"Hajdute e bukur" risjell Petrovcin ne Tirane

22 Mars 2013, 22:14Kulturë TEMA
"Hajdute e bukur" risjell Petrovcin ne Tirane

Aktori Enver Petrovci rikthehet në Teatrin e Metropolit, kësaj here si regjisor i komedisë “Hajdutja e bukur“ shkruar nga dramaturgu Ruzhdi Pulaha. Kjo vepër, një tragjikomedi karakteresh, vihet për herë të parë premierë në skenën teatrore në Tiranë. Në një situatë të pazakontë ndodhin një sërë intrigash ku shpërfaqen qëllimet e botës së brendshme të secilit personazh. Dashuri, pasion, intriga, xhelozi dhe një gjyshe e dëshiruar dëshpërimisht për një trashëgimtar. Ngjarjet zhvillohen në kohët e sotme ku hallet që personazhet mbartin janë mjaft koherente.
“Vepra vjen natyrshëm, si një përrallë ku tregohet realiteti dhe secili merr mesazhin sipas mënyrës së tij. Personazhet janë karaktere të thjeshta, përgjithësisht njerëz të mirë. Nuk ka karaktere negative ose pozitive, siç jemi mësuar të shohim dramat por të gjithë personazhet kanë hallet e tyre,  nga të cilat lind edhe konflikti”, ka thënë për mediat regjisori Petrovci. “Hajdutja e bukur” vjen nën interpretimin e aktorëve Natasha Sela në rolin e Norës, Kastriot Ramollari në rolin e Aleksit, Doriana Caushi në rolin e Ketit, Bruna Borova në rolin e Besës, Armela Demaj në rolin e Olës dhe Genti Deçka në rolin e Gerit. “Meqë teksti është komedi unë si regjisor, nuk kam afeksion ndaj zhanreve të pastra sikurse janë komeditë, tragjeditë e dramat. Për mua ekziston vetëm një zhanër, i cili është tragjikomedia, një zhanër që i përngjan jetës. Kjo ka qenë tendenca ime dhe shpresoj t’ia kem arritur qëllimit”, tha Petrovci.
Tragjikomedia vjen premierë për publikun në sallën “Çehov” të Metropolit, në 22 mars. Nora, (Natasha Sela) është gjyshja e shtëpisë, e cila ka vetëm një hall, të ketë një nip të mos i  shuhet dera e shtëpisë. Një personazh tipik shqiptar, e paralizuar që ditën e kalon para televizorit. Ndërsa Aleksi (Kastriot Rramollari) është djali  i saj. Një profesor sociologjie, i ndershëm në punën dhe jetën e vetë, por nuk mund të bëj fëmijë, gjë të cilën mundohet për vite me radhë t’ia fsheh të ëmës. Nusja e tij, Keti, një farmaciste e zonja, e interpretuar nga Doriana Caushi , është një personazh miqësor, i dashur nga të gjithë, e cila arrin të pranoj deri edhe akuzat e vjehrrës, se është shterpë, dhe këtë gjë e bën vetëm për të mbrojtur burrin. Bruna Borova, luan rolin e Besës, fqinjës së familjes, e cila është keq  nga gjendja ekonomike, gjithashtu është një nga personazhet gati kryesor të shfaqjes, strumbullari i cili organizon gjithë vjedhjen e parave të Norës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje