Elseid Hysaj dhe Erjon Dushku janë dy emrat e rinj që trajneri i përfaqësueses shqiptare, Xhani De Biasi, ka përfshirë në listën e tij për miqësoren me Gjeorgjinë që luhet të mërkurën. Të dy mbrojtësit pritet të jenë mes debutuesve në këtë ndeshje, ndërsa duket se ndryshimet më të mëdha i ka pësuar reparti i sulmit.
Emri i Hysajt ishte mësuar prej dy javësh, pasi mbrojtësi shkodran kishte bindur trajnerin De Biasi me paraqitjet e tij mjaft pozitive në radhët e Empolit në Serinë B, duke u bërë një lojtar i domosdoshëm për prapavijën e kësaj skuadre. Ndërsa Dushku ka shkëlqyer në vitet e fundit me fanellën e Tiranës duke u konfirmuar si një nga mbrojtësit më të mirë në kampionatin tonë, duke e merituar këtë ftesë që në fakt pritej prej kohësh.
Emrat e tjerë të kampionatit shqiptar janë mbrojtësit Renato Arapi e Tefik Osmani si dhe mesfushorët Erjon Vucaj e Gjergj Muzaka. Ndërkohë, jashtë listës është lënë Armend Dallku, i cili duket tashmë se është “divorcuar” me kuqezinjtë që nga momenti kur ka humbur vendin në formacionin titullar dhe kur i shpreh se nuk vinte në kombëtare për të qëndruar në stol.
Për këtë ndeshje, ndryshimet më drastike janë ato të repartit të sulmit, ku nuk janë thirrur as Egdar Çani e as Hamdi Salihi, ndërsa pritet të kenë më shumë hapësirë Armando Vajushi dhe Bekim Balaj.
Trajneri do të shpjegojë të gjitha zgjedhjet e tij gjatë ditës së hënë, kur fillon zyrtarisht edhe grumbullimi i përfaqësueses shqiptare për ndeshjen që luhet të mërkurën në orën 19:00 në stadiumin “Qemal Stafa”.
Lista e Shqipërisë për miqësoren me Gjeorgjinë:
Portierë: Samir Ujkani (Kievo Verona), Etrit Berisha (Kalmar).
Mbrojtës: Lorik Cana (Lacio), Erjon Dushku (Tirana), Debatik Curri (Gençlerbirligi), Andi Lila (PAS Janina), Mergim Mavraj (Grojter Fyrth), Renato Arapi (Skënderbeu), Elseid Hysaj (Empoli), Tefik Osmani (Teuta).
Mesfushorë: Alban Meha (Paderborn), Emilian Vila (PAS Janina), Gjergj Muzaka (Flamurtari), Ansi Agolli (Karabak), Odise Roshi (FSV Frankfurt), Ervin Bulku (Sepahan), Erjon Vucaj (Laçi), Elis Bakaj (Çernomorets Odesa).
Sulmues: Armando Sadiku (Lugano), Armando Vajushi (Liteks Loveç), Erjon Bodgani (Siena), Bekim Balaj (Sparta Pragë).
Elseid Hysaj eshte vertete nje mbrojtes i mire!
Uroj qe te shkelqeje me Kombetaren.
http://fashionguests.blogspot.com/2013/01/elseid-hysaj-empoli-calcio.html