Gjykata e Apelit shtyn për në 13 shkurt vendimin për Gërdecin

4 Shkurt 2013, 13:15Kronika TEMA

Gjykata e Apelit shtyn për më 13 shkurt vendimin për të akuzuarit për tragjedinë e 15 marsit 2008 në Gërdec, ku mbetën të vrarë 26 persona, ndërsa dhjetëra të tjerë u plagosën.

Shtyrja e vendimit nga Gjykata e Apelit është bërë me argumentimin se çështja është shumë voluminoze dhe duhet kohë për ta shqyrtuar, raporton Ora News.

Ndërkohë që dje, një ditë nga zhvillimi i seancës gjyqësore,  familjarët e viktimave të tragjedisë së Gërdecit nëpërmjet një letre të hapur i bënë apel trupit gjykues të respektojë ligjin dhe të jetë i drejtë me ta, viktimat e vërteta të kësaj tragjedie. Ata deklaruan se gjykata ka mundësi të riparojë traumën që shkaktoi vendimi i zhgënjyes i shkallës së parë i cili rrëzoi akuzën e vrasjes në rrethana të cilësuara.

“Kemi 5 vjet që gjendemi përpara faktit gati të kryer. Ndërkohë jetë të tjera kanë humbur për shkak të dhimbjes së krijuar. Ju kujtojmë tragjedinë e familjes Osmani, ku së fundmi vrau veten dhe Tushja e cila la pas një mbesë vetëm 5 vjeç. Aq sa vitet që ne presim për drejtësi. Ju kujtojmë se jo vetëm kronika e vdekjeve në Gërdec ka qenë e paralajmëruar, por dhe lehtësia e dënimeve të fajtorëve duket se është e paralajmëruar. Jetët tona ishin të pavlera nëse shihen kushtet e sigurimit të shëndetit e të jetës që nuk respektoheshin, por dhe drejtësia për humbjen e tyre nuk duket se ka pasur fat më të mirë”, thuhet në letrën e familjarëve të viktimave që humbën jetën në tragjedinë e Gërdecit.

Më 12 mars 2012 Gjykata e Shkallës së Parë dha vendimin për 29 të akuzuarit e çështjes së “Gërdecit”, duke dënuar me 18 vjet burg ish-kreun e kompanisë MEICO-s, Ylli Pinari dhe ish-drejtorin e Fabrikës, Dritan Minxolli dhe me 10 vjet burg ish- administratorin shqiptar të “Albademil” sh.p.k, Mihal Delijorgjin.

1 komente në “Gjykata e Apelit shtyn për në 13 shkurt vendimin për Gërdecin”

  1. Albania1 says:

    Mosssssss ….. ne 13 shkurt gjykatesit kan prer bileten per ne PARIS per te festuar shen valentinin me te dashurin e tyre Sali Berisha ?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje