Flamurit Ministër të Brendshëm, në redaksinë tonë mbërriti një e-mail falenderimi nga Flamuri. E prisnim në fakt një gjest mirënjohje dhe Muli nuk vonoi.

E nderuar Antena,

Pas një pune të palodhur katërvjeçare nga ana juaj për krijimin, njohjen dhe lartësimin e figurës sime, jam i lumtur tu njoftoj se ai Burri më në fund arriti të pranojë autoritetin. Në këtë ditë të shënuar për mua dhe familjen tuaj, kthej kokën me admirim dhe respekt katër vjet më pas në fund të muajit qershor 2008 kur unë u shfaqa për herë të parë si personazh kryesor në rubrikën Antena. Atëherë isha askushi. Pas një karriere të gjatë në fushatën e PD për ngjitje posterash dhe transport fonie, kisha avancuar dhe isha bërë shefi i grupit lëvizës të fonisë nëpër rrethe ku shkonte Doktori për inaugurime. Antena u bë fati im i madh. Futja ime aty si personazh kryesor ishte një zbulim i madh i juaji që arriti të tërheq vëmendjen e Doktorit dhe të vlerësojë realisht aftësitë e mia. Siç thotë populli ‘bletët shkojnë tek mjalti dhe jo tek muti’ dhe fakti që ju më zgjodhët mua, do të thotë se unë isha nektari i mjaltit në atë parti. Rezultatet u dukën menjëherë.

Antena më rriti autoritetin në çdo cep të Shqipërisë ku të gjithë filluan të më thërrisnin “ku je Dysh”. Dhe frytet i punës për herë të parë i korra pas një viti. Kur kisha një vit që isha personazh tek Antena, më ndodhi ajo që nuk më kishte shkuar kurrë në mendje. Për herë të parë ai Burri më thirri në zyrë dhe më njoftoi se do të isha i pari i listës në rrethin e Kukësit. Kjo natyrisht që më dha krah dhe më rriti më shumë autoritetin. Por më shumë se çdo gjë autoritetin ma rriti Doktori, që pasi zbuloi aftësitë e mia përmes jush, vendosi në vitin 2009 të mos e mbledhë fare Kuvendin e PD që duhet të mblidhte, dhe sot e kësaj dite akoma nuk e ka mbyllur atë Kuvend pasi akoma nuk ka zgjedhur Nënkryetarët dhe Sekretarët. Ideja ishte e Antenës, e cila përmes meje ia sugjeroi Doktorit këtë skemë, e cila edhe partinë e mbante të kyçur dhe të sigurt që nuk ia merrnin, dhe mua ma rriste autoritetin si Numri 2 në gjithë vendin dhe Numri 1 kur mungonte ai Burri. Vit pas viti falë punës suaj unë u bëra njeriu i gjithëpushtetshëm në parti. Nënkryetarët e partisë filluan të më kenë frikë, ndërsa ministrat filluan të më kishin tmerr. E kuptova kur fare papritur filluan të më vërshonin dhuratat, bakshishet dhe sponsorizimet që brenda tre viteve i kaluan 5 milionë euro. U gëzova pa masë një ditë kur më tha gruaja që tani e kemi shtëpinë më të shtrenjtë se të Fahriut dhe vetëm makinat që kemi në shtëpi bëjnë sa tre apartamente. Nuk e kisha vënë re këtë fakt se kam qenë i zënë me punë, por kur fillova t’i numëroj, ashtu ishte. Gruaja kishte të drejtë.

Nga ana tjetër jam shumë i vetëdijshëm se unë këto pare i kam merituar dhe se të tjerë paskan qenë duke i marrë padrejtësisht duke qenë se më takonin mua. Vit pas viti Doktori më besoi gjithçka që nga kontrolli mbi ministrat, emërimet në rrethe dhe negociatat me koalicionin. Këto ma rritën autoritetin, pasurinë dhe mbi të gjitha rëndësinë time si njeri i rëndësishëm.

Fakti që unë sot jam emëruar Ministër i Brendshëm nuk është ndonjë arritje e madhe për mua, përkundrazi po ta shikosh hollë- hollë është ulje në detyre. Unë deri më sot kam qenë Numri dy i gjithë pushtetit dhe Ministri i Brendshëm bënte shurrën kur e merrja në telefon. Por fakti që Doktorit i duhem këtu, do të thotë se tani Ministri i Brendshëm do të jetë Numri 1 i pushtetit dhe duket se ai Burri po mendon që ta mbajë pushtetin me çdo kusht, ndaj gjithë skenarëve që po përgatiten kundër tij. Unë jam i vetmi falë jush që di gjithçka, që di si komplotohet kundër tij nga brenda PD, nga koalicioni dhe nga jashtë. Duke më besuar këtë detyrë unë thjesht kam marrë mesazhin se di të vazhdoj të jem Numri 2 plus si Ministër i Brendshëm, që do të thotë se do të kontrolloj gjithçka.

Duke ju falenderuar dhe një herë për kujdesin që keni treguar ndaj meje, për inteligjencën me të cilën kini zbuluar aftësitë e mia të rralla dhe tablon bindëse me të cilën kini bindur dhe atë Burrin për aftësitë e mia, shpresoj të vazhdojmë të punojmë së bashku për një të ardhme më të mirë. Unë shpresoj se ju do të vazhdoni të ruani raportet e mia si personazh kryesor që siç e kanë parë të gjithë kanë ardhur duke evoluar nga një tip shejtan budalla në një njeri që ka arritur që të zgjedhë gjithkënd në parti me kriterin për të qenë të gjithë nën nivelin tim, me qëllim që ta kemi më të lehtë kontrollin mbi të. Ju faleminderit dhe ju ftoj të vazhdojmë bashkëpunimin,

I juaji Muli

 

 

 

Incidentet e Doktorit me mbesën për notin gjasme

30 korrik, 2012

 

Doktori vendosi të thyente rekordin e ri të notit. Siç ndodh rëndom në këto raste, Familja kthehet në juri. Doktori po bënte gati pajimet.

Mori kapelen dhe po kërkonte këpucët plastike.

-Ua, gjynah, po ç’i do këpucët nuk do ngjitemi në Dajt, do futesh në ujë, i tha mbesa.

-Po të keqen gjyshi po ka gurë të mprehtë aty dhe më çajnë këmbët kur të rri në ujë.

-Po mos i prek me këmbë mo gjysh, bë not si daja Zeni, rri mbi ujë.

-Të keqen gjyshi, unë jam kryeministër nuk më lejohet të qëndroj pa u mbështetur me këmbë në tokë.

Mbesa u çudit shumë dhe shkoi t’i gjente këpucët plastike. U përball në korridor me teta Lilin, e cila kishte një kostum polumbari.

-Po kjo çfarë është gjyshe, e pyeti.

-Do ta veshë gjyshi se do hyjë në ujë dhe laget, i tha teta Lili.

-Ua, po pse, sëmuresh po të lagesh, pyeti mbesa.

-Jo të gjithë sëmuren, i tha teta Lili, por gjyshi ka alergji nga uji.

Pas pak Doktori ishte i veshur kokë e këmbë me kostum polumbari, këpucë dhe kapele. Problemi ishte sa të futej pak në ujë. Shkuan pak më tutje

shkëmbit ku ishte cekët dhe filloi të futej në ujë. Pasi eci një metër, thellësia po rritej dhe Doktorit i shkuan mornica.

-Gati, i tha Zenit, fillo filmo se nuk iket më tutje, është thellë.

Zeni filloi të filmojë më kamerë amatore dhe e tundte dorën herë pas here që të mos i qartësohej filmimi. Doktori uli trupin nën ujë dhe la vetëm kokën me kapele sipër. Pasi kaloi një minutë, një dallgë u afrua dhe i kaloi sipër qafës. Doktori u ngrit i trembur në këmbë dhe u bë nervoz.

-Po filmo mor burrë se më lagu dallga, i tha. Ça bën dy orë?

-Filmova pak, tha Zeni, por na duhet dhe një minutë tjetër. Rri pak më i shtrirë….

-Nuk mundem, i tha Doktori, se këtu nuk kam ku mbahem dhe më rrëshqasin këmbët se është thellë.

Zeni ua bëri me shenjë dy rojeve të tij, të cilët u zhytën sakaq poshtë tij, i morën këmbët, ia shtrinë pas dhe tjetri rrinte me kurriz shtrirë në ujë për ta mbajtur horizontalisht me ujin. Skena zgjati afërsisht një minutë pas rojet nuk e mbanin dot më tej frymën. Pasi mbaroi

xhirimin, Doktori hyri brenda, zhveshi kostumin e polumbarit, hoqi këpucët dhe kapelen, u vesh me rroba të lehta dhe u ul për kafe.

-Tani duhet të bëjmë lajmin, tha. Sa e lamë vitin e kaluar?

-Dy orë e 7 minuta, i tha Zeni.

-OK, ta lëmë dy orë e 15 minuta, tha Doktori.

-Jo, jo aq, se aq e ka parashikuar Antena, tha Gita. Duhet t’i nxjerrim gënjeshtarë ata.

-Mirë, uli dy minuta, tha Doktori. Në rregull shumë, ja u bë dhe kjo.

Tani çfarë do tu them nesër në mbledhje të qeverisë. Prit ti prit se është e bukur shumë d.m.th. Do tu them mor zotërinj ndjenja e parë që më erdhi në mendje ishte, vitet poshtë dhe unë përpjetë. Pse kjo? Sepse

vjet unë për ta përballuar dehidratimin mora dhe një shishe ujë gjatë notit, sivjet fare, të vetmen gjë që bëra mora një kapele për tu mbrojtur nga dielli.

-Kujdes, tha Zeni, se vjet kemi thënë që ti nuk pranove as shishe me ujë…

-Ashtu, po mirë, kush e mban mend këtë. Po e them një herë. Tani tjetër çfarë do themi…, çfarë do themi…? Ah, po, do them që ky është një sinjal për zgjedhjet e vitit 2013.

-Ua gjyshi, pse më 2013 zgjedhjet gjasme do jenë, pyeti mbesa e çuditur dhe e gëzuar. Ua sa mirë, ua sa mirë, se mua më thonë shoqet në shkollë se do bëhen zgjedhjet dhe gjyshi jot do humbasë. Ua sa mirë, ua sa

mirë, d.m.th zgjedhjet do jenë gjasme…

-Pse të keqen gjyshi, kush të tha se zgjedhjet do jenë gjasme, i tha Doktori.

-Po ja gjysh si noti jot. Ti u shtrive, të filmoi daja Zeni dhe do ta japë televizori. D.m.th gjasme…

-Shiko, dëgjo, dakord, noti, shiko të keqen gjyshi, tani janë ca gjëra që në politikë, nuk e kupton dot tani, do ta mësosh kur të rritesh. Po nuk bëmë kështu, këto tokat që shikon rreth e rrotull ia marrin mami Gitës dhe ua kthejnë të zotëve prapë. Ndaj ca gjëra duhen bërë gjasme se kështu është politika.

-Mirë gjysh, të betohem që nuk i tregoj njeriut. Ika tani se do luajmë lojë noti me motrën tek govata kush të dalë e para.

Pasi iku mbesa, Doktori u bë serioz.

-Dëgjo, herë tjetër këto gjëra nuk duhen bërë në sy të fëmijëve, tha.

Duhet të jemi më seriozë. Tani thirri këta të shtypit dhe nisua kasetën.

 

 

 

Zbulohen SMS e Nishanit për të ftuar opozitën në Kosovë

1 shtator, 2012

 

Nishani-Asllan Dogjani

-Nishani: Jari jam. A do me ardh me mu në Kosovë?

-Dogjani: Kush do jetë tjetër në delegacion”

-Nishani: Tos Hoxha dhe Flamuri. Të gjithë nga Kukësi.

-Dogjani: Më vje keq Jar, nuk jam niveli juaj. Unë jam pronar restoranti, Tos Hoxha ka qenë pronar fast food-i, ti ke qenë banakier, Flamuri ka qenë furnitor. S’kam nivelin tuaj, më vjen keq.

I mërzitur nga kjo SMS, Nishani i dërgoi SMS Gramoz Ruçit.

-Nishani: Bujari jam, më duhej ndonjë deputet i juaji, se do iki për vizitë në Kosovë.

-Ruçi: Patjetër. Më dërgoni një shkresë zyrtare, se u kthej përgjigjie.

-Nishani: Më kupto drejt, s’bëj dot shkresë, se ai Sekretari i Përgjithshëm i raporton Doktorit. S’dua ta marrë vesh.

-Ruçi: Më vjen keq dhe mua, por nga partia jonë me SMS komunikon vetëm kryetari. S’ta bëj dot.

Pas kësaj Bujari vendosi të komunikojë me Edi Ramen.

-Nishani: Bujari jam, desha të më jepje një deputet me vete për në Kosovë.

-Rama: Cili Bujar?

-Nishani: Bujari mo burrë, çuni i Namikut ,e ke pas mësues historie babën tim.

-Rama: Aha po, po e kuptova. Po deshe merr Ben Malaj, se atë kemi të deleguar në Kukës.

-Nishani: Po shumë mire, se atë e kam dhe mik shtëpie.

-Rama: Ok, po thuaji vet, se po i thashë unë, bën shkrim në gazetë që e kam kërcënuar

Pas kësaj Nishani komunikoi me Ben Malaj.

-Nishani: Jari jam. Fola dhe me Edin. Do vish me mua në vizitë në Kosovë…

-Malaj: Ke fol me Edin? Unë në Kosovë me ty? Kurrë!

-Nishani: Po pse, çfarë ka? Do kalojmë mirë. I paguajnë ata dreka, darka, të gjitha. Mëngjesin e kemi në hotel.

-Malaj: Ai do të më përjashtojë mua nga partia dhe të ka dhënë emrin tim për të më futur në listë. Është plan kundër meje. Do ta denoncoj fort në çdo takim. Më vjen keq që je bërë vegël qorre e Ramës. Ai ka vetëm një qëllim, të më shkatërrojë mua dhe ti po bëhesh dora e zgjatur e tij në klanet e PS.

-Nishani: Më vjen keq, më keqkuptove. Unë s’të zgjat dorën dot në takim, ta zgjas deri në PS!

 

 

 

Flamuri bën analizën e pantallonave të Doktorit pas gjuajtjes me miell

13 shtator, 2012

 

Dy ish të burgosur politikë qëlluan me një qese mielli makinën e Doktorit duke hyrë për në Kuvend. Një nga të burgosurit kishte dhe dy vezë në xhep, por nuk i mjaftoi koha për ta qëlluar dhe me to. I hodhi qesen e miellit, e cila u shpërnda mbi xhamat e makinës dhe pa gjithë qejf Doktorin si u shtri barkas në sedijen e pasme dhe rojën që ulërinte “Na qëlluan”!.

Pastaj makina mbërriti me urgjencë tek cepi i Kuvendit, u ngjit afër derës dhe rojet mbuluan me trup Berishën. Meqë vendi ishte i ngushtë, Doktori fshiu me pantallona miellin që i kishin hedhur makinës brenda. Sapo hyri brenda në mjediset e Kuvendit, u qetësua dhe filluan të analizojnë çfarë ishte ajo me të cilën qëlluan protestuesit.

Flamuri, i cili mbërriti menjëherë në vendngjarje, tha se mund të ishte lëndë kimike helmuese.

-Sapo më njoftuan se dhe në ambasadën amerikane në Berlin kanë hedhur lëndë kimike, tha Flamuri, dhe dyshohet se është një shqiptar. Mund të jetë sulm i koordinuar.

Dolën me urgjencë jashtë të merrnin analiza, kur për fat të keq shoferi nga turpi kish marrë zorrën e ujit dhe kishte larë gjithë miellin e shpërndarë sipër saj. Ngelej si provë vetëm mielli në pantallonat e Doktorit. U vendos me urgjencë të merreshin pantallonat për provë. Flamuri u lidh me Familjen dhe u nisën një palë pantallona të reja. Doktori u spostua tek zyra e mbledhjeve të grupit parlamentar.

Ed Halimi zgjati kokën pas derës dhe kërkoi leje të hynte. Ia bënë me shenjë të hynte.

-Doktor, të kisha thënë që nuk duhet mbyllur komisioni i 21 janarit, tha. A e shikon që akoma nuk i kanë harxhuar municionet që kishin përgatitur për puç? Kishin dhe çadra me vete ata dhe me siguri i kanë majat me helm.

-Mirë, dakord, tha Doktori, po tani më lini pak vetëm se do ndërrohem.

U boshatis dhoma, Doktori ndërroi pantallonat dhe ia dorëzoi Flamurit. Ky i fundit mori një qese plasmani, i futi me kujdes mos të shkundej pluhuri i bardhë dhe ia dha një oficeri t’i çonte në laborator.

-Nuk do të tregosh të kujt janë, tha, se na duhet analizë reale. Çoji në laborator dhe i thuaj analizo gjithë substancat që gjenden në pantallona dhe na thuaj çfarë përbërje ka.

Doktori u qetësua pasi Flamuri i raportoi se u kapën dy agresorët dhe janë duke u rrahur në komisariat.

Pasi u zhvillua seanca dhe Doktori u kthye në zyrë, Flamuri mori përsëri laboratorin për analizat.

-I kemi gati shef, tha laboranti, po vij në zyrë të t’i shpjegoj.

Flamuri po e priste me këmbë sipër tavolinës dhe shumë nervoz.

-Urdhëro. i tha laboranti. Ka përfundime interesante. Elementi më i përhapur që gjendet është acidi uretik, në masën 68 për qind.

-Acid. bërtiti Flamuri. E dija që kanë dashur ta helmojnë. E dija që kanë dashur t’i bëjnë atentat. Ah pisat, s’kanë ku shkojnë tani.

-Tjetër çfarë ka?

-Ka disa elementë karbohidratesh të shpërndarë në masën 11 për qind.

-Çfarë janë këto, i tha Flamuri.

-Elementë që vijnë zakonisht nga drithërat.

-Aha, ok, e mora vesh. Mielli, tha me vete. Tjetër, tjetër çfarë?

-Masa tjetër prej dhjetë për qindësh janë mbeturina fibroze të dekompozuara.

-Çfarë është kjo, i tha Flamuri.

-Është, si të them, element i dalë nga përpunimi i ushqimit.

-Me një fjalë ma thuaj troç, sa i rrezikshëm është acidi uretik, karbohidratet dhe këto elementët fibrozë që ke gjetur, i tha Flamuri. Sa të rrezikshëm janë për jetën dhe a përbën vepër penale ndotja me elementë të tillë?

-S’di si të ta them shef, ti e do në gjuhën popullore?

-Po, i tha Flamuri, se duhet tua shpjegojmë njerëzve.

-Shumë e thjeshtë shef. Personi që ka pas veshur pantallonat është dhjerë në brekë dhe kemi gjetur përqindje shurre dhe muti në pantallona. Ka dhe pak miell, që nuk e kuptojmë nga ka ardhë.

Flamuri u nxi në fytyrë.

-Dil jashtë, tha. Kam gjithë ditën që të kam ngarkuar një punë dhe këtë nuk di ta bësh. Qërohu!

 

 

 

Pjesë nga intervista e Sonilës me Marifete Jahjagën në ABCD News

4 tetor, 2012

 

Sonila: Zonja Presidente, prania juaj e parë në ABCD është një ngjarje e veçantë për ne, ndërkohë që ju, kur keni qenë një herë transit në Shqipëri, e keni vizituar dhe një herë tjetër televizionin tonë pasi e keni parë ekranin e tij në aeroport. Ndërkohë që ju po ktheheni nga një vizitë shumë e suksesshme në SHBA dhe prania juaj në TV tonë flet dhe për një dimension të ri që ne kemi në raport me pjesën tjetër të kombit tonë, e cila në njëfarë mënyre po bashkohet fillimisht prej televizionit tonë dhe TV Klan, që përveçse në HD, është tani dhe në rrugë tokësore në Kosovë. Pyetja ime në fakt kishte të bënte me diçka që lidhet me praninë tuaj në këtë televizion, si një nga më të njohurit në hapësirën shqiptare…

Jahjaga: Qe, erdha.

Sonila: Dhe është me të vërtetë një nder i madh për TV, por dhe një dimension i ri i juaji që arrini të komunikoni me Kosovën dhe përmes valëve të televizionit tonë, i cili siç dihet është një nga arritjet e mëdha të medies në Shqipëri, që rrezaton atë që e thotë shumëkush lidhur me arritjet e qeverisë shqiptare, të cilën e vlerësojnë dhe në Kosovë.

Jahjaga: Po bre, qysh jo!

Sonila: Dhe në me këtë rast do të desha të di dhe opinionin tuaj, i cili natyrisht nuk mund të ndahet nga opinioni i përgjithshëm që ekziston për median tonë, por dhe për profilin e lartë të qeverisë në Shqipëri, të cilat janë të lidhura pazgjidhshmërisht dhe që në një farë mënyre i ndihmojnë dhe mirëqeverisjes në Kosovë, apo jo?

Jahjaga: Diqysh, po bre!

Sonila: Dhe të kalojmë tek një temë tjetër, e cila ka të bëjë me luftën politike në Kosovë dhe përpjekjet e një pjese të klasës politike për t’u shmangur ju nga posti i presidentit dhe pse jeni presidentja e parë grua në Kosovë, dhe për këtë ne duhet të bëhemi të gjithë gardh dhe të bashkohemi në mbështetje tuaj, dhe këtë më së miri duhet ta bëjë televizioni ynë…

Jahajaga: Ani, mirë!

Sonila: Në të vërtetë ka qenë befasuese për ne se si mundën disa politikanë burra të kërkojnë dorëheqjen e një gruaje nga Kosova dhe të gjejnë arsye banale të fjalës së dhënë apo besës në një institucion kushtetues siç është presidenti.

Jahjaga: Vallai jam çuditë.

Sonila: Unë mendoj se është bërë dhe një fyerje tjetër ndaj jush duke tentuar t’i heqin partnerit tuaj të drejtat e Zotnisë së Parë të Kosovës me arsyetimin banal se ai nuk ka bërë celebrimin me ju, ndërkohë që është legale tashmë se femrat më të njohura shqiptare mbajnë mbiemrin e tyre dhe nuk lidhin kurorë zyrtare me bashkëshortët për dhjetëra arsye, por mbi të gjitha për shkak të identitetit të tyre apo pasurive që kanë krijuar. Nuk di pse klasa politike në Kosovë tentoi tu përbaltë në këtë pikë.

Jahajaga: Vallai lloç e kan ba. S’di.

Sonila: Dhe në fund një mesazh tuajin me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar dhe festës sonë kombëtare, e cila edhe pse nuk na ka mundur të na bashkojë si komb, na bashkon në përvjetorë dhe festa kombëtare, edhe për shkak të karizmës dhe shpirtit patriotik të të madhit Sali Berisha, kryeministri që aq shumë e duan në Kosovë dhe që ju çmon dhe respekton shumë.

Jahjaga: Ani, mirë boll do bëhet!

Sonila: A keni ndonjë mesazh tuajin zonja Jahajaga?

Jahjaga: Jo bre, veç thuj kur fillojmë!

 

 

 

Rrëfimi i Filip Çakulit për bisedën me Zotin

17 tetor, 2012

 

Filip Çakuli ka sot ditëlindjen. Mblodhi në një drekë gjithë gazetarët e stafit të tij dhe i uroi vetes ditëlindjen. Pastaj mbajti një fjalim për të pranishmit.

-Të nderuar kolegë dhe bashkëpunëtorë.

Siç e dini, pas Berishës dhe Enver Hoxhës vjen ditëlindja ime, pastaj vjen e Ramiz Alisë dhe Nënë Terezës. Siç dihet, kjo është java e njerëzve të mëdhenj të këtij vendi. Unë në fakt e kam pasur ditëlindjen në muajin maj, por kur mbarova shkollën e lartë, kisha frikë se më emëronin në ndonjë vend të largët dhe e bëra më 17 tetor që të isha mes Shokut Enver dhe shokut Ramiz.

Tani dua të ndaj me ju gëzimin për një bisedë të rëndësishme që pata sot në mëngjes para se të zgjohesha. Zoti mu faneps përpara syve dhe dukej i qeshur.

-Çfarë kërkon, i thashë unë nervoz se po më zgjonte nga gjumi.

-Kam tre mesazhe për ty, më tha, me rastin e ditëlindjes.

-Nuk t’i kërkova gjë, ç’më duhen mua ato, i thashë.

-Po ti dëgjoji një herë, tha, se ndoshta të hyjnë në punë. Nejse, fillova t’i dëgjoj.

E para, tha, kam dëgjuar se kryeministri juaj ka hapur fjalë se ka folur me mua para dy ditësh. Nuk është e vërtetë. Ai më ka dërguar një kërkesë që ta fal për kohën kur ka qenë komunist, por kërkesa nuk është pranuar, pasi na rezulton se ai është bërë komunist një vit pasi janë prishur gjithë shtëpitë e Zotit në Shqipëri. Pra, është bërë komunist për të mbështetur veprimet e komunistëve kundër Zotit. Për këtë arsye nuk ia kam pranuar lutjen fare.

-Po ç’më duhet kjo mua, i thashë, mos më zgjo nga gjumi tani se kam rënë vonë.

-Jo, prit, më tha. Ai ka hapur fjalë që më ka kërkuar që unë t’i jap jetë dhe sa gjysma e jetës së tij. D.m.th ai kërkon të jetoj 103 vjeç. Edhe pse ne jemi kundër tij për veprimet që ka bërë, ne nuk mund ta lejojmë atë të jetojë 103 vjeç, pasi siç e shihni, ai ka rrjedhur qysh tani. Përfytyroni nëse atë e lëmë gjallë 103 vjeç, sa njeri qesharak do bëhet. Ne jemi për të mbrojtur dinjitetin e njeriut ndaj do ta marrim sa më shpejt të jetë e mundur dhe ta çojmë në ferrin tonë këtu, ku nuk ka nga ikën.

E dyta, ka hapur fjalë sikur ka kërkuar dhe gjysmën e mandatit që ka qenë në pushtet. Ne u lidhëm me të vdekurit e tjerë që kemi këtu, dhe që e kanë njohur nga afër, dhe më thanë mos ia prano kurrsesi këtë. Azem Hajdari më tha ma sillni atë plehrë sa më parë këtu se më ka nxjerrë në pritë. Shumë djem të rinj nga Tropoja më thanë se e duam sa më shpejt ta nxjerrim në gjyq këtu. Shumë njerëz të vrarë më ‘97 e kërkonin këtu. Por ajo që ishte më bindëse, ishte biseda jonë me baxhanakun e tij. Ai më tha se e njoh mirë kush është dhe është i rrezikshëm po e latë në pushtet. Nëse mandatin e parë në pushtet si president ka vrarë pak vetë, tha, Remzi Hoxhën dhe ndonjë tjetër, në mandatin e dytë ai ka bërë kërdinë. 26 vetë i vrau bashkë me mua, tha, dhe pastaj bënte sikur nuk më njihte. Pastaj vrau katër vetë në bulevard. Tani po vazhdon të çojë drejt vdekjes njerëz. Lutem, tha, shkurtojani menjëherë mandatin. I dhashë fjalën se do ta bëjmë, por siç është zakon, i thashë që duam dhe një dorë në tokë, jo vetëm Zoti në qiell.

Sa për dëshirën e tretë që bën sikur nuk ma ka thënë, në të vërtetë po ua tregoj unë. Pasi unë i refuzova dy kërkesat e para, mu lut mos ta bëja publike që Zoti ia kishte hequr vizën dhe nuk kish punë me të. I thashë pres deri në pranverë, nëse vjedh dhe vret përsëri, do të marr urgjent këtu dhe në ferr e ke vendin. Mu përgjërua, filloi të qante, ra në gjunjë, më tha s’kam kujt t’ia lë Shqipërinë, se i kam mbesat e vogla, më thoshte kërko ça të duash, koncesion, hidrocentral, KESH-in, Albpetrolin, Fierzën, vetëm mos më merr, por unë e shtyja tutje me neveri. I thashë unë njëherë flas. Po nuk e bën dot, largohu!

-Këtu, sa dëgjova këtë fjalë, më doli gjumi dhe u ngrita si trembur, tha Filipi. Kur ç’të shoh. Kisha lënë televizorin ndezur dhe po jepej intervista e ambasadorit Arvizu me Sonila Meçon.

-Ptu dreq, thashë. Dhe një herë që mendova se fola me Zotin, paskam folur me Amerikën.

 

 

 

Trojka e Kurbanit të qengjave, shqetësim nga posterat

20 nëntor, 2012

 

Trojka e Kurbanit të qengjave, e përbërë nga Muli, Ruli dhe Luli, u mblodh prapë dje për konsultime. Këtë radhë Muli ishte i shqetësuar për posterat që kanë shpërthyer në gjithë viset e atdheut në mbrojtje të qengjave. Shumë prej tyre kanë dedikime fyese për qeverinë. Më provokuesi është një poster që imiton protestat e 21 Janarit, si revoltë qengjash, ndërsa të tjerë tallen me kryeministrin, duke e bërë personazh kryesor në dialogun me qengjat.

Muli kishte mbledhur posterat mbi tavolinë dhe filloi mbledhjen.

-E kam thirrur këtë mbledhje të trojkës për të diskutuar mbi autorët e mundshëm të këtyre posterave dhe fotografive të qengjave. Ai Burri është shumë i shqetësuar, sidomos për këtë posterin që imiton ngjarjet e 21 janarit.

-Ka shumë të drejtë, tha Luli,. Shiko në një foto aty qengji mban flamurin kombëtar. Është fyerje për flamurin.

-Unë them që ky nuk është shumë shqetësues, tha Ruli. Problemi që na hap ky poster është se kush janë puçistët, pra kush është Bamiri, Shaqiri dhe Ina Rama në këtë histori. Pra, duhet të gjejmë dy desh dhe një dele që janë puçistët se këta që janë në poster janë të identifikuar.

-Duhet të flasim më seriozisht, tha Muli. Nga të dhënat tona posteri është shpërndarë nga studioja grafike e Edi Ramës. Ka dhe plot elementë grafikë që e bëjnë të kuptueshme këtë. Biles një nga fotot, atë që një qengj ankohet se i shpëtoi Kurban Bajramit, po nuk i shpëton dot 28 Nëntorit, ai e ka postuar dhe në Twitter.

-Shumë e qartë, tha Luli. Ai i ka shpërndarë posterat. Do të shfajësohet për 21 Janarin. Do të thotë që njerëzit ishin të urtë si qengja. E ka kapur paniku, i ka orë e numëruara…

-Dale, dale, tha Ruli, se nuk është aq e thjeshtë. Po qe se i ka bërë Rama këto posterat, më rroftë mua që jam ministër Bujqësie dhe Blegtorie, gjithë blegtoria qenka me opozitën. Duhet të bëjmë diçka mos na marrë elektoratin.

-Unë them ta demaskojmë, tha Luli. Të themi që Rama tallet me gjakun e 21 Janarit dhe vizaton dele në vend të protestuesve të nderuar.

-Po qe se këtë e thua ti publikisht, dakord jam, tha Ruli. Vetëm ta dish se ata fëmijët jetimë vërtet janë qengja sot, por kur të rriten do kesh ca punë me ta po nuk ia mbathe në Holandë.

-Jo, unë jo. Ç’punë kam unë. Ti e di që më 21 Janar unë s’kisha gisht. Unë them të fusim në sherr Ramën me të vetët. Ti e di që më 21 Janar mua s’më pyeste njeri.

-Mos e shpërndani muhabetin, tha Muli. Duhet të ndalim posterat që po shpërndahen se po i bie serioziteti aksionit të therjes së dy mijë deshve dhe milorëve. Biles ka filluar dhe një Fis, Fis nga Kosova bën dhe ai karikatura banale, që tallet deri me Doktorin.

-Kam unë një propozim, tha Ruli. Deshët dhe qengjat që do theren të sillen vullnetarisht nga militantë të PD-së. Dy mijë vetë, na duhen secili nga një qengj. Kështu dhe lekët i marrin njerëzit tanë dhe qengjat janë të vetëdijshëm për sakrificën.

-Mirë e ke ti, tha Muli, por ne gjithë çobanët i kemi bërë policë, s’kemi më njeri që ruan dele nga tanët.

-Po s’ka problem, tha Ruli. Secili nga 2 mijë militantët tanë të gjejë një qengj dhe ne ia blejmë pak më shtrenjtë të fitojë dhe ai.

-Ka Kunati im, tha Luli 2 mijë kokë gati, ia blejmë atij, s’ka problem. I ka dhe të përgatitur shpirtërisht për kurban. Problemi është si t’i përgjigjemi kësaj fushatës me postera?

-Këtë e zgjidh unë, tha Ruli. Më thuaj kur mbaron kjo fushata e partisë çame me flamuj kombëtar dhe të vendos unë posterat e Ministrisë së Bujqësisë. Aty do mbledhim gjithë këto posterat që tallen me therjen e qengjave dhe do shkruajmë sipër: Ja si shkojmë drejt kurbanit me këngë në gojë. Kështu duket sikur posterat nuk i ka bërë Rama, por i kemi bërë vetë për humor.

-Shumë ide e bukur, tha Luli. T’i printon Kunati im posterat.

-Shumë mirë, tha Flamuri. Vetëm se duhet sqaruar ai Burri se në vend të qengjave do bëhemi ne kurban.

-Kjo është e vetmja zgjidhje, tha Luli i gëzuar.

-Zgjidhje nuk gjetëm, po gjetëm punë për Kunatin, tha Ruli.

 

 

 

Flamuri bën gati sallën e Ismail Bej Vlorës për mbledhje qeverie

1 dhjetor, 2012

 

Më në fund Doktori u dorëzua. Përpjekja për të injoruar Vlorën gjatë festimeve i kushtoi shumë shtrenjtë. Përveçse gjithë shqiptarët shkuan në Vlorë në vend të Tiranës, ngeli dhe ajo pamje e shëmtuar e tortës që shqyhej nga njerëzit që kishte gënjyer se do tu jepte mish dhe tortë falas po të vinin në miting.

Për këtë arsye u vendos që mbledhja e qeverisë e datës 4 dhjetor të mbahet në Vlorë në zyrat e qeverisë së Ismail Bej Vlorës.

Flamuri u ngarkua me përgatitjen e mjedisit të zyrave. U nis urgjent pas mbledhjes në Vlorë dhe shkoi tek ndërtesa e qeverisë. Gjëja e parë që i bëri përshtypje ishte ndërtesa e vogël.

-Si ka mundësi ka ndenjë qeveria në këtë ndërtesë, tha. Kaq unë kam vetëm dhomën e pritjes në shtëpi.

Sidoqoftë ia nisi punës. Në dhomën më të madhe të shtëpisë vendosi një tavolinë të gjatë me 16 karrige. Roja i godinës i ndërhyri dhe i tha se nuk mund të vihen më shumë se dhjetë karrige se aq kishte Ismail Beu. -Ai qeveriste me dhjetë vetë, ju me 15 dhe e keni bërë vendin rrëmujë, i tha roja.

-Shko mor ti spiun i Shpëtim Gjikës, i tha Flamuri. Atë e di vetë unë sa vetë jemi.

Por në fakt me mendje filloi të hiqte pesë ministrat. Më e thjeshta ishte të lejoheshin në mbledhje vetëm ministrat analogë.

I pari Ismail Bej Vlora. Në atë karrige do ulej Doktori.

Zëvendëskryeministër ishte Dom Nikoll Kaçorri. Në atë vend do ulej Haxhinasto. Kishte një farë lidhje se dhe Haxhinasto ka krushqi në Durrës. Të tjerat s’kanë shumë rëndësi.

Ministër i Brendshëm, Myfit Bej Libohova.

-Në vend të këtij po ulem vetë, tha Flamuri, se jam Ministër i Brendshëm. U ul, u rehatua dhe pyeti ciceronin kush kishte qenë ky Myfit Beu?

-Ka qenë derë e vjetër nga Janina, pastaj erdhën në Libohovë në kohë të Ali Pashë Tepelenës, dhe ka qenë shumë i pasur, i tha ciceroni. Kanë pasë sjellë bujq për të punuar tokat e tyre nga Siria. Ja, këta gjyshërit e Bujar Nishanit ai i ka sjellë nga Siria si refugjatë.

-Ke të drejtë, tha Flamuri, se ky Bujari ngjan pak si sirian.

-Ka qenë burrë i zoti, i tha ciceroni. Jugun e bënte zap. Më vonë u bë dhe Ministër Drejtësie dhe guvernator si Fullani, dhe për herë të dytë u martua me një nordike, zonjën Ollga, shumë grua e mirë. Vdiq në Libohovë pas tij gjatë komunizmit.

-Nejse, ky qenka tamam, tha Flamuri, nuk më turpëroka mua.

Karrigia e katërt ishte e Ministrit të Drejtësisë, dr.Petro Poga.

-Po ky nga ishte, pyeti Flamuri ciceronin e Muzeut.

-Luxhiot ishte, i tha ciceroni, Andej nga Leka Meksi, Fatos Nano… Ka qenë shokë me këta frashërllinjtë se ka studiuar në Stamboll.

-D.m.th ia vlen të ulet këtu Eduard Halimi, pyeti Flamuri.

-Le të ulet, tha Ciceroni, ai vdiq i qetë, nuk sheh gjë çka lënë mbrapa.

Pastaj erdhi karrigia e Ministrit të Bujqësisë, Pandeli Cale.

-Ky nga ka qenë, e pyeti Flamuri?

-Nga Korça ishte, burrë i zoti shumë, kishte studiuar në Misir dhe Stamboll. Ka qenë dhe i pushkës.

-D.m.th ky Genc Ruli e meriton këtë karrige, tha Flamuri. Nuk e paska pasur budalla paraardhësin?

-Nuk di ç’të të them, i tha ciceroni, se Pandeliu s’ka pasur dorë si Genci. Shquhej vetëm për mendje dhe trimëri.

I erdhi radha Ministrit të Financave, Abdi Toptani.

-Po ky ç’ka qenë, i tha Flamuri.

-Ky është nga fisi i nënës së Fevziut, tha ciceroni. E ka pasur vëlla një stërgjysh të tij. U bë Ministër Financash se kishte lekët e veta, se qeveria s’kishte qese atëherë.

-D.m.th ky Ridvani e paska pasur kot fare këtë paraardhësin, i tha Flamuri.

-Kot i bie, tha ciceroni. Atëherë hynin milionerët në qeveri dhe dilnin duarthatë, tani hynë duarthatë dhe dalin milionerë.

I erdhi radha më në fund Luigj Gurakuqit. Paskësh qenë Ministër i Arsimit.

-Ky paska qenë si Myqeremi, tha Flamuri. Po duhet të ketë qenë i dobët se në atë kohë nuk hapi dot asnjë universitet, Myqeremi ka hapur 52.

-E drejtë është, tha ciceroni. Atëherë fëmijët shkonin në shkollë me një barrë libra dhe ktheheshin me kokën plot, tani nisen me xhepat plot dhe kthehen me një copë letër.

Erdhi dhe karrigia e Ministrit të Mbrojtjes. Paskësh qenë Mehmet Dërralla.

-Ky ishte nga një katund i Tetovës, i tha ciceroni. Kishte mbaruar akademinë në Stamboll.

-I ngjan dot Arben Imamit, i tha Flamuri.

-Kanë një pikë të përbashkët, i tha Ciceroi, Dëralla ka mbaruar Akademinë Ushtarake në Stamboll ky joni Akademinë e Arteve në Tiranë. D.m.th njëri qe ushtarak, tjetri aktor ushtrie.

Karrigia e 9-të ishte e Ministrit të Punëve Botore -Mit’hat Frashëri.

-D.m.th paraardhësi i Olldashit, tha Flamuri. Ia vlen ky apo mos na turpëron Olldashin?

-S’di ç’të them, i tha ciceroni. Përmetarë janë të dy, njëri ka pasur babanë njeri të madh, tjetri gjyshin, të dy kanë shkruar vjersha kur ishin të vegjël, vetëm se njëri vdiq në hotel me 10 dollarë në xhep, tjetri s’dihet me sa vdes.

Tek karrigia e dhjetë Flamuri ngeci. Quhej Ministër i Postëtelegrafës- Lef Nosi. Kjo i binte që në qeveri të futej Kilja i Postës.

-Le se po e zëvendësoj me Genc Pollon, tha, se ai seç merret me ca tela e kabllo.

-A është i denjë ky Lef Nosi të pasohet nga Genc Pollo, i tha Flamuri.

-S’di ç’të them, i tha ciceroni. Gjyshi i Gencit ishte komandat i grekëve në Përmet më 1914, kurse Lef Nosi merrej në atë kohë me historinë e Shqipërisë dhe botoi gazetën Tomorri. E vetmja pikë që ngjajnë është se në gazetën Tomorri në kohë të luftës ka botuar dhe babai i Gencit vjersha për Duçen.

Si përfundim karriget mbaruan. Flamurit i ngelën gjashtë ministra pa karrige, Vangjel Tavo, Majlinda Bregu, Edmond Panariti, Aldo Bumçi, Spiro Ksera dhe Fatmir Mediu. Flamuri po mendonte gjatë se ç’do t’u thoshte këtyre të gjashtëve. U mendua gjatë dhe nuk gjente dot asnjë fjali. I lodhur mori Doktorin në telefon dhe ia lexoi të gjashtë emrat.

-Dua një arsye pse janë futur këta në qeveri, tha, se më duhet.

-Kot, i tha Doktori.

 

 

 

Darka e gabuar e Sandrit dhe Fevzos

10 dhjetor, 2012

 

Sandri dhe Fevzo janë më në fund të dyshuar të mëdhenj. Një javë më parë, ata kanë shkuar pa leje të Doktorit në një darkë me Edi Ramën, Ngjelën, Zogajn, dhe disa deputetë socialistë. Kishin 8 vjet rresht që nuk shkonin askund pa pyetur Doktorin. Sandri ishte sërish në mëdyshje, por Fevzo i dha zemër.

-Eja o burrë, i tha, ç’i merr leje atij akoma, ai ka rrjedhur.

Sandri mori zemër dhe shkuan. Ditëlindja shkoi mirë. Pinë verë dhe folën për politikë. Avokati, nga mesi i bisedës, e trashi pak muhabetin.

-U lodhëm shumë o Sandër, tha, sa e hodhëm këtë Saliun tek Zogu, po ia arritëm. Vetëm një hall kemi se do fillojnë këta të tjerët tani të thonë duam dhe ne Enverin.

-Ashtë ë, tha Sandri duke i ngulur sytë gjithë mosbesim. Po mirë ka shku ë, mirë, ë, mori ca pikë?

-Ç’mori mor derëzi, mori gjynahet e atij injorantit të Matit, atë mori. Po shyqyr thuaj se desh na e la ne Zogun në kurriz.

-Po jo o Sandër, ça pikësh mori, tha Fevzo. Le se është skandal ajo.

-Hë mo ti k…, tha Sandri, se ti dje që ishim me Doktorin i the ke fitu shumë pikë me këtë të Zogut.

-Po ça t’i them atij o burrë, nuk e shikon që ka 7 muaj që nuk na vjen në emision. Ai është çmendur fare.

-D.m.th ti avokat thua ka humbur pikë, tha Sandri.

-Iku ai Sandër, dhe të la rrugëve, ke gjithë ato ndërtime pa leje, gjithë ato fatura të pambuluara, do t’i paguash si pulën e Danglarit.

-Ça është Danglari, pyeti Sandri.

-Hajt o burrë se e njoh unë, ka qenë president i Francës, tha Fevzo me siguri. Më duket i dyti ose i treti, s’e mbaj mend. E ka pas taku një herë gjyshi im. Në fakt është daja i gjyshes që kam nga Ypët, që unë i kam pas thirrë gjysh. Nejse, ai kish vdekur kur linda unë, po unë e quaj gjysh.

-Vari trapin Fevzo, m’i thuaj me toka se kshtu si mbaj mend.

-Lëri mo tokat e Fevzos po dëgjo ktu, i tha Avokati, kalo sa më shpejt këtej. Ja ku e ke Ramën, merre nesër tek ABC News, merr kthesën shpejt, pastaj tek Klani lëre atë rrangallën se Fevzo merr rrogë në çdo regjim se ushtar regjimi është, dhe këta të majtët i ka dashtë shumë, ti shkon për lesh. Ti pulën e Danglarit do blesh.

Pas kësaj muhabeti u shtrua dhe Fevzua me Sandrin hynë në bisedë me Ramën, folën gjatë për intervistën tek ABC News, pastaj biseda shkoi tek Meta dhe çamët, si do paraqisnin ata rezolutën, si nuk do ta miratonte Berisha, si do dilnin nga koalicioni, si do bënte sikur do nxehej Meta, si do ikte dhe ai, si do kthehej Klani me PS, si do bënte prapë Sandri lekë, si do thërriste Fevzo prapë Ramën çdo muaj…

Atmosfera u ngroh aq shumë sa në fund Sandri ngriti një dolli për ikjen e Doktorit.

Kaq ishte darka. Të nesërmen Fevzo që në mëngjes shkoi tek Doktori dhe i tregoi gjithçka.

-Ishim me Sandrin dje, na thirri ai Preçi për një darkë, kishte ditëlindjen, po nuk na tha o burrë që do ishte dhe ia trapi Rama. Ishte pastaj dhe ia i çmenduri, Ngjela. Ça nuk këpusnin, por gjithë merakun e kishin si të rehabilitonin Hoxhën. U thashë po vazhduat kështu, unë u ngrita, ika. Sandri në fakt e teproi pak se piu dhe filloi të bënte muhabete pa lidhje. Le që ftoi dhe Ramën në ABC News. Skandal o burrë, si do shkojë ai në ABC News. Po të jetë për të ardhur, ja ku e ka Opinionin. Po unë i thashë në fakt, pa ardhur Doktori, nuk të marr…

-Nejse Fevzi, e mora vesh darkën se ma solli Vishoja të regjistruar. I dëgjova të gjitha. Nuk jam i sigurt a ishte Rama më i gëzuar që u takoi ju, apo ju që takuat Ramën, por di të të them që e dëgjova darkën të gjithën, ma solli Visho. Do ta denoncoj. Jo, do ta denoncoj. Këtë radhë po ju ruaj, po heq emrin tënd, po fut Ylli Rakipin si personazh, por nuk të ruaj më. Lojë me dy porta nuk më bëni dot. Jo, ta dish mirë këtë. Po shtoj dhe Bamir Topin dhe Mero Bazen, se pa ata nuk më ngjit të quhet puç. Do ta bëj bashkëbisedim me Mesilën. Më pëlqen shumë ajo se i shndrijnë sytë kur i drejtohem unë dhe lëngëzon e gjitha. Por të jetë hera e fundit. Po u kapa më, mos të kemi fjalë.

-Po jo Doktor, ajo ishte skandal në fakt, unë i thashë Sandrit mos të ikim pa i marrë leje Doktorit, po Sandri ti e di si e ka, Sandri i fut një të sharë dhe ec. Jo o burrë, ke të drejtë, skandal ishte. Unë nuk shkoj më për vete. Le që ta dija që ishte Rama, as që merrja mundimin të shkoja.

-Mirë, dakord. Të jetë herë e fundit. Me dy porta me mua nuk luani dot. Jo po ik hani dhe një darkë me Bamir Topin dhe Mero Bazen dhe më thoni nuk e kishim mendjen. Por kur dëgjuat për përmbysjen time aty, pse nuk u çuat, apo u pëlqeu muhabeti?

-Jo Doktor, Sandri në fakt qëndroi se unë desha të çohesha. Ishte skandal, e pranoj.

 

 

 

Gratë e Kukësit i shkruajnë Flamurit!

19 dhjetor, 2012

 

Një letër e gjatë ka mbërritur dje në zyrën e Flamurit në emër të grave të Kukësit. Një grup grash të fyera nga deklarata e Flamurit se burrat e tyre janë më hamshorë se burrat e Beratit, i kanë kërkuar deputetit të tyre të tërheqë mbrapsht deklaratën ndryshe do ketë pasoja.

Ja se ç’thuhet në letër:

“-Zoti deputet.

Të dëgjuam në televizion duke thënë se burrat e Kukësit janë më hamshorë ndaj dhe popullsia në qarkun tonë është rritur.

Së pari jemi të fyera nga mendimi që ti ke për ne si gra, duke mos na llogaritur fare si palë në procesin seksual, por duke llogaritur vetëm dëshirën seksuale të burrave. Sipas teje fëmijët në Kukës lindin se u ngrehet burrave dhe ata përdhunojnë gratë.

Kjo është një fyerje shumë e rëndë për ne gratë e Kukësit, të cilat jo vetëm që nuk ndjehemi të përdhunuara, por ndjehemi ndonjë herë dhe të pakënaqura me burrat tanë neglizhentë. Në historinë e Kukësit kanë qenë gratë ato që kanë kërkuar barazi seksuale qysh në kohë të komunizmit. Po të pyesësh babën tat që ka qenë komunist, do të tregojë për letrën e vajzave të Bicajt drejtuar shokut Enver për të ndryshuar raportin burra- gra në fshat pasi po ngeleshin vajzat pa martu.

Problemi i dytë që na ka hapur letra jote është me qindra mijëra familje të Kukësit, që janë zhvendosë këtej nga varfëria dhe jeta e keqe dhe jetojnë në periferi të Tiranës apo Durrësit. Me këtë deklaratë që ti ke bërë, këto familje janë të rrezikuara të prishen, pasi shumë vajza dhe gra të qyteteve të mëdha, tani i shikojnë burrat nga Kukësi si objekt seksi. Kjo ka për të bërë që të rritet numri i tradhtive në familje dhe të shkaktohen probleme të mëdha për të ardhmen e familjeve kuksiane.

Problemi i tretë që lidhet me këtë çështje, ka të bëjë një fenomen të ri, që mund të shfaqet si tipizues për rrethin e Kukësit. Përpjekja jote për t’i shpallur kuksianët si hamshorë kampionë, do të nxisë prostitucionin në zonat e mëdha urbane duke kërkuar burra nga Kukësi në këmbim të seksit. Kështu, nëse Beratit i doli nam i keq në vitet ‘90–të për eksport prostitutash në Itali, ne ka me na dalë nam i keq për eksport burrash prostituta brenda dhe jashtë vendit.

E fundit që duam të theksojmë është se me këtë deklaratë ti ua ke ulë vlerat e tjera burrave tanë, dhe u ke shpikur më shumë se duhet një veti që nuk e kanë. Në Kukës ka mësues, mjekë, inxhinierë, artistë, por ti nuk bëre asgjë për promovimin e vlerave të tyre. Të gjithë ata tani sipas teje shquhen vetëm si hamshorë.

Të indinjuar nga ky fakt, kërkojmë urgjent të tërheqësh deklaratën tënde ose së paku ta korrigjosh atë duke theksuar dhe rolin e grave të Kukësit në këtë proces.

Ne jemi të fyera si femra, si kuksiane pastaj dhe si gra intelektuale, me vlerësimin tënd për burrat e Kukësit sikur të ishin desh race dhe jo njerëz të zakonshëm.

Në rast se nuk tërhiqesh nga kjo deklaratë, të sigurojmë se ke me i humbë ato vota dhe atë deputet që don me e fitu si meritë e meshkujve të Kukësit, pasi ne gratë e Kukësit nuk ta japim kurrë.”

Flamuri e lexoi i tronditur letrën dhe nuk dinte ç’të bënte. Fjalia e fundit ishte më e rënda për të.

-Çfarë ke që u trondite, e pyeti Fatos Hoxha, deputeti tjetër i Kukësit.

-Më kanë dërgu gratë e Kukësit, letër më kanë bë mut, tha Flamuri. Thonë tërhiq deklaratën që burrat e Kukësit janë k… më të mëdhenj në Shqipëri!

-Tërhiqe, i tha Fatosi, se na prish punë vërtet. Thuaj e kisha për vete si deputet i Kukësit.

 

5 komente në “ANTENAT E VITIT”

  1. Horri i Bulevardit says:

    Intervista e ish polices dhe presidentes Jajajagagaga me Sonilen e tvsandrit, eshte per mua qershia mbi torte.

    1. Lavirja e Bulevardit says:

      Veshtire te zgjedhesh me te bukuren, por une do vecoja:
      Gratë e Kukësit i shkruajnë Flamurit!
      http://imazheshqip.blogspot.com/2012/12/lajmi-i-fundit-nga-kabineti-berisha-xxl.html

  2. Gerti says:

    Po kush i verteton qe keto jan te verteta ??

    1. Belisarius says:

      Gerti e ke idene se cfare eshte Antena apo hic? Eshte sarkazem, padori dhe humor i papare i Meros duke marre spunto nga ngjarje te verteta. Pra nuk thote njeri qe jane te verteta, por, jane te besueshme se mund te ishin te verteta!

    2. bard says:

      gerti, gezuar vitin e ri se qenke hala’ te ura.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje