Lëvizja MJAFT ka ndërmarr një iniciativë të re, të quajtur “Platforma Qytetare”, një nismë inovative që na vendos përball sfidës së afrimit të politikës me qytetarin dhe mirë-informimin e këtij të fundit mbi politikat publike të ndërmarra në vend, në nivel lokal dhe qendror.
Në këtë kontekst, me qëllim pajisjen e qytetarit taksapagues me mjetet e nevojshme për të ushtruar presion pozitiv ndaj institucioneve publike, MJAFT propozon një set mjetesh të ofruara në formën e platformave elektronike, lehtësisht të aksesueshme nga çdo qytetar.
Për të kaluar, më pas, në shpjegimin teknik dhe praktik të secilit komponent të Platformës Qytetare, do doja të theksoja që përvoja të ngjashme janë realizuar me sukses në vendet fqinje të rajonit, për këdo që ka interes, do ju ftoja të ndiqni sesionet e kësaj Konferencë sot edhe nesër për tu njohur konkretisht me mënyrën se si partnerët tanë i kanë aplikuar këto nisma në vendet e tyre.
Platforma Qytetare përbëhet nga tre komponent që teknikisht janë tre website të ndryshme:
www.vertetemates.info, www.votematesi.info, www.uneraportoj.mjaft.org
Komponenti i parë i Platformës Qytetare, Vërtetë-Matësi, është një mekanizëm që synon të analizoj dhe vlerësoj indikatorët e mëposhtëm:
– Premtimet e partive politike dhe platformave elektorale
– Konsistencën e qëndrimeve politike të partive
– Vërtetësinë e deklaratave politike
– Realizueshmërinë e politikave
Këta indikator shërbejnë si bazë për realizimin e analizave dhe vlerësimin e politikave nga një skuadër specialistësh të profilizuar sipas fushës së ekspertizës. Skuadra e ekspertëve ndjek në mënyrë sistematike deklaratat e aktorëve politik, zyrtarëve publik dhe institucioneve dhe në bazë të indikatorëve të mësipërm realizon diskesionimin e këtyre deklaratave, për të vlerësuar më pas realizueshmërinë dhe vërtetësinë e tyre.
Praktikisht: çdo qytetar që kërkon të informohet mbi sa janë realizuar premtimet elektorale; sa është realizuar programi i qeverise por edhe sa të realizueshme janë deklaratat politike te partive qeveritare edhe opozitare, mjafton te klikoj ne www.vertetemates.info, të përzgjedh premtimin dhe te informohet mbi statusin e këtij premtimi.
Komponenti i dytë i Platformës Qytetare është ai që e kemi quajtur Votematësi, edhe pse faktikisht është më shumë se thjeshtë një format për vlerësimin e preferencës elektorale të qytetarëve. Në thelb të filozofisë së këtij komponenti qëndron ideja e edukimit të qytetarëve me frymën e diskesionimit kritik të platformave politike të partive më të mëdha.
Votëmatësi paraqitet si një pyetësor online drejtuar qytetarëve, i ndërtuar me pyetje të qarta që kërkojnë përgjigje ekzakte mbi qëndrimin e qytetarit lidhur me çështje të caktuara, të fushës ekonomike, sociale, juridike, kulturore etj. Në përfundim të pyetësorit respondenti sheh si pozicionohet qëndrimi i tij në raport me qëndrimin e partive kryesore në vend. Theksoj që paraprakisht pyetësori u është dërguar për plotësim partive më të mëdha të skenës politike shqiptare.
Teknikisht për të plotësuar pyetësorin mjafton të klikoni në www.votematesi.info, zgjidh kategorinë për të cilën ke interes dhe fillo përgjigjen e pyetjeve me një klikim.
Komponenti i tretë dhe i fundit i Platformës Qytetare quhet FIX IT (Rregulloje) dhe përkon me krijimin e websit-it wwwww.uneraportoj.mjaft.org. Kjo faqe shërben si një ndërmjetës mes qytetarëve dhe institucioneve publike për denoncimin e problemeve të komuniteteve të vogla që shpesh eklipsohen nga “politikat e mëdha”. Për të qenë një denoncues, çdo qytetar mjafton të ketë një aparat fotografik ose celular, të bëj një foto të problemit që e shqetëson dhe ta publikoj në faqen e internetit uneraportoj.mjaft.org, duke dhënë koordinata të sakta të vendndodhjes së problemit dhe një përshkrim të shkurtër të tij. Përmes hartës digjitale lokalizohet vendi i problemit të denoncuar dhe shqetësimi, përcillet përmes skuadrës së projektit në institucionin kompetent. Përmes aktivistëve të saj Lëvizja MJAFT do ta ndjek hap pas hapi çdo çështje të denoncuar, për të parë vijimësinë e saj dhe reagimin e institucionit përgjegjës për këto çështje, sipas fushave të kompetencës.
Klikon në www.uneraportoj.mjaft.org, plotëso me radhë kutizat, ngarko foton, kujdes pozicionimin në hartën digjitale dhe dërgo denoncimin.