INTERVISTA/ Fatlum Nurja: Nuk do cenohet asnjë votë e FRD në Shkodër

20 Qershor 2013, 17:58Politika TEMA

Intervistë me kryesuesin e listës për deputetë të FRD në qarkun e Shkodrës, Fatlum Nurja

 

Në këtë intervistë, kryesuesi i listës së kandidatëve për deputetë në qarkun e Shkodrës për FRD, inxhinier Fatlum Nurja, flet për karrierën e tij të deritanishme, angazhimet e tij qysh në fillimet e pluralizmit me Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë (BSPSH), arsyet e mënjanimit të tij nga PD në  vitet 2005- 2006 si dhe ambicien e tij për të hyrë në parlament si deputet i FRD-së duke siguruar mbështetësit se vota e tyre nuk do të cenohet. I diplomuar në Universitetin Politeknik të  Tiranës për Inxhinieri Mekanike, 50-vjeçari Nurja ka punuar si inxhinier në Hidrocentralin e Komanit në periudhën 1987-1991. Ndërkohë, pas ardhjes se demokracisë, në periudhën 1992-1997, ka punuar si drejtor në Hidrocentralin e Vaut të Dejës.

 

Përse preferuat që të angazhoheshit me Sindikatat e Pavarura qysh në janar të vitit 1991 e jo në linjën partiake, d.m.th me Partinë Demokratike si partia e parë opozitare? A ka ndonjë  arsye personale në këtë mes? Më interesojnë mendimet autentike që keni pasur atëherë e jo nga pozitat e sotme…

Sepse kisha rezervat e mia për lidershipin e Partisë Demokratike në atë kohë… Por pavarësisht kësaj, unë kam qenë me PD-në qysh në janar të vitit 1991, por jo në forume, sepse nuk ma lejonte statusi. Isha një ndër themeluesit e Bashkimit të Sindikatave të  Pavarura të Shqipërisë (BSPSH).

 

Në CV-në tuaj shënohet periudha 2-vjeçare që ju keni si nënkryetar i Bashkisë së Shkodrës, 2000- 2002. Ndërkohë, dihet se ky mandat i lokaleve përfundoi në janar 2004 në këtë bashki. Çfarë sqarimesh do t’i jepnit votuesve të rinj të FRD-së në qarkun e Shkodrës, të cilët ishin fëmijë në atë periudhë dhe nuk kanë pasur informacion? Pra përse u larguat pa mbaruar mandatin e nënkryetarit të Bashkisë së Shkodrës?

Nga posti i nënkryetarit të Bashkisë së Shkodrës jam larguar në qershor të vitit 2002 pas disa mosmarrëveshjeve përsa i përket mënyrës së punës dhe menaxhimit të Bashkisë së Shkodrës me kryetarin e atëhershëm, zotin Ormir Rusi. Natyrisht që sipas ligjit organik, kryetari i Bashkisë ka kompetenca të plota për  emërimin dhe shkarkimin, por ne kishim rreth 2 muaj që nuk komunikonim. Ishte një pozicion i zgjedhur nga ana ime.

 

Sidoqoftë ishte një largim shumë qytetar në kuptimin se nuk u komentua për mediat nga ana juaj, qoftë edhe në momentin kur Këshilli i Bashkisë kërkoi shpjegime për këtë…

Po natyrisht unë, përpara se të filloja punën, pas ftesës që më pati bërë pas zgjedhjeve lokale 2000, unë i vendosa disa kushte bazë, të cilat me kalimin e kohës filluan që të cenoheshin një nga një. Në atë kohë Bashkia e Shkodrës ishte nën një presion të jashtëzakonshëm nga elementë të ndryshëm, të cilët donin që të përfitonin nga strukturat vendore. Një nga përplasjet ka qenë edhe raporti që u krijua në vitin 2002 nga vetë kryetari i Bashkisë në atë kohë në konflikt me Partinë Demokratike në lidhje me dhënien e teatrit Migjeni për përkujtimin e 2 prillit 1991. Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Ormir Rusi, refuzoi  dhënien e teatrit për këtë kremtim. Por kjo nuk ishte thelbësore. Kishte kohë që komunikimi im me të ishte bërë shumë i vështirë përsa i përket mënyrës së drejtimit ose disa linjave kryesore. Kjo më bëri që unë të ndërprisja komunikimin me kryetarin e Bashkisë qysh në prill 2002 dhe të shkëputesha përfundimisht në qershor të vitit 2002.

 

Ndërkohë na flisni pak për angazhimet tuaja në periudhën 2002-2007..

Menjëherë unë pata ftesë nga GTZ-ja dhe nga Programi Holandez Kompass, i cili operonte brenda shoqatës së bashkive të vendit. Fillova punën atje, dhe pas mbylljes së këtyre 2 programeve, pata filluar me një program të Bankës Botërore dhe OSI-n, kam qenë anëtar i Bordit të Fondacionit Soros. Ndërkohë, në shkurt-mars të vitit 2005 kam filluar punë me USAID ku isha koordinator dhe ekspert rajonal për Shkodrën. Në atë kohë monitoronim 18 njësi vendore dhe i asistonim për ngritje kapacitetesh. Deri në fund të këtij projekti, në korrik të vitit 2007, erdhi ftesa e zotit Topi për të qenë këshilltar politik për çështje të  qeverisjes vendore dhe ato sociale.

 

Në zgjedhjet parlamentare të 3 korrikut 2005 ju u spostuat nga lista e deputetëve të PD-së në Shkodër. A mund të na thoni arsyen?

Nuk kishte asnjë arsye në të vërtetë, kjo edhe sipas kryetarit të PD-së. Unë isha në short- listën e Shkodrës dhe për këtë ka dijeni edhe kryetari lokal i PD-së, Astrit Bushati. Më spostuan mua dhe vendosën këtë të fundit si kryetar partie. Këto gjëra ndodhën edhe në listën e zgjedhjeve të sivjetme, pothuajse në të gjitha partitë. Pra, një palë lista u shpallën, pastaj u ndryshuan rrugës. Ju e keni dëgjuar edhe sivjet në KQZ u dërguan lista të bardha, u ndryshuan prapë mbrapa, u ndryshuan renditjet, paradoks që ndodh shpesh në politikën shqiptare. Unë e prita krejt gjakftohtë këtë. Kam pasur oferta nga lidershipi i PD-së në vitin 2006 në pozicione të ndryshme, nga Ministria e Jashtme, Ministria e Financave etj, por që i kam refuzuar sepse nuk kisha dëshirë që të isha pjesë e kësaj administrate. Derisa në vitin 2007 pranova ofertën e zotit Topi si këshilltar në Presidencë.

 

Por deri atëherë Bamir Topi ishte nënkryetar i PD-së. Ju keni qenë më pranë tij edhe politikisht?

Kjo nuk ka lidhje me më afër por ka lidhje me një lloj standardi të punës brenda një institucioni. Unë nuk ndihesha mirë që të punoja në një administrate, drejtuesit e së cilës nuk ishin sjellë në mënyrë korrekte me mua, përkundrazi…

 

Ndërkohë, në vitin 2012 ftoheni përsëri nga USAID…

Unë kisha një kontratë 5-vjeçare me USAID-in. Isha një nga 3 personat kyç të stafit. Projekti filloi në janar, por unë fillova punën në mars, sepse drejtuesi i projektit, Peter Klevell, më tha se ishte e pamundur që ta shtynte mungesën time në staf pasi isha një nga 3 personat kyç të stafit të projektit. Bëra një kontratë mjaft të mirë 5-vjeçare. Ndihesha mirë me një grup ekspertësh vendas dhe të huaj. Detyra ime ishte komponent-leader i komponentit të parë të projektit. Detyra ime ishte asistimi i qeverisë shqiptare për zhvillimin e procesit të decentralizimit dhe përmirësimin e kushteve të dialogut ndërmjet dy niveleve të qeverisjes. Tjetër ishte përmirësimi i akteve nënligjore në sektorin e financës së qeverisjes vendore duke rritur transparencën, parashikueshmërinë e fondeve publike, financave bashkiake me qëllim rritjen dhe konsolidimin e autonomisë vendore. Në muajin prill të këtij viti, pra pas një viti punë, u ftova nga kryetari i Frymës së Re Demokratike, z. Bamir Topi, që të kryesoja listën e kësaj partie për qarkun e Shkodrës. E pranova këtë ftesë sepse mendoj se në nivel kombëtar ka nevojë për një frymë të re të politikëbërjes. Po kështu edhe në nivel lokal, përveçse frymës së re të politikëbërjes ka nevojë edhe për një qasje të ndryshme për formatimin e institucioneve vendore, qofshin këto të decentralizuara apo të dekoncentruara. Personat, të cilët nuk kanë kapacitetet e duhura ose që kanë vetëm një kapacitet, atë të përkuljes ndaj eprorit, besoj se u ka ikur koha.

 

Ju pretendoni të fitoni mandatin e deputetit. Si do ta ruani votën meqenëse në bazë të këtij ligji, FRD nuk ka numërues votash?

Ky Kod Zgjedhor shkel të gjitha parimet kushtetuese, duke filluar që nga barazia e votës e deri tek absurdi i KQZ-së, i cili ndërtohet si një vullnet politik i 2 partive kryesore me 2 partitë e dyta të maxhorancës dhe të opozitës, gjë e cila na ka sjellë në situatën që ndodhi kur mazhoranca ndryshon konfigurim. Në frymën e kodit është balanca, kurse në genin e kodit nuk ka asnjë argument ligjor që duhej bërë ky ndryshim që u bë. Megjithatë, ky është një konflikt, i cili buron nga një dokument që prodhuan 2 partitë, le të zgjidhin ata të dyja. Këto defekte duhet të korrigjohen në të ardhmen. Përveç Kushtetutës, duhet ndryshuar urgjentisht edhe kodi dhe këto i kemi të qarta në programin tonë. Në të njëjtën kohë duhet bërë edhe konsolidimi  i institucioneve kushtetuese dhe jo vetëm. Ne e kemi zgjidhur ruajtjen e votës nëpërmjet vëzhguesve. Ju them të gjithë qytetarëve, të gjithë simpatizantëve dhe votuesve të Frymës së Re Demokratike që asnjë votë e tyre për ne nuk do të cenohet. Vullnetit dashakeqës të militantëve të dy partive kryesore do t’i kundërvihet vëmendja jonë, vëzhguesit tanë dhe sidomos vëzhguesit e komunitetit ndërkombëtar duke filluar që nga ambasada e SHBA-së e deri të OSBE– ODIHR. Kemi marrë kontakte direkt me ta, edhe unë vetë personalisht dhe na kanë premtuar se prezenca e vëzhguesve ndërkombëtarë në qarkun e Shkodrës do të jetë e madhe. Unë kam kontakte direkte dhe për çdo gjë ata do të njoftohen. Shpresoj që të mos kem nevojë që t’i telefonoj asnjëherë. Kësaj here është krejt ndryshe. Ka një vëmendje të rritur si nga Bashkimi Europian ashtu dhe nga SHBA. Nuk ka as 3 e as 13 ligje që kushtëzojnë Shqipërinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian. Bëhet fjalë vetëm për standardet e zgjedhjeve, bëhet fjalë vetëm për garancinë e votës, bëhet fjalë për atë proces që quhet votim demokratik, i lirë dhe i drejtpërdrejtë, nga i cili burojnë të gjitha institucionet. Pra jo vetëm parlamenti, por nëse ky parlament është i ndershëm dhe i zgjedhur me votën e lirë, atëherë të gjitha institucionet e tjera kushtetuese projektohen po kështu të lira dhe demokratike. Nëse nuk është proces demokratik i lirë, i paanshëm dhe i ndershëm, atëherë natyrisht që çdo gjë do të deformohet dhe nuk do ta doja kurrë këtë për vendin tim.

Intervistoi: Arben Lagreta

2 komente në “INTERVISTA/ Fatlum Nurja: Nuk do cenohet asnjë votë e FRD në Shkodër”

  1. Shkodrami i djathte says:

    Shpresoj ta merrni mandatin Z. Nurja ! Ju takone te drejte dhe per menyren se si ki ka trajtuar PD e shkodres me ne krye Topallen .

  2. Besoj se SHKODRANET do ta besojne VOTEN
    Besoj se ata qe do numrojne DO TA RUAJNE VOTEN
    Besoj..besoj besojjjjj….
    Arsyet:
    1-Keni 20 vjet ne politike dhe qendroni pa perfitime.
    2-Jeni i drejtperdrejt dhe qendrestar ne mendimet e juaja.
    3-Jeni nje menaxher dhe dijetar ne fushat ku keni punuar.
    4-E doni qytetin dhe qytetaret e tij.
    5-Do jeni zeri si asnjehere tjeter i tyre ne parlament.

    Dhe shum te tjera qe SHKODRANET I DINE DHE I VLERSOJNE
    Un jam nje demokristjan qe do ta ruaj voten.

    NDUJA

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje