FJALIMI ndryshe në Kuvend, Ben Blushi: Ja çfarë i kërkoj qeverisë

16 Shtator 2013, 10:29Politika TEMA

Ka rënë në sy fjalimi i djeshëm në Kuvend nga deputeti socialist, Ben Blushi. Ai hodhi një thumb për çështjen e ndarjes së mandateve të ministrit nga i deputetit. Blushi tha se suksesi i këtij mandati do jetë grupi parlamentar i PS, që duhet të kontrollojë dhe motivojë qeverisjen. Blushi tha se e majta ka fituar mbi Sali Berishën, por jo mbi autoritarizmin.

Më poshtë teksti:

 

Ka disa mënyra për të parë të ardhmen. Njëra është pa dyshim të shohësh më shumë në të shkuarën. Por e shkuara, ajo që ka ikur, e që nuk kthehet më, e ka vështrimin e kufizuar.

Ajo na thotë vetëm se çfarë nuk duhet të bësh, por nuk të thotë se çfarë duhet të bësh dhe, nëse e shkuara ka shumë defekte, ky është një defekt pozitiv. Ajo ndihmon shumicën e njerëzve të kujdesshëm të jetojnë mirë, por i mban guximtarët gjithnjë të shqetësuar dhe plot pikëpyetje. Unë e di që sot shumica e shqiptarëve jetojnë më mirë që pushteti u ndryshua, por më të ndjeshmit prej tyre janë në ankth. Ky quhet ankthi i së ardhmes. Apo nevoja për ta njohur atë sa më shpejt. Edhe ne kemi sot përfitimet e njohura nga e shkuara. Para 100 vjetëve, ne shqiptarëve na kanë thënë se nuk kemi ditur të bëjmë shtet.

Unë do thosha se ne nuk kemi ditur asnjë ditë të kemi një shtet që punon për publikun. Për atë që është e përbashkët. Për atë që na takon të gjithëve, pa përjashtim, pa dallim dhe pa përzgjedhje. Në 50 vjet, ne kishim një shtet që e konsideronte çdo gjë publike, pra të përbashkët, por që i shpërndante përfitimet e kësaj kooperative me farmaci, madje me mizori. Në 20 vjet kaluam në të kundërtën, gjë në disa raste ishte dhe mbetet edhe më mizore.

Shteti ynë punoi çdo ditë kundër publikes dhe vetëm, vetëm për privaten. Në këta 20 vjet, ajo që u shkatërrua ishte ajo që ishte e përbashkët. Privatja rrënoi publiken, e përbashkëta humbi garën me të përveçmen. Kështu u ndërtua kapitalizmi ynë amator dhe mizor. Ky kapitalizëm tipikisht joeuropian u ushqye nga qeveritë tona. Kufijtë e tij ishin dhe mbeten mungesa e kufijve. Ai është përgjegjës, sepse nga Shqipëria kanë emigruar 1 milion nga tre milion njerëz. Padurimi i tij i ka kushtuar vendit qindra-mijëra vende pune, kaq shumë korrupsion dhe kaq shumë injorancë dhe mjerim. Ky kapitalizëm pa rregulla vret çdo ditë policinë, dhunon mësuesit, korrupton mjekët, kërcënon gjyqtarët dhe i ul kurrizin shtetit.

Shteti është ai që dhunohet çdo ditë pa fund dhe pa frikë. Në cilin vend të kontinentit tonë shteti është kaq i dobët? Shteti është pasuria më e madhe që kemi, sepse deri më sot është instrumenti më i fortë që njeriu ka krijuar për t’u mbrojtur nga njeriu. Unë do doja që sot të votoja, jo për t’i dhënë fund një qeverie, por për t’i dhënë fund një kulture. Kulturës që shënjoi shoqërinë tonë në gjithë këto vite. Një kulturë sipas së cilës- individi dominon shoqërinë dhe jo e kundërta.

Unë jam për shoqërinë e individëve të barabartë në të drejta, por të ndryshëm në pasuri. Ne kemi sot një shoqëri të pabarabartë në të drejta dhe të deformuar në pasuri. Ky polarizim është një sëmundje që e kemi krijuar vetë dhe na takon ta shërojmë vetë. Hapin e parë e kemi bërë duke votuar, por ky është vetëm hapi i parë. Prandaj do t’i kërkoja kësaj qeverie të forconte dhe të mbronte të drejtën publike në Shqipëri. Kjo do ishte një kthesë, sepse miqtë e mi, ne sot nuk kemi nevojë për një rrugë.

Ne kemi nevojë për një kthesë. Ky është rasti kur duhet të kthehesh që të mos rrëzohesh. Janë disa gjëra që do t’i kërkoja kësaj qeverie; Së pari, të mos marrë më borxh në emrin tonë. Jam kundër marrjes së borxheve për të larë borxhet. Shqipëria nuk i paguan dot borxhet e veta dhe ky është një fakt. Mund ta lajmë borxhin duke administruar më mirë pasuritë tona, sesa duke marrë borxhe të reja. Dhe unë besoj se Shqipëria mund të jetojë pa marrë borxh të ekzagjeruar sepse, megjithëse është një vend i vogël, mbetet një vend i pasur për popullsinë që i duhet të ushqejë.

Prandaj, them se qeveria duhet t’i administrojë vetë pasuritë e mbetura dhe deri diku të mjaftueshme. Naftën, energjinë, ujërat, detin, diellin, malet dhe mineralet e saj. Së dyti, do t’i kërkoja të mbronte atë që është dhe duhet të jetë e përbashkët. Unë pyes sot: pse atë që administron një privat nuk e administron dot një shoqëri? Çfarë kuptimi ka të zgjedhësh një qeveri, nëse ajo e delegon të drejtën për të administruar pasuritë, pronat, shkollat, spitalet, transportin, madje edhe policimin dhe ndoshta një ditë edhe gjykatat? Cili është kufiri mes asaj që është publike dhe asaj që duhet të kthehet në private? Është thjesht dhe vetëm rentabiliteti? Jo! Kurrsesi jo! Rentabiliteti nuk prevalon mbi të drejtën e publikut për të përfituar nga pasuritë dhe pronat e veta.

Mungesa e rentabilitetit të një sektori ekonomik nuk është faliment i sektorit, por i atyre që janë caktuar ta administrojnë atë. Nëse rentabiliteti do ishte arsyeja për të kaluar një pasuri publike në duar private, atëherë për logjikë duhej të privatizonim edhe qeveritë e Shqipërisë, sepse 1 milion emigrantë në 20 vjet dhe një milion të papunë në 10 vjet tregojnë se qeveritë tona s’kanë qenë asnjë ditë rentabël. Nëse i hyjmë debatit se çfarë duhet të jetë private dhe çfarë publike, atëherë më të guximshmit do thoshin se për sa kohë që shkollat dhe spitalet janë private, pse të mos jetë edhe ushtria private.

Edhe ushtria nuk është rentabël, por ajo s’mund të jetë kurrë private, apo jo? Për ta theksuar këtë pikë, dua të them se nuk kam ardhur në këtë Parlament të mbroj një qeveri, kam ardhur të mbroj të përbashkëtën nga e përveçmja, të mbroj solidaritetin nga mizoria dhe interesin shtetëror nga interesi privat. Në këta 20 vjet, ne e kemi forcuar demokracinë tonë me liri, por e kemi nënshtruar me ekonomi dhe tani është koha për ta ndryshuar këtë drejtim punësh.

Çdo qeveri ka arsye të vogla administrimi, për të cilat kritikohet çdo ditë, por çdo qeveri duhet të ketë qëllime të mëdha strategjike për të cilat gjykohet në kohë. Prandaj së treti, do t’i kërkoja ta kthente arsimin në një qëllim strategjik. E kemi pyetur veten çfarë do jetë Shqipëria pas 10 apo 20 vitesh me këtë nivel arsimi që ka? Unë po ju them që do jetë një vend jo vetëm i konkurrueshëm nga fqinjët e vet, por i dominuar prej tyre kulturalisht dhe jo vetëm ekonomikisht, siç është sot.

A i keni bërë pyetjen vetes pse nuk ka investime shqiptare në Turqi, në Greqi për të mos thënë në Irlandë apo në Suedi? Jua them unë. Jo për shkak të parave, por për shkak të dijeve. Dijet shtojnë paratë, por paratë nuk i shtojnë dot dijet. Nëse një fëmijë maqedonas, serb, grek apo turk sot edukohet më mirë se një shqiptar në dhjetë vitet e ardhshme, çfarë të ardhme do ketë vendi ynë? Dhe historia e botës tregon se jo kombet më të pasura, por ato më të diturat kanë ecur përpara. Jam i bindur, pra, se investimi strategjik duhet të jetë arsimi, si e vetmja mundësi për të dalë nga mjerimi dhe varfëria.

Jam përpjekur si të gjithë ju të lexoj votën e 23 qershorit. Për çfarë votuan shqiptaret më 23 qershor? Unë besoj se ata votuan për t’u mbrojtur. Për të mbrojtur shkollat, spitalet, rrugët, ujërat, pyjet, mineralet dhe diellin e tyre nga privatizimi. Ky ishte drejtimi që kishte marrë vendi deri më 23 qershor. Shqiptarët votuan për të mbrojtur pasuritë e tyre. Dhe ne që u ngarkuam, duhet ta dimë që deri tani kemi mundur Partinë Demokratike, por nuk kemi fituar mbi varfërinë. Ne kemi mundur të djathtën, por nuk kemi fituar mbi pabarazinë. Ne kemi mundur Sali Berishën, por nuk kemi fituar mbi autokracinë. Koha që kemi përpara është e mjaftueshme për të qeverisur, por është shumë e shkurtër për të fituar.

Miqtë e mi, Një qeveri të mirë nga një qeveri e keqe e dallojnë tri gjëra. Kriticizmi, realizimi dhe idealizmi. Një qeveri e keqe nuk bën asnjërën nga këto, siç e kemi parë. Ajo ka vetëm një tipar: e gjen gjithmonë fajin jashtë saj. Një qeveri e mirë sipas meje duhet të jetë kritike me të shkuarën, realiste me të tashmen dhe idealiste me të ardhmen. Pra, ajo duhet të jetë kritike me masë, realiste me gjasë dhe idealiste pa masë.

Unë e di që qeveria që kemi sot, do jetë kritike me të shkuarën, do e ndihmoja të ishte realiste me të tashmen dhe do lutesha të ishte idealiste me të ardhmen. Shqipëria ka nevojë për një qeveri, e cila në radhë të parë u nënshtrohet ideve të veta. Një qeveri, e cila ka autonominë e duhur për të mbrojtur interesat publike mbi gjithçka. Dhe autonomia e bën një qeveri të ndjeshme dhe anëtarët e saj të vlefshëm. Siç dihet, ata kanë vendosur me vullnet të lirë të lënë mandatet e tyre dhe kjo çështje mbetet ende e diskutueshme: Duhej apo nuk duhej? Është shpejt për të thënë nëse zhveshja nga mandatet e deputetit do t’i bëjë ministrat më autonomë dhe më të ndjeshëm, por ajo që mund të thuhet sot, është se kjo nismë e diskutueshme nuk është diskutuar dhe prandaj është edhe më e diskutueshme. Nuk ka asnjë vendim partiak apo kushtetues që u heq ministrave mandatin. E them këtë për shkak se besoj se një shoqëri e bazuar në ligj funksionon kur çdo reformë kthehet në normë.

Asnjë reformë nuk ka fuqinë dhe mbështetjen e duhur për sa kohë që nuk kthehet në rregull dhe në ligj përmes një procesi kolegjial. Fryma voluntariste ka provuar se e shtyn një varkë mbi dallgë, por nuk e çon dot në bregun tjetër. Prandaj është dita të pyes a do kthehet në normë kushtetuese raporti i ministrit me mandatin e vet? A do ketë në fund të fundit një reforme kushtetuese të plote? A do e zgjedhin shqiptarët Presidentin e tyre nga populli? Kur do ketë një reformë territoriale të shpejtë që na ul kostot e komunave kërpudhë të bashkive anemike dhe miniqarqeve parazite? A do ketë një reformë në sistemin gjyqësor? A do e mbrojë Kushtetuta demokracinë nga uria e partive politike, siç nuk ka ndodhur?

Unë jam i bindur që do ketë tentativë dhe dua të besoj se do ketë një reforme kushtetuese dhe kjo është gjëja e fundit që i kërkoj kësaj qeverie. Në fund nuk mund të rri pa thënë se qeveria ka një fat të madh dhe një avantazh akoma më të madh. Fati i saj është që ka përballë një opozitë të dobët. Kur e them këtë, kam parasysh një gjë që të mirëkuptohem.

Opozita është e dobët, sepse nuk është e bashkuar rreth një ideje, por vetëm rreth një njeriu. Por, nga ana tjetër, qeveria ka një avantazh që do t’i kompensojë çdo dobësi: ajo ngrihet mbi një grup parlamentar burrash dhe grash që kanë ardhur deri këtu për një arsye tjetër: ata nuk janë të bashkuar rreth një njeriu, por rreth një ideje. Ata i bashkon nevoja për të bërë ato që kanë premtuar dhe për të premtuar ato që deri më sot nuk janë bërë. Ky Grup Parlamentar do jetë suksesi i vërtetë i këtij katërvjeçari. Ai do ta ruajë qeverinë e vet nga çdo ndalesë, duke e shtyrë në rrugën e të vërtetës dhe parimeve për të cilat jemi këtu. Sepse, në fund të fundit e vërteta dhe vetëm e vërteta është rruga, qëllimi dhe mjeti.

47 komente në “FJALIMI ndryshe në Kuvend, Ben Blushi: Ja çfarë i kërkoj qeverisë”

  1. Ema says:

    “qeverija ngrihet mbi një grup parlamentar burrash dhe grash që kanë ardhur deri këtu për një arsye tjetër: ata nuk janë të bashkuar rreth një njeriu, por rreth një ideje”

    Bravo Blush, uroj te jete keshtu, po kam frike se diktatura po tenton te vendoset dhe ne PS. Gjithsesi eshte heret te flasim per PS, sepse ajo eshte nje force qe nuk para duron diktatore e diktatura, as edhe rrjeshtimin. Megjithate urime per qeverine e re, shpresojme se do punoje per te gjithe shqiptaret.

    1. Kulmaku says:

      Por mgjate ,,,edhe ideja do burra qe te realizohet.

    2. DREJTESIA says:

      PS ka 7 vjet qe eshte vene ne rrjesht nga Rama. Blushi eshte mendimi ndryshe ne PS

      1. elio says:

        Vetem ne PS qe nuk ndodh keshtu,por ne Partine tende (PD) patjeter Blushi eshte pasuri e PS dhe ajo e konsideron si te tille duke i besuar vendin e deputetit dhe kruesimin e listes zgjedhone te te gjitha rastet…

  2. qytetari vlore says:

    ja vlen ta lexosh.

  3. Princi (Belgjikë) says:

    Një diskutim kritik, realist dhe idealist.

  4. ina says:

    fjalimi me i mire politik i ndonje politikani te majte deri me tash. shpresoj te marre reflektimin duhur nga qeveria.

  5. N Shabani says:

    Intelektuali mbetet intelektual, Ben Blushi eshte nje intelektual me vlera te medha fjala e te cilit duhet degjuar dhe lexuar me vemendje te madhe. Besoj se Edi Rama dhe e gjithe qeveria e kesaj mazhorance jo se nuk do te beje gabime se nuk ka njeri pa gabime por do te luftoje dhe do te beje reforma te medha, ketu do te jemi dhe do te shikojme. E ardhmja do te jete me e sigurte, urojme qe ne parlamentin e ri shqiptar te kete me shume deputete kurajoze si Ben Blushi qe te mos kene frike nga kryeministri sic vazhdojne te kene frike deputetet e PD Sali Berishen se vetem duke e kritikuar nje lider dhe nje qeveri do te ndihmohet qe te mos gaboje dhe te korigjoje gabimet qe ka bere.Kjo menyre kriticizmi do ta shpetoje vendin dhe parlamentin nga autoritarizmi i ri qe vendoset dalengadale pa e kuptuar dhe ne emer te popullit dhe kushtetutes dhe e keqja e ketij vesi eshte se vet lideri nuk e kupton qe ka vendosur diktaturen por mendon se kete e ka bere per te “miren” e popullit dhe fluturojne me enderren e delirit te madheshtise. Shpresoj qe kjo te mos ndodhe me Edi Ramen dhe besoj se jo, ai eshte njeri me kulture, publicist mire, punetor i madh dhe me zemer te madhe.Dite me te mira e presin vendin tone per te miren e te gjithe popullit dhe kombit shqiptar ne pergjithesi.

  6. Fred.Dibrani.Hamburg says:

    Ben Blushi.
    Nje politikan i perjegjshem.
    Modern dhe Patriot.
    Ben Blushi.
    Nje INSTITUCION i mendimit dhe rrezatimit te kultures politike.
    Fjala e tij duhet te behet Manifesti i Qeverise se Re.
    Faleminderit Ben.

    1. ÇANI says:

      KU PARTRIOT MORE KELYSH KURVE KUR KA THEN QE SKENDERBEU NUK ESHTE SHQIPETAR MILITANT QELBANIK

  7. deda says:

    nuk besoj se edi rama eshte skllav i pushtetit ashtu sic ishte saliu, qe u be aleat me shejtanin, vetem e vetem, qe te rrinte ne pushtet.

    1. Truri says:

      ne fakt ai shejtani nje muaj para zgjedhjeve iku nga saliu dhe ube aleat me Ramen. Kshu qe po….duke marre per baze ate qe the ti, besoj se Edi Rama esht skllav i pushtetit. Me vjen keq qe po te zgenjej po kshu i bjen te jete

  8. fidaho says:

    E.K.S.E.L.E.N.T

  9. colombi says:

    blushi ,kjo qe ke shkruar eshte nje gje e mire,por do ishte shume mire qe bashke me shoket e tu minisra ti beni realitet keto,ejo te justifikoheni qe na pengoje kryetari apo opozita. populli po pret me durim.

  10. titi says:

    Blush bravo ti bene diferencen mes 140 burra dhe grave ne parlament.Veç nje gje duhet ta dish mos harro ate fushate model dhe te veshtire qe bere ne qarkun e Elbasanit dhe kerkoi qeverise me shume investime dhe pune per ate qark, duke nxjerr nga farferia familje qe realisht jane ne nevoje. NQS dhe ne kete mandat ju beni te njejtat sjelleje dhe perplasje si vite me pare, populli nuk duhet te delegoj me te zgjedhur ne kuvend , po kuvendin duhet ta beje ne cdo qarke dhe komune ku eshte.Suksese.

  11. engjell says:

    Kjo fjale e shkruajtur e Ben Blushit mbetet nje manual per qeverine e re
    Ne se duan te bejne ç’duan Shqiptaret le te mbeten besnike zbatimit te ketyre postulateve.

  12. leo24 says:

    me vjen keq per BEN BLUSHIN, ky duhet te ishte ne qeveri. nejse nqs duhet te japesh kontribut per vendin tend mund ta japesh ate edhe nqs nuk je pjese e kesaj qeverie.

    1. shqiptari says:

      O Leo, Blushi na duhet (te gjitheve) i pa lyer. Po hyri ne qeveri …

  13. david says:

    I madh si gjithmone Blushi,ky duhet te je pasardhesi i Edit.

  14. genti says:

    Fjalim i perkryer.sikur te kishte ca me shume intelektual ai parlamenti yn do ishte mire.uroj te ndodhe ne te ardhmen.bravo dhe respekte asaj pjese intelektuale e perfaqsuar ne kete shkrim.

  15. malcor says:

    per pallavra ja kalojme cdo shteti,ama per te bere dicka ne funksion te mires te pergjithshme jemi kanibale alla dragula

  16. Artur says:

    Me njerez si Blushi, Parlamenti rit mundesine per te besuar qe eshte nje nga Institucionet qe mund te kontriboje ne rilindjen e ardhme. Por ka ca te tjere qe…..

  17. Kosta says:

    Pajtohem me Blushin, veçanërisht me vështrimin nga e ardhmja. Kam frikë se qeverinë e re do ta joshë e kaluara duke e përdorur si mantel për të mbuluar ngecjen. Ka ardhur koha për të patur shtet, por për këtë kryeministrit Rama i duhen 10 mijë idealistë në të gjithë Shqipërinë. Sepse shteti fillon nga dera e shtëpisë së gjithsecilit. A do të mundë t’i bëjë pjesë të rrugës së vet. Të presim dhe të shpresojmë. Së dyti, suksesi apo mossuksesi do të përcaktohen në një shkallë të lartë edhe nga vullneti i Z.Meta.

  18. Drenica e Kuqe says:

    Ideja eshte ajo qe na bashkon te gjithe shqiptareve. Ajo ide eshte qe ta bejme Shqiperine dhe ta mbajme ne kembe vertikalisht. Pastaj t’i krijojme kushte ketij populli qe te jetoj me dinjitet te paneperkembur nga politika kuislinge, siç ka ndodhur keto dy dekadat e fundit, ne gjithe Shqiperine e copetuar…
    Te lumte, z. Blushi!

    DRENICA E KUQE

  19. lexuesi says:

    Shkrim i shkelqyer. Mendoj se ben blushi si njeri vizionar qe eshte duhet te sherbeje si strateg per politikat qeverisese. Shpresoj qe edi tia vleresoje mendimet e tja degjoje fjalen. Dhenia e ndonje posti ministror ose ekzekutiv thjesht do ja kufizonte aftesite, do ta bente peng te realitetit medioker. Ky njeri duhet te merret me korrigjimin e sistemit, ka plote xhandare psja qe te merren me drejtimin e njerezve

    1. ema says:

      Ti patjeter duhet te jesh nje nga keta xhandaret.
      Aman more po ku dolet kaq te zgjuar ju te shoqerise civile te Rames e Sorosit?

      I thoni me te votuarve te PS “Mos u perlyeni ju o shenjtore se mekatet tuaja do ti marrim ne, njerezit do ti punesojme ne, pushtetin do ta mbajme ne”

      Kujtoni qe te tjeret jane gomare apo si? Do ja degjoni shpejt avazin pisllikut tuaj. Midis jush dhe deputeteve te PS ka nje ndryshim thelbesor: ju nuk jeni votuar dhe nuk do te votoheni kurre nga elektorati socialist, kurse ata jane te supervotuar. Dhe ne demokraci vlen se kush votohet.

      1. lexuesi says:

        ema ja paske futur rroma per toma. ke dashur te besh ironi e sarkazem por komenti yt eshte nje lemsh i vertete, sa per dijeni sjam me ps, se konsideroj veten as shoqeri civile, po te kisha votuar do ua jepja te voglave. por ben blushi me pelqen se eshte nje intelektual me bote dhe ka stil aristokratik, jo si halabakeria e katunaria qe ka mbytur politiken tone nga te dy anet. skemi cte bejme i tille popull jemi, nxjerrim me shume ferra se trendafila.

  20. aranit bregu says:

    Respekt! i moderuar, aspak euforik dhe i kulturuar.
    citoj thelbin:
    ”Dijet shtojnë paratë, por paratë nuk i shtojnë dot dijet. Nëse një fëmijë maqedonas, serb, grek apo turk sot edukohet më mirë se një shqiptar në dhjetë vitet e ardhshme, çfarë të ardhme do ketë vendi ynë? Dhe historia e botës tregon se jo kombet më të pasura, por ato më të diturat kanë ecur përpara”

  21. labi says:

    Kush do te marre guximin te me thote se,kur,qofte dhe nje here te vetme,nga cilado figure e P.D.-se,ka folur me kete fryme,cili nga P.D.-ja,ka folur me ate ton dhe njohje te humbjes,sic foli Gramoz Ruci para 8 vjetesh?A mundet valle te flasesh per demokraci me te tille elemente,qe,diten e pare te fillimit te punimeve ne parlament,ngerdheshen e kercenojne?Mos me thoni ne emere te demokracise.

  22. Edison Rrypi says:

    Nuk ka dyshim se Ben Blushi ka kapacitete të një intelektuali,ndaj dhe është i domosdoshëm si një politikan në Kuvendin e Shqipërisë.Por,mendoj se ai duhet të jetë më i gjallë e aktiv në veprimtarinë politike brenda PS-së dhe në Kuvend.E them këtë,nisur nga faktet e deritashme që pasqyrojnë edhe karakterin e tij me ulje-ngritje.Kështu,sa herë që ndjehet i pakënaqur nga trajtimi ose mosvlerësimi në praktikë që i bën Edi Rama,ndërton fjalime(diskutime)sikur sapo ka ardhur nga hëna e nuk i njihte problemet në partinë e tij dhe jashtë saj.Me 1-2 diskutime(akademiko-letrare) në vit do të thotë se, mund të vegjetosh rehat vite me radhë e me nam të mirë si politikan apo deputet.Të pretendosh për tu bërë lidership,duhet të hidhesh në “betejë” politike pa u tërhequr deri në fund të saj.Kujtoni si u tërhoq nga LMN-ja dhe mbrojtja e ideve të tija dhe që sot po i ripërsërit?Përse?Mbase i prekur që nuk është nr. 2 në Parti ose në Parlament…..

  23. Guardium says:

    Ben Blushi shendet dhe krijimtari praktike, per te prodhuar perla shoqerore, morale dhe politike si kjo e sotmja.
    Si kjo e sotmja, qe eshte emri dhe mbiemri i nje qeverie te re, ne çdo aspekt.
    Si ky diskutimi jot, qe eshte kushtetute e shkuar kushtetutes, per çdo qeveri, por i dedikuar per qeverine e re.
    Sa lende, sa material, sa shtigje, sa udhezime, sa ide, sa keshilla, sa ura, sa rruge ka aty brenda?
    Sa seriozitet, sa kendveshtrim, sa ndergjegje, sa pergjegjshmeri, sa shtytje e vendosmeri, sa alternativa e sa pergjegjesi gjen aty?
    Ke folur pak, por ke thene shume. Nuk ke perseritur ato qe tjeret kane thene, por ke thene ato qe te tjeret ndoshta si mendojne, ose i mendojne pak por smund ti thone.
    I thelle, racional, me shume se bashkekohor, brilant ne çdo aspekt diskutimi.
    Dhe kete diskutim, kete lloj diskutimi ne gjirin e PS-se mund ta bej vetem Blushi. Padiskutim vetem Blushi. Eshte eskluzivitet i tij ne çdo aspekt, moral, politik, shoqeror, intelektual.
    I paperlyer dhe brilant ne gjithçka. Dhe athere kur shkelqen me mungesen e tij.
    Mekat, qe ai kuptohet kaq pak nga te tjeret rreth e rrotull, nga te tijte, nga ata qe drejtojne qeverite dhe qe hiqen sikur kuptojne gjithçka.
    Faleminderit Ben Blushi, kjo eshte gjeja me shume se normale, gjeja qe shqiptaret duan te degjohet shpesh, dhe qe ata te mendojne se edhe politika po sherohet, po normalizohet dhe po fillon ti sherbej atij qe e paguan bujarisht, sovranit.
    Edhe njehere shendet dhe pune te mençura si kjo, kushtetuta jote per qeverine e re.

  24. rb says:

    Z. Ben1! Hallall. Gjithsesi kam nje merak. Intelektin tend duhet ta perdoresh per te bere pune te mira edhe duke i udhezuar koleget, qofte dhe ministrat, sidomos ministrat. Nuk justifikohet asgje nga ajo qe u dha populli me 23 qershor. Duhet lene menjane, per te mire te vendit te roberuar, qejfmbetjet meskine. Une nuk dyshoj tek Ju. Mbase nuk bej keq qe ta them. Mendja jote duhet. Dhe kam besim se do ta besh.
    Suksese!…

  25. katarakti says:

    Fjalim brilant. PS-ja ka vertet njerez me vlera dhe atdhedashuri. Rama, Blushi, Majko jane pasuri per kete parti dhe per vendin. Shkrimi i Benit ishte nje rezyme e 20 viteve te fundit te shitjes se Shqiperise per skrap. Idete qe ai ka parashtruar ne kete analize duhet te vihen ne jete nga qeveria e re. Bravo dhe flm.

  26. bracja says:

    foli me ne fund edhe ky qe ecen vet.Nuk eshte me protagonist.Ai nuk mund te duroj dot qe te mos jete ne qender te vemendjes.
    Ketij loqes ose I kane thene ose e ka semundje qe eshte me I miri I te mireve.Keshtu beri edhe me Bamirin.Ti nuk ke per tu bere kurre president I tha.E kuptoni sa I dhemb qe jane djemt e vajzat e nje brezi te pas tije qe do bejne kauz e ai jo.Une ve bast qe ky do shkruaj nje roman tjeter kunder Ismail Qemalit…

  27. Vesel Hysa says:

    Të lumtë, i nderuar e i dashur Ben! Ky fjalim është dëshmi se je, jo vetëm shkrimtar i madh e atdhetar, por edhe politikan e mendimtar i zgjuar.

  28. rani says:

    Blushi eshte nder politikanet met te formuar, gjithmon racional dhe meriton te degjohet nga koleget e tij te majte por dhe te djathte.

  29. Fllad says:

    TE LUMTE BLUSH!!!!!!!!!!MENDJE E KTHJELLET.

  30. Artur says:

    Ekselent Blush,e vlen te lexosh mendimet e nje djali me mend.

  31. albi says:

    E degjova live fjalimin e Benit dje dhe pjesa qe me pelqeu me shume dhe qe ai i meshoi me fort ne ate fjalim eshte renia e publikes ne krahasim me privaten dhe rolin per ta fuqizuar publiken dhe per te fuqizuar rolin dhe ndikimin e shtetit ne shoqeri

  32. kalciani says:

    Replik per Skypion!
    Lexova nje ego-ist,me emrin Skypion,qe bene te diturin,te lexuarin ,poliedrikun,politikanin,popullin etj,por vetem thjesht qytetarin e thjesht te ketij vendi,nuk e bekerka dot,se nuk e le pordha dhe hunda!

  33. valter says:

    Personalisht ska pasur respekt per kete person pasi me eshte dukur gjithnje arrogant, por duhet ta pranoj se ketij fjalimi nuk ke çfare ti shtohet. Nje bravo te MADHE per fjalimin dhe nese Blushi e ka me gjithe mend dhe zemer ate qe ka then meriton te jet kryeminister! Edhe diçka, nuk fituat ndaj partise demokratike por asaj DEMONIAKE!

  34. tironsi says:

    nuk kuptoj nje gje:
    Ben Blushi ka qene me gjate se Rama ne politike, shuuume me gjate.
    Por verej qe ne seancen e pere apo te dyte qe Rama eshte deputet, ne diten e pare apo te dyte te qeverisjes ben nje fjalim si ky.
    Parimisht s’ka asgje te keqe, dhe kjo eshte me e shendetshme per Ramen dhe qeverine e re.
    Por ajo qe s’kuptoj eshte pse keto shkrime, kjo fryme kritike, ky presion nuk eshte bere ne kohen e nanos, edhe pse ai ndenje 8 vjet, edhe pse ai arriti te dale i dehur neper mbledhje, edhe pse ai zgjaste doren ne kazino, duke marre shukat e leketve pa para se kush “po ja mbushte doren”…
    Mos valle na eshte kthyer ne mani ne shqiptareve, kundershtimi dhe luftimi i nje gjeje te re qe ne fillesat e saj..?

  35. enea says:

    Blushi meritonte me shume.Ai eshte ku e ku me lart ne intelekt dhe kontribut se Peleshi akoma me lart se Bushati qe nuk i ka thene njeri puna mbare.Me Blushin qeveria do kishte nje stature me te larte.Rama do tregonte keshtu me shume qytetari dhe se vlereson pa xhelozi bashkepunetoret dhe shoket e vet duke ndare pushtet me ta.

  36. SU says:

    Nje fjalim i drejte i nje politikani, qe ne cdo arsye nuk mund te jete i drejte, sepse ja do puna.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje