Kosova dhe BE-ja janë takuar për herë të dytë në kuadër të Dialogut të Strukturuar për Sundimin e Ligjit. Ky takim i dytë i mbajtur në Prishtinë është përqendruar fillimisht në prioritetet e sundimit të ligjit të përcaktuara nga Studimi i Fizibilitetit për një Marrëveshje të Stabilizim Asocimit në mes të BE-së dhe Kosovës.
“Forcimi i sundimit të ligjit është në qendër të procesit të zgjerimit të BE-së, prandaj edhe është qenësor për progresin e Kosovës drejt Evropës. Dialogu i Strukturuar për Sundimin e Ligjit është një instrument i rëndësishëm që na mundëson t’i ndihmojmë Kosovës në fuqizimin e gjyqësorit dhe ta mbështesim atë në përpjekjet për ta luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Sot, unë e kam mirëpritur zotimin e qeverisë për të siguruar se prioritetet afatshkurta për sundimin e ligjit të Studimit të Fizibilitetit do të plotësohen së shpejti”, citon “Zëri” të ketë thënë Joost Korte, zëvendësdrejtor i përgjithshëm në Drejtorinë për Zgjerimin në Komisionin Evropian.
Ai ka shtuar se në mënyrë që Kosova të ecë para drejt integrimit evropian, institucionet e saj duhet të tregojnë nivel të lartë e të vazhdueshëm të angazhimit politik për të bërë reforma të nevojshme, dhe për të arritur rezultate sa i përket legjislacionit, implementimit dhe fuqizimit.
“Veprat flasin më shumë se sa fjalët”, tha Korte.
Takimi i radhës i Dialogut të Strukturuar për Sundimin e Ligjit është planifikuar të mbahet në shtator./KD