Komisioni i Ekonomisë ka miratuar gjatë ditës së sotme projektligjin për përgjysmimin e taksave për automjetet. Zëvendësministri i Ekonomisë, Alfred Rrushaj, duke folur për projektligjin, ka thënë se efekti i tij në buxhet do të jetë 2.5 miliard lekë.
Por, ajo që ka befasuar, ishte deklarata e tij, se, pavarësisht se po përgjysmohet taksa për automjetet dhe buxheti i shtetit po humbet 2.5 miliard lekë, do të rriten të ardhurat.
“Kjo nismë i vjen në ndihmë shqiptarëve. Në sajë të këtij vendimi parashikohen të rriten arkëtimet e të ardhurave ndërsa 2.5 miliard lekë do të jetë efekt në buxhet i këtij vendimi” tha Rrushaj.
Deputetët e opozitës kanë thënë ndërkohë se kjo nismë ka prapavijë politike dhe bëhet për fushatë. Sipas tyre, nuk mund të ndryshohen taksat në mes të vitit dhe në fund të mandatit të qeverisjes./b.l