KiE: Përdorni ligjet ekzistuese për të luftuar korrupsionin

21 Tetor 2013, 11:58Politika TEMA

Intervistë e DW me Ivan Koedjikov, kryetar i Departamentit të Veprimit kundër krimit në Këshillin e Europës

 

Zoti Koedjikov, lufta kundër korrupsionit mbetet një nga sfidat kryesore të Shqipërisë në përpjekjet e saj për një demokraci funksionale dhe afrimin drejt anëtarësimit në BE. Si vend anëtar i Këshillit të Europës, ajo ka përfituar nga asistenca teknike, monitorimi dhe rekomandimet e KiE, për të plotësuar angazhimet/detyrimet e saj lidhur me luftën ndaj korrupsionit. Si e vlerësoni ju situatën në Shqipëri lidhur me korrupsionin?

Besoj që qeveritë shqiptare, njëra pas tjetrës, kanë luftuar korrupsionin në radhë të parë, sepse populli shqiptar dëshiron të shkojë përpara në të përditshmen e tij, pa qenë i shqetësuar nga korrupsioni. Kushtëzimet në rrugën drejt anëtarësimit në BE janë një faktor dytësor, por shumë pozitiv. Shqipëria u bë anëtare e Këshillit të Europës në vitin 1996. Një vit më pas, Shqipëria u bë anëtare themeluese e mekanizmit kundër pastrimit të parave dhe monitorimit të financimit të terrorizmit, të njohur me inicialet MONEYVAL. Në vitin 2007 u bë anëtare e GRECO – Group of States Against Corruption-. Shqipëria ka marrë pjesë në vlerësimet e ndërsjella, të kryera nga këto mekanizma monitoruese dhe ka përfituar nga rekomandimet e GRECO-s dhe MONEYVAL. Që nga viti 2000 Shqipëria dhe Këshilli i Europës bashkëpunojnë për të plotësuar projekte anti-korrupsion: një rajonal dhe tre në Shqipëri, të dizenjuara enkas për të mbështetur reformat shqiptare anti-korrupsion dhe mirëqeverisjen. Ka një progres të pamohueshëm, por mbetet ende shumë për të bërë. Nuk më takon mua të jap një vlerësim të situatës në përgjithësi në Shqipëri lidhur me korrupsionin. Qeveria e Shqipërisë ka bërë një vlerësim dhe i ka dhënë përparësi luftës ndaj korrupsionit. Mirëpres këtë politikë të qeverisë.

Këshilli i Europës ka zbatuar në Shqipëri një projekt të përbashkët, trevjeçar me BE, 2009-2012- Project Against Corruption, Albania- i njohur me inicialet PACA. A mund të tregoni ku u fokusua asistenca teknike e këtij projekti, cilat janë rezultatet e tij?

PACA u fokusua kryesisht në dy fusha: 1- implementimin e Strategjisë Anti- Korrupsion dhe Planit të Veprimit, 2007-2013 në përputhje me rekomandimet e GRECO-s dhe MONEYVAL, si edhe me angazhimet në kuadër të Partneritetit Europian, 2- në parandalimin e korrupsionit në sektorin e arsimit përmes përmirësimit të transparencës, përgjegjësisë dhe pjesëmarrjes sociale. Projekti adresoi boshllëqet dhe mangësitë në legjislacionin dhe politikat anti-korrupsion dhe mundësoi përmirësime në kuadrin ligjor, rregullator dhe administrativ për përfituesit kryesorë. Projekti u mendua edhe u zbatua edhe për trajnime profesionale dhe kontribuoi në rritjen e ndërgjegjësimit të publikut për korrupsionin dhe si ta luftojë atë.

Në Progres Raportin 2013 të Komisionit Europian për Shqipërinë theksohet se “korrupsioni mbetet një problem serioz dhe është mbizotërues në shume fusha, përfshirë edhe ligjin”. Si kanë kontribuar rezultatet e PACA-s në luftën kundër korrupsionit? Në ç’masë rekomandimet e këtij projekti trevjeçar janë marrë parasysh nga qeveria paraardhëse dhe institucionet e tjera shtetërore? A ka faktorë, që vënë në rrezik qëndrueshmërinë e rezultateve të arritura nga projekti PACA?

Si të gjitha projektet e tilla, PACA kontribuoi në një sërë mënyrash, kryesisht përmes hapash dhe përmirësimesh të vogla, në rritje. Arritja më e madhe e këtij projekti është roli, që luajti lidhur me imunitetin e zyrtarëve të zgjedhur dhe adaptimin e imuniteteve konform standardeve dhe praktikave më të mira të Këshillit të Europës. Kjo kërkoi edhe amendimin e Kushtetutës. PACA zgjati tre vjet dhe solli një listë mbresëlënëse rezultatesh, ndër të cilat rekomandimet për politika specifike bazuar në vlerësimet e rrezikut të korrupsionit në gjashtë sektorë të ndryshëm. Shumë prej këtyre rekomandimeve janë ende për t’u zbatuar. Përpjekjet anti-korrupsion të qeverisë aktuale të Shqipërisë natyrisht që do të përfitojnë nga trashëgimia që la PACA, nëse mund ta përdor këtë fjalë.

Qeveria e re e kryeministrit Rama e konsideron luftën kundër korrupsionit një nga prioritetet e saj kryesore. Çfarë pret Këshilli i Europës nga qeveria e re për të adresuar si duhet korrupsionit dhe përmbushë të gjitha standardet e KE? Çfarë do t’i sugjeroni ju qeverisë Rama për të vendosur në thelb të strategjisë së re anti-korrupsion?

Pritshmëritë e Këshillit të Europës janë përshkruar në detyrimet statutore të Shqipërisë, të njëjta për të gjitha shtetet tona anëtare dhe në rekomandimet e adresuara për Shqipërinë nga GRECO dhe MONEYVAL. Për të qenë më specifik, Shqipëria mund të përqendrohet në përmirësimin e kuadrit të përgjithshëm të politikës së saj anti-korrupsion politikave dhe koordinimit, që do të përfshinte përditësimin e Planit të Veprimit Anti-korrupsion si dokumenti kyç i politikës së qeverisë. Një mbështetje të fortë institucionale mund t’i jepet përpjekjeve anti-korrupsion, për shembull duke angazhuar Kontrollin e Lartë të Shtetit në strategjinë kombëtare anti-korrupsion dhe kuadrin e politikës. Ka hapësirë për përmirësimin e koordinimit institucional, për shembull, duke i dhënë Inspektoratit të Deklarimit dhe Verifikimit të Pasurive të Zyrtarëve te Lartë rolin një Zyre Anti-Korrupsion, duke u fokusuar jo në shkeljet administrative dhe inspektimet, por në zhvillimin e politikave, koordinimin dhe monitorimin. Masat e përgjithshme parandaluese antikorrupsion mund të kenë një ndikim të madh pozitiv afatgjatë, për shembull, përfundim i reformës së shërbimit publik për të siguruar një shërbim civil të motivuar dhe të bazuar në meritë, duke siguruar që janë vendosur sisteme funksionale për të lehtësuar dhe vepruar me ankesat për korrupsion brenda institucioneve publike.

Një faktor kyç për të pasur progres në përpjekjet anti-korrupsion është opinioni publik. Për fat të keq opinioni i përgjithshëm publik në Shqipëri është skeptik lidhur me zhdukjen e korrupsionit, përderisa Shqipëria nuk ka shembuj konkretë të zyrtarëve të dënuar për korrupsion, veçanërisht në nivelet e larta të vendimmarrjes, një realitet ky, që çon në mendimin se në Shqipëri është instaluar një kulturë e mosndëshkimit këmbëngulës. Dhe më shumë se të qenit mospranues dhe jo tolerantë ndaj rasteve të korrupsionit njerëzit thonë: “të gjithë bëjnë korrupsion, askush nuk dënohet”. Çfarë duhet bërë për të kthyer opinionin publik në një aleat në përpjekjet anti-korrupsion?

Si u përmend më lart kufizimi i numrit të zyrtarëve të lartë, që gëzojnë imunitet, ishte një hap i mirë, që lejon shoqërinë shqiptare të udhëhiqet nga ky shembull. Kjo me siguri është vlerësuar nga opinioni publik. Megjithatë nuk duhet të jetë e vështirë për të parë se për sa kohë mjetet ekzistuese ligjore dhe të zbatimit të ligjit nuk përdoren, apo përdoren vetëm në mënyrë selektive, publiku shqiptar ka të ngjarë të mbetet skeptik. “Të gjithë bëjnë korrupsion, askush nuk ndëshkohet” ose “Të gjithë bëjnë korrupsionin, vetëm të vegjlit ndëshkohen”, duhet të zëvendësohet me ‘Korrupsioni nuk paguan” dhe “Korrupsioni është një gjë e keqe, prandaj as e bëj, as e toleroj”.

Shqipëria shpreson të marrë në dhjetor të këtij viti statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. A mendoni se BE do të hapë me Shqipërinë negociatat e anëtarësimit?

Shqipëria dhe shqiptarët janë pjesë e familjes europiane. Besoj se populli shqiptar meriton të jetojë në një shoqëri moderne, të begatë dhe pa korrupsion. Kam besim se qeveria shqiptare e di se për të arritur qëllime të tilla çdo qeveri duhet të jetë gati për të ndërmarrë masa të vështira dhe unë jam i bindur se qeveria ka vullnetin politik dhe mandatin popullor për të bërë kështu.

Çrrënjosja e korrupsionit po tregon se është një proces i gjatë dhe i vazhdueshëm, që nuk mund të arrihet me një shkop magjik. Çfarë roli mund të luajë KiE, çfarë mund t’i ofrojë qeverisë së re të Shqipërisë për të luftuar më mire se deri më tani korrupsionin, vazhduar reformat dhe zbatuar me sukses strategjinë e saj të re anti-korrupsion?

Si të gjitha qeveritë e reja qeveria Rama ka të ngjarë të jetë kritike me qeveritë paraardhëse. Megjithatë kjo nuk është një arsye për të hedhur poshtë atë, që ato kanë arritur, ose “të mos hedhin bashkë me ujërat edhe foshnjën”. Ka shumë rekomandime të PACA-s këshilla, udhëzime teknike dhe mjetet, që presin të zbatohen në praktikë. Janë të mira për Shqipërinë, edhe pse u elaboruan gjatë një qeverie tjetër. Do të doja t’i bëja apel qeverisë së re të përdorë sa më mirë anti-korrupsionin acquis të zhvilluar në bashkëpunim me Këshillin e Evropës. Nga ana jonë ne do të bëjmë çmos për t’ju ndihmuar. Këshilli i Evropës është i gatshëm për të mbështetur prioritetet anti-korrupsion të qeverisë shqiptare.

2 komente në “KiE: Përdorni ligjet ekzistuese për të luftuar korrupsionin”

  1. penicilina says:

    Europa kerkon koken e Saliut,eshte koka qe qelb Shqiperine.

  2. sinqerisht. says:

    Korupsioni eshte bere si nje Xhungel
    ne kete vend.Ay ka mbuluar hapsira te gjera,
    aq sa veshtire te depertoi ndonje reze
    Drite e jo me te gjesh ndonje shteg per
    te dale prej tij.Kjo ka bere qe nga njera
    ane populli ti kete humbur shpresat per
    ti besuar ndonje permiresimi,dhe nga ana tjeter
    pothuajse e tere administrata 8 vjecare
    e regjimit te berishistanit zhvilloi vrrullshem
    zevendesimin e moralit me te kunderten dhe
    me kete profil,i dha perparesi pervetesimit
    sigurisht edhe ne bashkepunim me njeri tjetrin
    duke i sherbyer keshtu rritjes dhe zhvillimit
    te panderprere te Xhungles se korupsionit.
    Por Populli don te shohe fakte.Pranohet se
    premtime per ta shpyllezuar kete xhungel
    ka mjafte dhe te gjitha jane inkurajuese
    por duhet te vendoset edhe njefare rradhe:
    p.sh.qe krahas prishjes se Godines tek Ekonomiku
    te shikohet edhe mundesia e furnizimit
    te Spitaleve me medikamente.
    Duke pergezuar aksionin”Marezia..!”Ata 6000 Police
    te krehin edhe zonat e ngujuara per te liruar
    ata qundra femije te privuar nga e drejta
    per ta jetuar jeten dhe te jene te lire per
    te shkuar ne shkolle.
    Pergezojme kapjen e kontabandisteve te Droges
    por duam te shohim qe te krihet dhe te pastrohet xhungla
    e Lazaratit.Pergezojme kom.Parl.te Ekon.per
    faktet tronditese qe ka konstatuar,por tani
    nuk ka aresye qe te mjaftohemi me kaq ne nje
    kohe qe ka percaktuar qarte edhe Kokat
    e ketyre bemave,si Saliu,Bode,K/Doganieri
    dhe K/Taksidari.
    E shohim qe jeni ne ball,se keshtu e kerkon
    vendi,por ne deshirojme qe edhe mundi te mos
    shkoje kot.Pashe Bumcin ne mesin e familjareve
    te permbytur ja atje ne periferi te Tiranes
    dhe kritikonte me aq ze koke sikur te kishte
    kaluar Dite e Nete te tera ne zonen Lezhe-Shkoder
    prane hallexhinjve duke ju dhene me bollek
    edhe ndihma ekonomike gje qe jo nuk e pame qofte
    ehe nje sekonde prane tyre,por as edhe sot nuk ju kane dhe asnje qindarke per demet qe perjetuan.Ketu qendrone
    edhe cudia,por qe nuk cudit askend.
    Tani per te gjithe ne eshte e qarte se;
    Qeveria nuk po luftone vetem per te eleminuar
    pasojat qe ata qe perzume lane pas,por nje
    pune e nadhe ju duhet te bejne edhe me
    venien para pergjegjesise shkaktaret qe vertiten
    neper kembe.Keshtu Ata nuk do mund te bertasin
    me se gjoja Qeveria eshte ne Kaos kur kete Kaos
    ja lane ata peshqesh ketij vendi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje