Vrasja e Dritan Lamajt/ Nipat e Arben Frrokut akuzohen vetëm për armëmbajtje pa leje

3 Shtator 2013, 13:11Kronika TEMA

U dyshuan se kanë ndihmuar Arben Frrokun në vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt, por zyrtarisht kurrë nuk u ngrit një akuzë e tillë.

Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet ndaj Jak Jakut dhe Ndue Jakut, nipat e Arben Frrokut, i cili ende nuk është ekstraduar nga Greqia për t’u përballur me drejtësinë për akuzën e vrasjes. Pas 7 muajsh hetime, prokuroria e Tiranës ka mundur të ngrejë për dy nipat e Arben Frrokut vetëm akuzën e “mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”.

Megjithëse zyrtarisht Prokuroria e Përgjithshme nuk ka njoftuar përfundimin e hetimeve, mësohet se ndaj nipave të Frrokut nuk ka as akuzë për bashkëpunim në vrasjen e komisar Dritan Lamjat. Përkundër deklaratave të Policisë së Shtetit, 24 orë pas vrasjes së kryekomisarit, duket se nipat e Arben Frrokut ia kanë dalë të rrëzojnë çdo akuzë apo dhe provë që i lidhin ata me natën e 24 shkurtit, kur u ekzekutua me 23 plumba Dritan Lamaj.

“Nga tërësia e veprimeve hetimore e procedurale të kryera ka rezultuar se autorët e dyshuar të kësaj ngjarje të rëndë janë shtetasit: Arben Preng Frroku, dhe Jakë Mark Jaku, vjeç 31, banues në Tiranë. Në saj të masave të marra dhe shkëmbimit të menjëhershëm të informacionit me autoritetet policore greke, është bërë i mundur ndalimi i këtyre dy shtetasve në qytetin e Selanikut, në Greqi. Nga analizimi i ngjarjes dhe i provave të administruara nga grupi hetimor është arritur në konkluzionin se vrasja e kryekomisar Dritan Lamaj, është kryer nga autorët e dyshuar për shkak të detyrës si punonjës policie. Në vijim të veprimeve të kryera për zbardhjen e kësaj ngjarje nga strukturat e policisë është ushtruar kontroll në banesat e autorëve të dyshuar, ku gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasve Jakë Jaku dhe Ndue Jaku është gjetur e sekuestruar një arsenal armësh, përkatësisht: 1 armë zjarri snajper, 2 armë zjarri automatike, tip kallashnikov, 1 armë zjarri pistoletë, tip Bereta, 2 armë gjahu, një sasi e konsiderueshme fishekësh e municione të llojeve të ndryshme. Po ashtu u gjetën e sekuestruan rreth 529 gram lëndë narkotike e dyshuar heroinë, 396 gram lëndë narkotike e dyshuar kokainë, si dhe rreth 35 gram lëndë narkotike e dyshuar marijuana”, thuhet në deklaratën e Policisë së Shtetit, të dhënë më 25 shkurt, në të cilin së paku Jak Jaku akuzohet si autor i këtij krimi.

Por 6 muaj pas vrasjes, Prokuroria e Tiranës duket se mendon të kundërtën e policisë.

Nipi i Arben Frrokut do të gjykohet për armëmbajtje pa leje, të atyre armëve që u gjetën në shtëpi, për të cilat prokuroria thotë se nga ekzaminimi i kryer ka rezultuar se nuk janë përdorur në vrasjen e kryekomisarit.

Kështu, me dërgimin në gjykatë të dosjes për Jak Jakun dhe Ndue Jakun, duket se i akuzuari i vetëm për vrasjen e kryekomisarit do të jetë Arben Frroku, i cili ndodhet në Greqi, në pritje të ekstradimit për të përballur me drejtësinë shqiptare.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje