INTERVISTA/ Gjiknuri: KQZ-ja po punon nën diktatin politik të mazhorancës

28 Janar 2013, 18:35Politika TEMA

Damian Gjiknuri, Sekretar për Çështjet Zgjedhor në Partinë Socialiste, thotë se mazhoranca nuk po respekton kriteret kushtetuese të barazisë së votës. Pse KQZ-ja duhet të marrë një vendim për këtë çështje dhe Kuvendi s’mund të ndërhyjë

Nga Renato Kalemi*

 

Çështja e ndarjes së mandateve është kthyer në një rrugë pa krye për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, por edhe një mollë sherri për dy forcat e mëdha politike, PD dhe PS. Për mazhorancën, harta e mandateve duhet të miratohet njësoj si në vitin 2009, e për këtë arsye ajo i është drejtuar Kuvendit, si organi i fundit që mund ta miratojë këtë zgjidhje. Por, nga ana tjetër, opozita është kundër kësaj zgjidhje, duke mbështetur një ndarje të re, e cila të respektojë kriteret kushtetuese të barazisë së votës, pra të gjitha qarqet të përfaqësohen njësoj në Kuvendin e ri. Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, Damian Gjiknuri, bën një panoramë të kësaj përplasjeje në KQZ, duke kritikuar punën e kësaj të fundit, por edhe mënyrën se si po sillet Kolegji Zgjedhor. “Ne jemi absolutisht kundër që kjo çështje të kalojë në Kuvend pa një vendim të KQZ-së”, thotë ai për Klan. Një problem, i cili vijon prej nëntorit të kaluar dhe ka tërhequr vëmendjen e përfaqësuesve ndërkombëtarë në Tiranë.

 

– Zoti Gjiknuri, para disa ditësh ju zhvilluat takime me përfaqësues ndërkombëtarë, të cilëve u paraqitët disa shqetësime që lidhen me punën e KQZ-së për përgatitjen e zgjedhjeve, por veçanërisht për ndarjen e mandateve. Çfarë diskutuat konkretisht dhe a morët mbështetje për problemet që parashtruat?

Paraqita shqetësimet tona lidhur me vendimin e fundit të Kolegjit Zgjedhor, një vendim i njëanshëm dhe shumë i rrezikshëm pasi, në njëfarë mënyre, kolegji ka thithur kompetencat e KQZ-së, duke imponuar rregulla të njëanshme. Gjykata nuk mund të nxjerrë vendime dhe udhëzime, por ajo mund t’i rrëzojë ato; pra, jo të zëvendësojë KQZ-në në punën e saj. Diskutuam edhe për çështjen e pazgjidhur të mandateve, aq më tepër pas zhvillimeve të fundit kur, në mënyrë të paligjshme, me një shkresë të Sekretares së Përgjithshme të KQZ-së, Kuvendi vihet në lëvizje për të kryer një proces që nuk i takon në këtë fazë, por është ekskluzivitet vetëm i KQZ-së. Kemi një shkelje të hapur të Kodit Zgjedhor, si me dërgimin e shkresës nga ana e KQZ-së, ashtu edhe në procedurën e menjëhershme që po nismon Kuvendi, pa përfillur fare kriteret ligjore dhe funksionet që kryen KQZ-ja.

 

– Dhe a morët mbështetje për këto shqetësime tuajat?

Ata ishin të interesuar lidhur me këto ngjarje, morën shpjegimet tona dhe shprehën shqetësimet se organizimi i zgjedhjeve ka një rëndësi shumë të madhe për Shqipërinë. Këto janë takime informuese, nga të cilat nuk priten qëndrime nga ana e përfaqësuesve diplomatikë.

 

– Ju jeni shprehur se çështja e mandateve është një çështje delikate, e cila mund të cenojë zgjedhjet që në fillim. Si duhet të zgjidhet ky problem?

Ne na shqetëson mënyra se si po vepron mazhoranca, duke mos respektuar kriteret kushtetuese e ligjore të barazisë së votës dhe duke imponuar skemën e ndarjes së vitit 2009, të cilat nuk reflektojnë dinamikën e popullsisë, parimin e barazisë në përfaqësim. Do të ndodhë që Qarku i Tiranës do të ketë një kuotë prej 50 mijë qytetarësh të përfaqësuar, ndërsa Qarku i Durrësit një kuotë prej 40 mijë qytetarësh të përfaqësuar. Në të njëjtën kohë, disa qarqe të tjerë do të jenë të mbipërfaqësuar. Ky është cënim i barazisë së votës, i barazisë së përfaqësimit dhe është një shkelje e Kushtetutës.

 

– Sipas jush, cila është zgjidhja e këtij problemi?

Kemi kërkuar që çështja e ndarjes së mandateve të futet në rendin e ditës të KQZ-së dhe të marrë miratimin e saj. Pastaj, Kuvendi mund ta votojë. Në vitin 2009, Kuvendi e ka miratuar në datën 5 mars, ndërsa KQZ-ja e miratoi në shkurt. Pra, nuk ka emergjencë. Si rregull, procesi fillon në nëntor. U zgjat për mungesë transparence. Tashmë, KQZ-ja ka emëruar auditorët e saj dhe nënkryetari i saj, e deklaroi edhe në komisionin e ligjeve se ka marrë informacion të nevojshëm për Qarkun e Kukësit, ku ka gjetur edhe një problematikë të caktuar, e cila do të paraqitet më vonë. Pra, është një çështje që do të bëhet transparente, megjithëse na u mohua nëpërmjet ngritjes së një komisioni hetimor. Qytetari shqiptar nuk ka pse të vuajë përfaqësimin e tij vetëm për shkak të kapriçiove politike të mazhorancës. Kuvendi nuk ka lirinë të miratojë mandate, sepse po të niseshim nga interesat politike të një mazhorance, mund t’i ndante mandatet sipas interesit të qarqeve që ka mazhoranca. Kuvendi thjesht ratifikon mandatet që vijnë nga KQZ-ja. Ne jemi absolutisht kundër që kjo çështje të kalojë në Kuvend pa një vendim të KQZ-së.

 

– PS-ja ka hedhur dyshime mbi lëvizjen e popullsisë në Qarkun e Kukësit, duke kërkuar edhe ngritjen e një komisioni hetimor, i cili nuk u miratua nga mazhoranca. Mendoni se ka shenja (indicie) që mund të çojnë në faktin se edhe këto zgjedhje mund të përpiqen të cenohen?

Disa anëtarë të KQZ-së e kanë rinisur çështjen duke iu kthyer projektit të ndarjes që ishte në nëntor. Pretendimi i opozitës nuk ka qenë ndarja e mandateve në vetvete sepse për ne nuk është problem që Qarku i Kukësit të mbetet me katër mandate dhe Berati të kalojë në shtatë. Për ne, problemi ka qenë integriteti i të dhënave, regjistri i gjendjes civile dhe transparenca që duhet të bënte Ministri i Brendshëm. Tani, kjo mundësohet deri diku nga organi i auditit, pasi janë bërë krahasimet dhe kanë dalë të dhëna shumë interesante, që tregojnë vërtet se ka pasur probleme me zhvendosjen e njerëzve të afërt apo njerëzit që punojnë në shtet, duke i kaluar si banorë në Kukës. Kjo është një çështje e hetimit penal dhe zbardhja e këtij krimi elektoral do të jetë një nga prioritetet e qeverisë tonë.

 

– Duke gjykuar nga puna e deritanishme e KQZ-së për përgatitjen e zgjedhjeve të 23 qershorit, cilat janë përshtypjet tuaja dhe PS-së? A është një institucion që mund të garantojë mbarëvajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme?

KQZ-ja po punon nën diktatin politik të mazhorancës. Administrata e saj është totalisht e politizuar. Kjo duket në disa veprime; së pari, komunikimi i KQZ-së me Kuvendin pa njoftuar Kryetarin dhe Nënkryetarin, sidomos këtë të fundit, i cili nuk kishte dijeni për këtë komunikim. Pra, ishte një veprim i njënashëm i administratës, i komanduar politikisht nga PD-ja. Rast tjetër flagrant ishte mënyra se si u sollën me ndarjen e ZAZ-ve, kur një projekt paraprak i ardhur nga administrata, i cili mori konsensusin e opozitës për ndarjen në 76 zona zgjedhore, u “vra” pikërisht nga PD-ja dhe administrata u detyrua që të sillte një projekt tjetër sipas dëshirave të saj. Në tavolinë ishte një projekt që gjeti konsensus. PD-ja na u afrua politikisht duke kërkuar konsensus për të rritur numrin e ZAZ-ve përtej numrit që propozoi administrata e KQZ. Këtë kërkesë ne nuk e pamë të volitshme sepse menduam se shtimi i ZAZ-ve mund të krijojë probleme në monitorimin e procesit të numërimit. Kjo ishte arsyeja pse vendosëm që numri 76 ishte më i pranueshëm. PD-ja, në mënyrë të beftë, urdhëroi administratën dhe thirri KQZ-në të sjellë një draft të ri në kundërshtim me çdo lloj parimi. Kjo tregon harmoninë e plotë mes PD-së dhe administratës së KQZ-së.

 

– A jeni i shqetësuar nga ky politizim i KQZ-së, për të cilin po flisni?

Jam i shqetësuar. Në Kodin Zgjedhor, shumë vendime të KQZ kërkojnë konsensus, duke ditur natyrën gjysmë politike të këtij komisioni. Duke e vrarë këtë mundësi nëpërmjet vendimit të Kolegjit ZGjedhor, duke imponuar vetëm vullnetin tënd dhe duke paraqitur kundërshtimet e opozitës apo të disa anëtarëve të pakicës në lidhje me draftet që përgatiten nga administrata si tendenca për bllokim, këto bëjnë që KQZ të dalë jashtë loje, jashtë procesit zgjedhor. Kjo do të jetë shumë e rrezikshme sepse funksionet e KQZ nuk mund t’i zëvendësojë as kolegji, i cili është gjykatë dhe gjykon mbi vendimet, as Kuvendi në rastin e mandateve. Ndryshe, do të kemi një komision jo funksional, që do të jetë shumë e vështirë për ta menaxhuar. Ky është një ogur jo i mirë për zgjedhjet. Është shumë e rëndësishme që rregullat e lojës që po shkruhen tani të merren me konsensus, pasi duhet të kenë mbështetjen e të gjitha palëve. Çdo lloj diktati nga njëra anë është shumë e rrezikshme. Edhe diktaturat kështu janë vendosur, duke shmangur organet nga puna e tyre, duke i zëvendësuar ato me një diktat politik të nisur gjoja nga një qëllim i lartë i interesit publik.

 

– Cili është vlerësimi i PS-së për sjelljen e Kolegjit Zgjedhor? A keni besim se kjo gjykatë është në gjendje të mbajë paanshmërinë e munguar në zgjedhjet e 8 majit?

Në vendimin e tij të parë, Kolegji Zgjedhor goditi rëndë besimin e publikut tek procesi zgjedhor. Mori një vendim që nuk i takonte, sipas ligjit, dhe kishte vetëm një të drejtë: të detyronte KQZ-në të merrte një vendim. Kolegji hyri në një proces të mirëfilltë administrativ duke ndarë hartat, duke mos zhvilluar as një proces gjyqësor të rregullt, as ekspertizë, arriti të ndajë vendin sipas interesave të një partie, të reflektuara në atë projekt. Çdo jurist që mund ta shikojë atë vendim do ta kuptojë se sa absurd është. Si arriti gjykata të çmojë se këto zona duhet ndarë kështu? Si e çmoi se numërimi qenka më i shpejtë po të shtohen ZAZ-së? Si e kuptoi se ka harmoni territori? Si e kuptoi se një komunë e bashkuar me një komunë tjetër përputhet me kriteret që ka ligji në lidhje me vazhdimësinë e territorit? Si i ndau gjykata bashkitë në tre ZAZ, kur kriteri i ligjit është harmonia ndërmjet qendrave të votimit? Pra, thjesht ratifikoi projektin e ardhur nga PD-ja dhe gjykata doli jashtë pozicionit si trup gjykues dhe u kthye në një organ rregullshkrues. Mendoj se i ka shtuar vetës një detyrë që do t’i rëndojë shumë dhe do ta batërdisë besimin e publikut.

 

– Disa probleme jo edhe aq të vogla janë shfaqur edhe me çështjen e listave zgjedhore. Si e sheh PS-ja këtë proces, duke qenë se në të kaluarën listat zgjedhore kanë qenë një objekt i madh kontestimesh?

Listat e zgjedhësve janë publikuar me probleme. Jemi duke hulumtuar mni këtë çështje, edhe nëpërmjet auditit që është ngritur në Ministrinë e Brendshme. Kemi marrë të dhënat e nevojshme dhe po bëhet një punë e mirë nga ana e auditëve. Shumë shpejt do të kemi një raport në KQZ, lidhur me publikimin e parë të listës paraprake. Megjithatë, mundësitë ligjore janë të mira sepse lista zgjedhore del çdo muaj, kështu që Ministria e Brendshme i ka të gjitha mundësitë të reflektojë vërejtjet që vijnë nga auditët. Ka probleme që janë krijuar nga ndarja dhe bashkimi i qendrave të votimit dhe ne po i monitorojmë me shumë kujdes.

 

– Po flitet gjithnjë e më shumë për koalicionet zgjedhore. Kodi Zgjedhor sugjeron që sa më i madh koalicioni parazgjedhor, aq më shumë mundësi për të fituar. Jeni pro apo kundër bashkëpunimit në zgjedhje me forca politike si LSI, AKZ apo FRD?

Sistemi zgjedhor që kemi në fuqi kërkon aleanca sa më të gjera. PS nuk ka pse të kompleksohet dhe të kërkojë aleancë me çdo forcë që e sheh veten në opozitë, që kërkon rotacionin politik dhe largimin sa më parë të kësaj qeverie. Çdo parti që ka një profil të qartë opozitar, për mua është e mirëpritur, pavarësisht nga diferencat në dukje ideologjike apo programore që duhet të kenë, përballë një emergjence historike që ka ky komb për të larguar Sali Berishën nga qeverisja. Këtu nuk përjashtoj asnjë parti. Sa i takon LSI-së, ajo militon në krahun qeveritar. Për aq kohë sa është aty, kjo pyetje është e pavend për mua.

*Revista KLAN

5 komente në “INTERVISTA/ Gjiknuri: KQZ-ja po punon nën diktatin politik të mazhorancës”

  1. Din Kruja says:

    Nje njeri i pa moral ashtu si kunder kryetari i partise se tij. Mbi bazen e detyrave te dhena nga E.Rama me amendimet qe i beri ligjit ky pervers doli e i deklaroi elektoratit te majte se me kete ligj kishin garanci te plota per zhvillimin e zgjedhjeve ne menyre korekte. Po ky na tha se me kete ligj KQZ-ja nuk ka asnje akces lidhur me rezultatin e zgjedhjeve. Ndersa tani ben sikur ulerin duke na thene te kunderten. Ky eshte nje nga lojtaret me kryesore te trajnerit Rama i cili eshte pjese aktive e skemes se shitjes se zgjedhjeve. E majta vazhdon te kete ne krye te saj ish Partine e Punes me emer tjeter. Pervec tabeles, azgje socialiste nuk ka ne kete parti. E vetmja fushe ku Rama nuk ka gabuar eshte zgjedhja e ekipit me persona te cilet zbatojne me rigorozitet skemat e tij te humbjes se elektoratit te majte, e nje nga keta eshte edhe ky birbo.
    Pjese e shitjes se ndeshjes eshte mbajtja e sistemit proporcional rajonal dhe jo ai kombetar. Vetem nga kjo e majta humbet te pakten 10 mandate. E pranon vete Gjiknuri qe ka zona qe nxjerrin nje deputet me 40-50 mije zgjedhes dhe ka te tjera me 10-15 mije zgjedhes. Si do te humbiten keto 10 mandate si me thene pa filluar zgjedhjet? Kjo sepse zonat me pak zgjedhes favorizojne PD-ne pasi ato jane ne ato rurale dhe veriore ku kjo force politike ka me shume simpatizante dhe si dhe mundesi me te shumta per manipulime. Pra me ligjin Gjiknuri-Xhafa-Rama legalizohet deformimi i votes ne menyre teper tragjike. Vetem keta te tre nuk kane te drejte morale te qahen tek nderkombetaret, pasi m..tin qe kane bere ta hane po vete dhe te mos u ja lene elektoratit te majte.

  2. tironci says:

    O Damiano! ja ke fut kot mer lal. E cove per lesh Biben ene tashti thu qe KQZ osht e politizume. ke per ta honger si Kac Islomi mer lal!!!!!!

  3. sadiku says:

    Z. GJIKNURI, jeni si PARTI budallej, Me gabimet tuaja si te pa afte SALIU tallet me JU dhe ju akuzon hapur dhe publikisht.NGA ANA TJETER AI KOMANDON KQZ-ne E MIRE JUA BENE SE PO DELNI JO VETEM TE PAAFTE POR EDHE BUDALLENJ.

  4. ibrahim says:

    Kujtoni ju se rama zgjedh te menqur si budalla qe eshte:jo ore ky pastaj ju fut dhe thot se ju e kishit gabim se un fitova,ashtu bente enveri i zgjidhte vet dhe i vriste vet,rama e filloi me kaqin e vazhdoi me harasanin te shofim se kush e ka radhen,.

  5. Dibrani says:

    Hahaha, i qafshi hallin Denar Bibes ju. I ka vene si dele perpara ata specialistat e berishes ne kqz dhe tall leshte me Lefterin. Po po tiranso, qani hallin kaloresit se i varen kembet:)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje